3 ditë ma vonë ai u mbyt në Ishull Lezhë
Publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990.
Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Veç këtij hiri, Perëndia u dha njerëzve të parë edhe hiret e përtej natyre që përmbahej në dhuratat, mos me pësue asnjë vuejtje, as uri, as etje, lodhje, sëmundje, as vdekje. Na kishim me Perendinë varësi, që me e njohtë, me e dashtë e, me e ndigjue. Atëherë provë. As Perëndia, nuk muejt me na ba të pavarun, mos me na vu në provë e, kjo marrëdhanie e provës, tue qenë e domosdoshme, asht jeta. Lidhje fort ideale. Lidhje pozitive. Dy njerëzit e parë qenë lajmërue, se çka asht e keqja dhe konsekuencat e saj, e dy njerëzit e parë, prej krenisë me u ba si Zoti, tundim i jashtëm nga djalli, morën udhën e pandigjesës, që i bani të hajshin në të vërtetë frutin. Bjerrshin hirin e mbinatyrshëm të Zotit edhe hiret përtej natyre dhanë falas prej Tij. Iku parrizi i tokës. U mbyllën dyert e Parrizit.
U prish natyra njerëzore. Fitoi egoizmi, urrejtja, hakmarrja. Erdhën luftat. Bota u fut në mëkatin e luftës. Na trashiguem mëkatin e tyne, tue mbetë të bijtë e njerëzve të parë në lufta e ligështi, për të ardhë prishja e individit e si rrjedhim të këqijat e pasojat në shoqni. Me lanë një komb pa realitetin shpirtnuer, fillon shkatërrimi i tij. Mos na njerëzit arrijmë të kryejmë vepra të mbinatyrshme pa hirin e Zotit? E përpjekjet, përparimet që duhet të bajë njerëzimi, mund të jenë ma e vogla reformë, garanci, pa luftue në esencë natyrën e mëkateve e pa pasë frymën e Dekalogut[1] e forcën e religjionit? Te na ngjau tragjedia e madhe. Na u errësuem në koshiencë, në njohje, në dije shpirtnore, në ndërgjegje. Ramja poshtë qe e përgjithshme.
Nuk kemi të veçanta ngjarjet, që në pjesën e parë të diktaturës, me pushkatime, burgje terror, shtetëzim personash, shkatërrim të furishëm të shtetit të maparshëm, të përmbysjes së sistemit, këto janë ngjarje të ngjajtuna kudo në histori e, që njerëzit tanë kanë qendrue edhe heroikisht, me një rezistencë burrnore që i ka ba të mbahen në kambë. Por esenca e diktaturës qendron, gjatë ndërtimit të një shoqnie të re, të formimit të të quejtun e “njeriut të ri”, që na nuk kishim me pushue tue e shprehë me fjalët; “prishja e karakterit”, diktatura qendron te frytet e saj, kur njerëzit bijnë në ligështi e, në shpërbamje. Prishja e karakterit, vinte nga raportet shoqnore të tillë, ku jeta ishte punë e burg, qendronte në zbatimin me rigorozitet të reformave, te lidhjet e përditshme të varunisë së njerëzve e, populli që drejtohej prej grupeve dhe aparatit zyrtar të egër e shtypës, te njerëzit drejtues plot instinkte.
Shumica e frikësueme, pa personalitet, jetonte edhe në një servilizëm e, kishte forma të shumta spiunazhi. Ishte një atmosferë mbytëse me hajni, dredhi, reklamë, anmiqësi, presione, luftë klasash e diktaturë proletare, pa dinjitet kulture e, individi. Me mbylljen e kishave, u pa dukshëm rrënimi i një prishjeje e i një çorientimi, e i një demoralizimi e të këqijat e njeriut, merrshin të haptë e fuqi. Ngjarjet lidheshin njena me tjetrën: mbyllja e kishave, arrestime meshtarësh, gjyqe terrori, meshtarët në punë të randa.
