Kastriot BIMO
Po kalon tre çerek shekulli prej Luftës II Botërore, dhe kombe të tërë të përballur përgjakshëm me këtë luftë e lanë tashmë në të kaluarën e saj për të ecur përpara. Shqipëria, jo! Kjo e ka një arsye madhore. Historiografinë e saj e shkruan fitimtarët e luftës sipas modelit sllav, duke amplifikuar mjaft rolin e tyre, si dhe atribuar vetes totalisht atë. Nuk kemi ndërmend të ndalemi tek lufta apo episodet e saj të faktuara e dokumentuara, por të lëna qëllimisht në hije dhe as tek marrëdhëniet e saj mes krahëve ndërluftues. Duhet treguar e dokumentuar një fakt që na bën krenar si komb dhe shfaqet si një rast i pa hasur në historinë e luftës më të madhe të njerëzimit.
Është qëndrimi unikal i Shqipërisë ndaj hebrejve të vet gjatë kësaj lufte, strehimit të ushtrive pushtuese të kapitulluara, etj. ngjarje që ndodhën njëherazi. Por larg frazave evazive të konsumuara e gati banale “i fshehu populli në gjirin e vet”, apo “populli ynë tregoi traditën e mikpritjes dhe bujarisë” profesionalisht duhet bërë një analizë e thellë historike e situatës tepër komplekse të kohës, si dhe evidentimin e gjithfarë vlerave që e sjell historikisht me vërtetësi shkencore këtë vepër të tillë humane, të pa hasur në Ballkan e më gjerë. Për këtë me të drejtë edhe shteti shqiptar ndërkombëtarisht shfaq plot krenari misionin e fshehjes dhe shpëtimit të tyre, por brenda klisheve famëkeqe të shfaqura madje si version zyrtar nga papërgjegjshmëria e historiografisë shqiptare deri tani. “Kemi nevojë të ngutshme të ndryshojmë metodat e punimit në të gjitha fushat e aktivitetit tonë si njerëz, si komb dhe si shtet”, shkruante “Bota e Re” qysh në nr. e parë të saj, 1936.
Së pari duhet sqaruar diçka që ka të bëjë me përqendrimin shekullor të hebrenjve, hyrë nga territoret perëndimore europianë në Ballkanin e Perandorisë Osmane qysh në fillimet e saj, ku në qytetet shqiptare spikasnin Vlora, (një pakicë tregtarësh si qytet-port) dhe Berati mijëravjeçar (shumica absolute e tyre në Shqipëri, si tregtarë, artizanë etj.) Me ndryshimin e frontit të luftës, shumë prej tyre mësyjnë në Shqipëri, duke hyrë në viset tona veriore nga Austria, Jugosllavia, por dhe Bullgaria, etj. shumica për mbështetje në përqendrimet hebreje, si Berati, por që e bënin jashtë mase të lehtë ekspozimin e tyre ndaj ushtrisë gjermane dhe ndjenjave e urdhrave të saj antisemite. Kjo duhet theksuar në një kohë kur për hir të së vërtetës, shqiptarët kanë çuar në kampet shfarosëse të përqendrimit, një nr. jo të vogël po shqiptarësh bashkëqytetarë, por mijëra.
Situata e tillë tejet komplekse shfaqet edhe në qytetin e Beratit, ku me kapitullimin italian dhe largimin e divizionit “Perugia” nga kazermat e qytetit, anarkia arriti kulmin. Në optikën e kohës duhet parë edhe qëndrimi i forcave të ndryshme politiko-ushtarake, si Balli Kombëtar dhe ushtria Nacional-Çlirimtare në përpjekjet për ndarjen e kazermave, materialit luftarak dhe vetë qytetit të Beratit, ndërkohë që gjermanët po vendosen në pikat strategjike të aerodromit të Kuçovës (fusha e Otllakut) dhe puset e naftës (Ura Vajgurore). Qarkkomandanti i Beratit për Ballin Kombëtar, Kadri Cakrani, pasi nuk mund të gjente zgjidhje ushtarake për hebrenjtë e shumtë të qytetit, për habi edhe sot, një mënyrë krejt origjinale shpëtimi të tyre, një mendim i pa rrokshëm nga imagjinata për kohën. Anarkia pas kapitullimit të armatave italiane, shfaqjen e atyre gjermane me masakra në rajonin e Korçës, e vendos Kadri Cakranin në një situatë konspirative krejt të pamundur për të vepruar në rreth të gjerë, prandaj vendos t’i drejtohet njërit nga njerëzit e tij për zgjidhjen e saj. Letra, për shkak të urgjencës është shkruar fillimisht në katër fleta blloku, dhe pastaj nga ordinanca përgatitur për rëndësinë që bart, për t’u finalizuar me shkrim makine;
“Berat, 11/IX/943;
