Nga Uvil Zajmi
Ai nuk ka qenë thjesht një kualifikim, por pas “Partizanit” më 1961-in, më shumë në “pole position”, në Kupën e Kampioneve, tani është “Dinamo” e Tiranës. Përtej rrjetës, do të jenë italianët e “Virtusit”, një kundërshtar potent, që nga vështirësia, është gati e pamundur të matesh me ta. Kanë eksperiencë në të tilla takime, lojtarë cilësorë, trajtime, sponsorizime, kushte. Por si lindi dhe si u ndërtua formacioni më spektakolar në volejbollin shqiptar të djemve, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar? Çfarë ishte ajo 6-she që befasoi, jo vetëm realitetin kombëtar, por edhe atë jashtë kufijve të Shqipërisë komuniste?
Takimet dhe surpriza me italianët, sfidat me holandezët e “Blloker” dhe eliminimi për dy pikë nga vendimet e padrejta të arbitrave. Nga dyshja e gjigantëve; Rusi-Bonati, në një rrugëtim interesant të pa rrëfyer më parë, të cilën e rikthejnë midis fakteve, ngjarjeve, fotove të rralla, të vetë protagonistëve të atyre përballjeve: Ditari unik i Vangjel Kojës dhe një intervistë pas kaq vitesh nga Gjermania, me Ylli Shehun, kapitenin legjendar të asaj skuadre: “Në Bolonjë na bënë ‘Qytetarë Nderi’, sepse kryetari i bashkisë, ishte komunist”.
NGA PARKU SPORTIV MBRAPA KRYEMINISTRISË, ATY KU FILLOI GJITHÇKA…!
Dekada 1960-1970-të, do të kishte disa momente ndryshe në volejbollin kombëtar, kur në skenë befasishëm, do të shfaqej një skuadër e re. E nisur nga Parku Sportiv i lojërave me dorë mbrapa Kryeministrisë, aty merr udhë skuadra e Vangjel Kojës, njeriut që do të projektonte gjashtëshen më të famshme në historinë e volejbollit shqiptar të meshkujve, “Dinamon”! Me intuitën e një profesionisti, Koja trajner-lojtar, krahas emrave të njohur të klubit, B. Totozani, N. Ketri, J. Malaj, A. Mero, H. Kotoni, F. Kola, P. Shehu, Xh. Aga, P. Maçi, Q. Gjinali, B. Tafili, F. Jakova, M. Jorgoni, afron të rinj të talentuar nga Y. Shehu, Radi, Panteqi, Lulolli, Tartari, Rusi, Bonati, Lena, Terihati, Starja etj., duke nxitur rivalitetin e kohës, që në ato vite dominohej nga “Partizani” i Murzakut, Agës, etj.
Papritur në mjediset sportive, do të shfaqet në horizont një “Dinamo” e re, entuziaste, kërcënuese, ambicioze, me një shpërthim të frikshëm. Kampione më 1964, për tetë vite pa ndërprerje, ajo 6-she, do të jetë plurifituese në vend, duke shtangur edhe opinionin sportiv kontinental, deri edhe euro-finaliste. E strukturuar mirë, me stabilitet në rezultate, me lojë që bazohej te virtuoziteti, eksperienca, harmonia, bagazhi teknik i lojtarëve, të aftë të zgjidhnin çdo situatë. Me “Dinamon”, e Vagjel Kojës, të cilin koha do ta konfirmonte më shumë se një strateg, do të niste cikli i një progresi të madh, madje epokal, i volejbollit kombëtar dhe atij me klube.
ASLLAN RUSI, SHKËMBIMI I RRALLË DHE BONATI, MUNGESA E MADHE
“Mund të ketë qenë viti 1958, pas një miqësoreje me të rinjtë e Tiranës, ku binte në sy një djalë i ri me një trup të hollë, shtatlartë, që atë ditë luante zbathur. I propozova Thanas Mitrushit, trajnerit të Tiranës, të bënim një ndërrim duke i dhënë një sportist timin. Asllan Rusi quhej, fizikisht ishte i dobët, por në pak kohë ndryshoi”, kujton Koja, takimin e parë me djaloshin e ri, Asllan Rusi.
Lojtar kalibri, i papërmbajtshëm, me karakter të fortë, pasion e vullnet të hekurt. 189 cm. i gjatë, shuter kryesor, me kërcyeshmëri të lartë, godiste fuqishëm mbi bllokun, me rendimet konstant. I frikshëm edhe kur dilte në vijën e parë. Vendimtar në mjaft takime ndërkombëtare, lider i vërtetë, merrte në dorë fatin e lojës, nuk njihte kundërshtarë. Zhan Bonati, në pozicionin 3, me cilësi shumë të mira fizike, 187 cm., zbuluar nga kampionatet e shkollave, iu afrua “Dinamos” që në krijim.
