Përmes deklaratave kontraverse, përmes pohimit dhe mohimit, përmes analizave dhe propagandës mediale dhe manipulimit të opinionit, përmes gënjeshtrave publike dhe makiavelizmit, përmes mbjelljes së frikës dhe të zhgënjimit, përmes patriotizmit të rremë dhe idesë së bashkimit kombëtar; përmes gjepurave për integrime, heqjes së kufijve dhe gënjeshtrës tjetër të radhës; përmes idealizmave mashtruese dhe vaniteteve të ulëta njerëzore, ideja për ndarjen e Kosovës vazhdon rrugën e saj të pandalur, si gjedhja politike më e korruptuar në historinë e mendimit shqiptar.
1.
Që afro një vit Kosova ka mbetur dhe sillet në një rreth të mbyllur, që nuk di ta përcaktojë askush se çfarë është në të vërtetë, një si gjendje nokdauni, një Kosovë me mendje të turbullt, që nuk prodhon asnjë mendim të qashtër për veten e saj, që nuk gjen askund qetësi dhe prehje, që nuk ka shpjegim për asgjë, që nuk di as si të shpëtojë nga hija e errët ku është strukur. Në këtë e sipër, derisa Kosova jeton çastet e rënda të mosgjësë, të bjerrjes së mendimit politik dhe të zvjerdhjes së idealit të lirisë dhe të idesë së shtetit, në anën e këndejme, në botën reale, ndodhin gjëra tokësore fort të përçudshme: sekush vjedh dhe sekush gënjen, sekush merret me kontrabandë dhe krim të organizuar, sekush shkatërron arsimin dhe ekonominë, sekush ia bën gjëmën Universitetit dhe sekush fundos PTK-në; sekush vjedh bujqësinë (kafshatën e gojës) dhe sekush vjedh shëndetësinë (jetën e fëmijëve tanë), sekush krihet dhe tjerr amoralitet, sekush bën babën e sekush bën të birin, vetëm se, pikërisht vetëm se askujt mos u përpiq t’i thuash asgjë, sepse asnjë fjalë, as ajo më e lartësuara as ajo më e neveritshmja nuk ka më asnjë kuptim, sikur një popull i tërë të ketë dalë nga binarët. Nuk ka reforma, nuk ka investime, nuk ka liberalizim vizash, nuk ka asnjë lloj negociatash me BE-në, nuk ka veting në drejtësi, ka vetëm Serbi, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ata që duan ta mbajnë në agjendë ndarjen e Kosovës, ta përplasin në fytyrë, bashkë me duhmën e tyre prej vasalësh, edhe idenë se asgjë nuk ecë në Kosovë pa një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, se Kosova është e rrezikuar nga lufta, nga pushtimi serb, se ajo e ka të pamundur të mbijetojë pa importet serbe etj. Në të vërtetë, Kosova as ka pasur dhe as ka ndonjë urgjencë rreth marrëdhënieve më Serbinë: është më e sigurt se kurrë në historinë e saj, ka konsumuar një mbështetje ndërkombëtare të paparë ndonjëherë, ka aleatët më të fuqishëm të planetit etj. Serbia është ajo që ka urgjencat e këtilla dhe naivët e mendimit politik shqiptar, të tërhequr për hunde nga diabolikët dhe profiterët e politikbërjes, të shtrënguar nga Gjykata Speciale dhe nga joshja mizerabël se Serbia, meqë ka urgjenca të mëdha, mund t’i tërheqë provat dhe dëshmitë, bënë një lidhje shkakore deduktive: në një situatë të këtillë, Serbia mund të bëjë koncesione. Përgjigja është e shkurtër: Aspak!
2.
