Shumë organizata në mbarë botën, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (WHO) paralajmërojnë se përdorimi afatgjatë i telefonit celular mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore.
A janë telefonat celularë të dëmshëm apo jo, për të dyja këto pyetje ekzistojnë studime të shumta të cilat provojnë ndryshe. Kjo është për shkak se efekti afatgjatë i rrezatimit elektromagnetik në trupin e njeriut nuk është ende i mundur për t’u përcaktuar.
Megjithatë, është e njohur se ekspozimi i gjatë ndaj rrezatimit elektromagnetik mbart disa pasoja. Për shembull, sipas disa studimeve, rrezatimi mund të shkaktojë pagjumësi, ndërsa të tjerat thonë se efektet anësore të përdorimit afatgjatë të telefonave celularë shkaktojnë infertilitetin mashkullor dhe madje edhe kancerin. Edhe pse ende nuk është dhënë një mendim shkencor mbi dëmin që shkakton përdorimi i telefonave celularë, ekspertët thonë se fëmijët janë më të rrezikuarit nga rrezatimi që japin celularët.
Sipas tyre, edhe fëmijët dhe adoleshentët duhet të kufizojnë përdorimin e celularëve, porse atyre iu lejohet që të shkruajnë porosi telefonike, duke qenë se ekspozimi ndaj rrezatimit në këtë rast është më i vogël.
Gjithashtu, ende nuk është vërtetuar nëse fëmijët janë më të ndjeshëm nga rrezatimi në raport me të rriturit, megjithatë duke qenë se fëmijët kanë imunitet më të dobët, shkencëtarët supozojnë se ata janë më të rrezikuar nga rrezatimi në përgjithësi, në këtë rast edhe nga rrezatimi që vjen nga telefonat celularë.
Legjislacioni në shumë vende të tilla si Britania e Madhe, Kanadaja dhe Franca, kanë të rekomanduar apo edhe tërësisht e ndalojnë përdorimin e telefonave celularë për fëmijët nën 12 vjeç ose përdorimin e tij pa kufje. Për më tepër, Izraeli ka konsideruar seriozisht vënien e mesazheve paralajmëruese shëndetësore në telefonat celularë siç i kemi në pakot e cigareve, kurse në disa vende ka një propozim për të ndaluar rrjetin Wi-Fi në shkolla. Edhe pse rrezatimi nuk mund të shmanget plotësisht, ne mund të zvogëlojmë ekspozimin me anë të sjelljes së përgjegjshme ndaj vetvetes dhe të tjerëve. Në vazhdim do t’i paraqesim se çfarë hapash mund të merren për të shmangur rrezatimin e emetuar nga telefoni juaj celular, transmeton “Zëri.info”.
– Vetëm thirrje të rëndësishme: Kufizoni përdorimin e telefonave celularë për thirrjet rëndësishme. Pra, mos bëni thirrje të cilat mund edhe mos t’i bëni, pra të cilat nuk janë të rëndësishme.
– Kufjet: Përdorni kufjet për shkak se ato mund të zvogëlojnë ekspozimin e rrezatimit. Gjithashtu, më mirë se Bluetooth-i, janë kufjet që janë të lidhura me telefonin me anë të telave.
– Zmadhuesi: Kur është e mundur, përdorni zmadhuesin e zërit të telefonit, në vend që telefonin celular ta mbani pranë veshit tuaj. Nëse jeni në një vend të qetë, privat, në mënyrë të sigurt mund ta lini telefonin celular në një afërsi të mjaftueshme dhe të flisni në këtë mënyrë.
– Lidhja: Prisni derisa të merrni lidhjen, para se të afroni telefonin në veshin tuaj. Kjo është e rëndësishme sepse gjatë thirrjes, telefoni celular përdor energji shumë më tepër për të tërhequr një sinjal të mirë nga stacioni bazë aty pranë.
– Mbajeni në çantë: Barteni telefonin celular në çantën tuaj në vend të xhepit të pantallonave apo këmishës (për shkak të rrezikut nga kanceri i gjirit).
– Sinjali: Sigurohuni që të keni sinjal të mirë para se të bëni thirrje. Kur sinjali tregon një lidhje të keqe, telefoni juaj celular në mënyrë aktive përshtat fuqinë e transmetimit të tij në mënyrë që të krijojë një lidhje të qëndrueshme.
– Absorbimi: Zgjidhni telefonin celular me normën e ulët specifike të absorbimit (SAR), e cila paraqet masën e shkallës së absorbimit të valëve të radios në indet e trupit.
– SMS: Dërgo mesazhe me tekst (SMS, email, chat … ) sa herë që mundeni në vend të thirrjes telefonike. Në këtë mënyrë, do të kurseni më shumë në kohë dhe njëherësh edhe paratë tuaja.
– Ora me zile: Në vend të telefonit që ju zgjon në mëngjes, përdorni një orë me zile.
Komentet