Në fabrikën e tullave
Punët e randa ishin tri: në fabrikën e tullave, në ndërtime dhe në fermë. M’u donte të hyjsha edhe unë. Më caktuen në fabrikën e tullave, ku punojshin njerëz që kishin qenë në burgje politike dhe ordinere. Fjala punë, ishte sinonim i lodhjes së madhe, i këputjes, i frikës, i pasigurisë, i shpërblimit të vogël, që i bajshin të turfullojshin, të flitshin me vete, se si do ta shpenzojshin pesëmbëdhjetë ditëshin historik, në Shqipni. Unë kisha dëshirë disi, me u marrë me punë fizike, sidomos të thejsha tokën, me u kënaqë në mbjellje, por e vërteta ishte se, nuk kisha fuqi. Isha i ligësht fizikisht nga natyra dhe më mundonte arterio-skleroza dhe dy exsostrosa në kambë. Nuk qëndrojsha dot shumë.
Më zgjodhën një punë të lehtë: me shpërnda tjegullat me shpejtësinë e të riut, prej vendit të motorit që i nxirrte, deri te vendi i thamies së tyne. Kjo punë ishte zinxhir, pa pushue për gati tetë orë. Me bajtë tetë copë tjegulla, në çdo udhëtim. Të gjitha lëvizjet e një ditë punë, ishin si me ba tridhjetë km. në ditë. Kjo çdo ditë. Kjo një ditë, dy, tri. U lodha fort. Nuk muejsha. Njëherë, më ra një tjegull e butë nga dora, në tokë. Shpejt më paditën. Denoncim thirret. U ndalue krejt puna. U provokue mbledhje. Po bahej hataja.
“Kujdes të keni, të mos biejnë tjegullat në tokë”, – foli brigadieri e sekretari i partisë. – “Nuk po e quejmë punë anmiqësore këte radhë. Por kujdes e, kujdes fort”. Mbas tri javësh, përgjegjësi më largoi, tue më pa se isha i aftë. “Këtu asht vend punë”, – më tha. Përgjegjësi i rreptë, nxanës imi i dikurshëm, pa më dhanë asnjë shej njohjeje, lëshoi një raport të mirë për mue, të mbyllun në një zarf, për t’ia dërgue Drejtorisë së Përgjithshme të ndërrmarrjes, në të cilin kishte shkrue: “Jo nuk do të punojë, por nuk mundet. Na dërgoni këtu, njerëz të fortë për punë”!
Në fermën bujqësore
Më dërguen në fermë, ku punova disa muej. Puna këtu ishte: mbjellje, prashitje, vjelje barishtesh, frutesh. Mue nuk më vinin me vjelë speca, patlixhana për eksport. U muer vesh se kësi lloj punësh, nuk do t’i bajshin të dyshimtit. Nuk ia besojshin reaksionarëve, se, simbas tyne, bajnë sabotime.
Do t’u largojsha edhe prej ferme, mbasi kisha një raport medikolegal, që nuk më lejonte me punue kurrsesi në diell e, në kambë. Një ngjarje fort e randë ngjau në shtëpinë tonë. Në mbasditen e 25 korrikut, vjen vëllai, Gjergji, te vendi i punës, ku isha tue punue në arë. Ishte fort i pikëlluem, fort i tronditun. Më lajmon vdekjen e Kelit, të mbytun në ujë. Një provë e randë për ne në familje.
Më biente detyra të ngushëlloj babën, nanën, motrën e vëllanë. Iu shtruem të gjithë vullnesës së Zotit. M’u dhimbt për së forti e sidomos, për atë natyrën që kishte, mund ta quejsha të pandreqshme. E sa herë në bisedime që kisha me Padër Meshkallën, më thonte se; asht një njeri të cilit i mungon vullneti. Ishte i dashun, shpirtmirë, por i çthurun e, të gjithë njerëzit që e morën vesh vdekjen e papritun të tij, patën një keqardhje. Kishim provue me e ndihmue me qetësi dhe dashamirësi vëllaznore e njerëzore, Gjergji dhe unë. Kisha rasa që i jepsha edhe qortime, por të dashuna. E kurr nuk ma merrte për të keq fjalën e, më thonte: “Ke arsye për çka më thue, por unë, baj gabime”. Sa herë më jepte fjalën, por e mbante për pak kohë. Nuk kishte asnjë përfundim të mirë.
