Mëngjesi ka çelur. Nga ana e gjolit vjen një aromë e mirë barishtesh të tretura në ujëra të ëmbla. Në Pogradec, të nisesh nga Tushemishti, ekzaktësisht nga hotel “Pogradeci 2”, një hotel që futur në kontekstin e vet gjeografik do ta kishin zili me qindra qytete europiane, për të vajtur deri te ngrehina “Kapri” në qendër të qytetit, është një shëtitje mrekullie. Një pasqyrë uji gjigante në anën tënde të djathtë, kurse majtas fusha me të mbjella; atje jeshilja duket sikur shpërthen. Thith ajrin e pastër, përthith me sy e lëkurë diellin që të bën bronz, por nuk të djeg aspak, kënaqesh me atë peizazh gjysmë liqenor, gjysmë rural. Kthen kokën djathtas, je në liqen, e kthen majtas, je në një fushë plot gjelbërim. Gjithçka të duket si një parajsë e paqtë, e qartë, plot ndriçim, që nuk do kurrsesi ta braktisësh. Në mënyrë kokëforte dëshiron ta zmbrapsësh një mendim që të vjen nga poshtë e nga thellë vetes dhe të thotë cinikisht në vesh: “Sa të mjerë janë ata që nuk kanë arritur ta shijojnë një mëngjes si ky, krejt pogradecar, kur e gjithë sipërfaqja e liqenit kthehet në ar e flori!”.
Ik, mendim egoist!
Ka pak njerëz, megjithatë, që shëtisin mëngjeseve në pjesën nga restoranti gërmadhë “Dashnorja e fundit” deri te lulishtja “1 Maji”. Rruga buzë liqenit pothuajse është bosh. Disa gra ecin duke bërë muhabet vëndshe me njëra-tjetrën. Diçka tregojnë për vjehrrat e tyre. Burrat, më të vetmuar, ecin si me hap ushtarak. Heq bluzën dhe e lë diellin të më përfshijë trupin. Ndonjë veturë e rrallë kalon në drejtimin Pogradec– Tushemisht sepse në anën tjetër është ndalimkalimi. Dy grupe të rinjsh, ndarë në dy vetura, bëjnë garë me njeri-tjetrin krejt sikur të ishin të çmendur. Hidhem në hendek për t’u mbrojtur. Eh, rini, thuaj!
Përpara meje, burrat që shëtisin me hap të vendosur dhe me ritëm herë pas here zhduken sikur i përpijnë gropat e xhadesë plot me bëlldunga. Pas një copë here që ecja fjetur me sy hapur, konstatova që nuk po i shihja dot më kurrizet që pak më parë i kisha pasur disa hapa përpara meje. Vendos të jem i vëmendshëm këtej e tutje për ta zgjidhur enigmën.
Kush i përpin këta njerëz? Ndjek kurrizin e një mesoburri dhe nuk ia ndaj sytë asnjë çast prej tij. Fillimgushti është, por ai ka veshur një xhaketë, ndonëse gjithë rrudha. Pas nja pesëqind metrash ndalet dhe nis të hyjë në arën e mbjellë majtas nesh. Ecën si somnambul në atë orë mëngjesi, çan përpara gjithë nxitim në mes domatesh. Fillimisht pyes veten: Ku shkon ky? Pastaj diçka kuptoj. Pres veprimin e tij, që do të vërtetonte hamendjen time. Ai çon dorën në “dyqanin” e pantallonave dhe zbërthen me të shpejtë kopsat e tij. Njërën këmbë nuk e di se përse e tund si me padurim. Pastaj, një ujëvarë lëngu del nga trupi i tij, aty sipër mes-shalëve dhe e shoh që pasi shkëlqen disa çaste në diell lëshohet drejt tokës! Me shëndet!
Nuk ka wc në këtë rrugë plazhi! Në të vërtetë është një rrugë që le shumë për të dëshiruar. Ibret! Mund të jetë një nga segmentet rrugore më panoramiket në Shqipëri. Jam i bindur se mund të krahasohet me ato më me famë në Europë. Kurse, po qe se investohet atje, me siguri do të ishte një mrekulli turistike. Por, këtu, bukuroshen, rrugën, e trajtojnë sikurse bënte me Hirushen, njerka e saj. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i përzënë turistët nga një zonë sesa braktisja e mjedisit, sidomos turistët më histerikë, që jo rastësisht janë edhe ata që kanë më shumë parà për të harxhuar.
