Nga 8 shkurti 2016 -8 shkurti 2018
8 Shkurt 2018
Po vjen 8 shkurti zemra ime
vajza ime
e bukura ime
po vjen ora 18:00
kur shpirti yt fluturoi
ti po flije aq qetë
ti dukeshe se pas pak do të zgjoheshe
frymëmarrja jote e bukur
sa herë vinim ti nen tuba luftoje
për jetën
ti na doje aq shumë dhe
deshe të ktheheshe
në shtëpinë tonë
e të vazhdoje aty ku e kishe nisur
ti ma shqiptoje emrin
nen tuba
nën morfinë
çfarë deshe të më thoshe Mam
si nuk folëm Mam
si nuk mundëm Mam
ne të rrethonim tek shtrati
ti na shihje dhe qeshje
ashtu e përhumbur
kujtoje se ishe në ëndërr
dh eprisje të zgjoheshe
ishte një ëndërr i keqe
një mankth
ti ishe e bukur si një skulpturë e bardhë
që askush nuk mund të besonte se ishe e sëmurë
me faqet ngjyrë rozë
që unë t’i puthja pa fund
po flije Mam
po flije aq qetë
aq rrejshëm qetësisht
sa unë besova se do të zgjoheshe
të më thoshe atë që nuk ma the dot kurrë
çfarë deshe të mos thoshe Mam
po vjen shkurti Mam,
unë e urrej,
e urrej edhe 29 tetorin,
kur më the se je pak pa qejf
ishim aq bukur
ti ishe kryeministrja e shtëpisë
fuqiplota
ku je Mam
ku je Mam
ku je Mam
8 shkurt 2017
E dashur Nëna ime,
Zonja Lili Shyti Skënderi
E dashur Lilka ime,
e dashur Lulja ime,
zambak uji
e dashur mrekullia ime
e dashur vajza ime që nuk e pata
e dashur motra ime që nuk e pata
e dashur shoqja ime që nuk e pata
me një trup e shpirt me Tim Atë
më linde, më dhe gji,më rrite,
e dashura Nëna ime unike
E dashur Lilka ime,
Lule që nuk njeh vyshkje
Ti Ëngjëlli im në tokë
dhe Ëngjëlli im në qiell
krijesë e bukur e Zotit
si kryeveprat e piktorëve
me shpirt dhe fytyrë ëngjëllore
ne kemi kaluar bashkë shumë sfida
dorë për dorë shtrënguar
sfidat e jetës po aq të zeza si vdekja
por ne dorë për dore
mbi to gjithmonë kemi triumfuar
nuk bëhet fjalë për triumfe fanfaresh
të gërryera nga hipokrizia prej bloze
fjala është për gjërat më të thjeshta
që i japin kumtin dhe kuptimin kësaj bote
sepse në çdo rrahje të zemrës
ti jepje dashuri pa cak e pa fund
ti Nëna ime një pyll i gjelbër
që nuk njohe as plakje dhe as tharje
që në çdo rrahjen tënde të zemrës
na bëre të jetonim një jetë të plotë
vetëm me dashuri dhe pa ndarje
E dashur Lilka ime
Nga 8 shkurti 2016 deri në 8 shkurtin 2017
shpirtin tim e kanë shkundur
pa prehje uraganët e dhimbjes
ti je me mua kudo ku ndodhem
por kjo nuk nuk e zbeh aspak mungesën
boshësinë
përkundrazi e shton mallin
dhe peshën e pengjeve
që më rëndojnë si mal mbi shpinë
që jam vazhdimi Yt dhe i Tim Eti
e kuptoj lehtësisht
se rebelohem për ta injoruar Kasandrën
për ta sfiduar fatthënën
për ta hequr nga kalendari datën 8 shkurt
dhe 100 ditët e vuajtjeve të tua
për t’i hequr nga kalenderi
muajt nëntor 2015, dhjetor 2015, janar 2016, shkurt 2016
për të ta bërë jetën të gjithën
me ditët e tua më të lumtura
që ti i kalove me Tim Atë,
poetin Vehbi Skënderi
që të deshi deri në frymën e fundit
kur fryma e lë trupin dhe ngjitet lart…
8 Shkurt 2016
U nda nga jeta Lili Skënderi, bashkëshortja e poetit Vehbi Skënderi dhe Nëna ime
U nda nga kjo jetë dhe nga kjo botë, Lili Skënderi, bashkëshortja e poetit Vehbi Skënderi dhe Nëna ime.
Nëna ime ishte Zoti në këtë Tokë për mua, vajzën e saj, Elida Buçpapaj, që bashkë me tim atë më rritën dhe edukuan me të gjitha vlerat njerëzore, dhe po ashtu me përkushtim të pakufishëm, me dashuri të pakufishme rritën edhe dy nipat e tyre, të cilët po ashtu i deshën me të njëjtën masë të pakufishme.