Një ditë në meshë, në kohën e lutjes për të gjallë, tue pasë një gjendje shpirtnore të naltueme dhe si ndërmjetës para Zotit, i siellem Krishtit me këto mendime e kujtime, se isha gati të vuejsha vdekjen, çfarëdo për atë, por t’i shpëtonte shpirtin.
E kjo meshë e lutje, ngjau tri ditë para vdekjes së tij. Atëherë e sot, e quejta providenciale vdekjen e tij. Vendi i vdekjes qe Ishulli i Lezhës. Mbasi e kishin xjerrë trupin, ditën e neserme, para dite, e sollën kufomën në arkivol. Baba e qau si një patriarkë e, nana e veshun me të zeza, ishte grueja e dhimbave.
Për shumë kohë mbeta në kujtime për atë. Kisha nisë të lodhesha fizikisht. Kah muej i dhetorit, u largova nga puna e randë, nga ferma.
Mungonte krejt ushqimi. Jetojshim me mundin e Gjergjit, që punonte në hidrocentralin e Vaut të Dejës, në një punë me tre turne, mes të ftohtit e të urisë, me një pagë të vogël të tij dhe të një pensioni, që i ra prindëve të provuem nga ajo vdekje. Por asnjë nuk e lëshuem veten. Ishte forca e Zotit në atë dhinibje e, atë provë e guxim të krishtenë, që i jepshim njeni-tjetrit. Për ne lëngonte natyra, jeta dhe unë po hyjsha, mbas pak kohe, në disa fshehtësi të shpirtit, në një bote të rrethueme nga të gjitha anët. Re të mëdha më rrijshin mbi krye dhe më futeshin me peshë qiellore në shpirt. Vejsha oroe se këto masa të mëdha, kishin punë me mue e, kalojshin me shpejtësi rrufesh, njena mbas tjetrës. Re e mendime të zymta.
Dhimbjet e mia
Disa kohë, para se t’u bajsha meshtar e, deri ditën e arrestimit tim, gati 16 vjet të veprimtarisë sime fetare, fort të dendun dhe me një kontakt me shumë njerëz e, që kjo gjendje e mirë shpirtnore do të vazhdonte edhe njëzet e pesë vjet, kohë kur jam tue shkrue këto rreshta, deklaroj fuqinë e Zotit në mue, se për të gjithë këto vjet, nuk do të kisha asnjë mëkat mortar, të asnjë lloji, në shpirtin tim. Kisha një pastri e një qetësi të vazhdueshme. Asnjë personë nuk e kam shikjue, me ndonjë qëllim të keq. Por pa pritë, pa kujtue, si një zhgjetë në tru, më hyni një mendim, një dyshim.
I madhi Zot premtonte, për të mirën e shpirtit tim, të bijsha në disa tortura shpirti, që thirren skrupuj. Dyshimet e mia ishin, a i kisha ba mirë rrëfimet e mia, para se t’u bajsha meshtar. Ato filluen lehtë e, u randuen. Krizë në shpirt. Fillon të kullojë gjak në shpirt. Sëmundje fort e randë. Një kontroll së kaluemes. Analizë. Pështjellim. Trazoj rrëfyesit. Kam thanë gjithçka u thojte e, nuk kam lanë asgja për turp, por më ka mungue precizioni. Ata tue pa se kisha ra në skrupuj, ngulshin kambë, se isha rrëfye mirë. Nëse jam rrëfye, mbasi u bana meshtar, ndonjë fantazi për skrupulozitet, përsëri më asht dashë me paraqitë, si materie rrëfimi e të hershme.
Tash po i pohojsha tue ba zmadhime, deformime, e shtue numra, landë të qenuna e të paqena. I bajsha me shumë përsëritje, imtësi, hollësi, saktësi, përulje e pendim të ri. Nuk po thojsha se jam i bjerrun, por më dukej se përsëritsha fjalët e Krishtit. “O Atë, pse më ke lëshue dore”?! Edhe unë si meshtar i tij, bahem si një Krisht i fortë, i munduem, i sprovuem. Për mue Qiella ishte e nxime. Prej torturave këputesha. Këputesha gati krejt. Lagesha e thahesha. Bahesha qull. Mbytesha. Gati mbytesha. Por Krishtin e dojsha fort. Krishti asht një Qenie, që duhet dashë. Figura fort e dashuna ime dhe e botës. Stuhi në hapësinë, në qiell, në veten time. Më dukej se isha me dy shpirtën, dy Zefa.
