Sulejman Starova, nga dita e djeshme nuk është më trajner i Partizanit dhe sërish i është kthyer statusit “ish-trajner”. Ecuria e skuadrës së tij në këtë edicion nuk gjen shembull për t’u krahasuar, kryesisht për atë që u arrit në 14-15 javët e para.
Por, për shkak të luftës brenda llojit, që ka qenë e prekshme te Partizani edhe më herët, trajneri Starova u braktis nga të gjithë në dhjetor duke bërë të mundur pjekjen e kushteve për largimin e tij.
Ditë më parë, “Panorama Sport” paralajmëroi se të kuqtë e kryeqytetit do të përfshiheshin nga një revolucion i madh, ku “Bobi” ishte më i rrezikuari, gjë e cila dje është materializuar. Në përgjithësi tifozët nuk e kanë mirëpritur shkarkimin e trajnerit. Në largimin e trajnerit Sulejman Starova kanë ndikuar disa faktorë.
1- Ftohja e raporteve me drejtuesit.
Sulejman Starova konsiderohej si miku më i mirë i presidentit Demi, i cili në fillim të sezonit pas largimit të Shpëtim Duros i atribuoi çdo kompetencë, madje e quajti edhe “Mbret”. Por, me ardhjen në klub të drejtorit Dritan Dervishi, marrëdhëniet e “Bobit” me kryesinë nisën të zbehen aq shumë sa ai nuk ishte i qetë edhe në punën e trajnerit.
2- Trysnia për aktivizimin e lojtarëve.
Ndonëse nuk janë bërë publike, mësohet se pjesë e prapaskenave të largimit ka qenë edhe mosgatishmëria e trajnerit për të aktivizuar lojtarë të ndryshëm, që nuk i kishte në plane për ndeshje të planifikuar. Pra, ndaj “Bobit” ka pasur një trysni për pjesën e formacionit, problem i cili precipitoi në publik në ndeshjen e fundit me Teutën.
3- Mosdakordësia për merkaton.
Merktoja e dimrit edhe para një viti ka qenë burimi i ftohjes me hallkave drejtuese të klubit. Trajneri edhe këtë sezon ka pasur pikëpamjet e tij, por ato nuk përputheshin me objektivat e drejtuesve të tjerë. Çdo emër që ishte në “orbitën” e trajnerit për në janar përgënjeshtrohej nga klubi përmes deklaratave publike, gjë e cila të linte të kuptonte krisjen mes palëve.
4- Puçi i lojtarëve.
Shkarkimi i djeshëm i Starovës ka ngjashmëri me atë të Murinjos te Çelësi, pasi klanizimi i ekipit ka pasur ndikimin e vet. Pra, Starova mund të ndihet i tradhtuar nga lojtarë të veçantë, të cilët në katër ndeshjet e fundit kanë gabuar në mënyrë amatoreske. Sjellja ndryshe e skuadrës në pjesën e fundit lë të kuptosh se nuk ka munguar edhe puçi i lojtarëve.
Komentet