Jam përpjekur gjithë jetën time që t’ua plotësojë prindërve të mi dëshirën që të jem një qënie njerëzore, ashtu si e kishin dashur dhe ëndërruar ata. Sepse prindërit thurrin ëndërrat më të bukura për qëniet që sjellin në këtë botë
Nuk e di nëse ia kam arritur, por ajo që nuk vihet në dyshim është se i kam dashur me dashuri të pakufishme.
Por jeta si luftë nuk të lë kohë që ta shprehësh këtë.
Kur Im Atë mori udhëtimin për në Parajsë, atëherë Nën time e desha për të dy bashkë.
E desha si vajzën time, dhe unë u bëra si të isha Nëna e saj. Ajo qeshte, sa bukur që qeshte, kur unë ia përsërisja aq shpesh.
E gjithë Familja ndjejmë një boshllëk të pazëvendësueshëm, sepse Nëna ime kishte një autoritet dhe personalitet të jashtëzakonshëm që buronte prej mirësisë së zemrës së saj.
Lus Zotin që të na ndihmojë për ta përballuar këtë dhimbje!
Unë ndihem vajza më krenare në botë që të kam patur ty Nënë, dhe në të gjitha jetët e jetëve, unë do të jem vajza jote e ti mrekullia e jetës time, Nëna ime.
Po e ilustroj këtë lajm kaq të hidhur, që nuk desha ta kumtoja kurrë, me një foton tonë. Nëna ime ishte nuse e re dhe unë fëmijë një vjeç e pak.
Foton na e ka bërë Im Atë. Ne ishim me pushime në Pogradec tek gjyshja e dajua.
Siç shihet, ne të dyja i qeshim me gjithë shpirt Babit.
Ishim Familja më e lumtur në botë.
Lumturinë tonë, ashtu si të mijra e mijra familjeve shqiptare, e shkatërroi diktatura mizore,
por megjithatë, ne ishim me fat dhe mbijetuam, me ndihmën e Zotit dhe sepse të tre bashkë,
Nëna ime, Im Atë dhe unë e deshëm njëri-tjetrin me dashurinë e Zotit.
Pastaj Familja jonë u shtua dhe prindërit e mi, prej nipave të tyre dhe prej nesh, Skënderit e meje, gjetën qetësinë dhe dashurinë e gjithmonëshme.
Ata janë në çdo çast të kësaj jete me ne!
Ndërkohë që prehen në Parajsën e Zotit!
Sepse ishin Njerëz të pastër e të kulluar ashtu si Zoti i lind krijesat e veta!
Përcjellja për në banesën e fundit bëhet të premten, më 19 Shkurt.
Iu dha lamtumira zonjës Lili Skënderi, bashkëshortes të poetit Vehbi Skënderi
19 Shkurt 2016
Në një ceremoni shumë private, të premten, u përcoll për në banesën e fundit zonja Lili Skënderi, bashkëshortja e poetit Vehbi Skënderi dhe Nëna ime.
Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe të familjes për mbështetjen dhe ngushëllimet e marra nga mikesha,miq e dashamir, nga të njohur, të afërt e të largët nga Shqipëria dhe jashtë saj, që i kanë njohur personalisht prindërit e mij, nga shoqe, shokë e kolegët tanë, të cilët me praninë e tyre na e kanë bërë më të lehtë dhimbjen.
Ju shprehim falenderimet tona emër për emër! Qofshi të bekuar emër për emër!
Zoti ju bekoftë ju, Familjet tuaja, fëmijët tuaj, të dashurit tuaj dhe ne paçim raste për t’jua shpërblyer vetëm në gëzime e të mira.
Nëna ime iku me mall në zemër për shtëpinë në Tiranë të mbushur plot me kujtime, për mikeshat e saja me të cilat pinte kafenë e mëngjesit kur ishte aty, për motrën e saj, mbesën e madhe, nipat e mbesat, për të afërmit tanë.
Nëna ime ishte një mama, vjehërr dhe gjyshe e lumtur që donte të jetonte, pasi ishte e rrethuar nga dashuria.
Ashtu sikur thoshte Steven Jobs: “Askush nuk do të vdesë, edhe sikur ta dijë se Parajsa po e pret, prapë nuk do që të vdesë, e megjithatë vdekja është destinacioni për të gjithë”.
A mund të na ngushëllojë ky përgjithësim që na përket të gjithëve.
Natyrisht që jo!
Në foto Lili Skënderi, my fantastic Mom
8 Mars 2016
Elida Buçpapaj: U mbush një muaj që unë të kërkoj më kot nëpër shtëpi Mam !
