Jo kaq milionë, jo aq milionë.
Këtë pragvjeshte, edhe nga ministria edhe nga agjenci statistikash po flitet për nja 4 milionë a 5 milionë turistë në vit.
Unë e kam këtë ves. Sa herë më tregojnë shifra, pyes veten me vete : Po si i kanë matur? Se në filozofi mund të bësh edhe pa numra, kurse në sociologji a ekonomi gjithë sekreti qëndron te baza e të dhënave. Përndryshe, sociologjia apo ekonomia bëhet përrallë që ta tregon baba pranë oxhakut…
Folk!
Me çfarë i masin xhanëm? Dhe mendoj se sigurisht, besoj, i nxjerrin të dhënat nga hyrje-daljet në kufi. Ndofta ky është sot i vetmi mjet llogaritës që kanë në duar dhe i besojnë atij.
Gjithë vera më kaloi duke parë me sy grupe turistësh ose individë turistikë të vetmuar. Po këtë, a e kanë matur?,- kam pyetur veten.
Komshiu im Meti matet sikur të ishte princ saudit me jaht.
* * *
Kam qenë diku andej nga Pogradeci a Korça këtë vit, me miq të huaj.
M’u desh nja një vit t’u mbush mendjen të kalojnë disa ditë vere në Shqipëri. U kënaqën shumë në fakt. Por aty rrotull shihja një autobus të madh me nja pesëdhjetë a njëqind turistë të huaj brenda që qëndronin në fundjavë aty pari dhe gjithë ditët e tjera të javës shkonin në Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Kosovë. Punë turistësh aman! Pra, ndofta kanë hyrë e kanë dalë nga kufiri shqiptar disa herë atë verë. Një pyetje më ka munduar: Nëse këta ta zëmë hyjnë e dalin nja dhjetë herë nga kufiri ynë, atëherë ata numërohen dhjetëfish si turistë. Pra, në vend të njëqind vetëve numërohen ta zëmë njëmijë. Nëse instrumenti matës është hyrja e dalja nga kufiri, atëherë ky artefakt statistik bëhet i pashmangshëm.
Po ashtu, në lagjen ku banoj në Tiranë. Këtë verë jam çmallur me Nardin, Lokun, Bertin, Qenanin e me radhë, miq të fëmijërisë dhe të rinisë sime. Kanë ardhur nga vendet ku kanë emigruar. Disa edhe me gratë e tyre, shqiptare të kulluara, njëqind karatë edhe ato. Por, duke pirë kafen te lagjja me miqtë e mi, kam menduar pas “shpinës të tyre”: Edhe këta maten si turistë? Çfarë turisti është Qenani aman, Loku, Bimi, Meti e të tjerë? Çfarë turisti është Zefi? Ata rrinë gjithë ditën te kafja e lagjes me mua, çmallemi duke bërë muhabet, kanë ardhur të shohin “pleqtë” dhe “plakat” e tyre dhe do të ikin përsëri andej rrugëve të Londrës, Munihut, Parisit e më larg akoma. Këta janë turistë në vendin e tyre! Por, instrumenti matës në kufi, nëse është ai që përdoret, i mat edhe ata si turistë sikur të ishte ta zëmë Meti vetë një princ saudit që ka ardhur me jahtin e tij aty përballë Butrintit.
Ka edhe më.
Nga ballkoni i apartamentit që kam zënë diku në bregdet, shoh ballkonet e apartamenteve fqinje përballë banuar nga qiramarrës shqiptarë trojesh. Edhe ata e shohin ballkonin tim. Edhe ata quhen turistë sigurisht. Ata më shohin mua çfarë ha, edhe unë i shoh ata sepse jeta në verë në plazh bëhet në ballkon, në sytë e botës. Na ka ngelur ky zakon që nga koha e çadrave në plazh në kohën e qepës. Ata gatuajnë në shtëpi. Sigurisht. Duhet të jenë të mira gjellët që bëjnë gratë e tyre. Burrat e heshtur tymosin duhan. Fëmijët ose te celulari, ose luajnë me çfarë të gjejnë. Një pjesë e jona jemi popullsi që kursejmë, plazh qoftë ose dimër. Por, edhe këta turistë që konsumojnë shumë pak, ose edhe ta zëmë vlonjatët që shkojnë në Dhërmi me bukë me vete, futur në bagazhet e veturave të tyre, numërohen si turistët e resorteve luksoze. Edhe këtë ndarje nuk di ta bëjë instrumenti i matjes së hyrje-daljeve nga kufiri.
Pra, nëse shërbimet tona turistike ose statistike na tregojnë përralla, folk, si sociologët që nuk kanë baza të dhënash, për numrin e turistëve (nisur nga hyrje-daljet) në kufi, atëherë nuk kemi gjë në vijë.
Nuk thashë se gënjejnë, por e kanë kandarin e prishur. Si thuhej dikur : u janë prishur koqet e kandarit!
* * *
Kemi pak apo shumë turistë?
Ndërkohë llokoçitemi me shifrën që kemi pasur një fluks prej 4 ose 5 milionësh turistë këtë verë.