Në njenin shpirt vuejtja, jetë skrupujsh, në tjetrën qendresa. Rrëfyesi më priste me qetësi, me duresë e sjellje, “Gjithçka të ma lejsh mue”, – më thonte. Nuk ndigjoj as rrëfyesin. “Skrupolozat kanë një kreni”, – kështu thotë teologjia morale dhe skrupolozi i madh i saj, Shën Alfons de Liguori. Skrupolozave u duket se askush nuk di, nuk kupton si ata, e këte nuk e bajnë me vetëdije, se për ndryshe, kishte me u shtue një mëkat i ri në rrëfim, mëkat sakrilegji. Skrupolozi lodhet, nuk ka fuqi ma, nuk ka guxim të thotë: “Të bahet çka të bahet, nuk rrej”! Isha futë në torturë. Jetojsha në torturë. Isha futë si në një çmendi të mbrendshme. Nisa të shkrihesha, isha ba si një kufomë.
Jashtëmënisht unë siellesha mirë me të gjithë njerëzit, nga frika e mëkatit. Edhe shumë mirë. Kisha logjikë. Ruhesha fort, që të mos i flas kuj asnjë fjalë, sado të vogël, asnjë zemrim me askend, se mendojsha mos bajsha mëkat. Mëkat të madh fort. Mëkat për ferr. Për mue nuk ekzistonte ma mëkati i vogël, mëkati venial. Asnjë diferencë me mëkatin mortar. Prandej rrijsha si një statujë para tjerëve, si një qenie pa personalitet, se edhe atëherë, kur më dukej me mbrojtë vetën, nuk e bajsha. Kisha ra në këte pozitë. Për t’i dalë të drejtës së tjerëve, kjo nuk më mungonte. Kisha anormali mbrenda vetës, krejt normal para tjerëve. Jetojsha si një qyqar dhe luftojshe si një hero. Nuk kisha siguri për vete. I sigurtë e çaste gëzimi, kisha fort mbrenda rrëfimit.
E mbas ndonjë ore, niseshin përsëri ethet e skrupujve e, më delte se isha përsëri në zonën e bjerrjes. Unë isha një qenie fort e dhimbshme. Në një gjendje që do të më vazhdonte me intensitet, të afër tri vjetësh, se mandej më vijshin tue u largue nga ndihma e meshtarit e, përmirësimi i shëndetit. E, kur nisa të delsha e të shihsha se isha ngjitë përpjetë. Një njohje e re erdhi edhe në mue, tue u ba i durueshëm, i gjanë me të tjerët, tue u ardhë në ndihmë atyne që vuejnë, atyne që kanë delikatesë shpirtnore dhe atyne që fshajnë e dënesin. Largojsha interesat e mia, egoizmin dhe çdo urti meskine, se sakramendi i rrëfimit, të cilit i kisha hy thellë, po më largonte edhe çrregullimet e mia. Sakramendi i rrëfimit pa skrupuj, të lidhë krejt me Perendinë.
Kam mësue se askush nuk asht njeri ma i mirë, se në ato çaste kur rrëfehet. Edhe Krishti që e ka themelue këte sakramend, ka marrë parasysh edhe nevojën psikologjike tonën, se kush jemi, duhet t’ia tregojmë dikuj. Atëherë Zoti na jep hirin për të marrë vesh dhe se kush jemi. Përmes rrëfimit zbulohemi, naltohemi, shndërrohemi, shndërrojmë potencat në akt dhe shkojmë drejt gjendjes së mirë të aktit, shembëlltyra të vërteta të Zotit. Me shkue njëherë me u rrëfye, asht me plotësue pak çaste shkencën e njohjes së mbinatyrshme, pse rrëfimi shlyen e shfuqizon. Për arsye të shëndetit, edhe mjeku nevrolog më këshilloi, ta kalojsha kohën e verës, mes bjeshkëve. Mendimi i tij ishte Razma, e këtë me e kombinue me klimën e Shirokës, fshat i vogël buzë liqenit të Shkodrës.