Të gjithë tashmë e dinë se ideja për ndarjen e Kosovës ka lindur në Serbi, por të paktë janë ata që e kuptojnë se si ndodhi që derivatet e kësaj ideje të futen aq thellë edhe në mendimin politik shqiptar, me forcën e pohimit ose të mohimit, kjo pak ka rëndësi. Një akademik ca më i vjetër (R.Qosja) dhe një tjetër cazë më i ri, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (N. Daci), që në krye të herës dolën në mbështetje të kësaj ideje, duke u bërë objekt manipulimi i politikës dhe eksponentëve të saj. Për të dy këta burra, ndonëse as vetë nuk e di aq mirë pse, ndoshta për shkak të “etikës historike”, dua të kem pak mirëkuptim dhe t’i quaj “atdhetarë të gabuar”, ngase më thotë mendja se idealizmi ndonjëherë çon edhe në gjykime politike ose mendimore krejtësisht të pamundura, që nuk i kap as mrekullibërja makiaveliste (bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën dhe bashkimi kombëtar shqiptar me ndihmën e Serbisë!). Po këtu më duhet të them me keqardhje se ideja për ndarjen e Kosovës, e shpikur nga mendimtarët serbë (Çubriloviqi, Qosiqi) dhe e adoptuar nga akademikët tanë, ka një mungesë shumë të madhe: prodhuesit lokalë të ideve zakonisht përvetësojnë dhe marrin për vete edhe çdo efekt pozitiv që mund të dalë prej tyre, ndërkohë që dihet se mendimtarët serbë nuk janë mendimtarë kontemporanë, por mendimtarë nacionalistë serbë dhe vetëm serbë dhe prandaj idetë e tyre serbe nuk mund të derivojnë gjë tjetër, pos Serbi dhe vetëm Serbi, Serbi të madhe ose Serbi të munguar, ngase idetë nacionaliste në natyrën e tyre e kanë synimin e të munguarës, ndonjëherë edhe të pamundshmes dhe se asnjë ide e nacionalistëve serbë nuk ka forcë as filozofike dhe as pragmatike që të dalë mbi këtë kufizim. Por a mjafton vetëm mbështetja sado e zëshme e dy akademikëve tanë, supozojmë idealistë, që një ide serbe të mbijetojë në hapësirën politike shqiptare? Nuk është as e mundshme, as e besueshme. Ka diçka më të errët dhe diçka më të madhe se kaq në fushën e mendimit politik dhe në pragmatizmin politik kosovar, që e bën këtë ide të mbijetojë edhe në rrethanat e një refuzimi pothuajse të njëzëshëm.
Duhet ditur që në krye të herës, se klasa politike e Kosovës dhe e Shqipërisë nuk kanë kapacitete që të prodhojë ide politike, jo vetëm për shkak të kufizimeve që kanë në fushën e mendimit, të gjedhes intelektuale, por më shumë për shkak të paaftësisë së tyre pothuajse gjenetike dhe të sprovuar tradicionalisht që interesat kombëtare t’i vendosin mbi interesat personale. Për të realizuar interesa të këtilla, politikanët tanë, bartësit e idesë së ndarjes së Kosovës, shumica syresh tashmë të identifikuar si kandidatë potencialë që të akuzohen nga Gjykata Speciale, nuk kanë për gjë të japin një copë atdhe për të shpëtuar kokën e vet, sepse konsiderojnë se atë atdhe e kanë shpëtuar vetë dhe prandaj mund ta përdorin si të duan; nuk e