Duke iu referuar filozofit gjerman Emanuel Kanti se “për të mposhtur të keqen nevojitet kohë, dyfish sa për të arritur të mirën”, të bën të mendosh se procesi i dekomunistizimit në Shqipëri kërkon afro 90 vjet, pasi, diktatura zgjati zyrtarisht 45 vite. Por, a është e mundur që katarsisi i shtetit dhe i shoqërisë nga ideologjia më antihumane dhe antikombëtare të arrihet më shpejt? A është e mundur që pasojat e atij sistemi të përçudnuar të mos ndikojnë te ndërgjegjja e lirisë e brezave të rinj të cilët nuk kanë as edhe një ngarkesë apo gjykim ndaj gjysmë shekullit më të errët të historisë së shtetit? A është e mundur që të rinjtë të çmitizojnë çdo “element heroik apo të mirë” të diktaturës komuniste dhe Enver Hoxhës? Ka një emërues të përbashkët në përgjigjen e këtyre dilemave… ai duhet të jetë vullneti i vetë shoqërisë për të rrëzuar simbolet dhe nostalgjinë që ato mbartin për komunizmin.
Në studimet e mia për një kohë të gjatë mbi burgjet, kampet dhe persekutimet kam dalë në bindjen se heqja e simboleve që sjellin jehonën glorifikuese të sistemit, është hapi kyç dhe gjysma e punës për dekomunistizimin e shoqërisë. Imperativë janë. Po kaq e rëndësishme është dhe ana tjetër e medaljes për kauzën e simboleve, ku rrëzimi i atyre që i përkasin diktaturës të zëvendësohet me ngritjen e simboleve të përkujtimit dhe nderimit të viktimave, si kontribut i jashtëzakonshëm që ata dhanë në arritjen e lirisë dhe demokracisë së shqiptarëve.
1- Shfuqizimi me akte ligjore i titujve dhe dekoratave të nderit të ish-funksionarëve të lartë komunistë, të cilët kanë qenë të përfshirë në kryerjen e krimeve dhe persekutimeve në vitet 1945-1990;
2- Heqja e simboleve të komunizmit kudo që ndodhen, si ylli i kuq, drapri e çekani, parulla të ndryshme të mbetura të skalitura në faqe kodrash dhe relieve të ndryshme gjeografike;
3- Rishikimi me seriozitet i të gjitha kurrikulave mësimore ku kanë mbetur atavizma të propagandës komuniste dhe realizimit socialist. Të tilla modele janë shumë të rrezikshme për ngritjen e një vetëdijeje të re dhe demokratike të të rinjve dhe brezave të ardhshëm;
4- Prej vitesh këmbëngul në ngritjen e një kurrikule të posaçme, Historisë së Diktaturës, si lëndë në gjimnaze ose në vitin e nëntë të shkollës nëntëvjeçare;
5- Vendosja dhe artikulimi zyrtar në tekste, korrespondencën e praktikave dhe protokollit shtetëror dhe në studime historike të termit “instalimi i diktaturës komuniste”, ku shpesh manipulohet me konceptin “çlirimi i Shqipërisë”. A mund të konsiderohet dhe etiketohet “Çlirim”, nëntori i vitit 1944, kur forcat komuniste në çdo qytet që hynin pas largimit të trupave gjermane bënin terror dhe masakra te civilët e pambrojtur? Vetëm në Gjirokastër në nëntor të 1944-ës në një ditë u pushkatuan në gjimnazin e qytetit 12 burra e të rinj, qytetarë me integritet të zonës, pasi ishin të njohur si kundërshtarë të ideologjisë komuniste. Po aq famëkeqe ishin “ditët e Çlirimit” edhe për qytetarët fisnikë të Beratit, ku në një procesion barbar të partizanëve dhe mbështetësve të tyre, u nxorën nga varri kockat e ish-kryeministrit vizionar Iljaz Vrioni dhe me herezinë e turmave u zvarritën përgjatë rrugëve derisa u hodhën pa mëshirë në ujërat e Osumit. Po aq antinjerëzor ishte instalimi i diktaturës në ditët e para dhe në Tiranë, Shkodër e qytete të tjera, ku nga forcat partizane me një mllef historik të proletariatit u vranë pa gjyq, dhe u lanë rrugëve apo në vende misterioze, trupat e qindra qytetarëve, intelektualë, anëtarë të familjeve të pasura, pronarë e shumë të pafajshëm të tjerë.
6- Këshillat bashkiakë të këtyre qyteteve të vendosin pllakate përkujtimore ose instalacione e vepra arti si monumente për kujtesën historike të këtyre njerëzve të vrarë apo të zhdukur nga diktatura komuniste;
7- Të hiqen emërtimet e rrugëve të Tiranës apo çdo qyteti tjetër, të shkollave dhe institucioneve që mbajnë emrat e njerëzve që janë të përfshirë në krimet dhe persekutimet e komunizmit. Në një injorancë të thellë apo manipulim të qëllimshëm të historisë, këshillat bashkiakë kanë miratuar emërtimin e këtyre rrugëve që për shumë të persekutuar, ecja nëpër rrugicat e Tiranës kthehet në një makth kujtimesh dhe vuajtjesh;
8- Ndërtimi i muzeve në burgjet famëkeqe të Spaçit, Burrelit, Qaf Barit, vendosja e simboleve përkujtimore në çdo burg, kampe internimesh, pune me detyrim, gulagët, poligonet ku bëheshin ekzekutime, si në Zallin e Kirit-Shkodër, Ura e Farkës Tiranë në Porto Romano të Durrësit, Ura e ballistëve Vlorë etj.
9- Të ngrihet në Tiranë muzeu kaq i vonuar zyrtar për gjenocidin komunist si dhe vendosja në sheshin “Skënderbej” i obeliskut, si vend përkujtimor dhe nderimi për dhjetëra mijëra viktima;
10- Publikimi zyrtar me çdo mënyrë demokratike, shkencore dhe bashkëkohore të arkivave të Komitetit qendror të Partisë Komuniste (më pas Partia e Punës) dhe arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mbrojtjes, për një qëllim historik, njohja dhe pranimi i krimeve të komunizmit;
11- Botimi i Enciklopedisë së krimeve të komunizmit dhe një fushatë informuese dhe mediatike kombëtare e organizuar për këtë qëllim. Këto janë vetëm disa nga qasjet e shpejta për zbatimin e procesit të dekomunistizimit, i cili është rrënja e shërimit të shumë problemeve dhe mangësive të shoqërisë sonë. Pranimi, dënimi, gjykimi dhe vlerësimi objektiv i diktaturës komuniste është rruga e vetme pa asnjë aks paralel kompromisi për integrimin evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Çerekshekulli kaloi dhe procesi i dekomunistizimit nuk duhet shtyrë pa fund. Ky do të ishte një dënim i ri i historisë dhe brezat e ardhshëm do të na bëjnë fajtorë.
*Ish-i dënuar politik, historian
Komentet