Një vetëvrasje e dyfishtë u krye në vitin 1967 po në Grabian të Lushnjës. Ganimet Cuka ishte një nga femrat më të bukura të Tiranës në vitet ’40 të shekullit të kaluar.
Ajo kishte mbaruar Institutin “Nana Mbretëreshë” të Tiranës dhe zotëronte disa gjuhë të huaja.
Në vitin 1945, një oficer i misionit anglez u dashurua marrëzisht pas saj, por ai u detyrua të largohej brenda 24 orëve, me kërkesë të qeverisë shqiptare, ndërsa Ganimetit i vunë prangat në duar dhe e rrasën në një qeli burgu të Tiranës.
Në burg atë e torturuan barbarisht, ndërsa disa funksionarë të lartë të Sigurimit të Shtetit tentuan ta përdhunojnë. E mbajtën disa muaj në hetuesi, por nuk mundën ta bënin të pranonte se ishte agjente e zbulimeve të huaja, prandaj u detyruan ta lironin.
Kur doli nga burgu, e lanë pa punë, që të vdiste urie. Për të mbijetuar, ajo merrej me zbukurimin e vajzave të Tiranës, ditën e martesës. Ajo ishte tepër krenare dhe e sfidonte regjimin, duke bërë çdo mbrëmje shëtitjen e saj në bulevardin “Zogu I”.
Asnjëherë nuk u përkul të kërkonte mëshirë. E internuan së bashku me të ëmën në një ditë tetori me shi të vitit 1967. Aty i vendosën në një kthinë të një stalle derrash për të banuar. Vrimat e mureve të pasuvatuar ishin plot akrepa që të kallnin datën. Lagështia të hynte deri në palcë. Jashtë balta ishte deri në gju. Për herë të parë në jetën e saj, Ganimeti u pushtua nga një dëshpërim i tejskajshëm. Asnjë rreze shprese nuk shihte në horizont. E shtrydhi trupin për disa ditë dhe net pa gjumë, për të gjetur rrugën e shpëtimit por më kot.
Më në fund, ajo arriti në përfundimin se vdekja ishte shpëtim për to, ndërsa vetëvrasja e tyre do të ishte sfidë dhe akuzë për diktaturën e urryer të Enver Hoxhës. Ia tregoi dhe nënës plakë vendimin e saj dhe, si e përqafoi, i tha të vdisnin së bashku. Të nesërmen, ajo bleu 10 metra litar dhe e ndau në dy pjesë të barabarta.
U ul pranë tavolinës dhe shkroi një letër. Kujt ia drejtonte dhe çfarë ishte shkruar në të, askush nuk e mori vesh, përveç operativit të Sigurimit të Shtetit. Si mbaroi letrën, hipi në karrige dhe vari mbi një tra dy litarët e bërë lak. Pasi pinë kafen e mëngjesit, hipi nënën mbi karrige, i hodhi litarin në qafë dhe i ra karriges në shkelm. Nëna mbeti e varur. E çoi karrigen një metër më larg, hipi sipër saj dhe vendosi lakun në fyt. Shtrëngoi dhëmbët fort që, kur të vdiste, të mbetej e bukur. E rrëzoi karrigen me këmbë dhe mbeti e varur si nëna e saj. Disa fëmijë të internuar, kur dëgjuan zhurmën që bëri karrigia e rrëzuar, u afruan e panë skenën makabre. Ata u lebetitën kur panë nga vrimat e stallave dy gra që rrinin të varura në hapësirë.
Ata ikën me vrap, të frikësuar, për t’u treguar prindërve, por askush nuk merrte guximin të hapte derën e viktimave dhe t’i ulte në tokë. Shitësja e dyqanit lajmëroi të plotfuqishmin e policisë dhe nuk vonoi shumë kur aty mbërriti operativi i Sigurimit. Në mbrëmje vonë, kufomat e viktimave i hodhën në një gropë që ndodhej buzë kanalit, i cili kalonte pranë stallës së derrave, pa u vendosur asnjë shenjë dalluese mbi pirgun e dheut që i mbuloi.