Dakord, por cili është kuptimi i kësaj shifre? Drejtues të dikasterit që merret me këtë punë na e paraqesin si sukses. Sigurisht, një anë suksesi ka! Imagjinoni sikur asnjë turist të mos shkeli territorin shqiptar se çfarë kiameti do të ishte. Por, megjithatë, çështja do të duhej të shihej më thellë e me profesionalizëm. Sepse të marrësh statistikat nga Policia e kufirit, kjo nuk vlen fare për të matur me logjikë të fortë menaxheriale fluksin tonë turistik.
Kjo lidhet më së pari me pyetjen thelbësore : 4 ose 5 milionë në vit turistë, janë shumë apo janë pak për mundësitë e infrastrukturës turistike shqiptare?
Sepse dëgjojmë nëpunësit tanë që na thonë se planin e kemi që në të ardhmen të kemi 10 milionë turistë!!!
Shumë mirë! Por, kuptojeni që po bëni si i thonë, sasi! Në strategjitë menaxheriale thjesht sasia nuk mjafton, madje rendja pas sasisë, përtej llogarive që duhen parë me gjakftohtësi dhe jashtë dëshirës për propagandë, mund të sjellë dëme të pallogaritshme. Supozojmë për shembull, se në Shqipëri vijnë 20 milionë turistë në verë!!! Kjo do t’i jepte fund gjithçkaje! Pra, përpara se të flitet për shifra si dëshirë, duhet parë se sa janë kapacitet reale të vendit për të pritur turistë. Thirrjet pas berihajt për sasi nuk janë veçse dëshira me lugë të zbrazur.
E vërteta është, po qe se flasim drejt e pa dorashka, që po të ishte puna për katër a pesë milionë turistë në vit, ne nuk do të kishim fare nevojë për nëpunës publikë që të merreshin me turizmin. Do të mjaftonte në fakt, atëherë po, vetëm Policia Kufitare dhe Policia e Rendit për të siguruar jetën e turistëve. Ka miliona turistë në Europë që vetëm kaq duan.
E çfarë janë 4 ose 5 milionë turistë në verë?
Ja të bëjmë një llogari të vogël:
A ka nja një milion emigrantë shqiptarë të ikur vitet e fundit? Po marrim një shifër krejt minimale. Sikur vetëm gjysma e tyre të kalojnë ca ditë pushime vere në Shqipëri bashkë me familjen, ja u bënë 1 milion e gjysmë turistë. Burrë, grua, fëmijë. Afërsisht.
Sikur edhe nja gjysmë milioni shqiptarë nga trojet të vijnë me nga dy a tre fëmijë vetëm, ja tek u bënë dhe nja dy milionë të tjerë.
jerë. A ka Europa nja 700 a 800 milionë banorë. As 10 për qind, as 1 për qind, por vetëm 0,1 për qind e tyre të kalojnë ca ditë në Shqipëri si turistë, a nuk bëhen aty te 700 mijë ose edhe 1 milion turistë të huaj?
Ja ku u bënë në mënyrë natyrore, pa asnjë politikë a strategji turistike, nja 4 milionë e gjysmë turistë në kohë vere! Apo jo? Pa pasur nevojë fare për dikaster turizmi! Pra, nuk është problemi fare te sasia. Kot e rrahin atë gozhdë me çekiç në media.
***
Matja e fluksit turistik kërkon teknicitet dhe jo propagandë.
Lidhur me matjen e fluksit turistik duhet të adoptohen instrumente matëse, njësi matëse, si edhe parametra çelës matjeje, që të jenë shkencorë dhe jo sipas estradës së dikurshme, ku disa kamionë duheshin pjesëtuar me disa batalione dhe dilte një numër jo i plotë!!!
Në radhë të parë, duhet ndarë mirë koncepti statistikor i turistit unik dhe turistit përsëritës. Ai unik vjen një herë përgjatë verës, kurse turisti përsëritës vjen disa herë (pra, më shumë se një herë) për atë periudhë kohe. Madje, mund të matet nëse gjatë viteve të fundit (ta zëmë në dhjetë vitet e fundit) një turist ka ardhur vetëm një herë apo është kthyer disa herë. Dallimi midis turistit unik dhe turistit frekuent është thelbësor në matjen, vlerësimin dhe raportimin e fluksit turistik. Përndryshe, nëpunësi i ngarkuar me këtë çështje gabon dhe mashtron qeverinë, opinionin publik dhe operatorët që veprojnë në fushën e turizmit.
Pastaj duhet segmentuar fluksi turistik që çdo marketues që punon me metoda bashkëkohore e di se është një procedurë, e cila nuk mund të anashkalohet. Pra, duhet parë sa turistë janë të lindur në Shqipëri, sa janë nga trojet, sa janë të huaj në kuptimin absolut të fjalës. Pastaj, edhe me kritere socio-demografike që lidhen me moshat, seksin etj.
Nuk është ndonjë procedurë e vështirë për t’u bërë, por kërkon integrimin e bazave të të dhënave statistikore të Policisë së Kufirit me parametrat statistikorë që u duhen shërbimeve të turizmit, sigurisht duke ruajtur të drejtat e qytetarëve për privatësinë e të dhënave individuale.
