VOAL

VOAL

Si vdiq në burgun e Burrelit gjenerali Abaz Fejzo, i diplomuar “Frunze” të Moskës

March 6, 2018
2 Comments
  • author avatar
    Islam. Laçaj 5 years ago Reply

    Mençrija dhr pagajdoa denohe. Krimi dhe hipokrizia adhurohen Ne nje shoqeri ku zotron mosmirnjohja ,korrupdoni dhe paditurij
    Fatin e Gjeneral Fejzos e kane pesuar shume ne zhungelat Shqipetare. Madje e psojne edhe sote por ne kushte dhe rrethana te tjera

  • author avatar
    Islam. Laçaj 5 years ago Reply

    Mençrija ,drejtesia dhe ndershmeria denohen dhe perçmohn. Krimi dhe hipokrizia adhurohen ,ne nje shoqeri ku zotron mosmirnjohja ,korrupsioni dhe pa drejtesia.
    Fatin e Gjeneral Fejzos e kane pesuar shume ne xhunglen Shqipetare. Madje e psojne edhe sot por ne kushte dhe rrethana te tjera

Komentet

El Diario Palentino (1962) “Një studente e re e spanjishtes studion në Madrid: Mbretëresha e Shqipërisë…” — Intervista ekskluzive me Geraldinën

Mbretëresha Geraldinë (1915 – 2002)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Shkurt 2025

 

“El Diario Palentino” ka botuar, të enjten e 22 nëntorit 1962, në faqen n°8, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Geraldinë në Madrid, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

Një studente e re e spanjishtes studion në Madrid : Mbretëresha e Shqipërisë

Burimi : El Diario Palentino, e enjte, 22 nëntor 1962, faqe n°8

 

Unë kam zgjedhur Spanjën për mikpritjen dhe paqen e saj

Geraldina e Shqipërisë ka në plan të bëhet biznesmene

 

Qyteti i “Puerta de Hierro” është lagjja autentike e banimit të Madridit. Vilat, rezidencat dhe shtëpitë janë të shpërndara në një zonë të ripyllëzuar me pisha dhe akacie. Lëndinat e mirëmbajtura dhe pishinat janë dekorimi i jashtëm i secilës prej rezidencave në këtë zonë të lakmueshme.

 

Vetëm makinat e modeleve më të fundit qarkullojnë përgjatë rrugëve të saj gjarpëruese. Në heshtje. Zhurmat janë pesëqind metra larg. Mund të thuhet, pa frikë nga ekzagjerimi, se vetëm në qytetin “Puerta de Hierro” dëgjohet cicërima e zogjve dhe hapat e atyre pak njerëzve që udhëtojnë në këmbë.

 

Prej shumë pak ditësh kjo lagje ka fqinjë, jeta më intime e të cilëve është transmetuar në vazhdimësi vitet e fundit nga shtypi i mbarë botës. Emrat e tyre: mbretërit e Shqipërisë, Geraldina dhe djali i saj Leka, i konsideruar si mbreti më i gjatë në botë: 2.04 metra.

 

Dy jetë paralele

 

Jeta e mbretëreshës Geraldinë shkon paralelisht me atë të një mbretëreshe tjetër : Joanës së Bullgarisë. Që të dyja mbretëruan mbi shtete të vogla në vitet më të vështira të kohës sonë : ato midis luftës së fundit botërore. Të dyja u detyruan të braktisin skeptret, kurorat dhe fronet përballë pushtimit kriminal komunist të shteteve të tyre. Të dyja të reja, të veja, merren me rehatinë e fëmijëve të tyre; Simoni, për mbretëreshën e Bullgarisë; Leka për mbretëreshën e Shqipërisë. Në paralelizmin e jetës së tyre ka eksode shqetësuese, vështirësi ekonomike e zhgënjime. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo rastësi, Joana dhe Geraldina kanë zgjedhur vendlindjen tonë si vendbanimin e tyre të fundit.

 

Kjo është arsyeja që u prita për herë të parë dhe ekskluzivisht, në rezidencën e re të mbretërve të Shqipërisë. Është mesditë. Një diell përkëdhelës vjeshte madrilen vërshon kopshtin plot lule, mes të cilave mbizotërojnë krizantemat. Në verandë, mbretëresha Geraldinë lexon një biografi të Marie Antoinette. Në krah të saj është mbesa e saj, princesha bukuroshe Julia de Baghy.

 

Mbretëresha, e cila ka një reputacion si një grua elegante për shkak të thjeshtësisë së saj, ka veshur një fund të zi dhe një triko. Një gjerdan prej fildishi me tre fije përputhet me dy rrathë, të bërë gjithashtu prej fildishi. Në gishtin e unazës së dorës së djathtë, simboli shprehës i vejushërisë: dy unaza diamanti të vendosura në platin.

 

Vuajtjet e eksodit të saj të dhimbshëm nuk ia kanë pakësuar aspak bukurinë e saj, tashmë të qetë, as dritën e shndritshme të syve të saj blu.

 

Ende nuk kemi mbaruar marrjen e orendive, më tha ajo në një frëngjishte të saktë dhe muzikore.

 

Te dera, e parkuar, makina e saj. Në garazh, ajo e djalit të saj, Leka. Një bulldog është ulur në këmbët e tij dhe na shikon me dyshim.

 

Pasi kemi bërë xhiron me të në kopsht, të cilit ajo i kushton disa orë të ditës, kalojmë në katin përdhes, të mobiluar me shije dhe maturi; mobilje solide dhe me stil. Buqeta me lule, dhurata nga miqtë e saj në Madrid, mbushin sallonin. Në një cep, në një raft, një kornizë fotografie tregon disa imazhe të Zogut, bashkëshortit të saj. Përballë murit, një fotografi e madhe e Lekës, i veshur me uniformë.

 

Arsyet e zgjedhjes së Madridit

 

Gjatë jetës sonë profesionale, ne kemi pasur kënaqësinë të jemi pritur nga shumë monarkë. Disa në fron, dhe të tjerë të rrëzuar nga froni dhe në mërgim. Asnjë intervistë nuk na është ofruar kaq e thjeshtë dhe e përzemërt si kjo me Geraldinën e Shqipërisë.

 

Koloneli Hysen Selmani, adjutanti i Madhërisë së Tij Mbretit Leka, është i pranishëm në bisedën tonë, Princesha Julia de Baghy, e ulur në mënyrë familjare në krahun e divanit të zënë nga mbretëresha.

 

— Cila ishte arsyeja që zgjodhët Madridin për ta bërë vendbanimin tuaj të përhershëm ?

 

— Unë kam zgjedhur Spanjën, të cilën e kam njohur në dy udhëtime të mëparshme, e ftuar nga mbretëresha e Bullgarisë, sepse është një vend që e dua jashtëzakonisht për mikpritjen e tij, për të cilin ka disa shembuj, për fisnikërinë dhe mbi të gjitha për sistemi i tij politik, i cili garanton një paqe që na nevojitet në botë.

 

Buzëqeshja nuk zhduket për asnjë çast nga shprehja e qetë e Geraldinës. Askush nuk do të dyshonte se pas kësaj qetësie dhe këtij toni të vogël të përgjigjeve të saj fshihet një jetë plot hidhërime të të gjitha llojeve.

 

— A mund të na tregoni, Madhëri, cilat kanë qenë momentet më të hidhura të eksodit tuaj ?

 

— Të gjitha eksodet janë shumë të dhimbshme. Por i yni u përkeqësua nga vdekja e papritur e burrit tim (1961) dhe nga vështirësitë ekonomike që na rrethuan pasi u larguam me nxitim nga Shqipëria. Anglia, Egjipti dhe Franca ishin skenat e tragjedisë sonë ndër vite.

 

Arsyeja e jetës së saj : i biri

 

Por Geraldinës i mbeti ëndrra dhe arsyeja e jetës së saj : djali i saj Leka. Gjatë gjithë këtyre viteve që pasuan rrëzimin e saj nga froni, ajo u shndërrua në një nënë shembullore që jetoi vetëm e shqetësuar për Lekën.

 

— Çfarë ju ka shqetësuar më shumë : Leka princ apo Leka mbret ?

 

— Më interesonte vetëm edukimi (formimi) i tij për fatet e larta që një ditë mund t’i rezervojë jeta. Sepse, edhe nëse mund të duket naive, ne, si të gjithë ata që mbeten jashtë vendit të tyre kundër dëshirës së tyre, jetojmë vetëm me shpresën për t’u kthyer një ditë.

 

— Si është jeta e një mbretëreshe në mërgim ?

 

Geraldina buzëqesh. Dora e saj e djathtë përkëdhel me nostalgji unazën e dyfishtë të martesës në dorën e majtë.

 

— Shumë e vështirë. Më shumë se sa supozohej. Ne duhet të jetojmë në të njëjtat linja (standarte) si në kohët e lumtura të mbretërimit. Dhe gjithmonë plot shpresë sepse edhe pas kufijve të vulosur nga komunizmi është një popull që pret lirinë dhe kthimin e mbretit të tij.

 

Gazetat dhe revistat në mbarë botën transmetojnë vazhdimisht, pa ton dhe pa masë, problemet ekonomike të familjes mbretërore të Shqipërisë, të rënduara mbi të gjitha nga bllokimi i pasurisë nga qeveria italiane të bashkëshortit të saj, mbretit Zog.

 

— A do të donte Madhëria juaj ta sqaronte këtë problem për të shmangur interpretimet e rreme ?

 

— Është e vërtetë që kam pasur dhe kam probleme shumë të rënda financiare për shkak të këtij bllokimi të paligjshëm. Por tani për tani nuk mund të shpjegoj asgjë më shumë, pasi çështja është në duart e avokatëve të mi.

 

Së fundmi, një agjenci italiane përhapi lajmin se gjykatat italiane kishin vendosur përfundimisht kundër mbretëreshës, duke i mohuar asaj të drejtat për pasurinë e bashkëshortit të saj, mbretit Zog, të depozituar në Bankën Kombëtare të Shqipërisë dhe të tërhequr nga qeveria italiane.

 

— Nuk është e vërtetë, — u përgjigj mbretëresha. Ende nuk ka pasur ndonjë dështim në këtë drejtim.

 

Mbretëresha do të bëhet biznesmene

 

Siç më bën me dije, Madhëria e Saj, ajo dhe djali i saj kanë në plan të investojnë kapitalin e tyre në vendin tonë dhe t’i përkushtohen biznesit.

 

— Kohët kanë ndryshuar dhe të punosh sot është diçka që të fisnikëron.

 

Kur intervista po përfundonte, në sallon u shfaq mbreti Leka. Gjatësia e tij të  komplekson, por simpatia e tij të bën të harrosh gjithçka.

 

Ai pozoi me kënaqësi me nënën e tij dhe nuk e kishte problem të dilte në kopsht që të bënim disa foto me mbretëreshën.

 

— Do të doja që të bënit publike kënaqësinë tonë që mundëm të realizonim një dëshirë shumëvjeçare : të jetojmë në Spanjë, — më thotë monarku i ri. — Shpresoj që një ditë fati im të ndryshojë dhe të kthehem në vendlindje. Por nëse kjo nuk do të bëhet kurrë realitet, do të dëshiroja të jetoja gjithmonë në këtë tokë, të cilës bota e lirë i detyrohet kaq shumë.

 

Po bëhej vonë. Orari i mësimit të spanjishtes për mbretëreshën po afronte. Duhej t’u thonim lamtumirë. Mbretërit na shoqërojnë deri te porta e kopshtit dhe na thonë lamtumirë.

Mirë se vini në Spanjë !

 

“EUROPA PRESS”

Le Temps (1912) Ankesat e shqiptarëve ndaj Portës së Lartë — Intervista me një personalitet anonim shqiptar në Selanik

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Shkurt 2025

 

“Le Temps” ka botuar, të premten e 17 majit 1912, në faqen n°2, intervistën ekskluzive asokohe me një personalitet anonim shqiptar në Selanik në lidhje me ankesat e shqiptarëve ndaj Portës së Lartë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

 

Ankesat e shqiptarëve

 

 

Korrespondenti ynë nga Selaniku na shkruan :

 

Autoriteti ushtarak u përqendrua sa më shpejt që të ishte e mundur me rreth dyzet mijë burra drejt Ferizajt dhe pasi dha një urdhër mobilizimi të rezervës në trupat e ushtrisë së Shkupit dhe Manastirit, mendova se ishte e dobishme të përfitoja nga kalimi në Selanik i një personaliteti të lartë shqiptar, për t’i bërë disa pyetje rreth lëvizjes së revoltës aktuale që po zhvillohet në rajonin e tij.

 

Ja biseda jonë :

 

Më duket e jashtëzakonshme, i thashë bashkëbiseduesit, pas selamllikut të famshëm të Prishtinës, amnistisë së dhënë, 30.000 lirave turke të destinuara për shpengimin e gjakut, pastaj pas kalimit të komisionit të reformës në krye me ministrin e brendshëm Haxhi Adil beu, bashkatdhetarët tuaj edhe një herë të rrokin armët dhe revoltohen kundër pushtetit.

 

— Keni të drejtë, por pse qeveria osmane nuk i mbajti solemnisht angazhimet e marra në Prishtinë ? Ne jemi në Perandorinë Osmane, si të thuash një përjashtim, ne kemi doket tona, zakonet tona, mbi të gjitha traditat tona shumë të veçanta, pse nuk duan t’i respektojmë ato, siç është bërë gjithmonë ?

 

Perfekte ; por ajo që ndodhi nën një regjim autokratik nuk është më e pranueshme nën një regjim kushtetues ; të gjitha sistemet e jashtëzakonshme administrative janë të ndaluara në programin e Bashkim dhe Përparim.

 

— Të mos hyjmë, nëse dëshironi, në diskutimin e programit Bashkim dhe Përparim ; kjo do të na çonte shumë larg dhe, meqë e njihni pak Shqipërinë, duhet ta dini se qeveria nuk ka bërë kurrë asgjë për ne. Jemi vërtet të varfër dhe për shkak të mungesës së plotë të mjeteve të komunikimit, shfrytëzimi i pasurisë sonë pyjore është i pamundur. Në të gjithë Shqipërinë veriore, popullsia nuk ka asnjë burim tjetër përveç kopeve të saj, të cilat kanë të ardhura shumë të pakta, pasi tregtia është zero, shkëmbimet dhe shitjet janë shumë të vështira. Shqiptari, duke qenë se nuk ka mundur të gjejë punë shpërblyese për të plotësuar nevojat e tij dhe të familjes, ka adoptuar zakone të tjera që ju i përshkruani ashpër, por që gjithsesi janë shumë të natyrshme. Abdul Hamidi kishte besim të pakufishëm në gardën e tij speciale të përbërë nga shqiptarë, ne mund të kemi abuzuar me këtë për të marrë shumë favore. A mund të na fajësojnë ? Nuk e besoj. Ish-sulltani na trajtoi si fëmijë të llastuar gjatë gjithë mbretërimit të tij. Populli shqiptar e konsideroi këtë dhe ende e konsideron të drejtë reale. A është e mundur të zhduket papritur kjo ide nga trurët e shqiptarëve, kaq të vrazhdë, kaq të thjeshtëzuar, kaq injorantë ? Duhet kohë dhe nuk do ta arrijmë kurrë me forcën e armëve. Ata u përpoqën të na çarmatosnin, na dogjën fshatrat, na rrënuan disa kulla — kala të vogla — shumë prej nesh u rrahën para grave tona, fëmijëve tanë ; Pothuajse të gjitha të drejtat tona të shenjta dhe prestigji i burrave ndaj grave janë prekur : shqiptari nuk mund t’i harrojë dhe nuk do t’i harrojë kurrë këto ofendime të rënda.

