Më 21 nëntor 1999, ndërroi jetë këngëtarja lirike, Marie Kraja. Kraja ishte ndër solistet e para të premierës së Teatrit të Operës dhe Baletit të sapothemeluar.
Një talent që ngriti në mit femrën. Një sprovë që triumfoi duke i atribuuar famë dhe mirënjohje shpirtit të sakrificës dhe vullneteve ngadhnjimtare. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja etj., Marie Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros” etj..
Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj.. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate” etj..
I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik etj., dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.
Marie Kraja lindi më 24 shtator 1911 në Zarë të Dalmacisë. Ishte në moshën 6-vjeçare kur familja e saj u vendos në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj i parë ishte në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë, ku Maria përfaqësoi Shqipërinë me interpretimin e dy këngëve popullore “O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”.
Në Shqipëri aktiviteti i saj fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert në Tiranë. Më 1938 megjithëse vazhdon një aktivitet të dendur koncertal, fillon punën si mësuese muzike në institutin “Nëna Mbretëreshë”, pastaj pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946. Më pas me hapjen e Institutit të Lartë të Arteve, Maria filloi të japë mësim atje dhe që në hapjen e Teatrit të Operës dhe Baletit ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni dhe u bë nga solistet e para të këtij teatri.
Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966. Për meritat e saj si artiste dhe mësuese, Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm.
Ajo mban titullin më të lartë artistik “Artiste e Popullit”, mban Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë. Vdiq në Tiranë më 21 nëntor 1999, duke lënë një nga pas një emër të madh, që nderohet dhe kujtohet me respekt. Ajo do të mbetet në të përgjithmonshmen e nevojës shqiptare si një kresht krenarie, si një shëmbëllim i përmasave botërore të talentit dhe përkushtimit.
Por sopranoja e madhe u përndoq gjithë jetën nga Sigurimi i Shtetit. Një grup shkresash tepër të rezervuara të vitit 1951 zbulojnë fillesat e përplasjes së regjimit komunist me sopranon Marie Kraja dhe një varg artistësh të tjerë themelues të artit lirik e instrumental në Shqipëri, të cilët një nga një do t’i zhduknin nga skena e operës dhe baletit. Artistja virtuoze vihet në kryq për t’u spastruar nga Filarmonia, për shkak të familjarëve të saj, biografia e hollësishme e të cilëve ishte hartuar nga drejtoritë e Sigurimit të Shtetit dhe regjimi i kishte shpallur armiq e bashkëpunëtorë të nazizmit.
Edhe pse Marie Kraja sipas tyre kishte qenë thjeshtë indiferente dhe nuk e kishte simpatizuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare e më vonë indiferente ndaj regjimit komunist dhe pa veprimtari armiqësore, sërish ishte një element që duhej spastruar. Detyra për të hartuar biografitë e hollësishme për një listë të gjatë artistësh i jepet Sigurimit të Tiranës nga kryetari i Komitetit të Arteve, Foto Stamo. Vite më parë u botua dokumenti i Sigurimit të Shtetit për të spastruar sopranon Marie Kraja.
Konkretisht, një grup shkresash të vitit 1951 zbulojnë fillesat e përplasjes së regjimit komunist me sopranon Marie Kraja dhe një varg artistësh të tjerë themelues të artit lirik e instrumental në Shqipëri, të cilët një nga një do t’i zhduknin nga skena e operës dhe baletit. Sipas shkresës së 7 korrikut të 1951, me shënimin “Rezervat” që Foto Stamo i dërgon Sigurimit, njoftohet se, së afërmi më 17 korrik, do të bëhej një mbledhje ku do të raportohej për të gjithë elementët e asaj liste, e cila kryesohej nga Marie Kraja. Në shkresë Foto Stamo porositi që punonjësit e Sigurimit të vijnë të përgatitur.
Në listë përveç Marie Krajës rreshtohen emrat: Lek Tasi, Fatbardha Tatzati, Zef Gruda, Tonin Harapi, Haki Bejleri, Tonin Guraziu, Aleko Kareco, Mateo Guralumi, Nik Guralumi, Agron Aliaj, Gëzim Kaceli, Flora Kallajxhi, Vilhelm Konjari, etj..
Urdhri i dalë nga Komiteti Qendror i PPSH-së ishte që një pjesë e tyre të pushoheshin sapo të shihej e mundur, një pjesë që ishin të pazëvendësueshëm, të zëvendësoheshin pas 5 ose 7 vjetësh (duke nënkuptuar zbulimin dhe edukimin e një artisti të ri që mund t’i zëvendësonte) dhe një pjesë e këtyre artistëve më të rinj në moshë, vendosen të mbahen nën survejim e të edukohen për t’u vënë në rrugë të mbarë.