SEVASTI QIRIAZI – GRUAJA QË EMANCIPOI KOMBIN
-Shënime të shkurtra biografike –
“Unë jamë Shqipëtare. Ky është fakti më i rëndësishëm në jetën time … vetëdija e këtij fakti më zgjoi mendimet e mija të gjalla, më rriti idealin … që kur isha fëmijë mendoja se si të punonja për të pasuruar popullin me dituri dhe për ti zgjuar dëshirën për liri dhe pamvarësi”.-Sevasti Qiriazi-
Në qytetin e lashtë e piktoresk të Manastirit, në familjen e mirënjohur atdhetare shqiptare të QIRIAZËVE e cila banonte në lagjën “Sallatash”, u lind Sevasti Qiriazi, njëra ndër femrat më të shquara dhe më të merituara të Rilindjes sonë Kombëtare. Askush nuk mendonte, se kjo vajzë e zgjuar, në moshën 21 vjeçare do të kthehet nga Stambolli me diplomë universiteti.
Në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe, personaliteti dhe vepra arsimore-pedagogjike e Sevasti Qiriazit zënë një vend shumë të merituar. Ajo ishte mësuese, pedagoge dhe organizatore e edukimit dhe arsimimit të femrave, veprimtare e palodhur e Lëvizjes Kombëtare shqiptare, drejtore e Shkollës së vajzave në Korçë, autore e disa teksteve shkollore, atdhetare e flaktë, intelektuale dhe poliglote që zotëronte shumë gjuhë të huaja.
U lind në Manastir në vitin 1870. Në fillim mësoi në shkollën fillore greke, e më vonë me ndërmjetësimin e misionarit amerikan në Manastir Mr. Jenney, Sevastia kaloi në shkollën amerikane. Familja e Qiriazëve, përveç gjuhës amtare shqipe, dinin të flasin turqisht, greqisht, bullgarisht dhe vllahisht.
Në vitin 1888 Sevastia fillon studimet e larta në Fakultetin e letërsisë të Universitetit “Ëomen’s College” në Stamboll. Krahas studimeve, ajo në Stamboll merret edhe me veprimtari patriotike. Në vitin 1890 vishet si djalë me kostum malësorësh të veriut dhe shkon të vizitojë rilindasin dhe atdhetarin e madh Koto Hoxhin, i cili asokohe gjendej në burgun famëkeq “Jedi Kule” të Stambollit.
Ndikim të madh në formimin intelektual e patriotik të Sevastisë pati vëllau i saj 10 vjet më i madh Gjerasimi, i cili qysh si nxënëse e misionit amerikan në Manastir e këshillonte që ta duaj shkollën, librin dhe të punojë për arsimin dhe ngritjen kulturore të popullit shqiptar. “Ai nisi t’ia mësonte vajzës së zgjuar se si të këndonte e ta shkruante gjuhën amtare mirë, dhe shpirti i patriotizmit që ia mbolli në zemrën e njomë zuri rrënjë të forta e të thella dhe dha frut në vitet e ardhshme”.
Rruga arsimore për formimin pedagogjik e intelektual të Sevastisë ka qenë e mbushur plot me vështirësi. Në moshën parashkollore ajo filloi ta ndjekë shkollën në gjuhë të huaja, sepse shkollimin në gjuhën amtare të Sevastisë e kishte ndaluar me dekret pushteti osman. Lidhur me këte Sevastia në kujtimet e saja shkruan: “Në moshën 4-5 vjeç më dërguan për herë të parë në shkollë. Ishte shkollë greke se në atë kohë përdorimi i gjuhës shqipe në shkollat ishte i ndaluar nga qeveria turke…
Megjithëse u shkollua në gjuhën greke e amerikane, Sevastia nuk e la pasdore gjuhën shqipe. Mësimet plotësuese nga gjuha shqipe dhe historia kombëtare (duke përfshirë këtu edhe lexim-shkrimin) ia mësonte i vëllau Gjerasimi në shtëpinë e tyre në Manastir.