 

Cilat janë kërkesat tuaja ?

 

— Ne kërkojmë : që mbajtja e armëve të jetë e lirë ;  të përjashtohemi nga taksat edhe për disa vite të tjera ;  rindërtimin e fshatrave tonë të shkatërruar nga trupat turke në represionin e fundit ; ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, shkollave ku gjuha shqipe të jetë baza e mësimit ; njohjen e gjuhës shqipe nga nëpunësit civilë dhe shërbimin ushtarak rajonal, d.m.th. të themi, shqiptarët duan t’i shërbejnë atdheut të tyre, por në vendin e tyre.

 

Po nëse qeveria nuk i plotëson kërkesat tuaja, çfarë do të ndodhë ?

 

— Revolta mund të përhapet në të gjithë Shqipërinë, si në veri ashtu edhe në jug. Aktualisht duhet të ketë 4000 shqiptarë në revoltë dhe që veprojnë në rajonin e Gjakovës ; e dinit se fisi i Rugovës kishte zbritur nga malet e tij, kishte sulmuar Pejën, se kanë luftuar në rrugët e qytetit, se trupave ju është dashur të vendosnin mitralozët në rresht, se pavarësisht kësaj fitorja mbeti e pavendosur, se ka pasur angazhime drejt Gucisë, Rozhajt ; ju e dini gjithashtu se ish-deputeti Hasan Beu, Beu i Prishtinës, kishte arritur në mal me dy nipat e Naxhi Dragës. Megjithatë, emrat e Hasan Beut dhe Naxhi Dragës janë shumë të njohur në Shqipëri.

 

Tani nëse ish-deputeti i Dibrës, Basri Beu, ndjek këtë shembull dhe nëse bisedimet e nisura me Malësorët çojnë në një marrëveshje, revolta sigurisht që do të shtrihet në jug të Shqipërisë, çfarë do të mund të bëjë qeveria me 50 mijë burrat që i ka përqendruar drejt Ferizajt ? Situata është shumë e rëndë, dëshpëruese, por nuk është faji i shqiptarëve dhe do të mbrohen deri në vdekje.

 

— A nuk besoni në ndërhyrjet (përzierjet) e huaja ?

 

Jo. Së pari cilat ?

 

— Mali i Zi, për shembull, sepse është e pamohueshme që programi i kërkesave të Malësorëve u ndal në Cetinje; dhe që andej konkludoj që është frymëzuar nga Italia, më duket se është e logjikshme.

 

— Nuk e besoj. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë ndërhyrjen e huaj, ata janë shumë krenarë për pavarësinë e tyre për të pranuar cilindo autoritet. Jam i bindur se bashkatdhetarët e mi veprojnë me iniciativën e tyre ose më mirë me këshillat e njerëzve tek të cilët kanë besim të plotë.

“Më 23 shkurt 1927, Ahmet Zogut, kryetarit të Republikës, i arriti një letër nga Çamëria, ku thuhej se, për shkak vuajtjeve të shumta nga nëpunësit grekë…”/ Refleksionet e historianit të njohur nga Shkupi

Nga Qerim LITA

Pjesa e parë

– Shpërngulja e shqiptarëve në vitet 1912-1939 dhe reagimi i shtetit shqiptar –

Memorie.al / Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, tërheqjen e Perandorisë Osmane dhe pushtimin e tokave shqiptare nga aleanca ortodokse ballkanike, rifilloi procesi i shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike, për në Republikën e Turqisë. Dokumentet e zbuluara kohët e fundit, hedhin dritë se brenda vitit 1912 – ‘13, ushtritë pushtuese serbo-malazeze dhe greke, dëbuan me dhunë mbi 200.000 shqiptarë, pjesa dërrmuese e tyre u vendosën në Stamboll, Anadoll dhe në vise të tjera të Turqisë. Ndërsa, sipas një llogaritjeje të bërë nga Legata Shqiptare e Ankarasë, në vitin 1928 në Turqi, gjendeshin 27 – 30.000 familje shqiptare, të shpërngulura nga Kosova, trevat Lindore dhe Çamëria, duke përfshirë edhe ata shqiptarë që kishin emigruar pas vitit 1913.

Tërë ajo politikë e dhunshme që zbatohej asaj kohe nga pushtuesit serbo-malazezë, kishte një qëllim të vetëm: “Të ndryshohet me çdo çmim karakteri etnik në krahinat ku banojnë shqiptarët”. Si shembull po e përmendim ngjarjen tejet të shëmtuar, që ndodhi në pranverë të vitit 1913 në Kërçovë, kur çetnikët serbë, pasi e kanë rrethuar tërë qytetin, futen nëpër shtëpitë shqiptare, ku i marrin të gjithë meshkujt dhe i dërgojnë për t’i ekzekutuar në vende të veçanta.

Një pjesë prej tyre në vendin e quajtur “Çiflik”, një pjesë tjetër në “Biçincë-Jurie” dhe të tjerët në shkollën fillore në qendër të qytetit. Pasi i grumbullonin në këto tre vende të gjithë meshkujt shqiptarë të qytetit, nga ana e dy kriminelëve të njohur komito-çetnikë të asaj ane, vojvoda Mikail Brodi dhe vojvoda Stanka Dimitrieviq, bëhej ndarja se cili prej tyre duhej vrarë me therje, cili me pushkë e, cili me dru. Përveç se u vranë në mënyrën më mizore, atyre u qe plaçkitur e tërë pasuria.

Është me rëndësi të vihet në dukje fakti, se pjesa më e madhe e të shpërngulurve gjatë viteve 1912 – ‘13, jetonte në kushte të mjerueshme, sepse tërë pasuria e tyre e tundshme dhe e patundshme, u ishte konfiskuar nga ana e pushtuesve sllavo-ortodoksë. Ndonëse ata dikur kishin qenë qytetarë dhe shtetas të Perandorisë Osmane, me krijimin e Republikës moderne të Turqisë (1923), pjesës dërrmuese të tyre iu mohohej shtetësia turke, me çka atyre ua vështirësuan edhe më shumë kushtet e jetesës.

Në këto rrethana, shumë prej tyre dëshironin të ktheheshin në vend lindjet e tyre, ku i kishin lënë shtëpitë dhe pronat e tyre, mirëpo këtë nuk ua mundësonin autoritetet pushtuese të Beogradit, të cilat u rekomandonin të akredituarave të tyre pranë Konsullatës së Stambollit, që gjatë dhënies së vizave hyrëse, të kenë kujdes që: “në mesin e tyre mund të ketë edhe të tillë të cilët dëshirojnë të futen në territorin tonë, me qëllim që të ngelin te ne”.

Përveç kësaj, ata e filluan një fushatë të gjerë ushtarako-policore, gjoja për kapjen e të arratisurve, përkatësisht të anëtarëve të ‘Lëvizjes Kaçake’, të cilët konsideroheshin krahu luftarak i Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës (KMKK). Gazeta turke “TNIN”, shkruante se autoritetet e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (më tej MSKS), po zbatojnë një terror të paparë “ndaj popullsisë së atjeshme myslimane”. Si rrjedhojë e këtij terrori, shumë familje shqiptare ishin detyruar t’i braktisnin vatrat e tyre, për t’u vendosur në vende më të sigurta, pjesa më e madhe për në Turqi, kurse një pjesë e vogël brenda shtetit shqiptar.

Ndërkohë, Legata e Serbo-Kroate-Sllovene në Sofje, më 3 qershor, me radiogram njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Beograd, për një vërshim të ri të popullsisë shqiptare myslimane nga Kosova dhe Maqedonia e sotme Veriore, për në Turqi: “…Në kohët e fundit, myslimanët nga territori ynë po emigrojnë në Turqi. Një numër i caktuar i personave të tillë, ngelin në territorin bullgar, për arsye se pushtetarët turq në pikën kufitare, i pengojnë të hynë brenda. Ata të shpërngulurit nga Serbia e Jugut (mendohet në Kosovën dhe Maqedoninë – Q. L.), tash nga Legata jonë në Sofje, kërkojnë t’u lejoj kthimin në vendin tonë…”!

Kjo legatë e shihte si “të padrejtë” nga ana e autoriteteve turke, pamundësimin e popullsisë për të hyrë në Turqi, për arsye se siç theksohej në radiogram: “ata janë të shpërngulurit të cilët”, para se ta lëshojnë vendin, “definitivisht janë deklaruar për qytetarë të Turqisë”, dhe se me këtë, “ata kanë të drejtë”, përderisa kjo çështje nuk merr ndonjë zgjidhje përfundimtare. Po në këtë periudhë kohore, Qeveria greke shfrytëzoi Traktatin e Lozanës, të 30 janarit 1923, për të kryer një spastrim etnik të Çamërisë, sipas së cilit do të bëhej këmbimi i popullsive turke e greke, në këto dy shtete.

Gjatë muajit qershor të vitit 1923, autoritetet greke dëbuan të gjithë banorët e 31 fshatrave shqiptare të Kosturit dhe Follorinës, të cilët arrinin në 33.000 vetë. Ndërsa në vjeshtën e atij viti, rritën presionin edhe ndaj Çamërisë. Shqiptarëve të kësaj krahine u ishte dhënë urdhër të lironin 75% të shtëpive, në të cilat do të vendoseshin refugjatë grekë dhe u ishte bllokuar shitja e pasurive. Ndërkohë, më 7 nëntor të vitit 1923, i dërguari i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene nga Stambolli, i raportonte Beogradit, për takimin e tij me këshilltarin e lartë të MPJ-së të Turqisë, Mexhit Beun, i cili ia kishte përcjellë pakënaqësinë dhe brengën e madhe të qeverisë turke, rreth “eksodit të vërtetë të popullsisë myslimane” nga Kosova në Turqi.

Sipas Mexhit Beut, një dukuri e tillë ishte tejet brengosëse për Qeverinë e Ankarasë, e cila edhe ashtu “gjendet në rrethana të jashtëzakonshme me popullsinë e arratisur myslimane”, e cila, sipas Marrëveshjes së Lozanës, të nënshkruar më 30 janar 1923 midis Turqisë dhe Greqisë, kishte filluar të shpërngulej për në Turqi. Kjo situatë e rëndë si duket ishte shkaku kryesor që e detyroi Qeverinë shqiptare, të iniciojë riatdhesimin e popullsisë së shpërngulur shqiptare nga Turqia, për në shtetin shqiptar. Për këtë arsye, një delegacion shqiptar i udhëhequr nga Eshref Frashëri, kryetar i Kuvendit, Xhafer Vila, sekretar i parë i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Nezir bej Leskoviku, më datë 15 tetor 1923, arriti në Stamboll. Atë e priti delegacioni turk, i udhëhequr nga deputeti Shukri Kaja.

Gjatë negociatave të cilat zgjatën më shumë se një muaj, u shqyrtuan dhe u debatuan në imtësi kërkesat e të dy palëve. Ndër kërkesat më të rëndësishme të delegacionit shqiptar, ishin: pranimi i Shqipërisë si shtet i pavarur; rregullimi i çështjes së shtetësisë e, sidomos pranimi i shqiptarëve në Turqi, si shtetas të Shqipërisë; konventë doganore e tregtare; konventë post-telegrafike; shumë shqiptarë të cilët kishin shërbyer në Turqi si nëpunës, qoftë në ushtri apo në administratë, të kenë të drejtën e pensionit, pasi këta nëpunës në arkë kishin lënë mjete për pension… etj..

Palët negociuese, pasi ranë në ujdi për të gjitha çështjet, më 18 nëntor 1923, sigluan Marrëveshjen për Miqësi, midis Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë. Në preambulën e saj thuhej shprehimisht: “Republika e Turqisë nga njëra anë, dhe Shteti Shqiptar nga ana tjetër, duke i marr parasysh lidhjet e vendosura midis dy popujve gjatë unitetit politik pesëshekullor turko-shqiptar dhe duke e proklamuar bindjen reciproke të tyre të sinqertë se ajo lidhje nga momenti i vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, do t’i shërbej fatit dhe mirëqenies së dy popujve, kanë vendos që midis vete të nënshkruajnë Marrëveshjen për Miqësi…”.

Çështja e riatdhesimit të shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, përfshihej në Kreun III, nenin 3 të Marrëveshjes, ku thuhej: “Ata të cilët janë të kombësisë shqiptare e të cilët deportohen në Turqi, ndërsa e kanë kaluar moshën 18 vjeç nga dita e implementimit të kësaj marrëveshjeje dhe në afat prej një viti, mund ta marrin shtetësinë shqiptare. Të gjithë ata të cilët shtetësinë shqiptare e marrin në këtë mënyrë, janë të detyruar që në afat prej një viti nga dita e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ta lëshojnë territorin e Turqisë, në marrëveshje se nuk mund të kthehen më në të, njëkohësisht duke e shitur pasurinë e tyre të tundshme e të patundshme si dhe të kryejnë të gjitha pagesat dhe borxhet shtetërore e private dhe t’i ndërpresin të gjitha lidhjet. Deri te lëshimi i kufirit turk, këta do të konsiderohen si shtetas të Turqisë”.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë, gjithsesi se nuk ishte në favor të politikës së atëhershme hegjemoniste jugosllave, prandaj ajo angazhoi diplomacinë e saj në Stamboll e Ankara, që të bëjnë çmos për ta penguar arritjen e marrëveshjes. Në këtë drejtim më aktive ishte Konsullata në Stamboll, e cila për çdo ditë njoftonte Beogradin, për rrjedhat e bisedimeve. Ajo, më 19 nëntor i raportonte MPJ-së në Beograd, për gjoja dështimin e negociatave. Mirëpo, një lajm i tillë, doli se ishte i pasaktë, sepse Marrëveshja për miqësi midis Turqisë dhe Shqipërisë, siç u tha më sipër, qe nënshkruar më 18 nëntor, ndërsa ratifikimi i saj u la të bëhej pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat do të mbaheshin po atë vit në Shqipëri. Ngjarjet e ndodhura në Shqipëri gjatë vitit 1924, të cilat janë të njohura për opinionin e gjerë, ishin shkas për vonesën e ratifikimit të Marrëveshjes. E njëjta u nënshkrua më 16 korrik 1925, pasi në pushtet u kthye Ahmet Zogu.

Disa muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi, Qeveria e Republikës së Turqisë hapi Legatën e saj në Tiranë. Po kështu veproi edhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, e cila në janar të vitit 1926, emëroi diplomatin e shquar shqiptar, Rauf Ficon, për ministër të plotfuqishëm dhe i dërguari i jashtëzakonshëm shqiptar në Ankara, ndërsa Asafa Xhuxhulin, për sekretar të parë të Legatës shqiptare në Stamboll. Nuk posedojmë të dhëna të detajuara për numrin e shqiptarëve të cilët kanë pranuar të riatdhesoheshin në Shqipëri, mirëpo dokumentet diplomatike jugosllave theksojnë qartazi për përpjekjen e pareshtur të Ahmet Zogut dhe të Qeverisë Mbretërore Shqiptare për riatdhesimin e tyre.