Kapiteni i skuadrës së futbollit të Tiranës, Osman Reçi
“Ganimeti s’ishte si vajzat e tjera, teprime ato që thuhen”
Kapiteni i skuadrës së futbollit të Tiranës, Osman Reçi, banonte pak shtëpi larg asaj të Ganimet Cukës. Sot, 84-vjeçar i fortë, me kujtesë të mirë, Osmani na tregon për “famën” e Ganimetit në Tiranë. “Për të njerëzit mund të flasin shumë, por e vërteta është që Ganimeti i përzgjidhte njerëzit me të cilët rrinte. I donte së pari të bukur, të veshur e të pastër. E, përveç këtyre, duhet doemos të ishin të pafjalë, në mënyrë që të mos ekspozoheshin. Ato kanë qenë dy motra që jetonin me nënën, babai u ishte vrarë. Nexhmija, e motra, u martua me Rakip Kalenjën, kuadro i lartë i kohës, pati dy fëmijë. Pas pushkatimit të tij, rruga e Nexhmijes devijoi nga ajo e drejta, prandaj edhe ia mori fëmijët Ganimeti, e cila u kujdes t’i rriste më së miri e t’i shkollonte. Njëri nga nipërit e saj u bë doktor e, më vonë, Astrit Kalenja, për një farë kohe ministër i Shëndetësisë, ndërsa tjetri inxhinier. Janë teprime e abuzime ato që janë dëgjuar për Ganimetin. Është e vërtetë që ajo nuk ishte krejt si vajzat e tjera të Tiranës, i pëlqenin djemtë e rinj e të bukur, por ishte shumë përzgjedhëse. Ne kemi jetuar pranë saj, shihnim e dinim thuajse gjithçka që bëhej në lagje. Sado që secili shihtepunën e vet, në një vend kaq të vogël gjërat merreshin vesh dhe di të them që në shtëpinë e saj nuk kanë hyrë e dalë meshkuj siç është pretenduar. Ajo ka punuar me rregullime nusesh, ndër të parat që ka bërë grimin e tyre në Tiranë, sipas mundësive të kohës. Rregullonte fustanet e bardhë apo bënte jastëk e qepje me dekoracion. Cuka ka qenë një familje e lashtë tiranase dhe Ganimeti e reflektonte këtë me kulturën e klasin që kishte”. Sado që kanë kaluar rreth 50 vite që kur i ka këto kujtime, Osman Reçi është i bindur se, edhe nëse Ganimet Cuka do të kalonte tani përbri tij, sërish do ta kthente kokën. Siç bënte asokohe kushdo që e shihte…
Heroina në romanin e shkurtër të Ismail Kadaresë Ganimeti, “Përballë pasqyrës së një gruaje”
Që Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë të vihej në lidhje krahasuese me një lavire, kjo do të më dukej kundruallsi tejet vulgare, siç janë zakonisht metaforat e shpërdorura, sidomos pas rënies së komunizmit. E megjithatë, mendimi se si mund të shkruhej saktë historia e Lidhjes (së paku historia e saj midis viteve ’62-’67), prej kohësh më shoqërohej aty për aty nga kujtimi i gruas me emrin Margaritë. Më dukej e pamundur të shkëputesha prej saj, siç ndodh shpesh me kujtimin që sjell një aromë e largët. Margarita ishte një prostitutë. Shtëpia e saj ndodhej në një rrugicë të shkurtër, që dilte te Rruga e Dibrës, pak a shumë në të njëjtin nivel, ku dilte edhe rrugica, në fundin e së cilës ndodhej Lidhja e Shkrimtarëve, në krahun kundruall.
Kisha dëgjuar se pas projektimit prej një arkitekti francez të një ndërtese moderne, në qelqnajën e së cilës pasqyrohej katedralja përballë, një gjë e tillë nisi të bëhej e modës. Megjithatë, ishte e vështirë të krijohej një lidhje shëmbëllimi e diçkaje, e aq më tepër e një institucioni, me një grua që banonte përballë, vetëm për shkak të kësaj rastësie…
Që e njoha Margaritën për arsyen e thjeshtë se Lidhja e Shkrimtarëve ndodhej pikërisht kundruall rrugicës së saj, kjo ishte jashtë çdo dyshimi. Në trotuarin e djathtë të Rrugës së Dibrës ishte një mëngjesore e vogël, ku në ditët e nxehta gazetarët e rinj, që punonin në Lidhje, merrnin zakonisht ndonjë gotë birrë. Ngjitur me të ishte një tregtizë private frutash. Aty për herë të parë pashë Margaritën. Ishim duke dalë nga lokali, kur dikush më tha me zë të ulët: “Kjo është Marga, që banon përballë”. Diçka më kishte zënë veshi për të, por fare turbull, që e kisha harruar sakaq. Një e ‘atillë’, e modës së shkuar, që jetonte bashkë me nënën në një shtëpizë te rrugica. Ndryshe nga ç’e kisha menduar, ishte rreth të tridhjetave, me një fustan të hollë vere që e tregonte edhe më të re.
E panxirë nga dielli, pa kurrfarë shenje vulgariteti, me flokë gështenjë, që i krijonin ca dredhka të buta te qafa, njëfarë Ane Kareninë, por pa Vronsk dhe pa goditjen e hekurt të vagonit hekurudhor, në vend të të cilit kishte marrë një fat gruaje të përdalë në një shtet komunist ballkanik, në fillim të viteve ’60.
