Unë e kam falur “avokatin” tim, Mërkurin, madje edhe kryetaren e trupit gjykues, M. Progonatin, që ishte më e zellshme se hetuesja ime, por kurrë Valentina Shehu, që përpiloi me hollësi dosjen time penale me nenin 55 të Kodit Penal.
Unë ende sot e kësaj dite nuk e kuptoj se si u futa në një sistem juridik që nuk më takonte mua ligjërisht.
Shkak u bë një incident i papritur fëminor, dhe që u teprua nga sistemi i atëhershëm i drejtësisë.
Një top futbolli i goditur në mënyrë të pasaktë nga shoku im i fëmijërisë, Ilir Kakaçi, shkërmoqi bustin allçi të diktatorit, sepse unë si portier nuk reagova shpejt për ta devijuar sferën e rrumbullakët që ishte nisur në trajektoren e gabuar. Fatkeqësisht atë ditë humba fëmijërinë dhe ëndrrat e mia.
Dikush duhet të mbante përgjegjësi.
U godita unë dhe miku im.
U bë një gjyq i madh më 17 maj 1989, në katin e tretë të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë.
Hetuesja ime ishte Valentina, denoncimin e bëri institucioni, ndërsa dëshmitarët ndaj meje dhe atij (Kakaçi) ishin edukatorët tanë. Tmerr!
Biografia ime familjare ishte e deklasuar, ndërsa biografia e shokut tim ishte akoma më e rëndë, që gjë ia bëri të lehtë punën hetueses praktikante para trupit gjykues.
Miku im dhe unë u dënuam me vendim të formës së prerë, por për shkak të moshës dy jetimët u paketuan në Shkollën e Riedukimit në Zejmen të Lezhës.
Dënimi im dhe shokut tim nuk u prit mirë nga drejtuesit e partisë në nivel lokal.
Çështja ime dhe e mikut tim shkoi shumë lart, aq lart sa Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, firmosi një dekret të veçantë falje vetëm për ne të dy, sepse, sipas regjimit ishte tejkaluar vija e kuq, fal Valentinës.
“Ne nuk dënojmë fëmijë”, – u shpreh Alia atëherë.
Personalisht nuk dëshiroj të paragjykoj Drejtësinë e Re, por për mua është e rëndësishme të kujtojmë historinë dhe të punojmë drejt një shoqërie ku drejtësia është e pavarur dhe respektohen të drejtat themelore të të gjithë qytetarëve, pavarësisht statusit social dhe shoqëror që përfaqëson çdo individ.