Kjo përpjekje nuk u ndal vetëm brenda afatit kohor të përcaktuar me marrëveshjen, porse vazhdoi edhe gjatë viteve të tridhjeta. Në shtator të vitit 1934, MPJ jugosllave, publikoi raportin e konsullit të përgjithshëm shqiptar në Stamboll, F. Dervishi, në të cilën përshkruhet aktiviteti i asaj konsullate në lidhje me riatdhesimin e shqiptarëve nga Turqia, dhe jehona e madhe që asaj kohe kishte mbizotëruar në mesin e të shpërngulurve. Një aksion i tillë ishte ndërmarrë nga drejtori i Reformës Agrare i Mbretërisë Shqiptare, Hoxhë Sali Vuçitërna:

“Me urdhër të asaj Ministrie dhe marrëveshjes gojore me drejtorin e Reformës Agrare, z. Sali Vuçitërnin, me rastin e ardhjes së tij në Stamboll, kjo përfaqësi nuk ka nguruar për ta zhvilluar aktivitetin e saj në mesin e emigrantëve nga Kosova të cilët gjenden në Turqi, që të kthehen në Shqipëri. Aktiviteti ka hasë në një sukses të plotë, aq shumë, saqë shumë familje kosovare, të cilët gjenden në Turqi, janë gati të nisen për Shqipëri. Në bazë të premtimeve të kësaj Konsullate, shumë prej tyre i kanë lënë vendet e tyre të caktuara nga ana e pushtetarëve turq dhe gjenden në Stamboll, të përgatitur për t’u nisur për Shqipëri. Shpenzimet e tyre të udhëtimit së bashku me shpenzimet e pasaportave, arrijnë shumën prej 4.000 frang ari….”!

Në kohën kur Qeveria shqiptare bënte përpjekje maksimale për riatdhesimin e një numri sa më të madh të shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga jugosllavët, autoritetet greke ndërmorën një veprim të dhunshëm në Çamëri, duke instaluar një numër të madh të emigrantëve të ardhur nga Turqia, nëpër shtëpitë e shqiptarëve të Çamërisë. Për rrjedhojë, mira familje shqiptare të fshatrave të komunave Filat dhe Gumenicë, ishin regjistruar se dëshironin të shpërnguleshin për në Turqi.

Më 23 shkurt të vitit 1927, kryetarit të Republikës, Ahmet Zogu, i arriti një letër nga Çamëria, në të cilën thuhej se; çamët, për shkak vuajtjeve të shumta “pa shkolla, pa kurrfarë të drejtë njerëzore, të keqpërdorun nga nëpunësit grek, duan të hiknë, masi po vuajnë aq keq dhe askush nuk i bije pas, çfarë të bëjnë? Duket sheshazi,vazhdon letra, se Qeveria Greke do t’i shpërngul nga Çamëria. Prefekti i Janinës, duket se ka çue Hasan Hamitin t’i thotë, se po të nënshkruajnë nji akt se Qeveria Greke nuk i forcon, por duan vet të iknë, nuk ka me u pruë asnjë pengim. Sa për Qeverinë turke edhe kjo i pranon, po të kenë disa të holla me vete…”!

Në vazhdim të letrës, thuhej se Qeveria greke do ta dërgonte një nëpunës të vet për t’i regjistruar shtëpiat dhe pronat e shqiptarëve të Çamërisë, ku një pjesë do i blente Banka e Azisë së Vogël, ndërsa pjesën tjetër Banka Kombëtare e Greqisë. Krejt në fund të letrës thuhej se “ky minoritet i gjakut ton, ka me e lanë vendin e vet” për shkak dhunës që po përdoret nga autoritetet qeveritare greke, dhe se një pjesë e tyre; “po t’i pranonte Shqipnia, do shkojshin të bëheshin nënshtetas Shqiptar”.

Gjendja në Çamëri u përkeqësua edhe më shumë gjatë muajve prill-maj 1927, pasi Qeveria greke, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, në shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve, vendosi një numër të madh të emigrantëve grekë nga Anadolli. Në një situatë të tillë, Dhoma e Deputetëve, në mbledhjen e mbajtur më 15 maj 1927, me propozim të deputetëve: Maliq Bushati, R. Kiçi dhe Kol Mjeda, vendosi ta thërret Qeverinë e Shqipërisë, për të dhënë shpjegime, mbi padrejtësitë që po u bëheshin shqiptarëve të Çamërisë nga ana e Qeverisë Greke. Në tekstin e propozimit thuhej se; përkundër premtimeve dhe zotimeve të Qeverisë greke dhënë para Lidhjes së Kombeve, ajo, ndaj elementit shqiptarë në Çamëri po zbaton një politikë të dhunshme dhe antinjerëzore.

“Sipas principit të minoriteteve, – vazhdon teksti, – këta në vend që të gëzojnë të gjithë të drejtat si nënshtetas grekër, po ju mohohet e drejta ma natyrale principijale e drejta e gjallimit. Me planget e shtëpiat e këtyre të mjerëve, janë instalue emigrandet e Anadollit të cilët me urdhën të Qeveris, gëzojnë krejt pasunin të këtyne si; bahçe, ullishta, kullosa dhe ara buke, tue i lanë të mjerët Çamë me vdekë nëpër udhë…”!

Ndërkohë, Xhafer Çela, Zenel Ypi dhe Shahin Ypi, i shkruajnë një letër kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Ahmet Zogut, në të cilën shprehin brengën e tyre të thellë, për shkak se, një pjesë bukur e madhe e çamëve; “janë duke e shitur pasurinë e tyre”, me qëllim që të shpërnguleshin për në Turqi. Marrë në përgjithësi, Qeveria greke, në emër të shkëmbimit të popullsisë me Republikën e Turqisë, dëboi me dhunë të gjithë banorët shqiptarë në 83 fshatra të Çamërisë. Lidhur me dëbimin e popullsisë shqiptare nga Çamëria, bën fjalë edhe analiza hartuar në vitin 1932, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Mbretërisë Jugosllave, në të cilën veç tjerash, thuhet:

“…Në krahinën e Çamërisë, nga Epiri Verior, ka emigruar numri më i madh i popullsisë shqiptare vendore dhe është vendosur në Turqi dhe Shqipëri. Pasuria e tyre shumë e madhe ka ngelur në territorin e Greqisë. Këtë pasuri Grekët e kanë përvetësuar dhe ua kanë ndarë muhaxhirëve nga Azia e Vogël…”.

Nga ana tjetër, autoritetet jugosllave, të frymëzuara nga Ligji për Kolonizim, të cilin Parlamenti turk e solli më 14 korrik të vitit 1934, që veç tjerash parashihte shpërnguljen e të gjithë turqve të Ballkanit për në Turqi, e panë si momentin kyç për shpërnguljen e tërësishme të popullsisë shqiptare e turke nga vatrat e tyre për në Turqi, dhe në tokat e tyre të vendoseshin kolonët sllavë.

Për këtë qëllim, Parlamenti jugosllav, në mbledhjen e mbajtur më 21 gusht të vitit 1934, bëri ndryshimin dhe plotësimin e nenit 55 të Ligjit për Shtetësi jugosllave, të miratuar gjatë vitit 1928, përmbajtja e të cilit ishte si më poshtë: “Jo sllavët të cilët në kuptimin e paragrafit të dytë të nenit 55, janë bërë shtetas të Mbretërisë, ndërpriten të jenë të tillë nëse pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji e deri më 1 nëntor të vitit 1938, para organeve kompetente të pushtetit të shkallës së parë, ose në cilëndo përfaqësi tonën diplomatike apo konsullore në botën e jashtme, deklarojnë se tërhiqen nga shtetësia. Deklaratat të cilat i janë dorëzuar pushtetit të përmendur sikurse edhe përfaqësive diplomatike e konsullore nga ana e personave në fjalë, pas 1 nëntorit të vitit 1938, e deri në hyrje në fuqi të këtij Ligji, do të konsiderohen si të dërguara me kohë…”!

Me këtë ligj, të gjithë shtetasit e Jugosllavisë që nuk ishin të përkatësisë etnike sllave, u “mundësohej” të merrin shtetësinë e ndonjë shteti tjetër, dhe secili nga ata që merrte pasaportë të huaj dhe brenda vitit nuk largohej, atëherë autoritetet jugosllave e detyronte atë ta lëshoj Jugosllavinë. Në këtë mënyrë, një numër i madh i shqiptarëve, pasi Shteti shqiptar nuk i pranonte, u detyruan të shpërnguleshin për në Turqi, e cila, edhe pse deklaronte se nuk do t’i pranonte emigrantët shqiptarë nga Jugosllavia, ajo megjithatë u ofronte të gjitha lehtësirat për t’u vendosur në Turqi.

Rrjedhimisht, në fillim të vitit 1935, tashmë dëgjoheshin lajme për marrëveshjen jugosllave-turke për shpërnguljen e myslimanëve, kuptohet, shqiptarëve etnikë. Ministri i Brendshëm i Turqisë, do të deklaroj se; nga Republika e Turqisë do të sjell nga Jugosllavia 800.000 emigrantë. Shpërngulja e popullsisë shqiptare nga Jugosllavia për në Turqi, sipas diplomatit të shquar shqiptar, Rauf Fico, do të vazhdonte edhe më tej, sepse përbënte “interesin e përbashkët” turko-jugosllav, prandaj ai i propozonte Qeverisë Mbretërore Shqiptare, që t’i ndërmerrte të gjitha “masat e nevojshme për instalimin në Shqipëri” të atyre shqiptarëve, të cilët do të insistonin të linin Kosovën apo trevat tjera etnike shqiptare nën Jugosllavi.

Ndërkohë, konsulli i përgjithshëm jugosllav në Stamboll, në një analizë të hartuar në maj të vitit 1935, vlerësonte se; Qeveria jugosllave nuk duhej ta popullarizonte shpërnguljen e popullsisë shqiptare për në Shqipëri, për arsye se me këtë rritej popullsia e atij shteti dhe përforcohej “lëvizja irredentiste”, e cila edhe ashtu nxitej nga vetë shteti shqiptar. Në vend të kësaj, ai propozonte që shqiptarët të shpërnguleshin për në Turqi, sepse sipas tij; “ai element shqiptar” i cili shpërngulet për në Turqi, llogaritet si “element i humbur përfundimisht”.

Po në këtë periudhë kohore Dhoma e Reformës Agrare në Shkup, filloi një fushatë të gjerë të konfiskimit të tokës pjellore nëpër vendbanimet shqiptare. Aksioni parashihte që “fshatarëve shqiptarë, t’iu lejohej vetëm 0,4 hektar tokë për një anëtar të familjes”. Qëllimi kësaj politike antishqiptare, siç njoftohemi nga burimet e shumta të proveniencës policore e ushtarake jugosllave ishte “dëshpërimi i banorëve shqiptarë”, sidomos të fshatrave që shtriheshin buzë Malit Sharr e deri në hapësirën Kumanovë-Prishtinë, ku kompaktësia shqiptare ishte tepër e madhe. Autoritetet e Beogradit, shpresonin që përmes këtyre masave të ashpra agrare, do t’i detyronin shqiptarët t’i braktisin vatrat e tyre e të shpërnguleshin për në Turqi.

I dërguari i Mbretërisë Shqiptare në Beograd, Rauf Fico, i shkruante MPJ-së, se “me zbatimin e ligjeve të ndryshme të kolonizimit e të reformës agrare, me qindra familjeve Shqiptare, u janë zaptuar tokat ashtu edhe banesat”, dhe se ky ishte shkaku i vërtetë i emigrimit të shqiptarëve për në Republikën e Turqisë. Në raportin plotësues të datës 18 maj 1934, R. Fico njoftonte MPJ-në se, autoritetet jugosllave më 25 mars 1934, kishin urdhëruar banorët e fshatrave të rrethit të Gjakovës: Batush, Nivokaz, Moglicë, Brovinë, Palabardh, Stubëll, Berjah, Ponoshec, Popoc, Shishman, Babaj Bokës se “nuk mundin ma që t’i punojnë tokat e tyne, të cilat mirën prej reformës agrare…”! Memorie.al

Revista finlandeze (1935) Irja Spira: “Takimi im në Tiranë me Ikbal Çikën, gazetaren e parë dhe të vetme në Shqipëri.”

 

 

Irbal Çika (Ikbal Çika), gazetarja e vetme femër në Shqipëri — Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°10

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Shkurt 2025

 

Revista finlandeze “EEVA” ka botuar, me 1 dhjetor 1935, në faqet n°10 – 11, shkrimin e gazetares Irja Spira për Ikbal Çikën dhe rolin e gruas shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Motrat tona në Shqipëri

Për Evën, Irja Spira

Irbal Çika (Ikbal Çika), gazetarja e vetme femër në Shqipëri — Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°10

Para disa vitesh ishte një telegram i shkurtër që më tërhoqi vëmendjen për ekzistencën e femrave shqiptare. Ky tregonte se si këto motrat tona të largëta kishin ngritur një kundërshtim kaq të fortë ndaj zyrtarëve shqiptarë dhe zotërinjve të “shoqërisë” në përgjithësi që kërkonin të martoheshin me gra të huaja, sa që parlamenti kishte ndërhyrë dhe kishte miratuar një ligj që ndalonte këtë stratagjem për çdo zyrtar, ligj që mbreti, i cili përndryshe ishte i angazhuar kronikisht në planet e martesës, dhe që për këtë arsye nuk hyri kurrë në fuqi.

 

Zot i shenjtë, mendova me vete, atje ka vetëm gra ! Dhe verën e kaluar, kur më duhej të shkelja nëpër fshatrat shqiptare, detyra ime e parë ishte t’i fusja në dylbi.

 

Por nëse meshkujt shqiptarë, e kam fjalën sigurisht për njerëzit e zakonshëm, që janë shumicë në çdo vend, nuk jetojnë jashtë, ose të paktën nuk e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në udhëtim dhe rrugëve, atëherë seksi i bukur i këtij vendi ka një aftësi të mrekullueshme për të mbetur i padukshëm. Makina me të cilën unë dhe diplomati i ri shkuam me shpejtësi nga porti për në kryeqytet kalonte herë pas here pranë një krijese të mjerë me vello (ferexhe), por shoqëruesi im i ri kishte aq shumë gjëra interesante për të folur në atë moment sa as që vura re se krijesa që po kalonim ishte gruaja shqiptare që kërkoja.

 

Vetëm kur ishim në Tiranën e kuqërremtë, një diplomat më kapi për dore, duke më treguar me gisht një kafene parku që ndodhej në mes të qytetit, pranë bashkisë, ku një kamariere e re, e veshur me rroba të lehta lëvizte nga tavolina në tavolinë.

 

— Shiko, aty mund të shohësh një shqiptare. Gruaja ishte e mrekullueshme dhe qëndrimi i saj ishte princëror.

 

Lëvizjet e saj ishin fluide dhe të qeta. Fustani, i cili mbante shenjat e një gërshëre të mirë rrobaqepësi, i mbërrinte deri te kyçet e këmbës. Gjithashtu nuk kam parë kurrë një kamariere të mbante një tabaka kaq lart : në lartësinë e shpatullave, në pëllëmbën e dorës së djathtë, si një vazo.

