Sipas shkresës së 7 korrikut të 1951, me shënimin “Rezervat” që Foto Stamo i dërgon Sigurimit, njoftohet se, së afërmi me 17 korrik do të bëhej një mbledhje ku do të raportohej për të gjithë elementët e asaj liste, e cila kryesohej nga Marie Kraja. Në shkresë Foto Stamo porositi që punonjësit e sigurimit të vijnë të përgatitur. Në listë përveç Marie Krajës rreshtohen emrat: Lek Tasi, Fatbardha Tatzati, Zef Gruda, Tonin Harapi, Haki Bejleri, Tonin Guraziu, Aleko Kareco, Mateo Guralumi, Nik Guralumi, Agron Aliaj, Gëzim Kaceli, Flora Kallajxhi, Vilhelm Konjari, etj…Urdhri i dalë nga Komiteti Qëndror i PPSH-së ishte që një pjesë e tyre të pushoheshin sapo të shihej e mundur, një pjesë që ishin të pazëvendësueshëm, të zëvendësoheshin pas 5 ose 7 vjetësh (duke nënkuptuar zbulimin dhe edukimin e nëj artisti të ri që mund ti zëvendësonte) dhe një pjesë e këtyre artistëve më të rinj në moshë, vendosen të mbahen nën survejim e të edukohen për t’u vënë në rrugë të mbarë.
Gazeta “Shqiptarja.com” do të botojë duke nisur nga sot historitë dhe vendimet që u morën për seicilin artist të listës së përmendur. Sot do të sjellim një fragment të njërit prej relacioneve ku jepen arsyet se pse Marie Kraja duhej pushuar, duke vendosur një afat prej 7 vitesh deri në zëvendësimin e saj.

Pjesë nga dokumenti
Këtu poshtë po ju përshkruajmë elementin që mendojmë të pushohen, elementin që mendojmë të largojmë me zëvendësim dhe elementin që me punë edukative do të bëhen të vlefshëm.
Marie Ndue Kraja: Artiste lirike pushohet për mungesë garancije për këto arsye: gjatë okupacionit, gjithë familja e saj ka bashkëpunuar me armikun e kanë urryer luftën e popullit dhe kanë propaganduar kundra saj. Babaj saje ka qenë bashkëpuntor i nazistave, vëllai ka qenë spiker në stacionin nazist në Gjermani. Në fund të vitit 1944 familja arratiset.
Qendrimi i saj gjatë okupacionit ka qenë indiferent, nuk e ka simpatizuar lëvizjen NÇL. Ka punuar në Radio Tirana dhe ka dhënë koncert në Firenze, në Bari. Qëndrimi i sotçëm është indiferent nuk ka veprimtari armiqësore. Punën që i është ngarkuar e ka kryer, ka realizuar planin.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 05 Nentor 2015
Komentet