Unë do të shkojsha në Razëm, për shtatë vjet, shtatë vera. Një vend me një bukuri mahnitëse, mes ahave e ma nalt edhe pishave. Bajsha shëtitje të bukura te “Shpella e Dhenve dhe e Pëllumbave”, mes krojeve të argjanta e, “Pusi i Granashdolit”, rranzë Veleçikut, prej kah shihsha shumë në horizont: edhe liqenin, alpet, fushën e Tuzit dhe thithëshe ajrin e drandofilltë dhe aromat e luleve malit e, të lëndinave të buta. Kisha babën e mirë me veti e, çdo javë vinte me kalue dy-tri ditë edhe vëllau, Gjergji. Nisa me të vërtetë me u përtri. Largohej ligësina, largoheshin skrupujt e plot gëzim, këto ishin zëvendesue me meditime. Lexojsha “Lahutën e Malcisë”.
E lexojsha rranzë Veleçikut, së bashku me Dom Kolec Tonin, që kishte ardhë pak ma vonë në Razëm e, marrë edhe ky një dhomë për të kalue stinën e verës. Ku kishte ma të bukur se ato bjeshkë, për ta lexue ‘Lahutën e Malcisë’, se në vendin e ngjarjeve, në logun e zanave, mes maleve të malësorëve?! Unë kisha marrë me qira shtëpinë e një malësori, i quejtun Gjeto Prelë Kota. Kur kishte qënë në gjendje të mirë pasunie me tufa bagëtish, Gjetoja kishte jetue në një kasollë, që tash e kishte vendue me qira, për ata që vijshin me verue. E për veti, kishte ba shtëpi të re, kur i kishte mbarue pothuej krejt pasunia e, jetonte me rroga. Nga dy dhomat e kësaj shtëpie, vendoi me qira njenën, ma të madhen, për familjen e bekueme të Gac Zojzit, arsimtar, piktor, tjetrën për mue.
Kjo familje ndej krejt muejin e korrikut e, gjatë kësaj kohe unë, i bana fshehtas vajzës së tyne tetë vjeçe, katekizmin dhe i dhashë po aty kungimin e parë dhe në Shkodër Krezmimin, në shtëpinë e gjyshit të saj, Zef Dodës, drejtor i shkollës me të cilin pata punue dhe i dhashë lajmin e largimit tim nga arsimi. Dita e kungimit të parë të vajzës, kje një festë për të dyja familjet, kje një e dielle e paharrueshme në robni. Në vjetët tjera, unë me babën e vëllaun, morëm një dhomë që ishte për tokë, në kasollen e tyne. Kishim pranë familjen e nderueme, të guximshme e të ndershme, të Ndok Kirit, nip i Pater Frano Kirit.
Mesha në Razëm
Në dhomën time, çdo ditë celebrojsha meshën e, vinte për ta sa herë edhe familja e Ndokës, që kishte të shoqen dhe dy fëmijë të vogjël: Francin, mbi pesë vjetësh e, Nestin, gati katër. Kujtoj këte ngjarje, se kur një ditë u ula për të ble në dyqan, në qendër të Razmës, e u ngjita për të kthye në dhomë për të celebrue Meshën Shejte, Nesti me duel para tue më thanë: “Axha Zef, thuej Meshën, se rrij me të ruejtë unë përjashta, që të mos vijë kush”. Gjeto Prelë Kota ishte një burrë i mpreftë, energjik dhe i fjalës. Po të kishte pasë shkollë, do të kishte qenë një orator, ndoshta si një Padër Anton, si një Dom Lazër Shantojë e, sa të tjerë.