 

Po atë mbrëmje u ula në atë kafene dhe së shpejti bisedova me këtë kamariere të bukur, e cila, sinqerisht, ishte si një devijim i kohës në mes të Tiranës mesjetare me xhamitë, pazaret, plisat dhe ferexhet e saj.

 

— Ah, zonja e hirshme flet gjermanisht !

 

Pasthirrma erdhi nga thellësia e zemrës sa nuk do të kisha nevojë për ndonjë shpjegim tjetër për të kuptuar se kamarierja e bukur e tipit grek në Tiranë ishte gjermane.

 

Ishte vetëm një hap i shkurtër për të arritur në përfundimin se në Shqipëri nuk kishte femra “fallxhore”. Edhe pse të gjithë me të cilët kontaktova gjatë gjithë ditës bënë çmos për të më shpjeguar se shqiptaret nuk kanë asnjë arsye për t’i pasur zili motrat e tjera evropiane në asnjë mënyrë : kur janë të pamartuara, asgjë nuk i detyron të bëjnë jetën morale, të vyshkur të një shërbëtoreje të vjetër; kur janë të martuara, kanë të drejtë t’u buzëqeshin pak të tjerëve sesa të dashurit të tyre dhe si një shenjë shumë e veçantë kulture, përmendej se në Shqipëri është një vajzë e re që është vërtet vajzë, në prag të zhdukjes.

 

Por pavarësisht gjithë këtyre historive, askush nuk dukej i gatshëm të më prezantonte me gruan, vajzat, motrat apo të afërmit e tjerë femra, për të cilat thuhej se të gjitha kishin udhëtuar në një vend të largët në atë kohë.

 

Nëse nuk do të kisha pasur mundësi të njihja Ikbal Çikën, gruaja shqiptare do të kishte mbetur një mister i përjetshëm për mua. Ikbal Çika është gazetarja e parë dhe e vetme në Shqipëri dhe gjithashtu gruaja e parë myslimane në vend që refuzon të mbajë ferexhenë. Ajo është një vajzë e vogël brune, plot energji, e cila në shikim të parë shihet se është shumë më e aftë me stilolaps sesa, le të themi, me gjilpërën.

 

S’kaloi shumë kohë, Ikbal Çika më shpjegoi se të gjitha gjërat që nuk më kishin thënë për gratë shqiptare ishin marrëzira. Megjithëse ligjet moderne shqiptare hapin dyert e pothuajse të gjithë sektorëve për gratë, ato nuk kanë të drejta politike – vendi po përjeton një regres të ngjashëm me atë të Turqisë dekada më parë, gjë që e bën të pamundur emancipimin e grave. Përveç mësueses dhe infermieres, në Shqipëri janë edhe disa nëpunëse civile, një mjeke, e cila noton në flori, sepse një mysliman paragjykues nuk lejon që gruaja apo vajza e tij të kontrollohen nga një mjek mashkull dhe më pas, Ikbal Çika. Këto femra shqiptare zakonisht janë rritur jashtë vendit, prandaj nuk janë “objekte” si femrat shqiptare në përgjithësi. Por ato nuk janë të mjaftueshme dhe as të pavarura sa për të krijuar një lëvizje të grave shqiptare. Disa burra, si Nebil Çika, vëllai i gazetares së vetme femër në Shqipëri, janë përpjekur t’i ndihmojnë për këtë, por edhe kështu lëvizja e grave shqiptare u mbyt që në fillimet e saj.

Nebil Çika, i cili u përpoq të krijonte një lëvizje të grave shqiptare, lexon Evën. — Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°10

Nga i njëjti burim kam dëgjuar – e dija edhe më parë – se shqiptari është mendjemadh dhe nga mëndjemadhësia është i lumtur të martohet me një grua që ka studiuar. Por pas martesës, ai dëshiron që gruaja e tij të bëhet një “objekt” që nuk tregon shumë pavarësi në rrugëtimin e jetës së tyre së bashku.

 

Çfarë bën atëherë një shqiptare në shtëpi, pasi nuk shihet kurrë jashtë ? Jo të gjithë kanë fëmijë të vegjël për t’u kujdesur ose punë bujqësore – ju siguroj se një shqiptar mund t’i bëjë ato gjëra me duart e veta, pavarësisht nga vjetërsia e tij e devotshme. Në përrallat popullore shqiptare thuhet se dredhin cigare. Duhani shqiptar është i këndshëm për t’u pirë dhe i lirë për t’u blerë. Për tre marka finlandeze ju merrni njëzet cigare të ambalazhuara bukur dhe me aromë. Gratë e familjes kalojnë ditë dhe mbrëmje të gjata duke përgatitur këto cigare, plotësisht të pavetëdijshme se sa faktor i rëndësishëm janë ato në industrinë shqiptare të duhanit. Ndërkohë, kryefamiljari i së njëjtës familje ulet në pragun e derës, duke nxjerrë shtëllunga tymi nga llulla e tij besnike. Dhe, sigurisht, duke bekuar faktin që ai ka Kuranin për ta mbështetur, në emër të të cilit mund të endesh me dembelizëm në 1935 dhe të kalosh ditë vërtet parajsore…

 

Jeta e përulur e një gruaje shqiptare mund të mos jetë aq e patëmetë sa i duket një nordiku, por po, të dashur miq, gjëra të mrekullueshme duhet të ndodhin në tokë përpara se ëndrra jonë më e madhe të jetë të jemi shpëtimtarja e një burri shqiptar.

Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°11

HEROI IM!- Nga MILAIM NELA

Salianji nuk është heroi im e as i demokratëve të shtresës time apo atyre që njoh unë!
As sot as kurrë!
Heroi im është demokrati idealist si Ilir Vrenozi që vjen nga Korça e largët në protestë ndoshta duke mos ngrënë edhe disa vakte bukë e nuk kërkon asgjë në këmbim të kësaj sakrifice sepse e do Shqipërinë.
Heroi im është ai shqiptari i ndershëm që e siguron bukën e tij dhe fëmijëve të tij me djersë dhe ndershmëri!
Heroi im ashtë ai burrë apo grua që ju qëndroi besnik idelaeve dhe ruajti fytyrën edhe në momente kur i rrezikohej jeta.
Heroi im është ai që përballoi hunjtë dhe shkopinjte e Salianjit e salianjëve të tjerë që u bënê njësh me bandat qeveritare e kurrë nuk kërkuan falje.
Heroi im është ai që refuzoi presionin dhe nuk ju lëpi ambasadës së Kim Lu-së por rezistoi dhe i qëndroi fort të drejtës dhe idealit të tij.
Heroi im është ai apo ajo që e sheh realitetin drejt e në kokërr të syrit dhe e di që kjo bandë nuk rrëzohet me votë por vetëm me rezistencë të panderprerë siç ndodh në vendet e tjera dhe nuk beson qorrazi në fitore që ja garantojnë një grup arrivistësh që një zot e di nga e marrin këtë garanci dhe i mbajnë zgjedhësit me premtime boshe!
Heroi im është ai që lufton me mjete politike të ndershme e jo ai që pret radhën të vijë në pushtet duke shpresuar se kundërshtarin do ta rrëzojnë të huajt!
Heroi im nuk është ai që ditën shpon qiellin me dy gishta e çirret për besnikëri ndaj liderit e në darkë bën pazaret për tenderat për familjarët e tij.
Heroi im nuk është ai që sheh Partinë Demokratike si lopë race për ta mjelë kur të jetë në pushtet por si mjet politik për të realizuar qëllime fisnike në të mirë të vendit e kombit.
Heroi im nuk është ai që shkon në protestë me kostum dhe kollaro të hekurosur e vetëm për tu promovuar si elita e re e partisë sepse në protestë nuk shkohet me kostum e kollaro o njerëz!
Heroi im nuk është ai që e sheh postin politik apo karrieren politike si trashëgimi të patjetërsueshne familjare dhe i duket vetja aristokrat për shkak të posteve të familjarëve të tij.
Heroi im NUK është ai që e sheh suksesin në propagandë boshe duke imituar ligjërimin politik të shpifur të Erjon Veliajt dhe të ngjashmëve të tij.
Heroi im nuk është ai që REFUZON të mendojë politikisht e politikën e sheh vetëm si rrjedhim makiavelist pavarësisht se çfarë sjell!
Heroi im nuk êshtë ai që lufton për të qenë një deputet opozite pas zgjedhjeve sa për të rrezuar Sali Berishën por e sheh betejën si jetë a vdekje të kombit e vendit të tij!
Heroi im nuk është ai që refuzon ta shohë realitetin në sy!
….
Lista vazhdon…!

NDERIM  PËR  BINDJET  E  TË  TJERËVE – 1944- Nga AT ANTON HARAPI- Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

 

 

 

At Anton HARAPI para gjyqit komunist:

 

MOS HARRONI JU,

QË UNË JAM SHQIPTAR !”

 

 

 

ÁT ANTON HARAPI O.F.M.

ASHT MENDJE DIALEKTIKE,

QI SHKRUEN KRYARTIKUJ ,

NDËR TË CILLTË DISA JANË KRYEVEPRA.

DIJA E THELL, ARSYETIMI I LIDHUN, ANALIZIMI I HOLL, STILI I PESHUEM, DALLOJNË GJITHË SHKRIMET E TIJA.

MUND TË JETË I THATË, I FTOFTË,

POR

AI ASHT I DREJT’ E I PAFAJSHËM.”

 

                                                                                     Don Kolec PRENNUSHI

(Hylli i Dritës, 1936, fq. 583.Shkoder)

 

NDERIM  PËR  BINDJET  E  TË  TJERËVE

 

Më falni për guximin: Due të përballoj çeshtjen ma delikate në jetën Shqiptare.

Kush e kishte zanë besë?.. Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe ndër ateistët e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmënisë shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristianë, janë fakte që nuk lanë me luejtë, por janë prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare.

Përsa di unë deri më sot, kjo çeshtje kurrë nuk kjé përballue kjartë e mirë, sa herë kjé kallë, menjëherë edhe kjé mbulue si gaca nën hi. T’i mbetët hatri kujt të duejë, unë due me e thanë mendimin tem haptas; marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim, se sa për inat e për parti. Ndër çastët ma të vështirë të jetës sonë kombtare, njëmend se shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti një tharm, një fond rryme e partie, sa me të trembë e demoralizue.

Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër né? Ateistët me të gjithë skeptikët, indiferentët, natyralistët, aventurierët e oportunistët, thonë se jo: Né shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma!

Këta shpresoj t’i përballoj njëherë tjetër, këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnia nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë të patënzonë.

Fjalën këte herë e kam me besimtarët e tre elementave.

Pa kontenstim né jemi një komb, një shtet e një popull me një shpirt, me një gjuhë e me një histori, e po të ishim edhe të një besimi, patëm me kenë edhe ma të bashkuem, ma homogjen, dhe as nuk patëm me bjerrë mund e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky, se né jemi pra muslimanë, ortodoksë e katolikë, e si të tillë duem të rrojmë në një harmoni vllaznore. Unë thom se për këte punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.

Pra, tezën time e vé kësodore: Shqiptarët, po të jenë vërtetë të qytetnuem e nacionalistë të sinqertë, besues edhe përnjëmend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos rrojnë vllazënisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën njerzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombtare, e derisa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me kenë të damë e të përçamë, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare.

 

            PENGIMI I MADH: FANATIZMI

 

Pengim i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vllaznimit tonë, asht fanatizmi, i cili asht një turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi e turp për jetën shqiptare. Besimi që mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton.

Besimi në një Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njeriun për ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instiktit, ndër të cilat asht egoizmi, që don të justifikohet me shkakun e besimit.

Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: Të dy ngulin kambë për një bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullnesës deri në kulm, por me këte ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për një parim të arsyeshëm, ndësa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye: Njeriu me karakter tregon një zotësi morale, ndërsa fanatiku dëshmon një dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin dhe egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerëzisht asht i ligësht, karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në vés e në egërsi. Fanatizmi asht antinjerëzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor.

Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim.

Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturën vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, domethanë nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme, mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjëmend në veté, ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi.

Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha që ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për një çdo tjetër arsye të jashtme sot duhet të dijmë çka të besojmë dhe pse të besojmë lypet ta justifikojmë; nëmose para vetés, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: Besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për një gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndjesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtue në një sistem jete. Kjo domethanë kulturë fetare.

 

TË  RROJMË  SHOQNISHT  E  VLLAZNISHT

  

Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristjanë e muslimanë të jenë të gjithë Shenjtën e Peigamberë, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vllaznisht.

Pa kulturën njerëzore, nuk jemi pjekun të rrojmë si njerëz e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.

Kam pa muslimanë dhe kristjanë që me vetmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër, sado heroike, nuk shfaqin një madhni shpirtnore të cilën nuk e kanë, pse qëndresa e tyne, të shumtën e herës, bazohet, thjesht, në një zakon, në një traditë, në një moskuptim të jetës fetare që e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.

Një kusht tjetër që rrjedh prej kulturës së shpirtit, asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë dignozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këte fenomen të çuditshëm: Kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari im. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamën fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore.

Më ka ra rasti për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çeshtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë e ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush një mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenjë antagonizmi e luftimi.

Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prap e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e një tjetri, asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këte përbindësh të individualizmit egoistik.

Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me një kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, por në atë mënyrë si kërkojmë që të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dijmë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë një rrugë a një parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem  të na përbuzë kush né edhe po t’ jemi gabim, ashtu as né mos të përbuzim askënd. Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshim edhe besimesh së ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kujt, shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. As në këte pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.

 

SHKAQET  E  DASISË

 

Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime: E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndrrojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin.

E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht! Kështu arësyetojnë ata që besimet i kanë ferrë në sy!

Problemi vërtetë asht i vështirë, por  zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet që janë: 1. Intoleranca dogmatike, 2. Toleranca shoqnore-qytetare, 3. Toleranca shoqnore-politike.

Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë, por i afrohet kuptimit me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijtë, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk barim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme na merr nderin.

Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë që në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë që ndërgjegja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë një parimi, të cilin e ka për ideal të parë.

Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë që nuk baret as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zitë e thoit. Fjalë që me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim me kurrnjë mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë e arsyeshme, e drejtë: E vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar.

Ja edhe arsyeja e thanies sime: Një besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt një çfardo kredoje tjetër, do të përgjegjet me një “jo” kategorike të preme.

Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnjë besim përnjimend, thotë se besimet janë njënjë të vërtetë, si t’ ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njënjë për të plotësue një nevojë të jetës. Po kjé si njëna dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëherë asht njënjë si e vërteta si e kundërta, atëherë Zoti asht “hartuesi” i gabimit, i rrênës, dhe i përçamjes.

Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në një shtet, në një popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatke.

Lëne, e për njëherë ashtu po e zamë, edhe po i vemë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këte themel, bie fjala, Krishti kjé a s’ kjé Zot, Muhamedi kjé a s’ kjé Profeti i Zotit, në këte rast për mue do t’ ishte një për një; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: Si Krishti e Muhameti të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë kenë hipokritë e mashtrues, si të kenë kenë të ndershëm e të drejtë.

