“Vrasja që tronditi vendin”, “U vra në sy të fëmijëve, arrestohet bashkëshorti”, “Krejt çfarë dihet për vrasjen e Liridonës”… Këta tituj dhe të ngjashëm dominuan lajmet e ditëve të fundit në Kosovë dhe rajon.
Liridona Murseli, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor në një fshat afër Prishtinës. Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia njoftoi për arrestimin edhe të bashkëshortit në mesin e tre të dyshuarve.
Motivet nuk janë ende të qarta, por policia dyshon se Naim Murseli e porositi vrasjen e gruas së tij – nënë e dy fëmijëve – dhe se dorasit i premtoi 30.000 euro.
Mllef e zemërim shprehën mijëra qytetarë kryesisht përmes rrjeteve sociale, ndërsa në Prishtinë kishte edhe protesta me thirrjet për drejtësi për Liridonën.
“Duhet të shqyrtohen faktet dhe të merret vendimi i drejtë, të vihet drejtësia në vend dhe të ketë liri për të gjitha gratë”, tha Ardita Baraku, e cila kishte dalë në protestë.
“Kjo [vrasje], lëre që na ka turpëruar, por këta nuk kanë as nder, as karakter. Zoti hair e bëftë!”, u shpreh Shemsi Berisha, një tjetë protestues.
Vrasja e Liridonës e çoi në katër numrin e grave të vrara këtë vit në Kosovë, sipas raportimeve të policisë. Nga viti 2010 deri më sot janë së paku 55 gra të vrara në Kosovë. Në të shumtën e rasteve, fajtorë ose të dyshuar për vrasje janë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Situata nuk është më pak e rëndë as në botë. Më shumë se gjysma e viktimave gra të raportuara vitin e kaluar, u vranë nga partnerët intimë ose të afërmit e tyre, thuhet në një raport që publikoi Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim dhe UN Women, muajin e kaluar. Sipas raportit, afro 89.000 gra dhe vajza u vranë qëllimisht në vitin 2022 në të gjithë botën. Prej tyre, 48.800 u vranë nga anëtarët e familjes ose partnerët intimë.
Ajo që kemi parë, është se vrasjet globale kanë qenë në rënie, por jo edhe vrasjet e grave”.
Kjo do të thotë se, mesatarisht, mbi 133 gra ose vajza u vranë çdo ditë nga dikush në shtëpinë e tyre, ose mbi pesë në çdo orë, thotë Juncal Plazaola Castano, specialiste e Programit për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, pranë organizatës UN Women.
Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ajo shpjegon motivet që fshihen pas femicidit:
“Femicidi është vrasje e qëllimshme e një gruaje ose vajze për motive që lidhen me gjininë, me ideologjinë se burrat kanë të drejta dhe privilegje ndaj grave, me nevojën për të ushtruar kontroll dhe pushtet mashkullor, ose për të parandaluar, dekurajuar dhe ndëshkuar atë që e konsiderojnë si sjellje të papranueshme të grave”.
“Femicidi është manifestimi më brutal dhe më ekstrem i dhunës ndaj grave dhe vajzave”, thotë Castano.
Sipas raportit të organizatave të Kombeve të Bashkuara, shifrat e sivjetme të grave të vrara përfaqësojnë numrin më të lartë vjetor të regjistruar në dy dekadat e fundit.
Dabney Evans, profesoreshë e shëndetit global dhe drejtore ekzekutive e Institutit të të Drejtave të Njeriut pranë Universitetit Emory në Atlanta, thotë për Exposenë se gjetjet janë alarmuese.
“Ajo që kemi parë, është se vrasjet globale kanë qenë në rënie, por jo edhe vrasjet e grave. Kjo sugjeron se problemi i femicidit jo vetëm që vazhdon në të gjithë botën, por, në fakt, ai është duke u përkeqësuar. Së voni, Afrika e ka kaluar Azinë, duke pasur numrin më të madh të viktimave në përgjithësi. Por, globalisht, do të thosha se ky problem ekziston kudo”, thotë Evans.
Natyrisht se qeveritë dhe institucionet kanë përgjegjësi, por është edhe përgjegjësi e secilit prej nesh që në jetën e përditshme të promovojmë norma të barabarta gjinore…”
Raporti i organizatave të Kombeve të Bashkuara vë në dukje se shkalla e vërtetë e femicidit në botë ka të ngjarë të jetë më e lartë, pasi shumë viktima mbeten ende të paraportuara.
Sipas raportit, për rreth katër në dhjetë vrasje të qëllimshme të grave dhe vajzave, nuk ka informacione të mjaftueshme për t’i identifikuar ato si vrasje të lidhura me gjininë. Raporti thekson, po ashtu, se disa grupe të grave dhe vajzave përballen me rrezik më të madh.