- Bektash Cakranit, Cakran, Mallakastër, (konfidenciale në dorë)
Xhaxha, po të shkruaj urgjent mes halleve të shumta që pllakosën tani me kapitullimin e italianëve, pasi ti e ke Mallakastrën në dorë. Duhet me urgjencë të transportojmë nga Berati tek ju një numër të madh njerëzish, që tani për tani nuk kemi as mjete për t’i prurë aty. Bëhet llaf për çifutët këtu që janë me qindra dhe hall është se po të merret vesh kush janë kanë për t’I shkuar në plumb të tërë, dhe Beratin vetë, që aq është i gjithi. Nuk dihet se nga mund t’u vejë haberi dhe as besim nuk kam, kohë jo e jo se edhe t’i mësheh me dokumenta muhamedane nëpër familje këtu, s’dihet nga del fjala dhe mua më duhet të shkoj në plumb Beratin pastaj. Duhet domosdo të piqem dhe me Mit’hat Frashërin dhe ata në Tiranë, të mos jepet asnjë informatë, ku janë, si e qysh. Nuk duhet të bjenë në dorë të Armatës Gjermane që është duke ardhur, asnjë çifut nga këta që kanë qënë dhe kanë ardhur në Berat, për arsye se dihet qëndrimi i gjermanëve për ta. Gjithashtu nuk duhet të konsiderohen shqiptarët dhe Berati si mëshehës i tyre, për arsye se do të mbizotërojë mbi popullatën më prapa një klimë terrori. Po edhe për aty gjithë ai milet nuk e mbëshehim dot dhe kohë vetëm për t’i prurë, po ka mbetur akoma. Tjetër rrezik që ti e di vetë është se po u muarr vesh, Mallakastra mund të digjet. Dërgo njeri urgjent me korrierin t’im. Qarkomandant, Kadri Cakrani”V.T.Sh.Sh.11/IX/943
Figura e Bektash Cakranit, xhaxha i qarkkomandantit është tepër i njohur si personazh me një peshë të pazakontë në lëvizjen kombëtare dhe krijimin e shtetit shqiptar, për edhe pozitën e tij dominuese politiko-ekonomike e sociale në trevën e Mallakastrës e më gjerë. Ngjarjet rrokullisen me shpejtësi shtatorin 1943 dhe Bektash Cakrani i dërgon nipit të vet përgjigje që bart të reja dhe qëndrimin në pozitën më të vështirë e tepër të komplikuar, nga ku i shpjegon hollësitë e situatës urgjente. Letra e tij daton dy ditë më pas dhe shpjegon, si mundësitë, rreziqet, si dhe sugjerimet e rastit:
“Kadri Cakranit, Komanda e Qarkut, Berat.
Po të kthej përgjigje me njerinë t’im të besuar që u nis me korrierin t’uaj që në mëngjes. Për këtë: Me gjithë që lutja jote më zuri ligsht dhe ky hall më gjeti befas, i dërgova Kujtimit haber për këtë. Mallakastrën e Butë e kemi në dorë vërtet, po Ai është nisur me fuqitë e çetave dhe 2 Komandantë për të njëjtën punë, po atë të italianëve që kanë mbetur me mijëra pas Kapitullimit. Duhet të t’i marrë pa rënë në dorë të gjermanëve sa të mundë nga Divizioni Perugia, që janë dhe në Berat, dhe u fjalosëm t’i strehojmë këtu në Cakran, në çifliqet e Gorishovës dhe Vreshtazit, se mund t’i vrasin. Për çifutët që t’i thua duhet të vijnë o me maqina, që udhës mund t’i zënë, o me kafshë, kush janë më në rrezik fshatrave, jo udhëve. Ky që po dërgoj i di mirë, se atë udhë bën. Këta duhen ruajtur mirë, ndaj e mendova gjatë që t’ë themi se janë muhaxhirë e u janë djegur fshatrat dhe t’i çojmë në çifliqet e Romësit, po dhe të Selishtës e Mortajasit, që t’ë kenë lundrën afër nga rreziku. Mirë do jetë që po proftase pa ardhur gjermanët xhadeve t’i çoje nga Lushnja nëpër çifliqet e Hajredin Beut, (i vëllai, Hajredin bej Cakrani-red) të Hasturkasit, të Petoshanjit e Korkutasit, se andej jo që janë njers të butë po s’i vete mëndja njeriut. Po nis njeri me haber për tët’vëllezër. Tani nuk dijmë sa Italianë do bjerë Kujtimi, pa i çojmë ne për rrezik, se janë të 2 palët në besën t’onë dhe frikë mos i prishën punë njëri tjatrit, pa për të ngrëne e pirë nuk kemi qeder. Kjo dhe për një punë tjatër, që të mos vejë llafi në Mallakastër të Egër. Se i biri i Shehut ka ikur Korçës, po mjaft janë Klosajt t’anë që si komunistë si i mbanin sërbët e u thoshin italianëvet, mund t’u thonë dhe gjermanëvet. Nuk ka besë në këtë punë. Bëj si të mundesh. Bektash Cakrani, Mallakastër, 13.IX.943”.