kanë për gjë të vënë në sprovë sovranitetin e vendit; nuk e kanë për gjë të marrin me vete damkën e historisë; nuk e kanë për gjë as zhvlerësimin që ia bëjnë luftës, që domethënë se idealet e tyre të kryehershme tashmë i kanë shitur për pako gjë. Përveç në planin e brendshëm, ata tashmë e bënë rrëmujë Kosovën edhe në planin ndërkombëtar, duke krijuar precedent të jashtëzakonshëm, madje janë të gëzuar për këtë, duke supozuar se precedenti i këtillë iu sjell favore të mëdha dhe se ideja e tyre për ndarjen e Kosovës jo vetëm që tashmë përjashton Kosovën si rast sui generis, por do të bëhet model për zgjidhje të ngjashme, që nga Palestina dhe Krimeja e deri te Abhazia, Osetia, Nagorni-Karabahu, Bosnja etj., duke e futur Kosovën në një pështjellim të madh, me një rrezik potencial që, për shkak të këtij precedenti, Kosova të rikthehet sërish ndër çështjet e pambyllura të politikës globale. Natyrisht, “mendjet e ndritura” do të na thonë se nuk kemi pse brengosemi për Krimenë ose Bosnjën, kur ne, duke shfrytëzuar këtë rrethanë, mund të bashkojmë kombin, teksa mua më duhet të them se hamendësimet e këtilla janë vetëm një kamuflazh për të përligjur interesat ruse në Ballkan, nga të cilat Kosova dhe shqiptarët nuk mund të dalin asnjëherë të fituar. Për më tepër, analizat në këtë pikë shpesh janë vetëm fizkulturë e mendjes politike, ndërsa problemi rreh gjithnjë në një pikë: e para, a mund të ketë sukses një agjendë politike që shkon kundër historisë dhe kundër rrjedhës aktuale; dhe, e dyta, cila është arsyeja që t’i bëjmë një shërbesë kaq të madhe Serbisë dhe nacionalizmit të saj antishqiptar?
3.
Është krijuar një bindje e gabuar, si në Shqipëri, si në Kosovë, se ideja për ndarjen e Kosovës funksionon me një mbështetje të kufizuar: me Presidentin e Kosovës, me drejtorin e “Klan-Kosovës”, me kryetarin e Akademisë së Kosovës dhe me ndonjë zë tjetër periferik. Edhe nëse i shtojmë kësaj edhe aftësinë e jashtëzakonshme të Presidentit të Kosovës për të manipuluar opinionin, sërish dhe sërish kjo nuk do të mjaftonte për të mbajtur në jetë një opsion, kundër të cilit është shumica dërmuese e popullit të Kosovës. Atëherë, si arrihet kjo, ç’mekanizëm fantastik është vënë në veprim? Së pari, duhet të kemi në dijeni se Presidenti i Kosovës dhe partia e tij kontrollojnë disa segmente të rëndësishme të shoqërisë dhe të pushtetit: policinë e fshehtë dhe policinë e rendit, disa mjete të rëndësishme të informimit, veteranët e vërtetë dhe rrejshëm, disa pika më të rëndësishme të ekonomisë, një pjesë të sindikatës, një numër të konsiderueshëm të deputetëve të korruptuar dhe të kriminalizuar, të pozitës dhe të opozitës, si dhe udhëheqës të disa sektorëve të rëndësishëm publikë dhe shtetërorë. Njësoj si kryeministri i Shqipërisë, ai e ka edhe potencialin e jashtëzakonshëm të shkatërrimit të partive opozitare, gjë që e ka dëshmuar në vazhdimësi.
