Historia e panjohur e ish-boksierit të famshëm Ndoc Gjoni nga Shkodra, që pasi vuajti 12 vjet në burgun e Burrelit, tentoi përsëri arratisjen nga lumi Buna në vitin 1980 –
*****
Kur Ndoc Gjoni vendosi të arratisej për herë të parë, mori rrugën drejt Elbasanit, atje ku po kryente detyrimin ushtarak i vëllai, Zef Gjoni. Ndoc Gjoni, është legjenda e boksit shqiptar, që kaloi përmes kalvarit të mundimshëm në burgjet komuniste dhe më pas u vra nda diktatura, në tentativën e dytë për t’u arratisur nga ferri komunist.
Ja si e rrëfen i vëllai Zefi, atë takim që do të përcaktonte një rrugë të mundimshme, për Ndoc Gjonin: “Ndoci erdhi në Elbasan për të më takuar dhe e pashë qartë se kishte vendosur të ikte. Mënyra si fliste, mënyra si sillej ishte e kuptueshme. Për rrjedhojë, pas 20 ditësh, ai u arratis”.
Rruga me të panjohura e Ndoc Gjonit, kalon nga pika kufitare e Muriqanit, për të mbërritur pas shumë peripecish, në në tokën jugosllave. Atëherë kur mendoi se e kishte fituar sfidën, do të gjendej në rrethana të tmerrshme.
Fqinjët jugosllavë, në atë periudhë i kishin raportet e mira me shtetin shqiptar dhe njerëzit që thyenin kufirin, me marrëveshje ktheheshin sërish në vendin e tyre. Pas 20 ditë qëndrimi në tokën jugosllave, Ndoc Gjoni do të kthehej në Shqipëri nga UDB-ja jugosllave, duke u këmbyer me dy jugosllavë, që kishin bërë të njëjtën gjë si ai, duke kaluar kufirin për në tokën tonë.
12 vjet burg në Burrel
Ishte vitit 1968, kur boksieri i famshëm shkodran, do të dënohej nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, me 12 vjet burg politik, për tentativën e arratisje, të cilat i kreu në burgun famëkeq të Burrelit. Janë vite shumë të mundimshme, ashtu si dhe për të tjerë bashkëvuajtës në ferrin komunist. Bashkëvuajtës të tij, shprehen me fjalët më të mira, për mënyrën si i ka rezistuar këtyre vuajtjeve, si i ka shprehur gjithnjë bindjet e tij, kundër shtetit të asaj kohe. Ndoc Gjoni, i pati kryer të gjitha vitet e burgut, duke mos përfituar nga asnjë falje, siç ndodhte ndonjëherë kur regjimi vendoste ulje dënimi. Ndoci u lirua nga burgu në vitin 1980.
Në përpjekje për ta nisur jetën nga e para, duke lënë pas pasionet e tij të rinisë, Ndoci u martua, krijoi familje dhe nisi të punojë në Uzinën “Drini”. Por kjo përpjekje nuk do të zgjaste shumë kohë, veç pak muaj pas daljes nga burgu.
Arrestimi i dytë
Me fotografinë e nënës dhe të mbesës së tij në xhep, Ndoc Gjoni, do të niste edhe një herë rrugën e mundimshme, tentativën e dytë për t’u arratisur nga Shqipëria. E ëma dhe mbesa, ishin për të, njerëzit më të dashur. Është i njëjti itinerar, nis në afërsi të pikës kufitare të Muriqanit dhe vazhdon drejt tokës jugosllave.
Por ky udhëtim, do të ishte i fundit i jetës së tij, sepse Sigurimi i Shtetit, e kishte ndjekur hap pas hapi, qysh prej ditës kur kishte dalë nga qelitë e burgut, deri në momentin e fundit, kur njëri prej xhelatëve, kishte zbrazur pa mëshirë plumbat e pistoletës, mbi kokën e tij.
U tha se ishte mbytur në Lumin Buna, në përpjekje për të kaluar kufirin, por e vërteta ka qenë krejt ndryshe, sepse Ndoc Gjoni, ishte vrarë nga regjimi. E vërteta rreth fatit të zi të Ndoc Gjonit, është mësuar vetëm pas rënies së diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, në vitin 1990.
I vëllai i tij, Zef Gjoni, nisi shpejt përpjekjet për të zbuluar çfarë kishte ndodhur me të vëllanë, Ndocin. “Njerëz të Sigurimit të Shtetit, erdhën dhe na thanë se Ndoci asht mbytë në ujë, duke tentuar të kalonte kufirin. Vetëm kaq. Ne nuk mund të bënim asgjë më shumë në atë periudhë. Vetëm pas ardhjes së Demokracisë, e kam mësuar të vërtetën.
Një nga kufitarët e asaj periudhe, ka ardh e më ka taku dhe më ka shpjegu krejt ngjarjen. Sipas tij, e kanë pa Ndocin nëpër ujë, e kanë ndjek nga pas, duke kaluar në tokën jugosllave dhe sa ka dalë nga uji, e kanë godit me një plumb në kokë dhe e kanë lanë aty. Kjo është mëse e sigurt”, thotë Zef Gjoni, ish-basketbollisti dhe trajneri i famshëm boksit të ekipit “Vllaznia” e Shkodrës . Memorie.al