Sipas një studimi të ri, të botuar në revistën PLoS One, personat që janë fizikisht aktivë në mëngjes kanë një indeks dukshëm më të ulët të masës trupore.
Hulumtuesit amerikanë e kanë kryer një studim në të cilin morën pjesë 54 persona me moshë mesatare prej 30 vjeç. Hulumtuesit morën parasysh të dhënat për aktivitetin e përgjithshëm fizik, shprehitë dietike dhe shprehitë e gjumit.
Kur i analizuan të gjithë faktorët, ata arritën në përfundimin se ata që ishin aktivë në natyrë në orët e mëngjesit kishin një indeks 20 për qind më të ulët të masës trupore.
Hulumtuesit theksojnë se nuk është aq e rëndësishme se çfarë lloji të aktiviteteve kryejmë ose intensitetin e tyre. Mjafton një ecje e lehtë prej 20-30 minutash.
Ata gjithashtu zbuluan se sa më të ekspozuar ishin pjesëmarrësit ndaj dritës së ditës, aq më i ulët ishte rreziku i trashjes, transmeton Koha.net. Përfitimet ishin të pranishme edhe gjatë ditëve me re.
“Duke ndryshuar ritualet e përditshme dhe duke e rritur aktivitetin fizik në mëngjes mund ta zvogëlojmë rrezikun nga trashja”, tha studiuesja kryesore prof. Kathy Reid.
Dihet se rrezet e diellit janë të mira për shëndetin e përgjithshëm të organizmit, duke përfshirë shëndetin psikologjik, mendor dhe fizik.
Studimet e mëparshme kanë treguar se ekspozimi ndaj diellit gjatë ditës rrit lirimin e melatoninës gjatë natës, që është përgjegjëse për gjumë të mirë dhe të papenguar.
Hulumtuesit theksojnë se rezultatet e kërkimit janë preliminare dhe se nevojitet një vlerësim nga ekspertët e jashtëm.
Komentet