Por a mjafton vetëm “mendja e ndritur” e një presidenti, që populli me aq përulje dhe vasalitet t’iu nënshtrohet ideve të tij, pavarësisht se çfarë mbajnë fshehur ato? Të gjithë në Kosovë e thonë zëshëm: idetë konfuze të Presidentit i kanë bërë dëm të madh Kosovës, e kanë vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe integritetin e saj, e kanë shkelur Kushtetutën, i kanë krijuar hapësirë Serbisë të intensifikojë agresionin e saj diplomatik kundër Kosovës etj. Por si ia del ai ta bëjë këtë? Me para? Me grupin e recidivistëve pro-jugosllavë brenda zyrave të tij, apo duke qëmtuar nëpër botë këshilltarë dhe sponsorë proserbë, kundërshtarë të kryehershëm të pavarësisë së Kosovës, djem miliarderësh dhe oligarkë të ndryshëm? Të gjithë i dimë dhe i dërdëllisim këto, por askush nuk e thotë qartë, përse askush në Kosovë nuk ia luan dot këmbën këtij njeriu? Nga buron fuqia e tij e errët? Më shumë se nga ndonjë truk magjistarësh, Presidenti i Kosovës ka përdorur dhe vazhdon ta përdor taktikën e makiavelizmit: vetë e lansoi idenë e Vuçiqit dhe, pasi bleu një mbështetje periferike në administratën amerikane, po vetë u kthye dhe bëri propagandën kryesore për jetësimin e saj, duke e vendosur Kosovën në një zjarr të kryqëzuar kundërthëniesh dhe “çudirash politike” të papara ndonjëherë: herë për ndarje, herë kundër ndarjes; herë për taksën, herë kundër taksës; herë duke bashkuar kombin, herë duke e bërë copash atë. Atëherë, si mbijeton pra kjo ide, duke u përbiruar përmes kaq shumë kundërshtimeve dhe refuzimesh? Për shkak të konfuzionit të brendshëm politik, në të cilin janë vendosur shqiptarët? Për shkak të turbullirës mendore dhe krizës së identitetit që kalon Perëndimi? Pse pra, përmes kësaj ideje kjo klasë politike mbetet në pushtet më lehtë se me ide konstruktive? Pse kjo po i pëlqen shumicës kosovare dhe shumicës shqiptare? Si bëhet që me politikanë mediokër dhe gjysmanalfabetë të mbahet në jetë më lehtë një ide subversive sesa një ide konstruktive? Nga vjen ky lojalitet deri në përulje? (Hiq prirjen për vasalitet, ne nuk kemi histori të lavdishme të bashkimi rreth një ideje.) Askush nuk e thotë tamam, pse pra e toleron Kosova një klasë të këtillë politike? Pse iu pëlqen njerëzve të ndodhë pikërisht kështu dhe pse reagimi qytetar nuk shihet askund?
4.
Kosova nuk ka asnjë urgjencë për t’i rregulluar marrëdhëniet me Serbinë, përveç Gjykatës Speciale dhe mbijetesës së kësaj klase politike. As Serbia nuk ka ndonjë urgjencë, përveçse Vuçiqi, përmes Kosovës, të mbahet në pushtet, duke gënjyer Brukselin për miqësitë në rritje me Rusinë dhe Kinën. Atëherë, si mbijeton ideja për ndarjen e Kosovës edhe pa mbështetjen e popullit të saj? Të gjithë e dinë se ndarja e Kosovës nuk mund të mbahet e fshehtë, por Rama, Thaçi dhe Vuçiq punojnë shumë, ditë e natë, që kur të vijë koha e ndarjes së Kosovës, të mos mund ta pengojë askush, madje as populli i saj. Në këtë kuadër, vetëm sa për t’ua përkujtuar: Edi Rama është përpjekur vazhdimisht t’i këmbejë rolet: të deklarohet së jashtmi se flet për Kosovën, gjë që nuk mund t’ia ndalojë askush, por në të vërtetë gjithnjë ka folur në emër të saj. Fundja më në fund, kryeministri i Shqipërisë nuk mund ta fshehë se tre takimet e para me Vuçiqin, në Pekin, Beograd dhe Nish janë ndërmjetësuar nga Kina dhe se aty është folur ekskluzivisht për Kosovën. Po a mund të gjendet një shqiptar në botë, i cili e njeh profilin politik të Edi Ramës, që mund të besojë se ai, kur e merr nëpër gojë Kosovën, vetëm “flet për Kosovën”, por “nuk flet në emër të Kosovës”? Nuk ma merr mendja se gjendet një i tillë, që mund t’i falë një besim kaq të madh një politikani kontravers, i cili po në Kosovë, në Pejë, ua shpall Serbinë kosovarëve “partner strategjik”. Ne që i kemi vrojtuar nga afër që 20 vjet këta dy oligarkë të modelit aziatik, kryeministrin e Shqipërisë dhe presidentin e Kosovës, kurrë nuk kemi dëgjuar prej tyre të thonë qoftë edhe një të vërtetë! Dhe kjo nuk është aspak “çudi e historisë”, është vetëm një përsëritje e saj, si në Shqipëri, si në Kosovë. Në diskursin e këtyre dy politikanëve Kosova e ka humbur edhe atë dinjitet tragjik, që e kishte fituar me pësimet e saj, duke zbritur çështjen e Kosovës në nivelin e një farse pa asnjë vlerë, siç do të thoshte Konica.