Kush nuk e sheh këte dobësi mendore a morale? Njeriu, të cilit i vjen era njeri, mosbindjen kurrë nuk e tregon për bindje dhe atë për çka asht i bindun se asht gabim, kurrë nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm një detyrë e fetarit, por një detyrë e secilit njeri të ndershëm e të arsyeshëm.

Në emën të së vërtetës, pra, e për hir të sinqeritetit: Luftë çdo gabimi, kudo që t’a gjejmë, edhe ndër kërkime shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave.

Për këte intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndësa këte intolerancë e gjejmë edhe ndër njerzit e ditunisë, të artit e politikës, për shka u përket parimeve të tyne. Këta, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë.

Këte po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, e si për besimtarë.

 

NJË  FORMË  E  INTOLERANCËS:  POLEMIKA

 

Në formën e intolerancës asht polemika, e cila po kjé serioze, ditunore, e paanshme, e bashme ndër sfera të nalta, vërtetë ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerzore e fetare që kemi, thom se polemika nuk asht për né. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çeshtje,  kurrë nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrênën, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive të ulta, të polemizojmë me pasion.

Tjetër mandej asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këte parim, na dallojmë kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht përsoni e tjetër asht vepra: Personin e falim, veprën e gabueme e dënojmë; këté e mënijmë; atë e bartim, këté nuk e durojmë. Ky asht parim bazë që na shoqnon: Me kurrnjë gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët edhe të jenë të gabuem, afrim, dashni, vllaznim.

Natyra na mëson këte parim: Ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme  mban një harmoni të çuditshme; jeta njerzore na imponon: Si, bie fjala, ndër né të marrunit me ndoré, besa, mikpritja, kjé se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin.

Këte shoqni që na mëson natyra, na imponon jeta; po njëkëte na urdhnon besimi, cilido të jetë. Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se një i njëjti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në saje të një Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijtë e një Zoti që na ka falë. Pra, Zoti i të gjithë néve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi një. Ja, pra, se kurrgja nuk vllaznon ma fort se Zoti.

Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve pa ndryshim.

Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: Muhamedani i biri i Zotit, kristjani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta : Porsi vllai për vllain të ndjejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjet fetare të shoqi-shoqit: Për kurrnjë arsye nuk kemi të drejtë të përbuzim kënd; porsi me të drejtë kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët. Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë. Kush e ushtron këte asht me të vërtetë i madh. Toleranca qytetare – shoqnore e gjenë plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore-politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njëpërnjë të tria besimet në Shqipni; shteti njëmend asht afetar, d.m.th. asnjanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnjë besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit: Ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka as ndryshim, as pengim ndër të drejta të kurrnjë elementi; të gjitha ligjët, masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: Të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetët ndër zyrtarët, sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi.

Pra, për me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë: 1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk lot: Intoleranca teorike-dogmatike; 2. Duhet të kemi dashninë e sinqertë midis përsonave: Toleranca shoqnore-qytetare; 3. Duhet të mbahët drejtësia me ndërgjegje ndër ligjë e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike.

Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht kjo: Na duhet të rrojmë së bashku, jo si përdhuni, por me vetëdashje; këte punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullnesa, do ta ndjejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullnesën do ta vendosë e drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht një virtyt, për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore do të jetë i prekun e i tërhjekun. E tanë puna asht këtu: Me dijtë me kenë të zotët ta bartim shqiptarin, jo si të huej, por si vlla.

Kështu, pra, nuk janë besimet ato që e shqetësojnë jetë vllaznore në Shqipni, por gabimet, pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato që krijojnë çeshtjen fetare në vendin tonë.

 

PENGESA  QË  DUHEN  KAPËRCYE

 

E mjaft me teori. Kush don, ja ka marrë vesh me kaq, ja nuk ka me marrë vesh kurrë. Tash të vijmë tek praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë. Kështu që nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali as Bajram Curri pse janë muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse janë ortodoksë, as Gurakuqi as Ded Gjo’Luli, pse janë katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare!

Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengesa.

1.Pengesa e parë, për shërimin e kësaj plage të kobshme që e shqetëson jetën ndër shqiptarët, asht gabimi i madh i disa udhëheqësve të cilët duen ta mbulojnë edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, ekziston dhe do të shkojë në gangrenë po nuk u shërue me dorën e një kirurgu të aftë e të ndërgjegjshëm. Çka asht gabim e kalbësinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, lè të qitet në shesh, lè të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt.

Pse ta mohojmë? Një pjesë e mirë, muhamedanë a kristjanë, ortodoksë e katolikë nuk shikohen me sy të mirë; një antagonizëm shoqnor qendron në mes tyne; ata nuk kanë mbërrijtë endè t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile që do të kenë.

Duhet ta pohojmë botnisht, se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: Ta njohim e ta ndiejmë sa duhet këte plagë shqiptare.

2.Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristjanë, nuk hyjnë në lojë parimet dogmatike; ato populli nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit sot nuk ban kush parti as nuk ngre ngatërresa.

Shkaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicione mënie midis elementave; na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemërime kundrejt shoqi-shoqit; me këta lindim, me këta rritemi, me këta edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na çrranjosë. Do të kalojë edhe ndonjë brezni që muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhdukë krejt idenë “kaurr”, ashtu për një predispozicion të bamë petk, si kristjani i sotëm edhe i nesërmi kenë e pa kenë për çdo punë që nuk i bie për shtat, ka me kujtue e me u ankue: Po më bahet e padrejtë pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë që të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto rê të helmueme.

 

FAKTORI  PSIKOLOGJIK

 

            1.Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me këte dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instiktive që kohët e kalueme ndihmoi shumë për me shpëtue shpirtin, gjuhën, zakonet e traditat tona, nëse kjé fat i madh asohere, sot, për jetën tonë kombtare mund të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh përditë shqiptarë edhe me kulturë, të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetës së vet, ata e dijnë fare mirë çka do me thanë jetë e përbashkët e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet e sakrificat që lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithëkëte, hir e pa hir, duen të bajnë të vetën; duen vetëm ata me kenë të mendshëm, ata gjela që këndojnë. E po gjetën injorantë, trashamanë, hipokritë, servilë, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbje, pa shpirt, edhe ngrehen kapadainj, udhëheqës, pionjerë a shka po di unë.

E ja klanet, partitë prej nga rrjedhin dasitë e kontrastet shoqnore: Hallet shqiptare. Këta njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba një grimë pozicion me taktikë vërtetë djallëzore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin  apo sa ta çekin sustën e besimit, se janë gati një turmë për t’i ndjekë; e ja, se me njëherë qiti krye çeshtja e besimit ndër shqiptarë me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime.

Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristjanit pse asht fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi, këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe fetare, sa me u dalë për vete e me ua dhanë të tjerëve – u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, i cili, që me sa macja e qeni, nuk e beson as Krishtin as Muhamedin, por formon klane për Dinin si për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjek për me kenë ai në krye. Derisa të mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm nuk ka qetësi në Shqipni!

 

INTELEKTUALË  TË  KACAGJELUEM

 

1.                Prapë fjalën e kam me gjysmakët, intelektualët e kacagjeluem; Çeshtja e besimit ndër né nuk studjohet si duhet e sa duhet. Me një lehtësi të pandërgjegjëshme i bihet nëpër té, merret nëpër kambë, shahët e poshtnohet njeni a tjetri besim. Nuk do, nuk di ose nuk del kohë me e studjue thëmelisht çeshtjen e besimit, nuk ké të drejtë me folë, as me dhanë gjykim. Po fole në këte rast, ké qitë tharmin e shqetësimit, jé atentator i vllaznimit, i rrezikshëm për besimin e për shtetin; sikurse do t’ ishem unë mizor po të jepja receta baresh vetëm pse diku kam lexue diçka apo i kam pa ndër reklama fletoresh.

2.                Ambienti, dispozitat atavike të trashëgueme, shpirti refraktar, botkuptimi i ngushtë, rritja familjare mbrenda një rrethi plot paragjykime e sa shkaqe të tjera këso dore bajnë që, përgjithësisht, muhamedani shqiptar disi e ndjen veten ma afër muhamedanit, ashtu ortodoksi afron ortodoksin, katoliku katolikun; këte e sheh dhe e njeh ma shumë se të vetin, ndërsa atë tjetrin e mban si të huej. Nuk asht besimi që ia detyron këte sjellje, por asht shpirti i klanit antishoqnor i paformuem që e shtyn të rrojë me vllaznit e vet si me të huejtë. Fakti asht se jemi të formuem kështu; detyra e sejcilit asht të naltohemi mbi vetén e mbi klanin e rrethit tonë e të kapemi  në jetën e vërtetë shoqnore. Mos të më thotë kush se nuk asht e vërtetë, se unë jam tue e teprue; shkoni e hyni ndër shtëpia private, ndër rrethe intelektuale e dita me ditë keni me gjetë se po në ketë mënyrë e me këto dispozita bahen mbledhje të përzemërta, sajohen klane, vendosen punë edhe me randësi, as nuk po e çoj ma gjatë për mos me e zbulue të gjithë vobeksinë e shpirtit tonë të kufizuem.

3.                Mos t’i lavdohemi shoqi – shoqit për atdhetarizëm, për kulturë e për kontribute, as mos t’ ua vejmë kandarin mungesave e dobësive të njenit e të tjetrit element, pse sejcili element ka kontributet e veta e ka edhe dobësitë ndër besimtarët e vet; mos të lavdohet kush se porsi element asht ma shqiptar se tjetri! Superioriteti i besimtarëve, edhe në lamën atdhetare – kulturore, do të tregohet me fisnikinë e ndjesive, me naltësinë e jetës, me zemër të gjanë e me zotësi për ta mundë të keqen me të mirë. Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombtar, por personalitetet që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata, që bajnë pikën e gravitetit në një popull. Derisa të jenë kush që kujton se myslimanët shqiptarë janë Shqipnia, apo se vetëm kristjanët janë nacionalistët e vërtetë, nuk kemi bashkim kombtar, nuk kemi jetë vllaznore, na jemi thikë e brisk.

4.                Historia asht histori, dhe do të mbetet histori! Jeta e Krishtit e vepra e krishtënimit, si dhe jeta e Muhamedit e vepra e muhamedanizmit janë të dokumentueme botnisht. Na shqiptarët as nuk mund t’ ua hupim, as nuk mund t’ ua shtojmë dritën, as hijet dy besimeve. Ashtu edhe historia e ortodoksisë dhe e katoliçizmit nuk ka mbetun vetëm te né shqiptarët.  Prandej, historia ja mos të prekët aspak, ja nuk ka kush të drejtë t’a falsifikojë e t’a sajojë vetë, për pa shkaktue zemërime, shqetësime e polemika, që nuk ndërtojnë, por prishin e rrënojnë.

5.                 Mos të rrijmë tue njehsue e tue theksue shka na dallon, por ma fort ngrehim për shka na bashkon: Na bashkë e kemi një Zot në të cilin besojmë, kemi dhjetë urdhnimet që Ai na ka vue, kemi detyrë morale, shtetnore e kombtare të perbashkëta, kemi historinë, kemi idé, ndjesi, jetesë, zakone, kangë, festa, shpresë, shpirt, interesa, gjuhë e të tjera visare e nevojë, nëpër të cilat ne jemi një në mënyrë të pandashme. Në vend që të shikojmë në çka e ku të ndeshemi, të shikojshim e të anojshim  me kujdes në ate çka përpiqemi. Shumë puna e mirë pat me u ba, shumë qetësia pat me u gëzue!

A nuk mund të përmbahemi pa e vu në veprim atë shpirtin kundërshtar që e kemi në palcë e në lëkurë? Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj., e jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë, se sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët, vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël.

 

TË HUEJT KURRË NUK E KANË DASHTË BASHKIMIN TONË

 

6.                Të huejt nuk e kanë dashtë vërtetë bashkimin e shqiptarëve; ata si njëherë përherë kanë veprue për të krijue e për të mbajtë në Shqipni një gjendje kaotike, përçamjesh e dasishë, që të dilnin në përfundim se shqiptarët nuk e kanë ndërgjegjën e përbashkët të kombësisë e të shtetit, nuk janë një popull, nuk e ndiejnë sa duhet nevojën e solidarësisë shoqnore! Me mënyra e taktika të ndryshme, për këte qellim shtinë në punë e përdorën sa herë edhe ndikimet fetare.

Vetëm bindja intime e tanë popullit shqiptar në një drejtim të vetëm, tue u naltue  mbi të gjitha brêngat e vështirësitë tona të mbrendshme, vetëm ky hap fisnik do të mund ta përballojë mjaftueshëm këte sulm e këte rrezik.

7.                Këte kontrast jete ndër né e ushqen fort edhe heterogjeniteti i familjes shqiptare. Derisa nana vetë të rritet me një mendësi antishoqnore e t’i rrisë fëmijët vetëm për katër muret e shtëpisë, derisa familja shqiptare mos të shpirtnohet vetë tue marrë poezinë e madhninë e jetës e grueja mos të ketë formue ndërgjegjen për misionin e naltë që ka në familje dhe në shoqni, shqiptarët kurrë nuk kanë për të kenë elementa të aftë për jetën e përbashkët, jo për shkak të besimit, por pse pa pasë edukatën familjare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, né nuk mund të jetojmë si na përket as si person, as si kolektivitet.

Besimtarë, të çdo feje të jeni, në emën të besimit tuej po ju thom: Shtërngonju, se një mision i madh u endèt përpara. Ju për detyrë e ndërgjegje e për urdhën të Atij Zot që besoni, duhet ta shpëtoni Shqipninë, tue u tregue vërtetë vllazën, jo me forma e për dukë, por me bindje e me ndjesi, me sakrifica e me jetë të shkueme në themel të përpjekjeve vërtetë vllaznore.

A e duem një Shqipni me të gjithë Shqiptarët? Të marrin fund njëherë e përgjithmonë fjalët e frazat: Muhamedanët refraktarë! Katolikët antishqiptarë! Ortodoksët grekomanë! Kemi pasë, po, mjerisht, muhamedanë, ortodoksë e katolikë të dobët, dhe kemi pasë e kemi muhamedanë, ortodoksë e katolikë vërtetë shqiptarë, të vërtetë e të mëdhej, por as muhamedani nuk ka arsye të rrijë sherbez, as kristiani nuk do të kujtojë veten të marrun nëpër kambë.

Me gjak të vét e shuguroi Lterin e Atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Gërmenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë një në mendim e një në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen detyrën e vet, tue e vulosun me gjak atë shka jemi: Vllazën të një gjaku!

Mirditasit e dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi e kolonjari,  për vjet e vjet hoqën keq me ruejtë të njëjtën gjuhë, të njëjtin shpirt, të njëjtat zakone shqiptare, ngase ata kjenë një në sakrificë e në drejtim, në saje të tyne trashëguem visarët tona kombtare.

Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej. Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive, dhe kemi pa e prekë me dorë se një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue. Rreziku që na rri mbi krye të bjerrim Shqipninë, idealet e interesat që na rrijnë përpara, gjamët e shpirtit shqiptar e aspiratat e të gjithëve për gjithshka asht për të mbarë e të mirë, vlerë e nderë për popullin e kombin, për historinë trashëgim të breznive shqiptare, janë arësye e shkaqe që na imponojnë të lidhemi e të mbahemi nji ballë i çeliktë pa ndryshim besimi, partie, krahine a privilegji. Do të ishte një tradhëti e naltë për brezninë tonë që tashti këtij blloku të çimentuem t’ia ndezim bombën e dasisë me shkëndinë e përçamjeve fetare.

Prite, Zot, që populli ynë besnik e fisnik, për shkak të besimit fetar mos ta ketë ma besimin shoqnor njëni me tjetrin; në vend që të bashkohet më një, të përçahët trish; jo, mos e thantë Zoti që shqiptarët besimtarë, në vend që t’i afrojë dashunia, t’i përçajë mënia, e po njata çka duhet të na afrojë, besimi në një Zot të vërtetë, të na shtijë grindjen e armiqësinë; jo, kurrnjë mos pritshim t’ ia mërrijmë asaj ditë, kur për shkak të dasive, të shkrihemi porsi krypa në uji e të zhduket prej fytyrës së dheut Vatra Shqiptare, mos të jehojë ma ndër kombe zani i Arbnorëve.

 

TË HEQIM DORË NGA ÇDO NDRYSHK ZEMRE

 

Sot në këte krizë të tmerrshme besimtarëve të të tré elementave na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë, të heqim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi – shoqit  e të vllaznohemi në Atë Zot që besojmë e në Atë Shqipni që e duem me gjithë zemër.

E po e patën detyrë besimtarët një herë, kleri shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik, dhjetë herë ma tepër e ka detyrë të shtërngohët doradoras, e pa vonesë të dalë në lamën e luftimit për t’ ia shpëtue shqiptarit besimin në një Zot, shpresën në një Shqipni.

A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé!

Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer.

Bashkimi i tré klerëve në ketë drejtim e veprim asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, sot as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.

Të ngrihemi në kambë! Për një Zot të vërtetë për një Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!

Korçë, Korrik 1944.

*Marrë nga libri: “Çashtja e elementavet fetarë në Shqipni”, Tiranë, 1944, fq. 5 – 22.

**Shenim nga Fritz Radovani: Materiali i At Anton Harapit O.F.M., botue në vitin 1944, më asht      dhurue nga Prof. Ndue Zef Toma, i cili e ka redaktue, pa ndryshue asnjë fjalë nga origjinali.

     Nënvizimet janë të Autorit, simbas origjinalit, për të cilin, Ju lutëm, të mos bani ndryshime.

Melbourne, 7 Shkurt 2024. 

 

AT ANTON HARAPI O.F.M.

(Vepër e piktorit Pjerin Sheldija – bojë vaji)

(5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946)

 

■“At Anton Harapi ka kenë antiitalian, prandej u zgodh At Antoni në dergatën e

12 prillit 1939, për me u tregue atyne qendrimin e klerit katolik.” At Justin Rrota O.F.M.

■At Anton Harapi e pranoi detyren në Rregjencën Shqiptare (1943) “me kusht: Mos me nënshkrue ASNJË DËNIM ME VDEKJE!

■Një parashikim i saktë i Tij: “SHQIPNIJA U FITUE ME GJAK; ME GJAK , EDHE PO MBAHET E ROBNUEME. DO TË VIJ DITA E, ME PAQË E DREJTËSI DO TË FITOHET !” (Thanje e At Antonit, para gjyqit komunist në muejn shkurt 1946, Tiranë)

■At Antoni përfaqsonte për gjermanët, mendsinë e një inteletuali Perëndimor, europjano qendror, i formuem në Austrinë e para Luftës së Dytë Botnore, dhe nga ana tjetër, si meshtar katolik, paraqitej virtualisht i paprekshëm prej korrupsionit tradicional oriental e prej bizantizmit aziatik.

■Me 4 shkurt 1944 hyni tek Xhafer Deva, dhe i tha: “Mosni bre kështu, o Xhafer, edhe komunistët janë vllaznit tonë, po a bahet kështu?!” …Dhe prani pushka… “Vllaznit” nuk e harruen! Porsa e pushkatuen, Enver Hoxha njoftoi Titon: “E vrame Patër Antonin!”

■At Antoni refuzoi largimin nga Shqipnia para vitit 1944, dhe mbas, kur Cafo Beg Ulqini i propozoi të shkonte në një streh nga Mali i Zi… “Kam punue per Shqipni e ballafaqas.

Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pse më pret! Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë nuk i tradhëtova, me ta vuejta, për ta punova, me ta qindrova. Me ta edhe do t’ vdes!”

■“Shpirtin Zotit, trupin Tokës”… Pikrisht asaj Tokë Amtare, për të cilën u ba flij…

Edhe pse i pat të gjitha mundësitë mos me u ra në dorë komunistëve vllavrasës.

■Drejtë bregut të lumit Lana… Tiranë, 20 shkurt 1946..: Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë… “Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për të mos iu stërpikur nga baltat… Njëni prej ekzekutuesëve e shikoi dhe i tha:

Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të përfunduar!..Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei:

“Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten time!”…

Shkoi pranë gropës, dhe tha: “I bekoi vrasësit e i fali për aktin që do të kryejnë!”.

 

■“Ndalnju! Ku véni Burra?!”

■■“Ndalnju! Ku véni Burra?!”

■■■“MOS HARRONI JU, QË UNË JAM SHQIPTAR !”

 

 ■Melbourne, 2024. 

Plumba kundër lirisë: Drejtësia e munguar për të rinjtë e vrarë më 2 Prill

Kur policia shtypi demonstratat e para kundër regjimit represiv komunist në prill 1991, katër studentë u vranë në Shkodër. Zyrtarët që fillimisht u dënuan për vrasjet u amnistuan dhe kurrë nuk u krye një hetim i plotë mbi ngjarjen.

BIRN

Harris Murana ishte një nxënës 16-vjeçar i shkollës së mesme kur u plagos gjatë përplasjeve me policinë në protestat e para kundër regjimit komunist shqiptar në qytetin e Shkodrës më 2 prill 1991.

Murana ishte një nga rreth 60 protestuesit e plagosur. Katër të rinj u vranë – Bujar Bishanaku, Arben Broci, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu.

I pyetur për motivet e tij si një adoleshent që merrte pjesë në protesta, Murana tha se ai thjesht dëshironte gjërat më bazike në jetë.

“Gjërat që na frymëzuan në atë kohë ishin të vogla dhe të thjeshta – të kishim mundësinë të shkonim në kishë dhe të thonim ‘Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë’, të kishim mundësinë të shkonim në xhami dhe të lexonim fjalët e profetit. Sot mund të duken gjëra të vogla, por për ne ishin thelbësore në atë kohë,” tha Murana.

Demonstratat për në Shqipëri demokratike kishin tërhequr vëmendjen ndërkombëtare kur protestuesit rrëzuan një statujë të madhe prej bronzi të diktatorit komunist Enver Hoxha në sheshin kryesor të Tiranës në shkurt 1991.

Protestat në Shkodër shpërthyen pas zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, të mbajtura më 31 mars 1991. Partia e Punës e Shqipërisë fitoi bindshëm, duke mundur Partinë e re Demokratike, e cila ishte formuar vetëm disa muaj më parë pas legalizimit të partive politike opozitare.

Fitorja e komunistëve ishte e papranueshme për banorët e Shkodrës, ku shumë kishin vuajtur nën regjimin represiv komunist. Ata besonin se rezultatet ishin manipuluar. “Jam i bindur që këto nuk ishin zgjedhje të rregullta,” tha Murana.

Demonstratat filluan më 1 prill, por u intensifikuan ditën tjetër, kur njerëzit u mblodhën para godinës së Komitetit të Partisë në Shkodër.

“2 prilli filloi relativisht qetësisht dhe pastaj njerëzit filluan të mblidheshin në masë,” kujton Murana, i cili atë ditë ishte në shkollë të mesme.

“Ata [mësuesit] nuk donin të na linin të bashkoheshim, ndoshta ishte një urdhër nga Ministria e Arsimit, por bashkë me disa miq, u hodhëm nga kati i dytë dhe shkuam në shesh.”

Ndërsa protestuesit u përplasën me policinë, forcat e sigurisë hapën zjarr. Por protestuesit nuk u tërhoqën. “Ne kundërshtuam sa herë që ata hapnin zjarr,” tha Murana.

“Përleshja e shtyu turmën drejt Komitetit të Partisë dhe forcave të armatosura, i detyroi ata të kërkonin përforcime dhe ata dolën me automjete të blinduara për të shpërndarë turmën. Një plumb më goditi drejt e në kraharor,” tha Murana.

Ai ishte një nga shumë të plagosurit nga të shtënat, përfshirë katër studentët që humbën jetën nga plagët e marra. Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu ishin të dy 22 vjeç, ndërsa Arben Broci dhe Besnik Ceka ishin 21.

S’ka drejtësi

Sipas Arkivit Online të Viktimave të Komunizmit në Tiranë, Kujto.al, disa drejtues të degës së Partisë së Punës dhe zyrtarë të policisë në Shkodër u ndoqën penalisht për vrasjet e 2 prillit 1991.

Të dënuarit ishin: Xhemal Dymylja, sekretari i parë i Partisë në Shkodër; Çapajev Taçi, zyrtar i Ministrisë së Brendshme në Shkodër; Hajredin Shyti, zëvendësministër i Brendshëm; Dilaver Papare, shefi i policisë në Shkodër; Gjek Celaj, zëvendës shefi i policisë në qytet.

Megjithatë, të gjithë të dënuarit u liruan përmes një amnistie në vitin 1997, duke bërë që rrethanat e vrasjeve të mos hetoheshin më kurrë në mënyrë të plotë dhe zyrtare.

“Drejtësia nuk u bë kurrë, sepse të drejtat e të përndjekurve nuk u respektuan dhe nuk u vlerësuan,” tha Zenel Drangu, i cili drejton një organizatë në Shkodër që përfaqëson personat e përndjekur nga regjimi komunist.

Në kohën kur ndodhën vrasjet, ministri i Brendshëm ishte Gramoz Ruçi, i cili mbeti një figurë e rëndësishme politike edhe pas rënies së komunizmit dhe madje shërbeu si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë për rreth katër vjet.

Një dokument, i cili pretendohet të jetë firmosur nga Ruçi, urdhëronte policinë “t’i godasë fort” protestuesit.

Harris Murana tha se ngjarja i la pasoja të thella psikologjike.

“Trauma që më shkaktoi erdhi nga zhgënjimi për mungesën e drejtësisë në vend dhe nga mungesa e vullnetit të të gjitha partive politike që kanë qenë në pushtet pas vitit 1992 për ta zbardhur atë çështje.”

Ai shtoi se fakti që Ruçi vazhdoi të ishte deputet për shumë vite pas rënies së regjimit “më bën të mendoj se nuk ka pasur kurrë vullnet politik për të sqaruar këtë ngjarje”.

Megjithatë, Murana beson se protestat e prillit 1991 arritën diçka të rëndësishme:

“2 Prilli ishte një revolucion kundër së keqes, ai rrëzoi komunizmin,” deklaroi ai.

S’ka llogaridhënie

Fatmir Amuli ishte gjithashtu në protestat e prillit 1991. Në atë kohë, ai ishte 32 vjeç.

“Shkova përpara Komitetit të Partisë [për të protestuar] me miqtë e mi rreth orës 07:30. Studentët mbërritën në të njëjtën kohë, por policia ishte [tashmë] e përgatitur me automjete emergjence. Fillimisht mund të kenë qenë 200 deri në 300 vetë, por më vonë u mblodhën shumë më tepër,” tha Amuli për BIRN.

“Ajo që po ju tregoj sot duket e pabesueshme. Ata hapën zjarr drejtpërdrejt ndaj njerëzve me armë automatike, por njerëzit kundërpërgjigjeshin,” tha ai. “Oficerët e policisë te Komiteti i Partisë qëlluan me armë drejt turmës, pati breshëri të mitralozëve dhe mund të kenë qenë rreth 100 persona të plagosur.”

Amuli, i cili më vonë u bë një nga themeluesit e Partisë Demokratike në zonën e Shkodrës – partia e parë politike e krijuar pas komunizmit – beson se zyrtarët e lartë të asaj kohe duhet të ishin dënuar për si përgjegjës për vrasjet.

“Njerëzit që dhanë urdhrat, Gramoz Ruçi dhe Ramiz Alia, duhej të ishin dënuar,” tha ai.

“Për fat të keq, drejtësia nuk është bërë kurrë për viktimat.”

Dy urdhrat që asgjësuan nacionalistët kosovarë! Enver Hoxha: Partizanët tanë të nisin terrorin mbi ta! Kërkesa e Titos në shkurt 1945

PROF. DR. ELMAS LECI/ Më 15 shkurt 1945 partizanët tanë arritën me luftime në Vishegrad, ku ata papritur u gjendën para dy urdhrave, njëri i Shtabit të Titos që i ndalonte aty e të riktheheshin në Kosovë dhe tjetri i Shtabit të Enverit që partizanët tanë të rinisin terrorin mbi popullsinë kosovare. Citojmë: Urdhri i Titos: Partizanët e UNÇ të Shqipërisë “të ndalen aty ku kanë arritur (në Vishegrad) dhe të rikthehen në Kosovë”. Urdhri i Enverit: Partizanët tanë pasi të rikthehen në Kosove “të asgjësojnë pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë pa me të voglën tolerancë”. Data e mësipërme e të dy urdhrave i ka munguar qëllimisht historisë tonë. Të dy i janë fshehur opinionit për 80 vjet, sepse gjithçka lidhet me domethënien dhe me rrjedhojat që dalin nga pyetjet se “Çfarë bënë partizanët e Enver Hoxhës një vit në Kosovë pas çlirimit të sajë, kur aty nuk kishte më gjermanë?


Kësaj pyetje, që ka qenë tabu në regjimin komunist, që nuk është shkruar asnjëherë për veprimtarinë një vjeçare të qëndrimit në Kosovë, jo të një e dy Brigadave, por të plot dy Divizioneve të UNÇSH-s, që nuk është shkruar në asnjë tekst të historinë tonë të Luftës Antifashiste, që nuk ka pasur një paragraf as në tekstet e shkollave, as në tekstet e historisë të atyre brigadave që luftuan në Kosovë, madje as edhe në Kosovë nuk është shkruar në 80 vjet për këtë çështje (veçse vitet e fundit atje diçka është leçitur), do t’i përgjigjemi në vijim.

Përse një operacion ndëshkimor e i fshehur dhjetëra vjet?!