Sigurisht, kjo kërkon edhe një marrëdhënie shumë profesionale midis asaj që quhet front-office dhe back-office në trajtimin e bazave të të dhënave sepse përndryshe radhët e turistëve që hyjnë në kufi do të bëheshin shumë të gjata.
dinë operatorët turistikë se sa turistë të moshave të reja hyjnë e sa të brezit të tretë, sa burra e sa gra, sa fëmijë e sa prindër, sa persona të vetmuar dhe sa familjarë, sa vijnë me grupe dhe sa vijnë individualisht etj.
Pra, ne hyjmë në problematikat jo vetëm të matjes sasiore të trafikut, por edhe në analizën e cilësisë së vizitës turistike. Erdhi turisti, po sa ditë ndenji? Ka shumë rëndësi kjo. A është rikthyer përsëri apo erdhi njëherë dhe iku nga sytë këmbët si Nastradini në Qafë-Shtamë, ku u betua se nuk do të kthehej më kurrë ngaqë vendësit ia punuan shumë keq. Vizitoi vetëm bregun e detit apo ishte një vizitë shumëpërmasore, duke frekuentuar edhe vendet turistike etj.? Sigurisht, kjo nuk bëhet nga të dhënat e kufirit. Kjo kërkon baza të dhënash që vijnë edhe nga anketat sociologjike. Por, ne sociologjinë e kemi ideologjike, jo matematikore e sasiore, kuantitativiste. Çfarë do t’i kushtonte vendit nëse një ekip prej njëqind sociologësh të drejtuar mirë do të ndiqnin pas këmba-këmbës fluksin turistik në vend për të krijuar bazën e të dhënave që duhen? Asgjë ose pothuajse një thërrime financim. Por, shumë vullnet administrativ. Edhe më shumë talent intelektual.
Të dhënat duhet të jenë të kryqëzuara sepse operatorët, si të gjithë shitësit modernë sot, në bazat e tyre të të dhënave duhet të kenë formularë të plotësueshëm në dhjetë minuta nga frekuentuesit e hoteleve, që kudo janë mësuar me të tilla procedura. Mbi të gjitha, duhet matur shkalla e plotësimit të pritshmërive për çdo turist në vend. Edhe për këtë ka kritere statistikore që nuk ka nevojë t’i shpikim. Po ashtu edhe matja e ROI për çdo turist të ardhur as nuk duket gjëkundi. Me një fjalë, çfarë fitimi ka mesatarisht ose individualisht çdo operator turistik për kokë turisti të ardhur në Shqipëri?
Sepse duhet matur mirë sa turistë blejnë ushqime në njësitë tregtare dhe gatuajnë vetë dhe sa ushqehen në restorante. Sa vijnë e rrinë në shtëpitë e prindërve dhe sa shkojnë në hotele.
Sa marrin dhoma me qira e sa frekuentojnë hotelet. Përndryshe, statistika vlen vetëm për propagandë dhe mbi numrin e marrë nga Policia Kufitare fshihet pikërisht pazotësia, dembelizmi, moskokëçarja e nëpunësve të dikasterit që merren me turizmin. Pa aplikimin e potencialit të teknologjive të informacionit, pa kryqëzimin e metodave sociologjike për mbledhjen e informacionit, pa krahasimin disavjeçar të bazave të dhënave si edhe pa u futur në logjikën e big-datave, as mos shpresojmë që matja e fluksit turistik do të bëhet ndryshe nga sa është bërë si në kohën e koncertit në vitin 1936.
***
Matja e fluksit turistik sipas hyrjes–daljes të njerëzve në kufi ka pak ose aspak vlera për menaxhimin e biznesit turistik. Janë të tjera metoda ato, që matjen teknike e realizojnë si të tillë dhe jo si fushatë thjesht propagandistike ose si mjet për të fshehur paaftësinë e njerëzve që merren me turizmin. Përkundrazi, duhet matur ndryshe nëse dëshirojmë që kjo matje të jetë pjesë e një menaxhimi bashkëkohor të sektorit turistik. Ka vend të shihen edhe të dhënat e sektorëve të tjerë jashtëturistikë, por që influencohen nga ardhja e turistëve. Konsumi i impulseve telefonike, rritja e shitjeve të karburanteve, harxhimi i energjisë elektrike etj. Përndryshe nuk ka kuptim.
Matja në fjalë vetëm atëherë bëhet për: Të targetuar klientët e mundshëm si prospekte, duke i ekspozuar ata me reklamë dhe aktivitet promocional.
Të ndihmuar investimet e operatorëve në këtë sektor.
Matur GDP që krijohet në sektor dhe ripërcaktuar politikat publike në këtë fushë.
Përndryshe, hajde vazhdojmë si qëmoti!
Dhe miku im Meti do të matet si turist, si një princ ajatollah që vjen me jaht në Butrint, ndonëse Meti ka ardhur thjesht për t’u çmallur me “plakën” e vet dhe për të bërë pak gallatë me mua te kafja e lagjes.
Komentet