Ndërkohë, mbështetësit e idesë për ndarjen e Kosovës shpikin dhe trillojnë gjëra më të pabesueshme, në mënyrë që, përmes zhgënjimit dhe defetizmit, ta nxjerrin idenë e tyre si shpëtimtare të Kosovës. Nuk është e vërtetë se Kosova po braktiset nga Amerika dhe nga aleatët e saj të mëdhenj. Nuk është e vërtetë se siguria e Kosovës po rrezikohet nga Serbia. Nuk është e vërtetë se ekziston një plan i fshehtë për ndarjen e Kosovës (edhe nëse ekziston një i tillë, vetë bastardët shqiptarë janë mbështetësit kryesorë të tij). Nuk është e vërtetë se Kosova, po nuk nënshkroi marrëveshje përfundimtare me Serbinë, do të ndëshkohet nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk është e vërtetë se Kosovën kërcënohet me luftë nga Serbia (Vulin çan dërrasa kot, ose iu bën tifo Vuçiqit dhe Thaçit). Por Kosova është e rrezikuar nga klasa e saj politike, e cila e përdor Serbinë për të qëndruar në pushtet. Kosova është e rrezikuar jashtëzakonisht shumë, që mban në pushtet këtë klasë politike të korruptuar dhe të kriminalizuar. Kosova nuk po ndëshkohet me izolim ndërkombëtar, me humbjen e perspektivës evropiane pse nuk bën marrëveshje përfundimtare me Serbinë, por ngase nuk është e zonja të heqë qafe uzurpuesit e saj, këtë kope shkatërrimtarësh dhe trafikantë idealesh! Nuk është e vërtetë se Kosova nuk mund të jetojë pa Serbinë. Nuk është e vërtetë se veriu i Kosovës është i humbur një herë e përgjithmonë. Nëse veriu i Kosovës nuk njeh sovranitetin e shtetit, nuk njeh Kushtetutën e tij dhe refuzon të integrohet, për këtë fajtorë kryesorë janë ata që kanë nënshkruar dokumente të fshehta, Thaçi, Mustafa, Sejdiu, kushdo që të jetë! Që veriu i Kosovës të sillet kështu, politikanët tanë kanë punuar me ngulm që 20 vjet. Të gjitha qeveritë kanë qenë të interesuara ta mbajnë veriun e Kosovës siç është tani, sepse të gjitha qeveritë dhe sponsorët e tyre kanë pjesën e tyre në këtë mosfunksionim të shtetit ligjor, të anarkisë, të kontrabandës dhe të trafiqeve që zhvillohen atje.
Gjithashtu, me idenë e ndarjes së Kosovës, Serbia nuk ka për të fituar asnjë copë territor. Në esencë, ajo as që e do këtë zgjidhje. Por ajo, në bashkëveprim me liderët pushtetdashës të Kosovës, duke e kthyer në agjendë çështjen e Kosovës si çështje të pambyllur, ka fituar pikë të rëndësishme në terrenin diplomatik: liderët tanë, duke treguar faqe botës se janë të paqëndrueshëm, mendjepaktë, meskinë, egoistë dhe pushtetdashës të pangopur, ia kanë humbur Kosovës çdo përkrahje, çdo respekt, madje edhe atë që e fitoi me vuajtje dhe pësime të mëdha. Ata i krijuan mundësi Serbisë që ajo të zhvillojë pa u ndalur agresionin e saj diplomatik kundër Kosovës dhe për këtë të mos e ndëshkojë askush. Njohjet e blera me para janë një episod i shëmtuar dhe i turpshëm, që Kosovës i japi namin më të keq në botë.
5.
