NGA DASHNOR KALOÇI
Në muajin mars të vitit 1982, një gazetar i ri italian, i “Espresso” erdhi për një vizitë dyjavore në Shqipëri, natyrisht pasi më parë kishte kërkuar leje nga autoritetet shqiptare, përkatësisht nga Komiteti i Marrëdhënieve Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, që asokohe kryesohej nga Javer Malo, (me origjinë nga Delvina), ish-diplomat karriere, ambasadori i parë shqiptar i pasluftës në Paris (1945-1947), drejtor Drejtorie në Sigurimin e Shtetit, për ndjekjen e Klerit Katolik në vitet 1947-’48, etj..
Ashtu siç ndodhte rëndom me të gjithë të huajt që vinin në Shqipëri, miq apo edhe të tjerë të panjohur, ata u nënshtroheshin praktikave standarde, duke kaluar nëpër një ‘filtër’ të hollë të organeve kompetente të Zbulimit Shqiptar dhe më pas iu akordohej leja e nevojshme. Po kështu, atyre u caktoheshin edhe personat që do t’i shoqëronin gjatë vizitës së tyre në vendin tonë, pasi më parë u ishte aprovuar edhe lista me emrat e personave që ato do takonin gjatë vizitës së tyre zyrtare e miqësore në vendin tonë.
Këtë gjë e dëshmon edhe ky dokument që po publikojmë në këtë pjesë të librit, i cili është firmosur nga Manush Myftiu dhe në krye të faqes së parë ka edhe një shënim të Ramiz Alisë, (shiko faksimilja përkatëse), ku ka bërë vërejtjet e rastit për problemin në fjalë, si për Komitetin e Kulturës të Marrëdhënieve me Jashtë, ashtu dhe për ministrinë.
Po kështu, lidhur me vizitën e gazetarit të ri italian, Demitro Patituçi me origjinë arbëreshe, për të cilin organet kompetente (Sigurimi i Shtetit, Dega e V, Zbulimi Politik, pranë Ministrisë së Jashtme, që në atë kohë drejtohej nga Jorgji Pjeshkazini), kanë hedhur dyshime se ai është një agjent i dërguar në Shqipëri për të mësuar lidhur me vetëvrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu, ngjarje e ndodhur vetëm dy-tre muaj më parë…!
Dhe nga personat që ka takuar gazetari italian, natyrisht me lejen e organeve kompetente, është dhe shkrimtari Ismail Kadare, ndaj të cilit në atë kohë kishin filluar survejimet dhe hetimet, pasi njihej si një nga njerëzit që kishte shumë miqësi me djalin e dytë të kryeministrit Mehmet Shehu, (Bashkimin), i cili ndodhej i internuar së bashku me të ëmën, (Fiqretin) në një fshat të largët, në Belsh të Elbasanit.
Nuk dihet me saktësi nëse takimi i një gazetari italian 24-vjeçar dhe fare i panjohur i “Espresso” ishte i domosdoshëm me një shkrimtar mjaft të njohur edhe në Evropë e më gjerë, siç ishte Kadare, apo ajo gjë ishte e kurdisur nga ‘organet kompetente’, si kombinacion për ta implikuar atë në ndonjë rrjet agjenturor…! Versioni më i mundshëm mendohet se është ajo e një gracke apo kombinacioni të Sigurimit të Shtetit, për ta implikuar Kadarenë më pas dhe ajo gjë thuhet se është bërë direkt nga Kadri Hazbiu, i cili asokohe po ndjente lëkundjet e goditjes, që porsa kishte filluar ndaj tij.
Dhe nisur nga ky fakt, duke ia ditur fare mirë ‘tabiatet dhe oreksin’ shefit të tij, Enverit, kërkonte ta ‘gostiste’ me një ‘gjah të majmë’, siç konsiderohej shkrimtari Ismail Kadare në atë kohë. Dhe më ketë gjë, ai jepte shenja besnikërie tek Enveri e gjithashtu fitonte pikë në mbarë opinionin e vendit. Gjë e cila bëhet me dije edhe në dokumentet në vijim të këtij libri, ku Hazbiu, sipas asaj që dëshmon dhëndri i tij, (Medin Çollaku), pikërisht në ato muaj u ka kërkuar dy fëmijëve të tij që të informonin Partinë mbi ato çka dinin dhe kishin dëgjuar për shkrimtarin Ismail Kadare.
