Ukraina po përfundon përgatitjet për kundërofensivën e saj pranverore kundër Rusisë dhe presidenti Volodymyr Zelenskyy thotë se vendi i tij do të luftojë me ose pa avionë luftarakë të Perëndimit.
Përparimi i Ukrainës në fushën e betejës varet shumë nga furnizimet ushtarake nga Perëndimi. Ekspertët ushtarakë thonë se, pa avionë të avancuar nga aleatët e NATO-s, kundërofensiva e Kievit ka të ngjarë të shoqërohet me shkatërrim dhe humbje të kushtueshme.
Së fundmi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ishte në mesin e udhëheqësve perëndimorë që zhvilluan takime me udhëheqjen dhe komandën ushtarake të Ukrainës. Ai theksoi se përmes Grupit të Kontaktit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e NATO-s kanë siguruar më shumë se 98 për qind të mjeteve luftarake të premtuara për Ukrainën, duke përfshirë mbi 1550 automjete të blinduara, 230 tanke dhe sasi të mëdha municionesh.
“Në total, ne kemi trajnuar dhe pajisur më shumë se nëntë brigada të reja të blinduara ukrainase. Kjo do ta sjellë Ukrainën në një pozicion të fortë për të vazhduar betejën për rimarrjen e territorit të pushtuar”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s javën e kaluar gjatë një konference shtypi.
Ukraina thotë se ka nevojë për më shumë mbështetje. Komandanti i lartë ushtarak i Ukrainës, gjenerali Valerii Zaluzhnyi, së fundmi zhvilloi një takim pune me gjeneralin e ushtrisë amerikane Christopher Cavoli. Sipas burimeve të Zërit të Amerikës, gjeneralët diskutuan për aftësitë ushtarake të Ukrainës dhe ranë dakord mbi nevojën për një vlerësim të plotë të gatishmërisë së Ukrainës për një kundërofensivë.
Në një postim në Facebook pas takimit, gjenerali Zaluzhnyi shkroi se me homologët amerikanë “kishin konsideruar më në thellësi situatën operacionale përgjatë gjithë vijës së frontit… skenarët e mundshëm, kërcënimet dhe parakushtet për veprimet tona të ardhshme”. Gjeneral Zaluzhnyi shtoi, “Ne u përqëndruam në rëndësinë e furnizimit në kohë me municione dhe materiale të mjaftueshme. Theksova nevojën për t’i siguruar Ukrainës një gamë të gjerë të sistemeve të armatimit dhe mbrojtjes ajrore, të cilat do të na ndihmojnë në mënyrë të konsiderueshme për të zgjidhur çështjet problematike në rezistencën tonë ndaj agresionit rus.”
Burime të Zërit të Amerikës në komandën ushtarake të Ukrainës konfirmuan se Ukraina tashmë ka shpenzuar shumicën e pajisjeve dhe municione ushtarake të vjetra sovjetike. Ushtria e Ukrainës ka luftuar në frontet lindore dhe jugore në muajt e fundit, duke shpresuar të shterojë forcat ruse pa hequr dorë nga territori.
Ukraina është duke shënuar sukses në këtë drejtim, sipas zëdhënësit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
“Rusia ka shteruar rezervat e saj ushtarake dhe forcat e saj të armatosura dhe vetëm që nga dhjetori”, u tha zoti Kirby gazetarëve të hënën. “Që nga dhjetori, ne vlerësojmë se Rusia ka pësuar më shumë se 100 mijë viktima, duke përfshirë mbi 20 mijë të vrarë në beteja, gati gjysma prej të cilëve ishin ushtarë të Grupit Wagner”.
Në të njëjtën kohë, Ukraina është duke bërë një tranzicion në sistemet e armëve perëndimore, duke e bërë vendin edhe më të varur nga mbështetja ushtarake perëndimore.
Ndërsa përgatitet për një kundërofensivë pranverore, një nga nevojat kritike të paplotësuara të Ukrainës janë avionët luftarakë, thotë Gustav Gressel nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
Në një artikull të fundit, zoti Gressel shkroi se “fortifikimet e gjera në pjesën ruse mund të ngadalësojnë përparimin e forcave ukrainase, duke i dhënë kohë të mjaftueshme avionëve rusë për të goditur forcat ukrainase. Për t’i mbrojtur forcat e tyre tokësore nga sulme të tilla, forcat ajrore ukrainase do të duhet të aktizoheshin, të paktën për të penguar sulmet ruse.”
Lidhur me nevojën e Ukrainës për avionë, eksperti Gressel shkroi: “SHBA duhet të mësojë nga vonesa e vitit të kaluar për dërgimin e tankeve dhe të miratojë dërgimin e tyre (avionëve luftarakë) sa më shpejt që të jetë e mundur.”
“Përfundimi i luftës varet nga Ukraina”, i tha Zërit të Amerikës së fundmi ndihmëssekretarja e përgjithshme e NATO-s për diplomacinë publike, ambasadorja Baiba Braze. “Pjesa më e rëndësishme është të sigurohemi që Ukraina të mbështetet në mënyrë maksimale. Nëse dëshiron të vazhdojë të luftojë, ka aftësinë të vazhdojë të luftojë”, shtoi ajo.