Po kush, në të vërtetë, e mban në agjendë politike idenë e errët për ndarjen e Kosovës? Përveç klasës politike, është edhe një “eminencë gri”, që mbijeton politikisht në Kosovë, një si model i “Bllokut” në Tiranë, që tashmë është transferuar edhe në Prishtinë dhe është konfiguruar në një ambient social dhe politik krejtësisht të ngjashëm. Në dy-tri rrugë të Prishtinës dhe në disa lokale më pranë qeverisë dhe institucioneve kryesore të shtetit bëjnë jetën e tyre gjysmë klandestine hienat e moçme dhe të reja të parazitizmit, një çorodi intelektuale dhe politike e paparë, të mbështetur financiarisht nga “paratë e zeza” të donatorëve dhe të buxhetit të shtetit dhe nga bizneset e lidhur me figurat eminente të qeverisjes, një klan politik-medial, i cili “idetë evropiane” i vjel nga mediet dhe kuluaret e Beogradit, përfitues të jashtëzakonshëm të keqqeverisjes dhe të abuzimit me paranë e shtetit, shumica syresh trashëgimtarë të brezit të parë ose të dytë të ish-luajalëve jugosllavë, furnizues të klasës sonë politike me ide të pjerdhta, me kuadro të reja abuzive dhe me “gjësende” të tjera të fshehta ose publike, disa syresh nostalgjikë të ish-Jugosllavisë dhe bartës të projekteve për integrimin e Kosovën në hapësirën ish-jugosllave dhe kultivues të rryer të ideve për ta lidhur pashkëputshëm Kosovën me Serbinë. Ky klan politik-medial, për të mbijetuar politikisht dhe për të vazhduar ciklin e tij të “trendit elitist”, gjatë këtyre njëzet viteve, duke manipuluar opinionin, duke iu vardisur dhe poltronizuar klasës politike që buron nga UÇK-ja dhe të pushtetarëve që derivuan prej saj, ka kryer dhe vazhdon të kryejë shërbime të rëndësishme, kryesisht varrmihëse për Kosovën. Është klan me fuqi këshilldhënëse dhe vendimmarrëse, me fuqi ndërtimi dhe shkatërrimi: rikthen urat e vjetra të lidhjes me Serbinë dhe krijon ura të reja, madje duke u munduar të shkatërrojë miqësitë tradicionale të Kosovës me vendet më të rëndësishme të Europës (Gjermaninë, Britaninë etj); lanson gënjeshtra historike dhe aktuale, kullandris mbarë e mbrapsht opsionin e ndarjes së Kosovës; cakton ministra dhe zëvendësministra, ambasadorë dhe konsuj; cakton ministra infantilë dhe këshilltarë në qeverinë e Tiranës, rekruton deputetët e korruptuar dhe vendos si duhet shkatërruar “Vetëvendosjen” dhe kë duhet bërë kryetar të LDK-së.
Është ky klan politiko-medial që fshihet prapa mbështetjes së opsionit për ndarjen e Kosovës dhe ndihmon mbajtjen e kësaj klase politike në pushtet, herë duke i pasqyruar krizat e herë duke i shkaktuar ato, por gjithnjë duke vjellë pëgërat e tyre mbi të gjitha shenjtëritë e këtij vendi. Kosova tashmë ka mbetur në duart e këtyre plëngprishësve, të cilët të gjitha mëkatet e veta i shndërrojnë në përfitim.
(Nuk e di nëse të tillët mund të identifikohen qartë nga lexuesi, por unë nuk do ta bëj më të dukshme pamjen e tyre, sepse që nesër ata do të ngarendnin nëpër ambasadat e huaja dhe zyrat e fondacioneve, për të gënjyer se janë të kërcënuar nga nacionalistët shqiptarë, duke përfituar sërish nga kjo rrethanë.)
6.
Në fund, për të gjithë ata që kërkojnë një zgjidhje: Kur të bëhen njëqind mijë në sheshet e Prishtinës, unë do të jem aty, një më shumë se njëqind mijë…
Komentet