Koja: “Asllani me Zhanin, ishin si dy binjakë”.
“Trupa të bukur, me vullnet të jashtëzakonshëm, por edhe shumë miq. Të sjellshëm, të edukuar, që në fillim krijuan një dyshe potente me të ardhme, jo vetëm për “Dinamon”, por edhe për volejbollin kombëtar. Me pasion të madh në stërvitje, nga shtanga, paralelet, vrapimet, bashkë do t’i gjeje deri në orët e vona në pistën e stadiumit ‘Dinamo’, siç më tregonte punëtori i stadiumit. Për një problem familjar, si ka ndodhur me mjaft sportistë të goditur padrejtësisht nga sistemi, në vitin 1966, ishte i grumbulluar për në Kinë, por nuk e lejuan të vinte. Më pas Zhani, kaloi me ekipin “Dajti”, ku luajti për disa sezone”, e mbyll Koja.
STARTON CIKLI FENOMENAL, “VIRTUS” ËSHTË “VIKTIMA” E PARË…!
Ndonëse është kampion në vitin 1964, pjesëmarrja në Kupën e Kampioneve do të vijë pas dy vjetësh, saktësisht në sezonin 1966-1967, kur paraprakisht në gusht ekipi niset për një turne miqësor në Republikën Popullore të Kinës, ku në 7 ndeshje, fiton 3 prej tyre. Për volejbollin shqiptar, pjesëmarrja në turnetë ndërkombëtarë me klube, i referohet vetëm “Partizanit” më 1961, ndërsa me kombëtare, ka disa ndër to, ajo për eliminatoret e Kampionatit Europian në Kiev të BRSS-së (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) më 1962, përfshirë edhe ato me kinezët.
Për të ardhur te “Virtus”, skuadër bolonjeze, atë vit kampione e Italisë dhe ishte hera e pare, që luhej me një klub italian, formacion perëndimor, që reflektohet kudo, në cilësi, mentalitet, forcë, rezultate, eksperiencë. Ndeshja e parë në Tiranë, në Pallatin e Sportit “Partizani”, të tejmbushur. Ka kuriozitet të dyanshëm, për të parë “Dinamon” tonë, por edhe “Virtusin”.
Për t’iu rikthyer atij takimi, veç “Sportit” të dhjetorit 1966, kemi edhe një dokument të rrallë, të jashtëzakonshëm, të cilin na e ka ofruar trajneri Vangjel Koja. Janë ditarët, ku ai ka thuajse pjesën më të madhe sportive të karrierës së tij, të cilët i ruan me shumë kujdes. “Pas titullit, “Dinamo”-ja do të luajë në Kupën e Kampioneve, në të parin përfaqësim. Pak informacion kishim, emër i madh i një shteti me volejboll në ngjitje….”, lexojmë nga ato çfarë ai ka mbajtur shënim. Një ditar që do të na shërbejë edhe për “Dinamo Euro Final ’72”.
FITORE E THELLË QË FRIKËSON ITALIANËT
“DINAMO”-“VIRTUS” 3-0 (15-10; 15-3; 15-5)
Tiranë, 2 dhjetor 1965, Pallati i Sportit “Partizani”.
“DINAMO”: Ylli Shehu, Asllan Rusi, Sharofi, Ali Bushati, Kreshnik Tartari, Panteqi. Trajner: Vangjel Koja.
“VIRTUS”: Xupiroli, Tedeski, Meskoli, Fangarexhi, Guideti, Xaneti. Trajner: O. Fedezone.
GJYQTARË: A. Kosiç (nga Jugosllavia), arbitër i Kategorisë Ndërkombëtare, Albert Saqellari (ndihmës) arbitër i Kategorisë së Parë të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe B. Fuga e N. Preka, anësorë. SPEKTATORË: 4000
Në gazetën “Sporti Popullor”, të 6 dhjetorit 1972, në faqen e parë, mbi titullin “Start i bukur i Dinamos”, shihet qartë edhe slogani: “Nën udhëheqjen e partisë, të ngremë më lart frymën revolucionare në fizkulturë dhe sport….”! Lexojmë një shkrim pasionant nga Mirush Strazimiri, shoqëruar me intervista pas takimit.
