Në ditën e parë të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Maqedoninë e Veriut, krerët e Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) vizituan Komunën Gjorçe Petrov në Shkup, për të parë nga afër mbarëvajtjen e regjistrimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën për media, drejtori i ESHS-së, Apostoll Simovski, uroi që procesi i regjistrimit në terren të vijojë në rregull, duke theksuar se deri më tani nuk është hasur asnjë problem.
“Sot regjistrimi ka filluar në gjithë shtetin, gjithkund procesi ka filluar me sukses. Deri tani askund nuk ka refuzime për t’u regjistruar. Nuk ka pasur askund probleme teknike, pasi megjithatë ky regjistrim është më i sofistikuar se të mëparshmit, gjithçka funksionon siç duhet”, tha Simovski.
Regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive në terren do të zgjasë deri më 30 shtator ndërsa territori i shtetit është ndarë në 50 rajone të regjistrimit.
“Të gjithë regjistruesit janë në terren. Në këtë organizim janë përfshirë 5.000 regjistrues, 500 instruktorë rajonal dhe 150 instruktorë shtetërorë”, tha Simovski.
Ai gjithashtu tha se regjistruesit do të zbatojnë protokollet për mbrojtje nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke bërë thirrje që edhe qytetarët të jenë të kujdesshëm.
Krahas shtetasve të vendit që janë të pranishëm në shtet gjatë kohës së regjistrimit, tek të cilët regjistruesit do të përdorin një kompjuter dhe një aplikacion të veçantë, vijon vetë-regjistrimi online edhe për shtetasit që janë qytetarë jorezident. Bëhet fjalë për personat që kanë vendqëndrim në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe janë shtetas të saj, ndërsa gjatë regjistrimit qëndrojnë jashtë vendit më pak se 12 muaj (një vit) për shkak të punës ose për ndonjë arsye tjetër. Sipas faqes zyrtare të ESHS-së, deri më tani janë vetë-regjistruar 191.118 persona.
Regjistrimi i popullsisë fillimisht duhej të mbahej në datat 1-21 prill, por u prolongua për shkak të situatës së rënduar me pandeminë e koronavirusit.
Maqedonia e Veriut për herë të fundit ka mbajtur regjistrim në vitin 2002. Në vitin 2011 filloi të realizohet regjistrimi, por u ndërpre, pasi anëtarët e Komisionit të Regjistrimit dhanë dorëheqje kolektive dhe të parevokueshme.
Komentet