Edi Rama akuzoi opozitën gjatë fushatës elektorale se po blinte votat, por që në fakt në mënyrë paradoksale zgjedhjet i fitoi ai.
Në konferencën me gazetarët, Rama tentoi t’i fshihej pyetjes se si është e mundur që në 14 maj shumicën e bashkive e mori ai, ndërsa pala tjetër që ai shigjetonte se po blente votat, humbën.
Pyetjes së gazetares së Syri Tv, Ambrozia Meta, Rama fillimisht iu përgjigj duke gënjyer kur tha se nuk e kishte thënë një gjë të tillë. Por kur iu citua deklarata në Vaun e Dejës, tha se e kishte harruar dhe sqaroi versionin e tij se kishin informacione për një gjë të tillë.
Duke insistuar se votat s’i ka blerë ai, Edi Rama sërish sulmon përfaqësuesit e opozitës duke folur për “tregtar votash”, ndërsa nga ana tjetër partia e tij mori 53 bashki, ndërsa ato të opozitës vetëm 8.
Ambrozia Meta: Në ditët e fundit të fushatës elektorale keni deklaruar se opozita po bën presion ndaj qytetarëve dhe po blinte vota. Si ka mundësi që opozita blen votat dhe ju fitoni zgjedhjet?
Edi Rama: Në kujtesën time nuk jam marrë fare me këtë çështje.
Ambrozia Meta: Përkundrazi, po marr një deklaratë të fundit në Vaun e Dejës ku i bënit thirrje Zef Hilës, kandidatit të bashkisë që të mos bënte atë që bënin të tjerët dhe të shpërndante lekë, duke nënkuptuar kështu që opozita po tentonte të blinte vota. Dhe pyetja ime është, nëse opozita ka blerë vota, ka ushtruar presion ndaj votuesve atëherë si ka mundësi që zgjedhjet i fitoni ju?
Edi Rama: Nuk e kujtoja këtë detaj, është e vërtetë, ishte një informacion që e kemi patur. Përderisa ishte edhe një shqetësim i njerëzve në Vaun e Dejës unë e thashë publikisht në këtë rast që tregtari më i madh i votave në Shqipëri është në rrugën e lirisë, këtë e di gjithë Shqipëria. Madje unë jam i bindur që nëse do të gjenit një mënyrë t’u drejtoheshit peshqve të liqenit artificial, do t’ju thoshin me emër dhe mbiemër se kush është, e dimë të vërtetën. Por këto historitë me blerje dhe hackera janë bërë aq bajate sa nuk dua të merrem me to. Kjo është një përpjekje aq e marrë dhe në aq shumë vite për të mohuar realitetin sa është besoj unë shkaku kryesor pse ata bien po në atë gropë dhe bien edhe më thellë. Sepse të përsëritësh të njëjtën gjë duke shpresuar në një rezultat tjetër është marrëzi. S’kam unë asnjë dëshirë, asnjë nevojë, asnjë gram energji të merrem tani jo kush i bleu, jo kush s’i bleu. Sondazhet nuk blihen, gjithkush mund të bëjë sondazhe. Nëse mendon se sondazhet e 7 Tv janë të blera, mund të bësh sondazhin tënd si radio. Nuk kam parë deri më sot, nga viti 2007, një sondazh që i nxjerr ata përpara. Unë personalisht. Nëse kjo nuk mjafton, nuk kam një mënyrë tjetër për të thënë më vjen keq, do të vazhdojmë të bëjmë punë tonë.