Me urdhrat që përmendën në fillim, partizanët e Enver Hoxhës, për 10 muaj rresht, ndërmorën operacione spastrimi në Kosovë, jo më me gjermano-ballistët, por veçse me nacionalistët kosovarë. Ky operacion i gjerë, jo vetëm i forcave partizane të Enver Hoxhës, por edhe i shumë forcave të UNÇ jugosllave e maqedonase, që i u sulën Kosovës pas 9 majit 1945, ishte operacion ndëshkimor, që udhëheqja e lartë e Tiranës, qëllimisht e ka sfumuar ose më saktë e ka fshehur për dhjetëra vjet. Ky veprim i bërë me koshiencë të plotë nga ish-regjimet komuniste në Beograd e Tiranë, ndiqte synimin që të mos dihej asgjë për rezistencën dhe përpjekjet e nacionalistë kosovarë për liri, duke mbuluar edhe krimet e partizanëve tanë në Kosovë. Pikërisht për këtë objeksion madhor të serbo sllavëve të Shtabit të Titos, forcat partizane të Enver Hoxhës, kryen operacionin më luftarak e më të egër kundër Kosovës, duke e “krehur” territorin krahinë më krahinë e fshat më fshat e duke asgjësuar çdo lloj qëndrese nacionaliste shqiptare dhe pas saj sipas udhëzimeve të jugosllavëve, ngritën në të gjitha zonat e “çliruara”, këshillat na-çl të pushtetit komunist sllav.

Sipas planit strategjik, kudo që shkelën partizanët e Enver Hoxhës, ndonëse të rraskapitur nga luftimet me vëllezërit e tyre, ndonëse të pa veshur e të pa ushqyer dhe me shumë sëmundje ngjitëse, (ku tifo e morrit bënte kërdinë), i eliminuan hap pas hapi të gjithë nacionalistët, që luftuan kundër risllavizimit të Kosovës dhe ia dorëzuan “Kosovën e çliruar” sundimtarëve të rinj serbë. Kjo konsiderohet dhe ishte “vepra më e keqe” e tyre që për Tiranën zyrtare u bë vepra “mburrëse” se “partizanët e Enver Hoxhës çliruan Kosovën”.

Si u sollën partizanët tanë me kosovarët pas largimit të nazistëve?

E vërteta është se me çlirimin nga nazifashistët, popullsia e Kosovës pësoi një metamorfozë të madhe. Ndonëse gjermanët ikën me luftë e pa luftë nga Kosova, në atë boshllëk të krijuar, (patjetër rezultat i Luftës Antifashiste të kosovarëve nacionalistë dhe të partizaneve vendas, plus atyre nga Shqipëria), mësynë në mënyrë masive në të gjithë territorin e Kosovës edhe forcat e UNÇ jugosllave me organizmat gjakësore të OZNA-s etj., që krijuan kudo një situatë të rëndë.

Situata e rëndë e terrorit partizan në vitin 1945 në Kosovë, rezulton e pasqyruar ( duhet thënë jo e plotë) edhe në dokumentet e ndryshme të formacioneve tona partizane, informacione që dashje pa dashje kanë qëndruar të fshehta deri në këtë kohë. Masakra në Drenicë apo vrasjet e 2 mijë shqiptarëve në Mitrovicë dhe të 1 mijë të tjerëve në Gjilan, ishin vepra të bashkëpunimit të forcave të UNÇ jugosllave dhe shqiptare, ku pas nuk mbetën në krime as forcat e UNÇ maqedonase. P.sh. më 21 dhjetor 1944 partizanët e dy Divizioneve të tyre (mbi 15 brigada), kryen operacione ndëshkuese në zonat e Preshevës, të Gjilanit dhe të Kaçanikut. Vetëm para xhamisë së Vjetër në Gjilan, në sheshin ku u bë rezistenca e fundit antisllave, ata pushkatuan 50 veta.

Edhe Prizreni, një ndër bazat e qëndresës shqiptare, përjetoi çaste të rënda, sepse Brigada 2-të kosovare, që shpalli shtetrrethimin, arrestoi së bashku me partizanët tanë gati të gjithë burrat, që i gjeti nëpër shtëpia dhe i pushkatoi 70 prej tyre. Në mënyrë të veçantë ata goditën Rahovecin, Suharekën e Dragashin, ndërsa në Llashticë së bashku me forcat e OZNA-s, arrestuan dhe likuiduan 23 veta. Masakra të mëdha bënë edhe në Shipashnicë, Hogosht, Kopërnicë, Vrucec, Livoq i Poshtëm, Terpezë, Korenin, Livoq i Epërm, Rogoçicë, Cfircë, Tugjec, Zhyjë, Gjurishec, Lisockë, Shahiq, Dazhdinci, Tërstenë, Topanicë, Konçul, Rekali, Mareve, Kamenicë, Rubofe, Budrikë e Epërme, Lluçan të Preshevës, Miratofc, Vërban, Sllubicë, Tërnoc, Breznice, Dobrosis, Dobërçan, Ranatoc, Pogragjë, Përlepnicë, Busovatë, Malishevë të Gjilanit, Gosp, Gajre, Sllatinë, Makresh, Preshec, Stanec, Vellarage, Carravajkë dhe Stanec të Karadakut e në luginën e Preshevës.

Në fushëbeteja si para 29 nëntorit 1944 edhe gjatë pothuajse gjithë vitit 1945, ranë rreth 50 partizanë nga tanët, që, në fakt, statistikat e vendngjarjeve na thonë se të rënët më të shumtë në betejat e stisura ishin mes shqiptareve. E sot, si t’u themi fëmijëve që edukojmë se “dëshmorët që ranë në Kosovë, u vranë po nga shqiptarët”! Ahtëhere si ranë dëshmorë dhe për kë?! Kush e kishte pushtuar Kosovën në vitin 1945, apo pushtuan shqiptarët vetveten?! Po ata që i vranë, a ishin shqiptarë?! Po ata që u vranë, a ishin po shqiptarë?! Sa vështirë është shpjegimi!

Operacioni kundër nacionalistëve kosovarë, njollë e zezë e luftës partizane

Risulmi i partizanëve (sipas urdhrave që përmendëm) mbi nacionalistët kosovarë, mbetet njolla më e zezë në veprimtarinë luftarake të partizanëve të Enver Hoxhës. Inkursioni luftarak mbi nacionalistët në Kosovë, që rinisi pas mes shkurtit 1945 dhe përfundoi në dhjetor po të atij viti, asgjësoi të gjithë qëndresën antisllave të popullit të Kosovës duke eliminuar tërë nacionalistët, që luftonin për mos ripushtimin sllav të Kosovës.

Nga 15 shkurti i 1945-s, kohë kur nisën operacionin e spastrimit të Kosovës nga nacionalistët, e deri në 9 maj që kapitulloi Gjermania, partizanët e Enver Hoxhës rierdhën me aksione luftarake deri në Prishtinë, e kudo vepruan për spastrimin e plotë të nacionalistëve, një e vërtetë historike tashmë e zbuluar plotësisht, mjafton që cilido t’i përgjigjet pyetjes: Po pas 9 majit të vitit 1945, (kur Gjermania kishte kapitulluar dhe Lufta e Dyte Botërore kishte mbaruar) çfarë bënë partizanët e Enver Hoxhës në Kosovë?! A ka ndonjë tregimtarë apo historian (qoftë edhe majtist ekstremist) të më thotë se çfarë bënë 10 muaj në Kosovë partizanët e Enver Hoxhës?!

Ish-propaganda komuniste zyrtare thoshte se bënë luftë. Po, luftë bënë po kundër kujt, e me kë e bënë luftën?! Këtë na e sqarojnë një seri dokumentacione ish-të fshehura e se partizanët e Enver Hoxhës bënë luftë me nacionalistët, një luftë të vërtetë mes shqiptarësh.

Duke e konsideruar për një moment këtë si të pa vërtetë (siç është manipuluar 45 vjet në diktaturën komuniste), le të deduktojmë pak me një pyetje retorike. A mos vallë partizanët që qëndruan kaq gjatë në Kosovë, a mos “morën pjesë në “rindërtimin” e Kosovës”?! A mos ndërtuan ndonjë rrugë, urë, shtëpi, a qendër socialkulturore?! Gjithkush e di, jo! Ahtëherë le t’i lëmë retorikat boshe dhe të dalim në tezë: A mos “i shërbyen pushtetit ushtarak jugosllav”?! Po! Kjo e fundit është e vërteta.

Shtabi jugosllav zgjodhi rrugën e favorshme për ta, vendosi në Kosovë e bëri bashkëpunëtore në vrasje ushtrinë partizane të Enver Hoxhës. Dhe kështu pas 10 muajve operacione luftarake ndaj nacionalistëve kosovarë, në dhjetor të vitit 1945, partizanët e Enver Hoxhës, u kthyen “fitimtarë” në Shqipërinë e diktaturës që e ngritën vetë.

Autori: Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

/Gazeta Panorama

1911- Pse Isa Boletini nuk shkoi te varri i Sulltan Muratit në Kosovë ? — Një intervistë e Hasan Bej Prishtinës në Selanik

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Shkurt 2025

 

“La Turquie” ka botuar, të premten e 30 qershorit 1911, në ballinë, intervistën ekskluzive të Hasan Bej Prishtinës me redaktorin e “Yèni-Assr” mbi udhëtimin asokohe të Sulltan Mehmetit V në Kosovë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Një intervistë

 

 

Një redaktor i Yèni-Assr intervistoi deputetin e Prishtinës, Hasan Beun, aktualisht në Selanik, i cili bëri këto deklarata :

 

Udhëtimi i Sulltanit tonë në Kosovë i gëzoi shumë shqiptarët dhe solli efekte morale dhe kombëtare. Megjithatë, që ky udhëtim të japë rezultate të mira në të ardhmen, vendi duhet në çdo rast t’i nënshtrohet të njëjtit ligj dhe qeveria duhet të jetë, në anën e saj, një qeveri e drejtë dhe e barabartë. Përndryshe ky udhëtim do të mbetet i pafrytshëm.

 

Isa Boletini nuk ishte te varri i Sulltan Muratit. Por nuk e bëri qëllimisht. Ai nuk mundi të shkonte atje sepse ishte disi i sëmurë. Nga ana tjetër, ai dërgoi një nga djemtë e tij dhe nipin e tij, të cilët patën nderin të priteshin nga Shkëlqesia e Tij Sulltani në fushën e Kosoves.

 

Madje, Mahmud Shefqet Pasha mendoi se do të kishte qenë mirë që Isa Beu të kishte ardhur atje.

 

 

Isa Beu më foli me lëvdata për rrugët e ndërtuara në mënyrë perfekte në të gjithë Malin e Zi, një vend malor; komunikimet me automobil dhe telefon të cilat arrijnë deri në fshatra. Ai shpreson se edhe vendi ynë do të pajiset me këto të mira të qytetërimit. Unë besoj se Ismail Bej Qemali shkoi në Cetinje për të këshilluar kryengritësit Malësorë që të shmangnin çdo gjakderdhje.

 

Dua të besoj se ata që pretendojnë të kundërtën e kanë gabim. E di që nuk është përkrahës i idesë së autonomisë shqiptare. Prandaj jam i bindur se ai kurrë nuk do të kryejë një akt të tillë që të gjithë shqiptarët do ta refuzonin. Për shtrirjen e pushteteve, këtë mendim e ndaj si të gjithë ata që kanë parasysh të ardhmen e atdheut. Sepse një ligj që zbatohet në Selanik nuk mund të vihet në fuqi në malet e Lumës, në Elbasan, në Guci, në Tiranë, në Gjakovë, në Shkodër, në fushat e thata të Jemenit, në shkretëtirat e Irakut. A do të merren në konsideratë këto pika gjatë diskutimit të ligjit të administratës krahinore ? Jam i sigurt se këtë domosdoshmëri do ta vënë re edhe deputetët turq dhe ndoshta do të jenë ata që do ta mbrojnë më shumë këtë të vërtetë.

The Jewish Chronicle (1935) “Nëse investitorët hebrej duan të vijnë Shqipëri, ata janë të mirëpritur…” — Intervista me Fuad Asllanin, ambasadorin shqiptar në Londër

Shkëlqesia e Tij Dr. Fuad Asllani është ministri shqiptar në Londër, dhe Zonja Moss është e veja e të ndjerit Sir Edward Moss. — Burimi : The Tatler, e mërkurë, 10 korrik 1935, faqe n°21

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Janar 2025

 

“The Jewish Chronicle” ka botuar, të premten e 12 korrikut 1935, në faqen n°20, një intervistë asokohe me ambasadorin shqiptar në Londër, Fuad Asllanin, në lidhje me mirëpritjen e investitorëve hebrenj në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqipëria do të mirëpriste hebrejtë

Mundësitë për emigrantët kapitalistë

Pikëpamjet e Legatës

Burimi : The Jewish Chronicle, e premte, 12 korrik 1935, faqe n°20

Ministri shqiptar në Londër (Fuad Asllani) lëshoi një deklaratë javën e kaluar në emër të qeverisë së tij, e cila përbënte një ftesë për hebrenjtë që të vendoseshin në atë vend dhe të investonin fonde në ndërmarrje bujqësore dhe industriale, duke premtuar lehtësira për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Ministri shqiptar e plotësoi këtë deklaratë gjatë një interviste që pata me të (shkruan një përfaqësues i Jewish Chronicle).

 

“Qeveria ime,” tha Shkëlqesia e Tij, “e shikon me sy të mirë mundësinë e ardhjes së hebrenjve për t’u vendosur në Shqipëri”. Ai shpjegoi se Shqipëria nuk do t’i mirëpriste hebrenjtë që thjesht donin të vinin në vend, “të bënin një fitim dhe më pas të iknin”. Ata duhet të vijnë me qëllim që të vendosen atje.

 

Ai theksoi mundësitë që ekzistonin në vend për investimin e kapitalit hebre dhe se qeveria shqiptare do t’i ndihmonte hebrenjtë që të merrnin sa më shpejt shtetësinë shqiptare, natyrisht brenda përcaktimeve të ligjit. “Por,” tha ai, “që të mund të zotërojnë tokën, duhet që sipas ligjit të bëhen shtetas shqiptarë”.

 

Pavarësisht se kultivimi në Shqipëri nuk është modern, tha ai, një hektar tokë prodhon në fakt 20 deri në 25 kuintalë misër dhe rreth 18 kuintalë grurë. Nëse do të kultivonim duke përdorur metoda moderne, padyshim që mund ta rrisnim këtë prodhim. Shqipëria, më siguroi ai, është e përshtatshme për të prodhuar oriz, duhan, vaj ulliri dhe panxhar. Sa i përket bagëtive, në vend, tha ai, kishte rreth 3 milionë dele dhe dhi dhe rreth 150,000 krerë bagëti. Hebrenjtë, falë lëndëve të para në dispozicion, mund të krijojnë fabrika. Eksporti i vezëve mund të jetë gjithashtu një burim biznesi i mirë. Vendi është i pasur me minerale. Atje shfrytëzohet nafta. Ka shumë mundësi edhe për turizëm.

 

Ministri deklaroi se nuk kishte asnjë kufizim për hyrjen dhe qëndrimin e një të huaji në Shqipëri, i vetmi përjashtim është punëtori i rastësishëm; nuk kishte asnjë taksë ndaj të huajve dhe nuk kishte absolutisht asnjë dallim race apo besimi. Popullsia përbëhej afërsisht si vijon : 68 % myslimanë; 20 % ortodoksë (grekë); dhe pjesa tjetër katolikë romakë.

 

Në Shqipëri ka shumë pak hebrenj, por nënkryetari i Bashkisë së Vlorës (10 mijë banorë) është një hebre i zgjedhur nga vetë popullsia. “Kjo, — tha ai, tregon shkallën e tolerancës së popullit të Shqipërisë.”