Anash rrugës kanë mbetur të gremisur pjerrtas bunkerë ushtarakë të kohës të Luftës së Ftohtë. Pritej sulm nga Maqedonia. Ndofta, pse jo? Nuk di ta them. Por, këta bunkerë këtu tanimë nuk kanë më asnjë funksion sepse kanë dalë jashtë përdorimit. Vetëm të kallin datën dhe të sjellin neveri e panik përballë këtij liqeni, që me valët e veta të qeta përshëndet gjithkënd me miqësi si valëvitje duarsh plot me shamiçka të argjendta, dallgët.
Anash rrugës, hendeqet me barishte të rralluara si qime qensh me zgjebe! Vende-vende të rrjepura. Buzët e rrugës të bëra si gëzhdalla të ngrëna nga ujq që presin të kafshojnë natën qengjat e braktisur nga bariu dhe qeni i vet. Kur ecën me këmbë, nuk i ndien shumë gropat e rrugës. Por, udhëtimi me veturë është tepër i vështirë atje. Vetura valëzon sikurse të ishte një motobarkë në një liqen të zemëruar në dimër. Dallgëzon rruga. Veturat përballë teje më tutje rrezikojnë të përplasen me tënden sepse duke evituar gropat, kalojnë në anën e kundërt sikur duan të grinden me ty. Natën, gjendja është fare katastrofike.
Hirushja ima, rruga buzë liqenit, si të kanë lënë ashtu që nga Tushemishti deri te lulishte “1 Maji”?!
Ti që je si një vajzë jetime mes motrash prej gjasme, të përdala, që kërkojnë burrë me pagesë e që i quajnë autostrada? Ti, miqësorja, e buta, e mira, e arta! E kanë lënë anash me plehra, shishe plastike, qese, mbeturina ushqimesh. Si është e mundur që nuk sheh askënd të pastrojë e të mirëmbajë këtë pjesë të qytetit? Pa dyshim, një nga rrugët më panoramike të kontinentit. Nuk e lë njerka ta shohë princi i kaltër! Kërkoj në media ndonjë reklamë turistike për Pogradecin. Asnjë për be, ndërkohë që ka televizione që janë non stop duke transmetuar lloj-lloj vanitetesh nga jugu i vendit, një tjetër perlë turistike jona, por jo më e vlefshme sesa Pogradeci, Hirushja e përbuzur.
Shoh ministrin e Turizmit, që, me pantallona të shkurtra, jep intervistë në një televizion kombëtar nga një fshat turistik andej nga jugu, Jala, a Vunoi, a ku e di unë se çfarë zgëqi tjetër. “Zoti ministër, je duke bërë reklamë të padrejtë, favorizuese për disa operatorë dhe denigruese për të tjerët! Po të kishte një institucion si duhet për monitorimin e mediave, do të kishit marrë një gjobë për reklamë të fshehur! Nuk ka nevojë të jesh specialist i komunikimit masiv për ta kuptuar atë. Ju jeni, sipas meje, një njeri i mirë, pranojeni gabimin dhe mos e përsërisni më se do t’ju hedhin në gjyq për favorizim! Aq më shumë me pantallona të shkurtra.
Pantallonat tuaja bërtasin: ‘Unë, ministri, i kaloj në Jug pushimet!’ Po, po, edhe pantallonat tuaja flasin më sinqerisht sesa ju!” Qen të shtrirë e të pisët në rrugët e Pogradecit. Ndriçon me shkëlqimin e vet vetëm një rrugë, nga lulishte “1 Maji” e deri te hotel “Turizmi i vjetër”, aty te kryqëzimi ku duhet të jesh shumë i sjellshëm në atë kaos veturash që krijohet për të mos u fërkuar me vetura të tjera. Rrumpallë qarkullimi i veturave në qytet. Më me rregull lëvizin larvat e peshqve në bregun e cekët të liqenit. A mund të mbahet një qytet turistik me një segment të vetëm rrugor jo më shumë se 500 metra?