Në shkollën plotore të misionit amerikan në Manastir të cilën Sevastia e kreu në vitin 1888, mori baza të shëndosha diturishë nga gjuhët dhe shkencat tjera, të cilat i mundësuan që në studimet në Stamboll të tregojë sukses mbi mesatar. Mirëpo, shkollimi i mëtutjeshëm i saj ishte në pyetje për dy shkaqe kryesore: nga njëra anë për shkak të gjendjes materiale dhe mungesës së mjeteve financiare për shkollim, kurse nga ana tjetër për shkak të fanatizmit shekullor dhe traditave prapanike sipas të cilave femra kur arrin moshën e martesës duhet të mbyllet.
Këto vështirësi dhe pengesa Sevastia i tejkaloi në saje të angazhimit të Gjerasimit, i cili pati sukses të bindë familjen e tij për shkollimin e mëtutjeshëm dhe emancipimin e Sevastisë nga njëra anë dhe nga tjetra – të sigurojë një bursë për shkollimin e saj, në Kolegjin amerikan të vajzave në Stamboll.
Pas diplomimit në Stamboll, në verë të vitit 1891, Sevastia si femër e parë shqiptare me diplomë universiteti, në moshën 21- vjeçare kthehet në Manastir së bashku me Gjerasimin. Ajo tani kishte në dore dy argumente të forta që do ti ndihmojnë që ta realizojë detyrën historike: arsimimin e lartë universitar dhe lejen (iraden) për hapjen e shkollës së vajzave. Prandaj, gjatë verës së këtij viti i bënë të gjitha përgatitjet e nevojshme organizative, profesionale-pedagogjike për ta hapur këte institucion dhe për ta realizuar ëndrrën e kahmotshme për arsimimin e vajzave shqiptare. Më 23 tetor të vitit 1891 ata e hapën shkollën e parë shqipe në Korçë e njohur me emrin “SHKOLLA SHQIPE E VASHAVE NË KORÇË” kurse Sevastia u bë drejtore e saj.
Dita e hapjes së kësaj shkolle ka qenë më e lumtura në jetën e saj, sepse ajo vite me rradhë ka qenë e preokupuar me problemin e arsimimit dhe emancipimit të femrës shqiptare.
Ditët e para të punës edukativo-arsimore në këtë shkollë ishin shumë të vështira. Ajo kryente detyrën e drejtorit dhe mësueses, që ishte e vetme prandaj ishte e detyruar të punojë ditë e natë: ditën zhvillonte mësim dhe aktivitete tjera me nxënëset; kurse natën shkruante tekste shkollore, duke i shumëzuar me hektograf.
Krahas punës edukativo-arsimore në shkollë, Sevastia me Gjerasimin filluan të veprojnë edhe jashta shkollës. Ata në Korçë formuan shoqërinë “Vëllazëria”, e cila kishte për qëllim që të ndihmojë materialisht shkollën e vajzave, sidomos në botimin e teksteve shkollore.
Në janar të vitit 1894, pas një sëmundje të rëndë vdes Gjerasimi, i cili i ndihmonte shumë në mbarvajtjen e punës në shkollë. Sevastia mbeti pa ndihmën dhe përkrahjen e tij, prandaj problemet, vështirësitë dhe rreziqet dita më ditë i shtoheshin. Kjo shkollë luftohej me rrjeptësi nga qeveria osmane dhe Mitropolia greke, të cilët përpiqeshin për mbylljen e shkollës. Për shkak të këtyre rreziqeve, Sevastia ishte e detyruar që të flejë me kobure nën jastëk. Ajo me vendosmëri të madhe u bëri ballë të gjithë kundërshtarëve të kësaj shkolle dhe propagandës që zhvillohej nga autoritetet osmane dhe kisha greke.
Në vitin 1904, motra 10 vjet më e vogël e Sevastisë – Parashqevia poashtu kreu Kolegjin e femrave në Stamboll dhe erdhi si mësuese në Shkollën e Vashave në Korçë. Kjo ia lehtësoi shumë punën Sevastisë, e cila gjatë kësaj periudhe kishte pasur obligime të mëdha.