U mbush një muaj
që unë të kërkoj më kot nëpër shtëpi
duke besuar se ajo që përjetuam ishte një ëndërr e keqe
prej sot një muaj
ti na ke lënë për në Parajsë,
është 8 Marsi i parë që unë nuk të kam këtu pranë për të përqafuar fort e fort e fort
e për të të puthur
duart e faqet e tua të bukura
unë nuk e besoj se ti nuk je këtu me ne
as ti prej andej nuk beson
që ne na le
çdo gjë në shtëpi mban gjurmët e tua
gjithçka është rregulluar ashtu si deshe ti
në guzhinë gjej biletkat ku ti shkruaje
se çfarë ne duhet të blinim…
Unë në mëngjes pres të më zgjosh,
ta hamë bashkë mëngjesin
duke parë bashkë në televizionet e Tiranës kryetitujt e gazetave
pastaj duke diskutuar se çfarë do të na gatuaje për drekë
deri ditën kur u sëmure papritmas
100 ditë të tmerrshme për ne
nga spitali në spital
plot ankthe nga frika e telefonatave në mesin e natës
por ne kishim shpresë deri në fund
që mrekullia jonë të na zgjaste
se ishte dashuria e pastër
e kulluar
hyjnore
si në Parajsë
ku ti tani je me Babin
unë të përkëdhelja me të gjitha fjalët më të bukura të botës,
të thërrisja Lule,
Lilka,
vajza ime,
të thosha se ne do të jetonim bashkë 200 vjet
për t’i parë
e për t’i gëzuar djemtë e vajzat e djemve tanë e nipave të tu,
dhe ti e pranoje këtë sfidë me të qeshurën tënde të bukur
dhe zërin tënd kumbues
që e mbushte me tingujt të gëzuar shtëpinë
edhe kur na qortoje
se ishte e plotfuqishmja
ishte Mbretëresha me kurorë e skeptër
sepse i kishe rrëmbyer e pushtuar
zemrat tona me dashurinë e mirësinë tënde
të pastër
Mom ti fjalën e ke mbajtur gjithmonë
edhe ti edhe Babi
po si ndodhi atëherë
po çfarë ndodhi atëherë…
që ike dhe na le
më thuaj
Aty ku prehet Nëna ime nën lulet vjollcat
8 Maj 2016
Sot ditën e Nënës tre muaj pa Nënën time Nga Elida Buçpapaj
u mbushën 3 muaj
nga 8 shkurti në 8 maj
me lule dhe vaj
nga shirat e errta të shkurtit
në mars, prill e maj
me lule dhe vaj
nga qielli i vrerosur i shkurtit
tek fytyra e pranverës e pafaj
me lule dhe vaj
nga ankthi i pafund i shkurtit
në ankthin e pafund prej reje
si është e mundur Mam
që ti fle nën vjollca e maj
e vjollcat çelin sipër teje
8 Gusht 2016
Gjashtë muaj pa ty Mom
Në foto Lili Skënderi, my fantastic Mom
U mbush gjysmë viti
sekondat, minutat, orët, ditët,
javët, muajt
njëri pas tjetrit shkuan
ditëlindja jote pa ty
në maj
gjithë lot e vaj
unë të kërkoj me sy
e pres të ndodhë mrekullia
të dëgjoj të qeshurën tënde të bukur
që na e mbushte shtëpinë me hare
ku je Mam ku je
në shtëpi gjithçka ka mbetur
ashtu sikur e le
dhoma jote e heshtur
çanta jote po aty
në sirtarin e komodinës pasqyrka e vogël
mbi komodinë librat e tu të preferuar
mungojnë vetëm syzat
në dollapin tënd
mungon vetëm palltoja e madhe
që ti e përdorje shumë rrallë
mungojnë
një palë pantallona, një golf dimri
dhe një xhaketë
në dollapin e këpucëve
janë pantoflat e tua, sandalet
mungojnë vetëm
një palë këpucë dimri
e di që në Parajsë
është gjithmonë pranverë
po kur ti ike
ishte shkurt e shi
shkurti qante me rrëke
ashtu si shpirti im
si shpirti yt që na shihte nga lart
sepse ne bashkë ishim vetë
harmonia e Zotit…
çdo gjë ishte në ekuilibër
tingujt, ngjyrat, ritmi
i jetës…
ku paqja
dashuria
dhe lumturia
ishin me ne të gjitha në një
me një zë
….
unë nuk i bindem
arsyes se vdekja ekziston
se kush lind vdes
se gjithçka e ka një fund
e një fillim
sepse dashuria jonë
është e përherëshme
pa fund..
e pa mbarim…
vetëm me fillim…
Të rroni e ta kujtoni Nenen tuaj te dashur e nderuar Lida.
Respekte.
I nderuar Lexues i VOAL.Ch, ju flm shumë, qofshi i nderuar. Ju përshëndesim, Elida Buçpapaj me Familjen