E shoqja ishte Mara e madhnueshme, një bijë e Kastratit. Ishte si një matronë, me një bukuri fizike dhe personalitet. Kishin tri djelm të martuem e, të mirë dhe pesë vajza fisnike, të martueme në vende të ndryshme. Një herë Gjetoja, po delte nga shtëpia, për t’u ulë poshtë në qendër të Razmës. Ishte i hypun mbi një gomar, i veshun mirë, me xhaketë mbas krahëve. I thashë Gjetos këto fjalë: “Kur të vije koha, të vdisni ti edhe Mara, kanë për t’u vorfnue këto male”. U gëzue fort që i dhashë këtë nderim e, u çfaq në ate, edhe krenaria e maleve. Ju betohem se, po të hiqte Gjetoja qeleshën e bardhë mbi krye dhe Mara, xhubletën mbi shtat, e të visheshin alla franga, do të ishte një tjetër çift, për bukuri e, tue qenë njerëz të mirë, kur t’u vite koha me dekë, mund të shkojshin në Parriz, ata këtu në tokë mund të jetojshin krejt mirë edhe në Parriz.
Me shkue në Parriz, nuk duhet të kesh mëkate, me shkue në Parriz, duhet me dijtë gjuhën dhe me pas etiketa. E më shkonte mendja te parathania e Fishtës, që shkroi në ‘Kanunin e Lekës’, të Patër Shtjefën Gjeçovit. Aty flet për pesë qytetnime. Qytetnimin kryesuer, atë Kristian, ndër malet tona, i ven në radhën e tretë. Një herë më pyeti Mara, sa ishte ora, mbasi nuk e dinte, se ishte vra moti. “A asht afrue mesdita, se na jemi mësue me hangër bukën e mesditës, me të rame të këmbanës”, që binte në orën 12ºº të ditës. Në këtë rast, hodhi një sy prej shtëpie, kishës, që ishte shndërrue në magazinë e lotonte. “Asht ora gati 12ºº. Don edhe një të katërt ore”, – i tham unë. Ishin të rregullt, dijshin e i mbajshin dhjetë Urdhnimet e Zotit, njihshin disa pika të katekizmit, që i kishin ndie në predikimet kur shihshin meshën.
Çdo të dielle merrshin fjalën e Zotit, ata banorë me squetësi natyrore, prej meshtarit dhe të intelektualit, si në kryeqytetet e Europës dhe të botës. Në ato male jetonte një popull me cilësi gjeniale, një racë me tipare mendimtarësh, artistësh e matematikanësh. Kanë dalë nga zona e maleve, At Gjergj Fishta, Patër Ambroz Marlaskaj, Patër Benardin Palaj, Martin Camaj e, sa të tjerë, e kanë humbë kontigjente, që do të kishin muejtë të delshin e, të ndritshin kombin e kulturën tonë. Këto zona ku nuk shihet një rrugë, një shtëpi banimi si duhet, me njerëz të zdeshun e të pa ushqyem, ishin lanë në harresë e mbrapa dhe me qëllim e, pa asnjë kujde, për ata, nga çdo qeveri, tue i lanë me jetue në dorën e fatit e, që në rrethana të caktueme historike, mund t’u vinë momente, ku ata të shpërthejnë keqas, pa dijtë edhe ata çka banë. Qytetnimi kristian, kryesisht asht qytetnim zemre. “Po të mos e kemi këtë zemër, nuk e kemi askund”, pohon një shkrimtar modern francez. Memorie.al
I Ndjeri Gac Cuni ka kompozue edhe nje kange tjeter te bukur qe kendonte ne vitin 1954 ne shtepine time Don Mark Hasi, me titull: Kur rruges te ndeshi pse me rrin pa za,/ cka e ke menden me mue me ba?… Fatkeqsisht une nuk e kam mesue deri ne fund, po ishte shume e bukur!
Kanget e Gacit ishin shume origjinale dhe melodioze. Ishte talent i paperseritshem!
Sot besoj asht i pranishem nder te gjitha darsmat Shkodrane…
Ju falemnderes per kujtesen e Ketij Muzikanti te paharrueshem!
Qofshin perjete te mallekuar te gjithe komunisyet e Enver Hoxhes , bashke me pasardhesit e tyre qe nuk pendohen dhe nuk kerkojne falje nga Zoti per veprat e ndyra te eterve te tyre.
Qofshin perjete te mallekuar te gjithe komunisyet e Enver Hoxhes , bashke me pasardhesit e tyre qe nuk pendohen dhe nuk kerkojne falje nga Zoti per veprat e ndyra te eterve te tyre.