Është e vërtetë se po shkon drejt përfundimit rruga paralele që fillon në hyrje të qytetit dhe ngrihet një kuotë më lart sesa rruga hyrëse ekzistuese. Shumë e mirë duket. E çliron disi qarkullimin e veturave në atë segmentin qendrorm që është jo më shumë se 500 metra buzë gjolit. Te sheshi ku mbaron rruga “Rinia”, e cila ngrihet perpendikularisht nga liqeni drejt kodrave jugore të qytetit, po përfundon riparimi i një rruge. Më parë, ajo rrugë ishte si në një qytet të bombarduar nga marsianët në filmat aksion. E bëja dikur zhgrap-zhgrap me veturë për të shkuar te fizioterapistja, besoj nga më të aftat që kam njohur në Europë, Nexhi, që qyteti nuk diti ta mbante!
Iku në Amerikë. Po lëre, hesap tjetër ky! Nuk e di qyteti se çfarë ka humbur me ikjen në emigrim të Nexhit dhe të familjes të saj. Ne edhe qengjat i eksportojmë dhe marrim si shkëmbim lopë të plakura që duhet t’i ziesh mirë e mirë përpara se t’i pjekësh! E mira na ikën, e keqja na vjen! Rrugët e tjera, veç asaj në qendër, buzë gjolit, 500 metra e shumta, janë për ibret.
Dhera, gurë, xhade të rrënuara nga koha. Të ardhurit nga Tirana preferojnë të blejnë apartamente të bukura me fytyrë nga liqeni. Dhe bëjnë shumë mirë. Në një apartament në ato ndërtesa të bukura e solide të brezit të parë të rrugës ke qejf të banosh. Nga dritaret dhe ballkonet, syri ikën larg e zhytet në liqen, tutje andej nga Struga e më tej nga Ohri. Një ekran i vërtetë pamjesh ku malet i shërbejnë si kurorë liqenit. Qytet mbret! Të ardhurit që banojnë gjatë verës sikur i kanë kthyer kurrizin pjesës tjetër të qytetit. Duket se mjaftohen me lulishtet e gjera që kanë përpara syve, liqenin, kafenetë e shumta buzë trotuareve dhe kaq.
Nuk e dinë se çfarë humbasin kur dihet si është gjendja e qytetit pas kurrizit të tyre. Fasada pallatesh të shëmtuara dhe të dala boje, njësi tregtimi që nuk mund t’i shohësh veçse në qytete orientale periferike të dorës të fundit. E gjithë bukuria mahnitëse e natyrës fshihet sapo kthehesh me fytyrë nga qyteti. Tërësisht i braktisur. Ku ka turist të huaj që vjen në këto kushte?
Kur përballë ka Strugën, Ohrin, Shën Naumin! I njëjti liqen, përse duhet të vijë turisti në një qytet që të jep fajësi e brejtje ndërgjegjeje? Ti pushon sikur të kishe qenë Josip Brozi dhe pas kurrizit tënd, një popullsi e tërë jeton në kushte urbane nënnjerëzore! Më kujtohet një studim i Engelsit, “Gjendja e klasës punëtore në Angli”, kur autori i ri, thuajse as te 25 vjetët, ende nuk ishte ideologjizuar. Bir fabrikanti, atje ai shpjegon imtësisht sesi urbanizimi dhe higjienizimi i qyteteve u interesonte më shumë të pasurve dhe të fuqishmëve sesa popullsive të varfra.
Të pasurit dëshironin higjienizimin dhe zbukurimin e qyteteve sepse pasojat e varfërisë, papastërtive, i paguanin ata njësoj ose edhe më tepër sesa të varfrit. Edhe në rrugën e privilegjuar të qytetit, ato 500 metrat e shkreta ku është investuar gjithçka, dikush ka shpikur depo grumbullimi plehrash që është nëntokësore, poshtë trotuarit ku shëtisin pushuesit. Një aromë e ndyrë plehrash të kalbëzuara vjen që andej. Uron të kesh një kundërgaz për të shëtitur. Vërtet, përse nuk shpërndan bashkia kundërgaze së paku! Mund të përdoren edhe për zhytje në liqen.
Dikur, pogradecarët lëshonin për dy muaj vere me qira dhoma dhe banesa të tyre. Por, sot kjo duket si e pamundur me gjendjen e qytetit pas rrugës kryesore buzë liqenit. Kush pranon të shkojë në qytetin e mrekullive natyrore dhe njerëzore dhe të banojë në apartamente që ndodhen në banesa pallatesh, që nga pamja dhe cilësia i gjen vetëm në periferitë e varfra të qyteteve të Amerikës Latine, ca si biçim favellash, dhe të shijojë bukuritë natyrore të qytetit në këto kushte?! Imagjinoni një çast, nëse banorët do të hapnin dyert e banesave të tyre për t’i marrë ato masivisht me qira turistët? Sa të ardhura do të gjeneroheshin! Shërbim urban publik me autobusë nuk të zë syri. As stacione autobusësh urbanë.