Ndërsa ktheheshim në Lidhje të Shkrimtarëve, dëgjoja me vëmendje kureshtitë që tregonte kolegu ynë për të. Ishte prostituta më me klas të lartë në Tiranë dhe, me sa dukej, e vetmja. Një çudi e vërtetë se si kishte mbetur ende në këtë vend. Klientët i kishte të zgjedhur, zakonisht me njohje gojë pas goje. I mbante gjithë natën. Në orën 3 të mëngjesit, nëna ua sillte kafenë të dyve, asaj dhe atij. Shpërblimin prej 1000 lekësh klienti e linte kujdesshëm poshtë nënkresës. Rrallëherë më kishte qëlluar të përpija me aq etje hollësitë e një tregimi.
Pak kohë më parë, sikur dikush të më thoshte se do të shastisesha kështu pas një femre të modës së shkuar, nga ato, fotografitë e të cilave gjendeshin shpesh në albumet e familjeve të vjetra qytetare, me kapele e me vel të pikëzuar, disa herë në fundajën e ndonjë gondole, aty për aty do të shqyhesha gazit. Paskëshe qenë një matuf i fshehur, do t’i gërmushesha vetes, një lolo sentimental i maskuar pas pantallonave të modës. Të rruaçin pulovrat me dy ikse sipër, simbole të shekullit XX, të rruaçin edhe profkat e tjera për t’u pëlqyer vajzave.
I mendoja këto e megjithatë në asnjë cep të ndërgjegjes sime nuk qasej dyshimi se po vjetrohesha. Përkundrazi, në mënyrë të turbullt më dukej se kishte diçka të mirëfilltë, diçka tepër të re e moderne, në këtë pasion të ri. Në Moskë, prej nga isha kthyer para një viti, kisha kaluar një krizë të ngjashme, por kjo e tanishmja ishte më e thellë. Kishte lidhje me një thelb prej të cilit fshihej tjetër gjë: tipi i femrës që më tërhiqte. Si në një krisje të gëzueshme akujsh, në mendjen time u kthjellua një e vërtetë që, me sa dukej, kishte kohë që përgatitej: vajza që njihja, ato trupe e barqe të lëmuar nga sporti, ekskursionet dhe pishina, m’u dukën befas shterpa e pa mister në krahasim me trupin e përfytyruar të Margaritës.
Pas mesnate, nuk di sa ishte ora, ndoshta pikërisht koha kur nëna e saj u çonte kafenë e dytë në shtrat, më kishte dalë gjumi e po përpiqesha të merrja me mend zhartierat e saj të zeza, të hedhura në fund të shtratit, si dhe mëndafshin e lodhur të mbathjeve, pas dashurisë.
Një zi zhartierësh zonjash të një tjetër kohe
Në mendjen time bie si muzg…
Mendimi për të shkuar te rrugica përballë gjallonte brenda meje i këndshëm, por i mbështjellë me një mjegull penguese. Si të merresha vesh me të? Ku ndodhej rrjeti që ia gjente klientët?
Nganjëherë më dukej se kurrfarë rrjeti s’mund të kishte, ngaqë gjëra të tilla quheshin të rrezikshme, megjithatë edhe e kundërta, vajtja tek ajo ashtu thjesht, pa një marrëveshje, s’mund të bëhej. Ishte ndoshta nëna e saj, me anë mikeshash të vjetra besnike, ato që nuk mungonin kurrë në rruginat e Tiranës, që ia siguronin vizitorët. Ndoshta xanxa për Margaritën do të më zbehej shkallë-shkallë, si shumë gjëra të tjera, sikur të mos e ndeshja përsëri te shitorja e frutave…
Do të shkoja patjetër te Margarita. Kisha ndjesinë se këtë vendim e kishte marrë gjithë qenia ime, që nga truri e gjer te qendra e trupit tim. Edhe kur një pjese të kësaj qenieje i binte vrulli, ishte pjesa tjetër që e shtynte drejt mëkatit. Dhe, për habinë time, shtytësi nuk ishte gjithmonë mishi.
Ndryshe nga të gjitha ato që quheshin aventura dashurie, kur faza e parë: njohja, shoqërimi në rrugë ose në kafe, ose dërgimi i një letre, ishin gjëra gjithsesi të lehta, kurse i panjohur mbetej gjithmonë përfundimi, domethënë ajo që në mënyrë vulgare quhej “shtirja në dorë”, në këtë rast ishte kjo e fundit që ishte siguruar, kurse vështirë, gati e pamundur ngjante faza e parë: rënia në përkitje me Margaritën. Duhej të ishte një hartë tjetër e Tiranës, me adresa dhe kode të tjera, që ne nuk i njihnim. Një mbrëmje, pasi kthyem nga një gotë birrë te bar “Voza”, mua dhe shokun tim të redaksisë, i vetmi me të cilin e kishim bërë bisedën e M., siç e quanim tani midis nesh, këmbët po na çonin si padashur në drejtimin ku duhej të ishte shtëpia e saj. Nga Rruga e Barrikadave dolëm në atë të Dibrës dhe atje unë e mbaja mend shumë mirë rruginën ku ajo ishte futur herën e fundit, me ato këmbë me gishta me manikyr ngjyrë ëndrre…Agim Musta:
Komentet