“Një interesim të madh kishte ngjallë kjo ndeshje te sportdashësit që stërmbushën ulëset e Pallatit të Sportit “Partizani” si dhe mijra të tjerë, që nuk patën mundësi të ndjekin nga afër “Dinamon”, në këtë provë të saj të parë, me përgjegjësi. Deri tashti, kombëtaret e volejbollit të Shqipërisë dhe Italisë, janë ndeshë në kampionate botnore ose evropiane 3 herë dhe të tri herët, kemi humbë në: 1955 në Bukuresht 2-3; 1958 në Pragë 0-3 dhe më 1962 në Moskë 1-3. Me skuadrën kampion të Italisë, 3 lojtarë janë efektivë të kombëtares ndërsa 3 të tjerë janë aktivizue me të.
Një natë ma parë, në stërvitje si dhe gjatë nxemjes, vumë re se skuadra kampione e Italisë, dispononte shuterë të fortë midis të cilëve Fangarexhi dhe Xupiroli, të një klasi ndërkombëtar dhe përbëhej nga lojtarë shtatgjatë, me përgatitje të mirë teknike dhe atletike. Pra, kockë e fortë për t’u brejtë, dhe të gjitha përfundimet e mundshme dukeshin. Mirëpo të gjitha këto, dinamovitët nuk deshën t’i marrin parasysh. Ata dinë se kanë përballë një kundërshtar të fortë dhe duhet mposhtë mundësisht me rezultat sa më pozitiv që të krijohet ‘rezerva’ e duhun e pikëve dhe seteve të nevojshme, për një Kupë ndërkombëtare me dy takime”.
“Fitoren e thellë e argumentoj me mobilizimin e madh, me lojë të gjallë në mbrojtje e sulm, duke evituar në maksimum gabimet. Jam i kënaqur nga të gjithë lojtarët. U binda se Dinamo do ta fitonte kur vura re se italianët, nuk përpunonin si duhet topin e parë dhe sulmi i tyre i fuqishëm, nuk do të shpërthente dot. Në Itali do ta kemi të vështirë, por unë kam besim te forcat e skuadrës”.
ANASTAS PANTEQI
“Loja ime u përqendrua në cilësinë e pasit, që shuterët tanë të gjuanin në bllokun e paorganizuar të kundërshtarëve ose bllok njësh. Në ndeshjen e kthimit ne do kualifikohemi”.
ODONI FEDERZONE, TRAJNER I “VIRTUSIT”
“Për ‘Dinamon’ pak njohje kishim, nuk prisnim që ajo të luante kaq mirë. Këtë e thanë edhe disa lojtarë, që kanë luajtur në Moskë më 1962, kundër jush. Nga skuadra juaj, më pëlqeu më shumë ai ‘i madhi’ që gjuante me të dyja duart dhe që na shënoi shumë pikë, e kam fjalën për Shehun, ndërsa ‘i vogli’ flitet për Panteqin. Ky nuk është niveli dhe forca e skuadrës sonë. Në Bolonjë, gjithçka mund të ndodhë”. Ndërsa Xuproli, duke u shtrënguar duart lojtarëve tanë, u thotë: “Ju keni fituar, ju urojmë suksese ndaj holandezëve”.
“VIRTUS” – “DINAMO” 3-0 (15-11, 15-11 DHE 15-6) NË ITALI, KUALIFIKIM HISTORIK!
Ndeshja e kthimit, u zhvillua me 10 dhjetor. Skuadra përbëhej nga; Ylli Shehu, Asllan Rusi, Kreshnik Tartari, Panteqi, Enis Terihati, Ilir Lena e Lulolli dhe si përforcim, merren shkodranët Ali Bushati e Jubani, vlonjati Driza, Pelivani e Sharofi nga “17 Nëntori”, ndërsa përgjegjës ekipi, është Vaskë Afezolli, shefi i Klubit Sportiv “Dinamo”. Ali Lulolli kujton: “Duke qenë se udhëtimi do të bëhej ditën e martë, me linjën ajrore ‘Alitalia’, për shkak të kohës së keqe, njoftohet se avioni do të vinte të enjten.
Kështu u vendos që nisja, të bëhej me ‘Skënderbeun’, një anije mallrash, Durrës-Ravena. Rreth 30 orë, duke fjetur në dhomat e krevatet e liruara nga marinarët, një udhëtim i gjatë, lodhës. Pastaj me autobus ‘Fiat’, 20-vendësh, në mesditë skuadra sistemohet në një hotel në qendër të Bolonjës. Të sfilitur, nuk ka stërvitje njohëse, darka në një restorant dhe një vizitë te salla, ku do të luhet.