Të njëjtën porosi, pra për të denoncuar Kadarenë, Hazbiu pati nxitur edhe dhëndrin (Medin Çollaku), që të takohej me ministrin e Jashtëm, Nesti Nase dhe t’i ngrinte atij problemin se përse lejohej që Kadare të dilte vetëm jashtë shtetit, ndërkohë që kjo gjë nuk lejohej?! Ndërsa nuk dihet me saktësi as qëllimi i takimit të gazetarit të ri italian me Kadarenë dhe as deri ku mund të ketë shkuar tentativa e Kadri Hazbiut për të implikuar Kadarenë në ‘rrjete agjenturore’, ajo që mund të thuhet është fakti i njohur tashmë, se deri diku iu arrit kësaj.
Dhe kjo ndodhi disa muaj më vonë, gjatë hetuesisë së Llambi Ziçishtit, ministrit të Shëndetësisë, që ishte arrestuar dhe mbahej në qelitë e burgut 313 në Tiranë, (i akuzuar si bashkëpunëtor i ngushtë i Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut), me të cilin do njihemi në dokumentin në vijim. Ndërkaq, po japim të plotë dokumentin që bën fjalë për vizitën e gazetarit të ri italian në Shqipëri.
KOMITETI
Tiranë, më 31. 3. 1982
Nr. 54
INFORMACION
Nga data 10 deri 24 mars vizitoi vendin tonë si i dërguar i revistës italiane “Espresso” gazetari arbëresh Demitrio Patituçi.
Ambasada jonë në Romë që na e ka propozuar ka pasur mendim shumë të mirë për të dhe për shkak të artikujve që shkroi vitin e kaluar për ngjarjet në Kosovë. Patituqi ka qenë bashkë me motrën e tij në Shqipëri në grupin e studentëve të Kozencës që kanë ardhur në vitin 1979 për të ndjekur një kurs në gjuhën shqipe.
Në Komitet ai u prit nga shoku Ymer Minxhozi, me të cilin bisedoi kryesisht për gjendjen në Kosovë, marrëdhëniet tona me Jugosllavinë. U takua dhe zhvilloi biseda me shokët Hamit Beqja e Nasho Jorgaqi, me të cilët u informua për universitetin, për arsimin, lidhjet e universitetit me fakultetet e Kosovës etj., me shokun Dervish Gjiriti, bisedë me të cilin u interesua për parimet tona të Tregtisë Jashtme, shkëmbimet tona tregtare me vendet e tjera dhe me Italinë, me shokun Ismail Kadare, me shoqen Liri Gjoliku, e cila i foli për Kushtetutën, funksionimin e Kuvendit Popullor, gjykatat etj., me shokun Mezin Pajo etj. U takua me poetin Pano Çuka dhe me kryeredaktorin e gazetës “LaikoVima”, drejtues të kooperativës së Vriserasë, drejtorin e spitalit të Gjirokastrës, etj.
Gjithashtu, ai vizitoi Kombinatin e Autotraktorëve “Enver Hoxha”, Muzeun Historik Kombëtar, ekspozitën “Shqipëria sot”, Galerinë e Arteve Figurative, spitalin e Gjirokastrës, shkollën e mesme bujqësore në Delvinë, kooperativën e Rëmbecit etj.
Në takimet dhe bisedat e zhvilluara, ai u interesua dhe bëri këto pyetje: Kur janë hequr gradat në ushtri dhe për ç’arsye? Si bëhet dallimi në rangjet e ushtarakëve? Cili është roli i komisarit? Ç’akuza u bënë kundër Beqir Ballukut, i cili u pushkatua? Sa shpenzon shteti për mbrojtjen? A prodhoni armë? Jashtë janë të interesuar të dinë si mbrohet Shqipëria. A kanë pasur këtu sovjetikët nëndetëse atomike? A jeni në gjendje të përballoni një invazion dhe nga është probabiliteti më i madh nga lindja apo nga perëndimi? Si i keni pritur ngjarjet e Kosovës, a keni marrë masa ushtarake?
Stërvitja ushtarake dhe vetëmbrojtja si ushtrohen? Nuk shoh milici të armatosur, kush e ruan rendin? Si u dënua Liri Belishova dhe ç’bëhet me të? Mehmet Shehu si u vra? Ç’mendon opinion për vetëvrasjen e tij? Ç’do të bëhet pas Enver Hoxhës? Çarçanët a kanë qenë fis i madh? Nedin Hoxha a është fis me shokun Enver Hoxha? Si varrosen komunistët? Sa është numri i anëtarëve të Partisë? A ka ndërmend shtypi të trajtojë përvjetorin e ngjarjeve në Kosovë? Për librin që kanë nxjerrë jugosllavët “Shqipëria e Enver Hoxhës” ç’qëndrim do të mbani, do të përgjigjeni? A ekziston marrëveshje turistike për ardhjen e kosovarëve dhe pse këtyre u bëhen lehtësira etj.