“Gratë në sytë e publikut, përfshirë ato në politikë, mbrojtëset e të drejtave të njeriut dhe gazetaret, janë shpesh objektiva të akteve të qëllimshme të dhunës, të cilat mund të çojnë edhe në fatalitet dhe vrasje të qëllimshme”, thuhet në raport.
Por, si të këputet ky zinxhir? Castano, nga UN Women, thotë se duhen bërë më shumë hulumtime për të kuptuar më mirë se çfarë po e nxit rritjen e femicidit në disa vende dhe cilët faktorë kanë ndikuar në zvogëlimin e tij në vende të tjera. Megjithatë, shton se duhet angazhim i gjithë shoqërisë, jo vetëm i institucioneve.
“Natyrisht se qeveritë dhe institucionet kanë përgjegjësi, por është edhe përgjegjësi e secilit prej nesh që në jetën e përditshme të promovojmë norma të barabarta gjinore dhe shoqëri të barabartë gjinore, t’i adresojmë stereotipat, të ngrihemi kundër diskriminimeve ndaj grave dhe vajzave. Pra, është përgjegjësi e secilit”, thotë Castano.
Evans, nga Universiteti Emory, thotë se edukimi për barazinë gjinore duhet të nisë qysh në vegjëli. Për shembull, një normë e ngurtë gjinore, sipas saj, është se “djemtë nuk qajnë”. Por, prindërit duhet t’i lënë fëmijët t’i shprehin emocionet dhe t’i ndihmojnë ata në përpunimin e ndjenjave, derisa të kuptojnë se dhuna është e dëmshme, thotë Evans. Çelësi, sipas saj, është te parandalimi dhe rritja e vetëdijes.
“Nëse presim derisa të ndodhë femicidi, është shumë vonë. Duhet të jemi më të vëmendshëm se ku ndodh dhuna dhe më pas të sigurohemi se të gjithë sektorët e shëndetësisë, të drejtësisë penale dhe të shërbimit social luajnë rolin e tyre, që të mos arrihet deri te pika ku dikush duhet të mbahet përgjegjës për femicid”, thotë Evans.
Evans shton se një praktikë pozitive mund të jetë edhe përfshirja e femicidit në kodin penal të një vendi. Kjo, sipas saj, do të mundësonte mbledhjen më të saktë të të dhënave, të cilat pastaj mund të sjellin politika më të mira për mbrojtjen e grave.
“Nëse krimet specifike i etiketoni si të lidhura me gjininë, kjo na mundëson ta kuptojmë më mirë natyrën e problemit. Kush ka qenë autori? Cila ka qenë marrëdhënia? A ka qenë partneri intim apo jo? Kjo, pra, na mundëson më shumë informacione, me shpresën se, përfundimisht, do të jemi në gjendje t’i parandalojmë këto vdekje”, thotë Evans.
Në Meksikë, për shembull, femicidi njihet në ligj. Nga viti 2020, Kongresi i këtij vendi ka miratuar edhe dënime më të ashpra për femicidin – 45 deri në 65 vjet burg nëse i akuzuari shpallet fajtor.
Pa specifikuar arsyen, raporti i organizatave të Kombeve të Bashkuara për vitin e kaluar thotë se Meksika ka dëshmuar rritje të femicidit deri në vitin 2021, pastaj ka nisur ndryshimi i trendit.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime me gjobë dhe deri në tre vjet burgim për të akuzuarit për dhunë në familje. Megjithatë, një raport që ka publikuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë, në muajin shtator, thuhet se shumë pak të akuzuar për veprën e tillë janë dënuar me burg. Raporti analizoi 129 aktgjykime të publikuara nga gjykatat e Kosovës dhe, sipas tij, 98 për qind të të akuzuarve për dhunë në familje u është shqiptuar aktgjykim dënues, për shembull me gjobë, dhe vetëm 11 për qind janë dënuar me burgim.
Për vrasje, dënimi i fundit u shqiptua në fillim të gushtit. Dardan Krivaqa, i akuzuari kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit, në gusht të vitit 2021, u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Marigona ishte 18 vjeçe kur vdiq si pasojë e dhunës fizike të shkaktuar nga partneri i saj, Krivaqa.
Në Kosovë, deri tash këtë vit, mbi 1.700 gra janë evidentuar si viktima të dhunës në familje, sipas të dhënave të policisë. Organizatat për të drejtat e grave thonë se shifrat janë shumë më të larta, por se rastet shpesh nuk raportohen ose raportohen vonë, për shkak të presionit social, mungesës së pavarësisë ekonomike të grave e të tjera. Këtyre pretendimeve u ka bërë jehonë edhe një anketë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, sipas së cilës, gati 50 për qind e afro 2.000 grave të anketuara në Kosovë, besojnë se dhuna është çështje private, që duhet të zgjidhet brenda familjes.