Riatdhesimi i robërve të Luftës ka qenë një nga problemet më të ndjeshme pas Luftës së Dytë Botërore. Rreth 250 ushtarë gjermanë e austriakë, robër, ose nga ata që ndërruan kampet e luftimit mbetën edhe në Shqipëri, ku po instalohej diktatura e proletariatit.
Nuk do të qe e lehtë për ta të kthehej në shtëpi, madje disa syresh nuk u kthyen kurrë. U burgosën, u pushkatuan pa gjyqe, u eliminuan në fshehtësi si agjentë…
Mes të mbeturve në Shqipëri kishte edhe gra. Fatin e tyre e përshkruan historiani Paskal Milo në veprën e tij më të re, të titulluar “Udhëkryqe shqiptaro-gjermane”, që promovohet ditën e premte.
Historiani është mbështetur në dokumente të panjohura më parë, nxjerrë nga arkivat e Ministrisë së Brendshme, ku dëshmohet për numrin e robërve të luftës, kushtet në të cilat ata jetonin në Shqipëri, si përndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit dhe kush ishte i fundit prej gjermanëve që la Shqipërinë.
PASKAL MILO
RIATDHESIMI I ROBËRVE GJERMANË TË LUFTËS
Barra e rëndë e dëmshpërblimeve që mbante mbi supe Gjermania e mundur në Luftë e që duhej shlyer në paqen e zymtë e të dyshimtë të rivendosur pas saj, nuk ishte as sfida e vetme dhe as edhe e para për këtë vend. Në harkun e 27 viteve të gjysmës së parë të shekullit XX, Gjermania, dy herë u kishte shkaktuar kombeve të tjera, veçanërisht atyre europiane, humbje shumëmilionëshe jetësh njerëzore, në frontet e luftimeve e në kampet e përqendrimeve, tmerre dhe vuajtje të pafund, gjymtime të pakthyeshme dhe shkatërrime biblike.
KONFERENCA E POTSDAMIT E TRE FUQIVE TË MËDHA
Kurorat e përkohshme të dafinave të fitoreve të vendosura në kokat e nxehta të qarqeve konservatore e naziste luftënxitëse u paguan me lumenj gjaku gjerman, por vendosën në hipoteka të rënda ekonomike, politike e morale të ardhmen e kombit. Urrejtja ra si një perde e rëndë mbi kryet e Gjermanisë.
Drejtësia dhe hakmarrja jetuan në vite së bashku. Gjyqet si ai i Nurembergut e shumë të tjerë bënë punën e tyre dhe ndëshkuan fajtorët e kriminelët e mëdhenj, por jo të gjithë ata që meritonin të viheshin në bankën e të akuzuarve. Kur Lufta mbaroi, çdo komb u kujdes me sa mundi të shëronte plagët e tij. Ata që fituan, u vunë dhimbjeve melhemin e shpresës për paqe e një jetë më të mirë.
Libri më i ri i Paskal Milos
Gjermanët, nën peshën e rëndë të përgjegjësisë morale për krimet që u bënë në emër të tyre, përjetuan përbuzje e poshtërim. Jo të gjithë e meritonin e jo të gjithë ishin fajtorë. Kurrë nuk mund dhe as nuk duhet dënuar një popull i tërë. Atij i duhet dhënë shpresa për t’u ringritur nga humnera e thellë ku e hodhi aventura e tmerrshme e pakicës kriminale. Po edhe mes gjermanëve drama e Luftës dhe e humbjes së saj nuk u përjetua njësoj. Vështirë se mund të gjendej familje e thjeshtë gjermane që nuk kishte nga gjiri i saj të vrarë ose të gjymtuar.
Gjatë pushtimit nazist të Shqipërisë
Por kishte shumë e shumë të tjerë që nuk u dihej fati, që endeshin rrugëve të Europës dhe me qindra mijëra që ishin robër në vendet fituese të Luftës. Në Konferencën e Jaltës, Fuqitë e Mëdha Aleate arritën në marrëveshje të plotë për mbrojtjen, mbajtjen dhe kthimin në atdhe të robërve të Luftës dhe të personave civilë, shtetas të tyre. Por nuk pati ndonjë marrëveshje të veçantë për robërit gjermanë të Luftës as në Jaltë dhe as në Potsdam.