 

“Nëse hebrenjtë duan të vijnë në vendin tonë dhe të investojnë kapitalin e tyre, ata janë të mirëpritur.” tha ai në përfundim. Ai e cilësoi klimën e Shqipërisë si shumë të mirë dhe pak a shumë si ajo e Romës.

Truproja ish-Kryeministrit: Pasi hapa derën me çelës, Kadriu u fut te dhoma e gjumit të Mehmet Shehut ku u rrëqeth!

Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!


Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.

Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.

Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.

Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!

Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.

Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë kësaj ngjarje, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË OFICERIT ALI ÇENO, ISH-PËRGJEGJËS I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA

                                                                         PROCES VERBAL

                                                                  (I pyetjes së të pandehurit)

                   Tiranë më 30.3.1983

Ne, Sokol Koleka dhe Bashkim Caka, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, rimarrim në pyetje të pandehurin Ali Çeno

Pyetje: Na jepni shpjegime i pandehuri Ali Çeno, se ç’dini rreth vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, dhe ç’veprime janë kryer nga grupi hetimor operativ, ditën e ngjarjes?!

Përgjigje: Në datën 18 Dhjetor 1981, unë kam qenë në dhomën e oficerëve, ku po prisja Mehmet Shehun, që të dilte për në punë. Rreth orës 8.00, ka njoftuar me interfoni Vladimir Shehu, që unë të shkoja urgjent në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Unë kam shkuar me vrap në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, e cila ishte në katin e dytë të ndërtesës. Në paradhomë, kam takuar Vladimirin, i cili më bëri me shenjë që të shkonim në dhomën e gjumit, duke më thënë; shko shikoje babin.

Unë, jam futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, dhe pashë që ai ishte i shtrirë në krevat, me fytyrë nga tavani, e i zverdhur në fytyrë. Unë, e kapa nga dora e pashë se ai ishte i ftohur. Mehmet Shehu, ishte i mbuluar me kuvertë e çarçaf deri në afërsi të grykës.

Unë, për t’i parë pulsin, e zbulova kuvertën dhe pashë se ai, i kishte duart i kishte të vendosura mbi gjoks, e të përthyera në bërryl. I pashë pulsin dhe konstatova se ai nuk punonte, kurse në krahun e majtë afër zemrës, pashë një njollë gjaku. Mbi krevat në krahun e djathtë, ishte pistoleta “Makarov”.

Mbas kësaj duke qenë i bindur se Mehmet Shehu, kishte vrarë veten, unë e kam mbuluar përsëri ashtu siç ishte më parë, kur e gjeta unë, dhe kam njoftuar mjekët Milto Kostaqi e Llesh Rroku. Kur kanë ardhur mjekët e janë futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, unë jam futur në studion e tij, e cila komunikon me dhomën e gjumit, dhe kam marrë në telefon për të njoftuar për ngjarjen Feçor Shehun, dhe shokët e Partisë. Së bashku me mua në studio tek telefoni kanë qenë edhe Vladimir Shehu e Jonuz Luto.

Mbasi mjekët e kanë parë kufomën e Mehmet Shehut, dhe ne bëmë njoftimet në telefon, unë e kam mbyllur me çelës dhomën e gjumit, dhe dhomën e studios së Mehmet Shehut, e kam dalë në korridorin e katit të dytë ku po prisnim.

Sqaroj se pas lajmërimit që më bëri Vladimir Shehu, me steriofoni, për të shkuar lart në katin e dytë dhe në korridorin e dhomës së gjumit, unë gjeta Fiqrete Shehun, Fatbardha Shehun, dhe Vladimir Shehun, ku Fiqretja me Fatbardhën u nisën për në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, kurse Vladimiri, siç shpjegova, më tha shko shiko babanë.

Kur unë isha tek krevati ku ishte vetëvrarë Mehmet Shehu, dhe po këqyrja veprimet që thashë më sipër, Vladimir Shehu duke qenë pas meje, zgjati dorën dhe mori një zarf mbi kokën e krevatit. Unë i thashë Vladimirit “çfarë more aty”?! Vladimiri më tha që Mehmet Shehu, para vetëvrasjes, ka lënë letër personale, ja ka lënë Fiqretes. Dhe e mori letrën.

Unë i thashë Vladimirit që ta linte letrën aty ku e mori, por ai nuk pranoi, duke më thënë se do ta mbante se ishte personale. Unë i thashë Vladimirit që ta mbante letrën, por të mos e hapte në asnjë mënyrë. Pak kohë pasi kemi dalë në korridor, aty ka ardhur Kadri Hazbiu, i cili u drejtua menjëherë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.

Derën, unë e kisha kyçur, prandaj kur Kadri Hazbiu shkoi tek dera e dhomës së gjumit, unë e hapa dhe Kadri Hazbiu u fut brenda dhomës së gjumit të Mehmet Shehut, ku u step, u rrëqeth, pa rreth e rrotull, qëndroi pak dhe doli nga kjo dhomë. Sapo Kadri Hazbiu ka dalë nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut, unë i thashë që Mehmet Shehu ka lënë një letër, të cilën e mori Vladimiri dhe nuk pranoi që të ma jepte.

Kadri Hazbiu më dëgjoi, dhe nuk foli për këtë gjë, por më tha mua se; “Ku është Fiqretja” dhe unë i tregova dhomën. Ai, u fut në dhomën e Fiqretes e, i tha: “Përse o Fiqret e bëri këtë punë kështu ky, s’duhet ta kishte vrarë veten, se Byroja Politike e shumta një vërejtje në kartën e regjistrimit do t’i jepte”!

Fiqretja e shikonte Kadri Hazbiun, por nuk fliste. Kadriu, e pyeti për letrën, por ajo bënte sikur nuk kuptonte, prandaj ndërhyra unë e i thashë, se si ka lënë një letër të cilën e ka Vladimiri.

U thirr Vladimiri aty, e i dha letrën Kadri Hazbiut e ky i fundit, mbasi e palosi e futi në xhep dhe iku. Mbasi ka ikur Kadri Hazbiu, ka ardhur grupi hetimor, ku ishin Elham Gjika, Koço Josifi, Dhimitër Beshiri, Estref Myftari, e më vonë kanë ardhur mjekët Bashkim Çuberi e Fatos Harito.

Të gjithë së bashku, u futën në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut ku është bërë këqyrja e vëndit të ngjarjes ku si dëshmitar të pranishëm keni qenë, Milto Kostaqi dhe unë. Gjatë kohës që u bë këqyrja e vendit të ngjarjes, të gjithë personat që thashë më sipër, kanë qëndruar në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, dhe nuk janë larguar, me përjashtim të Elham Gjikës.

Ky nuk qëndroi bashkë me ne, por disa herë është larguar nga dhoma e gjumit. Se ku shkonte Elham Gjika, e se çfarë veprimesh kryente ai, unë nuk di gjë. Në dhomën e gjumit tek komodina e krevatit të Mehmet Shehut, ishin çelësat e tij të vendosura në një mbajtëse meshini.

Elham Gjika, i ka marrë këto çelësa në dorë, e më tha mua: “Këto çelësa, të kasafortës janë”?! “Po”,- ju përgjigja unë, – të kasafortës janë. Elham Gjika më pyeti mua se ku është kasaforta. Unë i thashë se kasaforta është në dhomën e studios së Mehmet Shehut.

Pasi ka përfunduar këqyrja e vendit të ngjarjes, të gjithë personat kanë dalë nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut dhe janë ulur në katin e parë. Kurse Elham Gjika, Koço Josifi, Milto Kostaqi dhe unë, kemi qëndruar në korridorin e katit të dytë, mbasi këtu jemi pyetur unë dhe Miltoja, nga Koço Josifi.

Këtu Elham Gjika i tha Koço Josifit që të na pyeste neve. Në kohën që Koço Josifi ka qenë ulur në kolltuqet korridorit të katit të dytë, dhe po shkruante ato që po i thoshte Milto Kostaqi, Elham Gjika u fut në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.

Kur unë e pashë Elhamin që u fut, i shkova nga prapa dhe kur u afrova tek dera, Elhami më tha; “Rri, mos u fut brenda se nuk është nevoja” dhe e ka shtyrë duke mbyllur derën pa çelës. Në këtë moment para se të mbyllej dera, unë i kam parë Elham Gjikës që në dorën e majtë kishte çelësat e kasafortës së Mehmet Shehut, kurse në dorën e djathtë, kishte çantën të cilën e mbante vazhdimisht në dorë.

Pas kësaj unë, jam kthyer tek korridori ku ishte Koço Josifi me Milto Kostaqin, dhe kur ka përfunduar pyetja e Miltos, jam pyetur dhe unë. Derisa jam pyetur unë, Elham Gjika, ka vazhduar që të qëndrojë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Kështu ai ka qëndruar në këtë dhomë, nga 20 deri në 45 minuta.

Mbasi ka dalë nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut, Elham Gjika ka ardhur aty ku isha unë, Milto Kostaqi, e Koço Josifi, dhe pasi pyeti Koçon, nëse kishte mbaruar e, Koço i tha; mbaruam, Elhami i tha Koços; “fillojmë nga dyllosja e dyerve”.

Nga ana e Elham Gjikës e Koço Josifit, është bërë dyllosja e dyerve dhe dritareve të dhomës së Mehmet Shehut. Ka qenë më duket dhe shoku Xhule Çiraku, e që të katërt kemi zbritur në katin e parë duke lënë roje në dyert e katit të dytë Pëllumb Rustemin. Kur zbritëm në katin e parë, Elham Gjika dhe Koço Josifi, kanë pyetur Fiqret e Vladimir Shehun.

Përveç kësaj Elham Gjika, ka ardhur në shtëpinë e Mehmet Shehut, edhe atë mbas dite kur u nxor jashtë dhome kufoma e Mehmet Shehut si dhe kur u bë eksperimenti hetimor. Dua të theksoj se mua, përveç pyetjes që më kanë bërë hetuesit atë ditë në shtëpinë e Mehmet Shehut, më kanë pyetur edhe në Drejtorinë e Dytë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Procesin e lexova, thëniet e mia, janë shkruajtur drejt, e firmos. Memorie.al

 I pandehuri                                                                           Hetuesit

  Ali Ceno                                                         Bashkim Caka   Sokol Koleka

DY  LOT’ E  NJI  BETIM…- PREJ AT ANTON HARAPIT O.F.M.- Pergatiti Fritz RADOVANI

 

 

 

 

At Anton Harapi (1888 – 1946)

 

DY  LOT’ E  NJI  BETIM…

 

Mbi Eshtën të deshmorve t’ Atdheut

Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli.

 

Ndalniu !

Ku véni, o Burra ?!..

Çerçiz e Muço,

 

                Dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit,

para se të ndaheni.
Doni t’a leni Shkodren, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari keni pa t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshtë, gëzueshem e rritët shtatin, atje prej kah Shqipnia u qiti edhe u ndriti!

Lè të lavdohen, po, per ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët perjetë, por grimë ma pak s’do të gëzohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët per Atdhé.
Njimênd se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrshme,

por ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo Shqiptarësh, ju jeni Heroj, jeni burra Shqiptarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë sot me gëzim u percjellë Shkodra, lama e Nana e heroizmit t’uej.

Jo, nuk u lëshon ju Shkoder lokja, ambel pa u puthë në të dyja faqet, thekshem pa u lëmue të dy krahët, përmallshëm pa u derdhë dy pika lotësh, lotë gëzimi e pikllimi, mbi Eshtënt t’uej.

Eshtën të pamort, u falem !

Të pavdekshëm, po, pse nder vême t’ueja rueni nji visar të çmueshem, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër né deri sa të jetë Shqipnia.

E udha e mbarë u kjoftë!
Veç, o Burra, qi vdekun flitni ; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipnisë, deh, lëshonje nji za, at zanin t’uej kumbues si të luajve, diftoni djelmnisë Shqiptare shka u a ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.

Diftoni, po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnestë e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri qi në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen thëmeluesat e Atdheut.
Kemi pse të jemi e të mahemi Shqiptarë, der’ të Shêjte të ruhen bes’e burrni.

Me të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani nji urim Shqipnisë;

m’i ndiellni të mbarë e perparim, paqë e ngadhnjim.
Por edhe nji nâmë si rrëfeja, m’ i a lëshoni kulshedres së ré, rrymvet dermuese, qi po e brejnë jeten Shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatrrojnë: levdohen per dashni, e na qesin mënin’ e fitmen, duen të na mësojnë e po na zhburrnojnë.
Hèu ! ata mos kjofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër veti, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familjet e historia!

Nuk po u pyes kush jeni e kah po véni?

Kudo shkojshi, të bardhë kjofshi; ku ndejshi, flori ndritshi !

Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni? Nuk më duhet gja kush u vrau, por knaqem, kah marr me mend até per shka ju ratë preja e dorës mizore.

Nuk marr parasyshë ç’ krahinë kjet e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dêjt t’uej gjaku Shqiptar.

Ju mësyt Shkodren per strehë Atdhetarije, per lamë veprimi, per

strofull sigurie.

Edhe Shkodra me kënaqësi ju priti e iu dha nderimin që ju perkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder Fatosat e vet, nder të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lul e tjerë sokola.

Eh, moj Shkoder, moj mizore ! Si s’u ngine ma njiherë me gjak ?

Deri kur ma do të m’i a këndojsh kangen vdekjes e shemtimit?
Shka asht në ty qi dukesh si të ngadhnojshe ma fort mbi vdekje se sa mbi të gjallë, si të gëzojshe ma fort per të mbetun se per të gjallë?

Me shka ma mund do të shuhet ajo etja e jote, qi tash sa mot të rreshkë e të pervlon?..

Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and perkunde burrat e maleve, ashtu në prêhën t’and mblodhe, në votren t’ande rreshtove kreshnikët e Kombit.

Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpetimin; në therori, fitimin; në burrni, forcen.

Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmonë per piri.
Zotnij të ndritshëm ! Nuk due t’u ndali mâ. Keni udhë të gjatë.

Merrni këto visare të çmueshme, e shkoni!

Por para se të niseni, eni këtu, e mbi këta Eshtën, shëmblles ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijmë doren shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e kristjan e me besen e burravet, me besen Shqiptare, të lidhemi per t’i a mbajt Shqiptarit të paprekun nji Zot të vertetë, nji Atdhé të lumtun, per të bamë Shqipninë e ré, të fortë e të madhnueshme, të dêjë per Skenderbéun.
T’i diftojmë, po, Botës, se Shqiptarët janë njimênd burra; se mund të jemi Tosk’ e Gegë, muhamedanë e kristjan, e njiheri Shqiptarë të njimendët.

Zoti i Vertetë e Atdhéu lè të na bashkojnë,

Zoti e Atdhéu t’ na mbajnë;
Me Zot e me Atdhé të lumnojmë!

                                                                                At Anton HARAPI o.f.m.

 

            Shenim nga Fritz RADOVANI:

           Asht marrë nga “Hylli i Dritës”, fq 462, viti XII, nr.9, Shkoder 1936.

Kjo fjalë u mbajt nga At A. Harapi, tek balkoni i Postës në Fushen e Çelës.

Vlersohet nder Kryeveprat e Atdhetarit At Anton HARAPI.

            Melbourne, 1 Shkurt 2024.


Send this to a friend