Me përfundimin e procesit të numërimit të votave, tashmë po krijohet një ide e qartë se sa i vlejti realisht “lëkura” kandidatëve dhe siglave politike që morën pjesë në 14 maj.
Balkanweb ka bërë një llogari të votave që kanë marrë kandidatët në të gjithë vendin dhe i ka krahasuar ato me votat që kanë marrë siglat politike që dolën në fushatë.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se në zgjedhjet lokale të 14 majit kandidatët e Partisë Socialiste kanë marrë 787.545 vota, ndërsa ata të koalicionit “Bashkë Fitojmë” kanë marrë 502 mijë vota.
Ndërkohë, në fletën e votimit për këshilltarët rezulton se sigla e koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka marrë 251 mijë vota, ose 50% më pak nga sa kanë marrë kandidatët në garat për kryetarë të bashkive.
Rrjedhje ka pasur edhe sigla e Partisë Socialiste, e cila ka marrë edhe ajo 200 mijë vota më pak ose 26% më pak se kandidatët.
Balkanweb ka llogaritur gjithashtu edhe ndarjen e përafërt të këshilltarëve mes Partisë së Lirisë dhe Komisionit të Rithemelimit të Berishës nisur nga votat që ka mbledhur sigla “BF” në zgjedhjet për këshillat bashkiakë.
Në përllogaritje janë marrë këshillat bashkiakë të Tiranës (PL 8- PD 7), Durrësit (PD 7- PL 6), Elbasanit (PD 5- PL 7), Shkodrës (PD 9- PL 4); Korçës (PD 4- PL 5), Fierit (PD 2- PL 5) dhe Vlorës (PD 4- PL 5).
Sipas këtyre shifrave, që me shumë gjasa në këto raporte është ndarja edhe në bashkitë e tjera të vendit rezulton se Komisioni i Rithemelimit ka rreth 55% të këshilltarëve të 61 këshillave bashkiakë, ndërsa Partia e Lirisë është në nivelin e 45% të numrit të këshilltarëve.
E përkthyer në mandate, nga 297 këshilltarë që ka BF në të gjithë vendin rreth 163 janë të Komisionit të Rithemelimit dhe 134 të Partisë së Lirisë.
Ndërkohë sigla zyrtare e Partisë Demokratike megjithëse ka marrë gjysmën e votave të siglës “BF” në garën për këshilltarë, e përkthyer në numër këshilltarësh në të gjithë vendin ka 126, ose rreth 40 më pak se pjesa e Komisionit të Rithemelimit brenda siglës “BF”.