Aty vetëm sa u cek kjo çështje, më tepër për t’u përdorur si fuqi punëtore ose për çarmatosjen e 400 mijë prej tyre që ndodheshin në Norvegji. Ligjet dhe konventat ndërkombëtare për trajtimin e robërve të Luftës nuk mungonin. Por ajo çfarë mungonte në Gjermaninë e Pasluftës ishte autoriteti qendror qeverisës që të merrte përgjegjësinë e kujdesit për ta. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Kryqi i Kuq Gjerman u angazhuan që në fillim dhe me njëfarë vonese. edhe autoritetet pushtuese të Fuqive të Mëdha Aleate në Gjermaninë Perëndimore.
Në Shqipëri, në përfundim të Luftës kishin mbetur një numër robërish të ushtrisë naziste, shumica e të cilëve ishin gjermanë, por kishte edhe me kombësi austriake, çeke, polake, sllovene, armene etj. Për këta njerëz e për fatin e tyre as nuk është folur e as nuk është shkruar. Ka qenë një temë tabu dhe në këtë çerekshekull të fundit e panjohur për opinionin publik.
Autori, në funksion të këtij libri, bëri kërkime të posaçme në arkivat diplomatike, të ushtrisë e të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe gjeti burime dokumentare interesante e që shfrytëzohen në shumicë për herë të parë. Numri i robërve të Luftës në Shqipëri ka qenë rreth 250, por në vite të ndryshme janë dhënë shifra jo të njëjta. Shifra maksimale është paraqitur në një raport të vitit 1947, ku shkruhet për 298 robër gjermanë. Prej tyre mbi 200 vetë kanë qenë gjermanë, 25 austriakë, etj.
Ushtarë gjermanë, robër lufte në Shqipëri pas Çlirimit
Ky numër, me ndryshime të pakta, mbeti thuajse i njëjtë nga viti 1945 deri në vitin 1950. Përveç tyre, në Tiranë qëndronin me një status të veçantë në pritje të riatdhesimit edhe rreth 50 ushtarë gjermanë që ishin bashkuar pas korrikut 1944 me forcat partizane. Në fund të gushtit 1945 u lejuan të largoheshin nga Shqipëria për t’u riatdhesuar 17 partizanë gjermanë, në tetor 16 të tjerë dhe në nëntor 11 të tjerë. Përveç tyre, u riatdhesuan edhe 8 partizanë austriakë, 2 polakë dhe një çek.
Nga përbërja sociale, mbi 90 për qind e robërve ishin punëtorë, bujq e zanatçinj. Mes tyre kishte disa oficerë, studentë e nëpunës, dy priftërinj, dy piktorë, dy mjekë, disa farmacistë, tregtarë etj. Shumica dërmuese kishin arsim fillor, pak me arsim të mesëm e fare pak me arsim të lartë. Kishin rënë robër kryesisht pas korrikut 1944, thuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë, në Sarandë, Himarë, Vlorë, Fier, Elbasan, Librazhd, Peqin, Korçë, Tiranë, Pukë, Dibër, Kukës etj.
Nga pikëpamja politike në lidhje me qëndrimin ndaj regjimit komunist, pjesa më e madhe e robërve cilësoheshin “indiferentë”, ndërsa kishte një grup që mbante qëndrim “jo të mirë”, armiqësor ndaj pushtetit të ri. Një grup tjetër me rreth 60 robër e që cilësoheshin si “antifashistë” kishte një sjellje “të mirë” dhe në mes tyre numëroheshin edhe anëtarë të ish-Partisë Komuniste gjermane.
Dislokimi i robërve gjermanë ndryshoi në vite. Shumica e tyre, rreth 150 veta, menjëherë pas Luftës u grumbulluan në rrethin e Vlorës, në Kallarat, në Llakatund dhe rreth 20 veta në qytet. Kryesisht punonin në minierën e bitumit në Selenicë. Në gjysmën e dytë të vitit 1946 shumica e robërve u sollën në Tiranë për të punuar në ndërtim, bujqësi, disa në fermën e Kamzës, disa në spitalet ushtarake e civile, në administratë si specialistë etj.