Në vitin 1909 autoritetet qeveritare xhonturke dhe kisha greke e intensifikojnë aktivitetin e tyre për ta mbyllur shkollën, por Sevastia u bën ballë këtyre përpjekjeve antishqiptare. Shkolla bëhet vendstrehim ilegal i patriotëve të lëvizjes siç ishin: Spiro Bellkameni, vëllezërit Çerçiz e Bajo Topulli, Mihail Grameno etj. Shkolla bëhet vend për grumbullimin dhe shpërndarjen e armëve për çetat kryengritëse shqiptare.
Në vitin 1910 Sevastia vazhdoi të drejtojë shkollën e vajzave në Korçë. Në të njejtin vit martohet me Kristo Dakon. Në vitin 1911 i lind fëmija i parë Aleksandri, kurse më 1913 – Gjergji.
Në vitin 1913, për shkak të luftës ballkanike, puna e shkollës së vajzave në Korçë vështirësohet. Pas thyerjes së ushtrisë osmane, ushtria greke hyn në Korçë. Meqë jeta e saj ishte në rrezik, patriotët shqiptarë e panë të arsyeshme që Sevastia të largohet nga Korça.
Po në këtë vit, nëpërmjet të zonjës Edith Dyrham, Sevastia i dërgoi Konferencës së Londrës një memorandum lidhur me kërkesat për njohjen e pavarsisë së Shqipërsisë, në të cilën pos tjerash demaskon veprimtarinë dhe politikën e lëvizjes Verio-Epirote, sipas së cilës Korça nuk është shqiptare, por greke. Të gjitha këto rrethana ndikuan që Sevastia të largohet nga Korça dhe të kthehet në Manastir.
Më 3 mars të vitit 1914 Sevastia së bashku me të shoqin Kriston, dhe motrën Parashqevinë, u kthye në Korçë dhe rihapi shkollën e vajzave.
Më 6 korrik të këtij viti ushtria greke sulmon Korçën, prandaj situata në qytet ashpërsohet. Sevastia me familjen detyrohet që të largohet nga Korça për të shpëtuar jetën. Ajo në gusht së bashku me familjen shkon në Bukuresht, ku strehohet në familjen e nënës dhe vëllezërve të të shoqit Kristos.
Në korrik të vitit 1915, me kërkesë të Shoqërisë së Shqiptarëve të Amerikës “VATRA”, Kristo Dako së bashku me Sevastinë dhe kunatën Parashqevinë udhëtuan për në Amerikë. Atje angazhohen për çështjet kombëtare dhe për të drejtat e Shqipërisë, duke organizuar tubime e konferenca dhe duke botuar artikuj të ndryshëm në gazetat shqipe dhe ato amerikane të kohës. Në kuadër të këtij aktiviteti është shumë me rëndësi të përmendet angazhimi i Sevastisë, Kristos dhe Parashqevisë për bashkimin e të gjitha shoqërive e kolonive shqiptare kudo që ndodheshin në një organizatë të vetme e unike, me qëllim që të paraqiten e të prezentohen në një front të bashkuar kundër të gjithë armiqëve e kundërshtarëve të Shqipërisë.
Në vitin 1922 Sevastia së bashku me familjen kthehet në Shqipëri, ku në kryeqytetin e posaformuar – Tiranë e rihap shkollën e saj të njohur për vajza. Për shkaqe shëndetësore drejtimin e kësaj shkolle ia len motrës së vet Parashqevisë, por vazhdon të jep mësim. Emri zyrtar i kësaj shkolle në Tiranë ka qenë: “INSTITUTI ARSIMOR QIRIAZ LYCE PËR VAJZA”.