Gjatë bisedave dhe në mënyrë të veçantë me shoqëruesin shokun Anastas Gëdeshi, Patituçi ka shprehur këto mendime:
Pikëpamja jugosllave për problemin e Kosovës është përhapur shumë në Itali dhe këtu ka ndikuar dhe autoriteti i Titos. Propaganda jugosllave argumenton se po të krijohet Kosova Republikë do të kemi dy shtete shqiptare mbasi janë në kufi dhe do të krijohet e njëjta gjendje si në Kore e Gjermani. Ky është një argumentim i bazuar. Populli i Kosovës nuk ruan luciditetin dhe mendon se zgjidhja e vetme për të rifituar të drejtat do të arrihet vetëm nëpërmjet një luftë.
Gjatë vizitave Patituçi bëri shumë pyetje lidhur me Kushtetutën, ligjet, bujqësinë etj., etj. Shumë nga këto mund të futen në kuriozitetet e gazetarit, sidomos të një të riu që sapo ka dalë nga bankat e shkollës. Por, shumë pyetje të tjera duket se kanë qenë të përgatitura nga ata që e kanë dërguar Patituçin në Shqipëri. Këtu hyjnë gjithë pyetjet lidhur me Mehmet Shehun dhe me tradhtarë të tjerë, si dhe pyetjet lidhur me ushtrinë. Ai kërkoi të shkonte dhe në Pasha Liman “në mënyrë që të bënte një artikull sensasional” për të treguar se sovjetikët donin të ndërtonin bazën përballë Italisë.
Këto pyetje që i bëri në takimet e organizuara, i bëri edhe në takime të paorganizuara e kokë më kokë me njerëz nga tanët që kishte njohur në Itali, në Kosovë dhe në Shqipëri në vitin 1979. Kështu psh. ai u takua me Ariana Lekën dhe Albana Sulejmani, të dyja balerina në Teatrin e Operës dhe Baletit që kishin qenë me grupet tona artistike në Kalabri, me të cilat qëndroi disa orë. Në bisedat me to na rezulton se ndërmjet të tjerash, ai kish pyetur Ariana Lekën: “Pse e vrau veten Mehmet Shehu? Po Bashkim Shehu ku ndodhet, në Ballsh apo në Belsh?”.
Gjithashtu, ai u takua edhe me disa studentë kongolezë, ndërmjet të cilëve me Elisabeta Mukeketa,/// së cilës edhe i premtoi ta merrte me vete në Itali pa vizë dhe të qëndronte rreth një javë me të dhe pastaj ajo të shkonte në Francë. Ai vajti në ambasadën franceze dhe italiane. Gjithë lëvizjet e tij në Tiranë, përpjekjet për t’u takuar vetë me gjithë ata që kishte njohur, pyetjet e shumta dhe kurioziteti i tij i tepruar ngjallën shumë dyshime tek ne. Përshtypja jonë është se ose ai është agjent dhe erdhi për një detyrë të caktuar, atë të informimit mbi vetëvrasjen e Mehmet Shehut, ose ai është si të thuash një agjentë në provë.
Patituçi ishte në Kosovë. Artikujt që shkroi tërhoqën vëmendjen. Ai u bë mik i ambasadës shqiptare. Ç’rast për shërbimin sekret italian, për të vënë në dorë mbi të. Ai është 24 vjeç, pra djalë i ri që kërkon të bëjë karrierë. Në këtë mënyrë, dikush i tregoi atij edhe portën e revistës “Espresso”.
Përsa u përket artikujve që mund të shkruaj, kjo do të varet nga revista dhe nga drejtori i saj.
Duhet ta pranojmë se ne nxituam që e pranuam propozimin e ambasadës sonë në Romë, aq më tepër kur ajo na ka dhënë prova të shumta që nuk e njeh as Italinë e as italianët dhe as arbëreshët që hyjnë e dalin në ambasadë. Nga ana tjetër, një gazetar që nuk ka formuar akoma personalitetin e tij, që nuk ka zënë akoma vend në një organ shtypi, mund të bëhet shumë lehtë një lojë në duart e drejtorit të gazetës, ose të shërbimeve që qëndrojnë pas tij.
KRYETARI
(Javer Malo)
Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror i PPSH-së, (Struktura) Dosja 78. Viti 1982. Fl. 1-4.
Komentet