Një pjesë mbetën në Cërrik të Elbasanit, e pak në Llakatund e Rubik. Trajtimi i robërve, kushtet e strehimit dhe ushqimi i tyre linte për të dëshiruar. Shqipëria e Pasluftës ishte tejet e varfër dhe e uritur dhe ndaj armiqve të djeshëm e të padëshiruar nuk mund të kishte veçse një vëmendje minimale.
Në raportet zyrtare të Sigurimit të Shtetit (STASS-i shqiptar) të kohës pohohet se “jeta që bëjnë robërit gjermanë është mjaft e keqe, strehimi është i keq dhe me veshmbathje nuk janë kompletuar të gjithë”. Robërit gjermanë, shumica e të cilëve ishin njerëz të thjeshtë, iu nënshtruan fatit me shpresën se do të riatdhesoheshin shpejt në atdheun e tyre. Por pas vitit 1946 gjendja u bë dëshpëruese. Ata në mënyrë individuale e kolektive i kërkuan Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë shqiptare riatdhesimin.
Por kur nuk morën asnjë përgjigje nga autoritetet shqiptare e kur dëgjonin se robërit gjermanë në vende të tjera po riatdhesoheshin, u ligështuan e filluan të reagojnë. Në punë shkonin me detyrim dhe pati raste që refuzuan të punonin. Bisedat mes tyre morën përherë e më tepër karakter politik e kundër regjimit.
Disa prej tyre u arratisën e mjaft të tjerë tentuan. Rritja e pakënaqësisë në mes të robërve gjermanë dhe shfaqjet e saj në forma të ndryshme deri edhe në greva u raportua te komanda eprore nga autoritetet e posaçme që merreshin në mënyrë të përditshme me ta. Sigurimi i Shtetit riorganizoi vëzhgimin dhe kontrollin ndaj robërve, duke krijuar edhe një bërthamë agjenturore mes tyre.
Nëse deri në vitin 1946 robërit pas pune kishin të drejtën të qarkullonin lirisht, pas arratisjes së dy prej tyre, lëvizja nëpër Tiranë kryhej e shoqëruar me ushtarë shqiptarë. Korrespondenca e robërve me familjarët e tyre censurohej dhe ata që mbanin qëndrime kritike ndaj regjimit e shpresonin në përmbysjen e tij nga një ndërhyrje e jashtme mbaheshin nën një kontroll shumë të rreptë. Sigurimi i Shtetit i përndiqte kudo, në takimet që bënin me qytetarë shqiptarë e sidomos me disa gra gjermane, austriake, franceze, italiane, burrat e të cilave ose ishin shqiptarë të burgosur nga regjimi komunist, ose shiheshin me dyshim prej tij.
Aq shumë vëzhgohej rrethi i grave të huaja nga Sigurimi i Shtetit, saqë edhe gruaja e Omer Nishanit, kryetarit të shtetit shqiptar, që ishte austriake, Trandafile (Roza) Nishani ishte në përgjim të vazhdueshëm. Për t’i mbajtur nën presion robërit, një numër të vogël të tyre regjimi komunist i burgosi dhe i eliminoi edhe pa gjyq. Nga dokumentet e Sigurimit të Shtetit dëshmohet se 12 robër janë dënuar nga 2 deri në 20 vjet burg dhe disa të tjerë janë vrarë në fshehtësi e pa vendim gjykate, të akuzuar si agjentë të huaj që synonin përmbysjen e pushtetit komunist në Shqipëri.
Këtij trajtimi nuk i shpëtuan as edhe disa dezertorë të ushtrisë naziste që gjatë Luftës u bashkuan me forcat partizane. Tipike ishte rasti i pesë prej tyre, katër ishin ushtarë e një toger, i quajtur Hans Kuhn. Togeri kishte qenë komandant kompanie dhe gjatë Luftës kishte dezertuar dhe ishte rreshtuar në radhët e Brigadës V të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që ishte ndër njësitë më me emër të saj.