Të nesërmen në mbrëmje ndeshja. Gazeta “Sporti Popullor” në një njoftim të shkurtër, informon: “Të dielën në mbrëmje, natën vonë, u zhvillua në Bolonjë (Itali), ndeshja e kthimit midis kampiones së Italisë “Virtus”, dhe kampiones sonë “Dinamo”, e vlefshme për turin e parë të Kupës së Kampioneve në volejboll. Sipas të dhënave që ka redaksia jonë, ndeshja përfundoi 3-0 në favor të skuadrës vendëse, 15-11, 15-11 dhe 15-6. Pavarësisht nga humbja, “Dinamo”, u kualifikua për në turin e ardhshëm të Kupës, për arsye të pikavarazhit më të mirë”.
Me diferencë pikësh 45-18/45-28, (83-73 në total), “Dinamo”, regjistron befasinë e parë të madhe, në atë kualifikim historik. “Problem ishte shtatlartësia, pasi me lartësi trupore 1.60 m. si Panteqi e Tartari, që ishin lojtarë të rëndësishëm formacioni, e që luanin njëkohësisht, arrinim t’i krijonim vështirësi kundërshtarit”, tregon Xhel Koja. Në Bolonjë, “Dinamo”-ja luan me: Shehu, Rusi, Panteqi, Tartari, Bushati dhe Sharofi.
HAGA, PADREJTËSIA E MADHE, NË EMËR TË NJË VËRSHËLLIME
Kundërshtari i ardhshëm, do të jetë “Blloker”, i Hagës, kampionia e Holandës. Sfida e parë e luajtur më 7 janar të 1967-ës në Tiranë, i ka shokuar: 3-0, për skuadrën e Kojës (15-10; 15-11; 15-9), një fitore që do të nxisë entuziazmin. Por në “L’Aja” (Den Haag), shifrat do të përmbysen në 0-3 për vendësit (15-10; 15-13; 15-5) dhe për vetëm për dy pikë (45- 30/ 45-28), ata sigurojnë kualifikimin.
Ka pretendime nga stafi i skuadrës shqiptare, për vendimet e njëanshme të arbitrave, që të informuar për diferencën e vogël të pikëve, kanë qenë deçizivë në përcaktimin e rezultatit, duke i ndihmuar vendësit, sidomos në pikët e fundit të setit të dytë. Shtypi i huaj i kohës, do të përcaktonte: “Arbitri gjermano-perëndimor, u ka mohuar shqiptarëve, pikën e 14-të në setin e dytë, pas së cilës ata do të realizonin edhe të 15-ën, por ai set, u mbyll 15-13 për vendësit”.
Ndonëse “Dinamo”-ja eliminohet, sidoqoftë përfaqësimi është më shumë se dinjitoz. Kampione absolute e padiskutueshme e pa rivalë në Shqipëri, në edicionin pasardhës, 1967-1968, po në Kupën e Kampioneve, shorti do ta përplasë me “Partizani”-n e Beogradit, që ka në përbërje lojtarë shtatlartë, forcë fizike dhe ambicie. Në Tiranë, dhjetor 1967, 3-2, për gjashtëshen e Kojës, ndërsa kthimi nuk ka histori, 3-0 për jugosllavët, që kalojnë turin. Për të ardhur te sezoni 1968-1969, me “Dinamo”-“Muhafiz – Guxu” (Stamboll), por 3-0 aforfe dhe me 9 shkurt ’69, “Dinamo” – “CSKA” (Sofje) 1-3 në Tiranë dhe 0-3 në Bullgari.
Sezoni 1969-1970, do të nisë me “Dinamo’ – “Akademik” (Sofje), por, për mosparaqitje të kundërshtarit, sërish aforfe dhe në raundin e dytë, janë holandezët e “Delta-Loid”, që dominojnë 6-1 me sete (3-0/1-3) pas dy takimeve. Vijmë në fund-vitin 1970, për të parë një “Euro-Dinamo” të pandalshme. Fillimisht me dy kualifikime radhazi: Në Athinë, nëntor, “Panathinaikos” – “Dinamo”, 2-3 (15-7; 8- 15; 11-15; 16-14; 13-15) dhe fitore 3- 0 me pikët e para (15-12; 15-3; 15-6) në “Partizani”.
Në dhjetor, në Zagreb, “Mlladost” – “Dinamo” 3-1 (15-8; 4-15; 15- 10; 15-11) dhe me një set, shpresë pas një jave luhet në Tiranë, por as ai nuk do të nevojitet dhe 3-0 (15-5; 15-11; 15-10) për “Dinamon”. Por këtu do të mbyllet aventura dinamase, sepse në janar të ’71-it, përballë është Zetor: 3-0 në “Bërno” dhe 1-3 në Shqipëri. Por, 1972-shi, do të vijë shpejt dhe volejbolli kontinental, do të tronditet kur një “Dinamo” e jashtëzakonshme, do të shfaqet në “Final Four” të Brukselit. /Memorie.al/