Si ndriçon ti shkëlqimtare! E qetë
Unë dergjem në strehën e dritës sate;
ndërkohë që qielli e toka murmurojnë:
“Rizgjohu nesër, ëndërro sonte gjithë natën.”
Po, eja, Fantazi, dashuria ime e magjepsur!
Lulen e puthjes sate në ballin tim ta çelësh;
përkulu mbi shtratin time vetmor
paqesjellëse je dhe gëzimsjellëse.
Bota largohet; lamtumirë, botë terri!
Botë nate, rri fshehur deri në agim;
zemra ime, të cilën ti nuk mund ta nënshtrosh të tërën,
duhet të rezistojë, nëse ti prapë vonon të vish!
Dashurinë që kishim veç për vete do ta ruaj;
Për urrejtjen tënde do të kem vetëm një buzëqeshje;
ndëshkimet e tua më plagosin- më brejnë paudhësitë e tua,
por pafytyrësitë e tua, jo, nuk mund të më gënjejnë!
Kundroj papushim dritën e yjeve
Të lartë mbi mua, në atë det të nemitur,
do të doja të shpresoja që çdo dhimbje
shpikur nga krijuesi, në ty të ndryhej!
E tillë do të jetë ëndërra ime sonte;
do të ëndërroj që qielli i sferave të madhërueshme
të vazhdojë gjatë rrugën e tij të dritës
në një gëzim pakufi, në rrugën e viteve të amshueshme;
do të ëndërroj që të mos jetë një botë, atje lart,
aq larg sa syri nuk mund ta arrijë,
ku zgjuarsia të tallet me dashurinë apo
ku virtuti të nëpërkëmbët prej paudhësisë;
ku, torturuar nga goditjet e fatit,
viktima e drobitur të detyrohet të buzëqeshë;
t’ia kundërvërë durimin urrjejtjes së saj,
duke fshehur rebelimin e ashpër thellë në zemër.
Në të cilën kënaqësia i prin gjithmonë së keqes,
e më kot shpall arsye që nuk janë arsye;
dhe e vërteta të jetë e dobët e i fortë mashtrimi;
dhe ku gëzimi i hap rrugë të sigurtë dhimbjes;
dhe paqja, letragjia e vuajtjes;
shpresa, fenomen i shpirtit;
dhe jeta, mundim bosh e shkurtër;
dhe vdekja, tirane mbi tiranitë!
Komentet