Akuza ndaj tyre, pasi u arrestuan në nëntor 1945, ishte se, nën drejtimin e doktorit gjerman Jozeph Kutzin, kryenin veprimtari spiunazhi në favor të shërbimeve sekrete britanike dhe kishin lidhje me Greqinë me synimin për të rrëzuar qeverinë komuniste në Shqipëri. Doktor Kutzin u pushkatua pa gjyq, pasi u torturua pa pranuar asnjë akuzë.
Edhe “bashkëkomplotuesit e tij” mbetën në burg e pa dalë para gjykatës “se nuk kemi ndonjë urdhër tjetër”, siç u raportohej nga Sigurimi i Shtetit organeve eprore komuniste në dhjetor 1947. Togerin Hans Kuhn nuk e shpëtuan nga burgu as edhe dy deklaratat e drejtuesve të lartë të Brigadës V, Shefqet Peçi e Delo Balili, të cilët dëshmuan se ai kishte treguar trimëri në luftë, ishte plagosur dhe meritonte të lihej i lirë.
Deklarata të tilla në formën e garancive për dezertorë gjermanë që kishin luftuar kundër ish-ushtrisë së tyre kanë dhënë edhe drejtues të tjerë të formacioneve partizane, si Sadik Bekteshi, Gjin Marku, Sadik Bocaj, Islam Radovicka, Myzafer Spaho, Skënder Malile, Astrit Nishani, Sofokli Papavasili etj.
Mes robërve të luftës ka pasur edhe tri gra, dy gjermane, Erna Shubert e Irmgard Tennius, si dhe një me origjinë austriake, Elsa Koch. Ato ishin zënë rob nga forcat partizane në rrugën Kukës – Prizren në fillim të shtatorit 1944. Pas Luftës, ato u dënuan dhe mbetën gati 10 vjet në Shqipëri. Elsa Koch u dënua me 20 vjet për shkak se ajo kishte qenë sekretare e gjeneralit SS Fitzthum, që u bë i plotfuqishëm në fazën e fundit të Luftës.
Hani i Elbasanit është Monument Kulture, Kategoria I dhe një nga hanet më të rëndësishëm historikë të qytetit të Korçës.
I njohur gjerësisht si Hani i Pazarit, ndërtesa është qindravj . . .
Dy anonçimet e mëposhtme, bërë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946, flasin shumë për pazaret mbi Shqipërinë. Pijade, ministër i Jashtëm i Jugosllavisë: ”Grekët sapo na kanë . . .
MINA HYSA
Adem Gjurra ka lindur në Reç të Dibrës më 13 mars 1912. Ishte i biri i Hysen (Shaban) Gjurrës e Zahide Vladit. Në Shqipëri ishte i martuar me Xhevahire Markun me të cilën p . . .
Zonja e parë e Shqipërisë dhe historia e pazakontë
Me rastin e 8 marsit Ditës Ndërkombëtare të Gruas, po përkujtojmë me anë të këtij shkrimi një grua që historia jonë e ka harruar . . .
Burimi : Dagens Press, e mërkurë, 13 prill 1921, faqe n°4
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Mars 2025
“Dagens Press” ka botuar, të mërkurën e 13 prillit 1921, në faqen n°4, intervistën ek . . .
Nga Dashnor Kaloçi/ Historia e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit osman, kur Shqipëria ishte pjesë e P . . .
GJON KAMSI
(30 Prill 1894 – 7 Mars 1992)
2 MARS 2025… PLOT 100 VJET…
■Atdhetari Gjon KAMSI asht lé në Shkoder me 30 Prill 1894. Asht kenë laurue në Bari të Italisë Dr. i Shkencave E . . .
SHKOLLA NORMALE E ELBASANIT 1909
KALUEN 70 E SA, VJET…
Po, po ikën vitet si ujë! Ishte viti 1953 kur në Shkoder mërrijti grupi i Profesorave të Elbasanit, Ishin Edukatorët dhe Miq . . .
Nga Gani Vila
Pjesa e dytë
Detyrimi që unë po shkruaj rreth këtyre krimeve të planifikuara antinjerëzore, të kryera në ato vite nga ushtria e rregullt e shtetit grek, nuk vjen për fakti . . .
Komentet