Kjo shkollë e Sevastisë ishte shkollë e mesme klasike me degë të normales ose pedagogjike, e cila përgatiste kuadër arsimor. Në fillim u hap në shtëpinë e “Kuseve” brenda në Tiranë dhe punoi deri në vitin shkollor 1926/27.Sevastia me të shoqin Kriston dhe motrën Parashqevinë vazhdimisht ishin të preokupuar me problemet e kësaj shkolle dhe planifikonin që të ndërtojnë ndërtesë moderne, e cila do ti plotësonte kërkesat pedagogjike të kohës. Prandaj, në vitin 1925, në Këmëz ata blenë një truall ndërtimi nga Refik Toptani dhe nisën të ndërtojnë objekt të ri shkollor. Në korrik të vitit 1927 përfunduan ndërtimet dhe viti i ri shkollor 1927/28 filloi në lokalet e reja të shkollës në Këmëz. Këtu kjo shkollë funksionoi si shkollë e mesme klasike (gjimnaz) dhe si shkollë e mesme pedagogjike.
Në vitin 1933, Qeveria e Zogut solli vendim që të mbyllet “Instituti Qiriazi për vajza”, e para shkollë kombëtare për vajza, e cila u hap për herë të parë në Korçë në vitin 1891. Me këtë rast Sevastia kërkoi audiencë te Zogu, duke kërkuar që të rihapet kjo shkollë nga ana e Qeverisë. Pasi Zogu e refuzoi këte kërkesë, Sevastia iu drejtua me fjalët: “Atë që s’bëri Sulltan Hamiti, e bëre ti – jazëk të qoftë !” I vetëdijshëm për gabimin që bëri Zogu lidhur me mbylljen e kësaj shkolle, ai i propozoi Sevastisë që ndërtesën e shkollës në Këmzë ta merr me qira për nevojat e shtetit, por Sevastia me të shoqin dhe motrën në shenjë proteste nuk u pajtuan me këtë propozim, prandaj edhe ndërtesa mbeti boshe, derisa në vitin 1939 e rekuizuan italjanët fashistë për qëllimet e tyre.
Pas mbylljes së kësaj shkolle, gjegjësisht gjatë periudhës së viteve 1933-1943 Sevastia aktivisht merret me shkrime, sidomos me shkrimin e kujtimeve rreth aktivitetit dhe veprimtarisë së saj në arsimimin e femrës.Sevastia vdiq më 12 gusht të vitit 1949 në Tiranë, në moshën 79 vjeçare.
Në bazë të këtyre shënimeve të shkurtra biografike për Sevasti Qiriazin-Dakon dhe aktivitetin e saj arsimor, shoqëror e politik, mund të vijmë në përfundim se bëhet fjalë për një personalitet me dimensione të gjëra arsimore, pedagogjike, intelektuale e kulturore, shoqërore e politike; personalitet që me jetën dhe veprën e saj u ngrit në nivel ndërkombëtar.
Ajo ishte poliglote e përsosur, sepse përveç shqipes fliste mirë dhe shkruante: anglisht, frengjisht, rumanisht, turqisht, greqisht dhe bullgarisht; kurse në studimet shkencore shërbehej edhe me literaturë në gjuhën latine dhe greqishten e vjetër.
Sevastia ka shkruar shumë vepra, prej të cilave një pjesë janë të botuara në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, kurse një pjesë janë në dorëshkrim.
Dhe më në fund, lidhur me këte mësuese e pedagoge, intelektuale e mendimtare poliglote, veprimtare e politikane e palodhur – mund të thuhet lirisht se hapi një faqe të ndritur e të lavdishme në historinë e arsimit dhe shkollës shqipe. Duke iu përgjigjur kushtrimit dhe detyrave historike që ia parashtroi atdheu dhe populli, ajo me një përkushtim të madh, qëndrueshmëri stoike dhe heroizëm të pashoq zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike, shoqërore, kulturore e arsimore. Kontributi i saj është shumë me vlerë sidomos në fushën e arsimimit të femrës shqiptare, në të cilën praktikisht veproi disa decenie, duke realizuar me këte edhe idealin e rilindësve.
Komentet