Nga hyrja e qytetit deri te dogana në lindje të tij nuk qarkullojnë veçse disa mikrobusë privatë që drejtohen nga shoferë të mirësjellë, ata ndalojnë në mes të rrugës kur ua bën me dorë për të qëndruar çdo kalimtar! Të ardhurit thonë se qyteti është prishur ngaqë pogradecarët e vjetër kanë ikur në Amerikë. Janë bërë amerikanë, duke marrë nënshtetësinë e gjyshërve të tyre të emigruar atje një shekull më parë. Kanë qenë punëtorë pogradecarët! Edhe janë. Më kujtohen në vitet ’60, kishin kulturë perëndimore në jetën e tyre të përditshme. Tani thuhet nën zë se kanë ikur pogradecarët dhe kanë zbritur mokrarët! Dakord, si kudo!
Qendrat urbane janë populluar me flukse demografie rurale dhe kjo ka sjellë sigurisht edhe një lloj ruralizmi të qyteteve tona. E pastaj! Pse nuk ndodhi kështu në pasluftën e dytë botërore? Mos u ankoni ju që shumica po t’ju gërvishtin pak, jo fort por nja tre breza, do të dilni me rrënjë fshatare të ngulur thellë në këto troje. Qyteti e edukon atë që vjen atje. Ky ka qenë historikisht roli i qyteteve në histori. Është e vërtetë se shumica e kësaj popullsie nuk njeh me rrënjë zanate urbane.
Dikur, dikush ka qenë minator, dikush bari, dikush bujk, dikush druvar. Aktualisht jetojmë në një epokë transformimesh të shpejta në botën e zanateve. Të kapesh pas zanateve të vjetra, nuk vlen edhe aq. Këto popullsi të ardhura rishtazi në qytete duhen ndihmuar për t’u integruar sa më shpejt, sepse janë popullsi shumë punëtore, me vullnet të hekurt, me tradita, me vlera morale. “Çfarë bëjnë kaq shumë burra nëpër kafene?”, – më pyet një grua e huaj. Përgjigjem si mundem. Mund të bëhen peshkatarë! Po ku ka më në qytet peshkatarë? Mund të bëhen zdrukthëtarë! Po ku ka vajtur industria e famshme e prodhimit të objekteve dhe e mobileve të drurit e Pogradecit?
Si është e mundur që një numër tepër i rritur familjesh, të cilat duhet të përfitojnë ndihmë ekonomike, e marrin paranë e pakët pa punuar, ndërkohë qyteti që ka nevojë për t’u pastruar, ndërkohë qëndron i papastër? Unë nuk di se çfarë projektesh ka për të kryer transformimin profesional të popullsive rurale që kanë ardhur në qytet. Në qytetin e tyre, ku më parë nuk lejoheshin të vinin për të jetuar e punuar, dhe ku sundonte një formë getoizimi. Por, kjo gjendje është një krizë që duhet zgjidhur.
Qyteti ka nevojë për punë që prodhon të ardhura dhe nga ana tjetër popullsi që nuk integrohet në tregun e punës. Pogradecarët e mirë duhet ta zgjidhin këtë kontradiktë nëse dëshirojnë ta lulëzojnë qytetin e tyre, këtë margaritar ndër vatrat e kulturës urbane shqiptare, këtë pikë rivaliteti turistik mes nesh dhe maqedonasve, grekëve, bullgarëve, këtë zonë turistike që mund të krahasohet vetëm me perlat e turizmit shqiptar. Dikur, Pogradeci nuk ka qenë thjesht qytet. Por ka qenë kulturë civilizimi urban. Duket se ai u zbukurua sepse atje vinte për pushime kreu i diktaturës. Në fakt, qyteti pastrohej kur vinte ai. Pemët afër vilave qeveritare, lotuset, mbaheshin mirë, bëhej kujdes për lulet, por qyteti e pagoi shumëfish dashurinë e shtënë në të. Qytetërimi pogradecar pësoi një goditje të rëndë në infrastrukturën e tij, në habitatin e tij. Si?
(Vazhdon)
Komentet