Por çfarë ka ndodhur në Skrapar me divizionin “Perugia” të kapitulluar dhe larguar nga Berati për arsye të ardhjes së gjermanëve?! Ndërmarrja e jashtëzakonshme, krejt e panjohur në historiografinë shqiptare të luftës e ushtarakut kapiten Kujtim Cakrani në Spathari të Skraparit, ku kish shtabin e vet, për shpëtimin, nxjerrjen nga zonat e luftimit dhe sistemimin e 7,500 trupave italianë gjatë periudhës shtator-dhjetor 1943, duhet të jetë unikale në histori; “Kam shpëtuar jetën e 7,500 ushtarëve italianë, të cilët pas armëpushimit të 8 shtatorit 1943 u braktisën nga fati i tyre, nga qeveria qendrore e Romës, në Mallakastra dhe në pjesë të tjera të Shqipërisë. Pa shpërblim unë kisha krijuar edhe një spital për të sëmurët duke paguar mjekët nga xhepi im. Janë 7500 italianë të braktisur, të dënuar si “tradhtarë” nga gjermanët dhe “pushtues” nga partizanët shqiptarë; të dy të tjerët donin t’i vrisnin. Unë i shpëtova ata!” (“La mia vita ne vale 7500”, Kujtim Cakrani, Revista “Oggi”, 21.3.1984)
Qarkkomandnti i Beratit Kadri Cakrani i cili kërkon shpëtimin e hebrenjve me çdo kusht, kontakton në Skrapar me ushtrinë nacionaliste të Mallakastrës të Kujtim Cakranit, Besim Belishovës dhe Tofik Cfirit (vetëm pak kohë më parë kanë qenë bashkëluftëtarë të tij) dhe kërkon të nxjerrë nga rrethimi një nr. hebrejsh, kryesisht të ardhur pa rezidencë, pa identifikuar nga Ura Vajgurore, që tashmë patrullohej nga forcat gjermane. Situatat ndryshonin me sekonda dhe Kadri Cakrani vendos shpërndarjen nëpër familje të besuara të qytetit me identitet tashmë të ndryshuar. Duke mos bërë përjashtim dhe duke treguar rrezikun e përfshirë nga vetë ai, merr dhe strehon në shtëpinë e tij një një familje hebreje në Berat.
Nga ana tjetër ushtria partizane me Gjin Markun bën dhe ajo një përpjekje koordinimi me kapiten Cakranin, ku arrin të marri mbi 1000 trupa italianë të kapitulluar nga ky divizion në Skrapar, por në ndryshim nga nacionalistët e Ballit, të cilëve u ndalohej rreptësisht të përdornin ushtarë të huaj, por si robër duhej të vepronin mbi ta ligjet e luftës, partizanët i përdorën jashtë mase, duke bërë që të vriten shumë prej tyre në luftime;
“Grupit partizan të Beratit iu bashkëngjitën këto reparte italiane:1-Reparti i kavalerisë me 700 kalorës dhe 700 kuaj. 2- Reparti i G.A.F. me 150 ushtarë, 100 ushtarë të baterisë kundërajrore, 108 ushtarë të xhenios. 3- 140 karabinierë. 4- 100 ushtarë mjekësorë. 5- 50 ushtarë roje të depove të materialeve” (AQSH, F.41, V.1943, D.31)
Por me sa duket Enver Hoxha është i informuar për bisedimet e Gjin Markut dhe kapiten Cakranit, nga bashkëpunëtorët e Markut dhe i dërgon këtij një letër kategorike:
“Përpara Ballit dhe të tjerëve kompromisaxhinj s’ka dobësina, rruga është e qartë dhe pa kthesa. Kthesa ka vetëm me ata që të gënjyer pranojnë rrugën tonë, por me të tjerët ka plumba kresë. Në lidhje me këtë duhet të dini se sot është momenti më shumë se kurrë që elementet e poshtër të qërohen pa mëshirë..” (AQSH, F.14, V.1943, D.11, Enver Hoxha, Letër Gjin Markut dhe Kahreman Yllit në Berat, 26.9.1943).
Veprimi i kapiten Cakranit, ku gjithë batalionin 151 mitraljer prej 500 vetësh e kalon nëpër rrugë e shtigje për ti çuar në Mallakastër, nga ku si vend i sigurtë ngre një kamp me çadra dhe spital ushtarak për ta. Por ai nuk rreshti gjithë vjeshtën e 1943 së sistemuari italianët e kapitulluar; “Njerëzit e mi morën më parë një repart të tërë italian, nga ky batalioni 151 mitraljer nga Perugia, që kishte 500 trupa nën komandën e nënkolonelit Rubino Rubini, një dëshmitar i denjë për ndërhyrjen time si shpëtimtar pas lufte. Në nëntor të vitit 1943 Leitenant Umberto D’Amore, Regjimenti kavalerisë së Monferratos, i cili ishte në këtë zonë së bashku me më shumë të tjerë, në zonën time në Spathar me major Rosario Lauria, rreshter Mureddu, kavalierist Lovagnini, Signorini, Mozzarelli.” (Intervistë e Kujtim Cakranit, Revista “Oggi”, 21.3.1984)
Por nuk jemi larguar aspak nga problemi me hebrenjtë, një pjesë të të cilëve i mori kapiten Cakrani për ti sistemuar në territoret e sigurta jashtë konfliktit të luftës. Këto ngjarje madhore rrodhën me aq shpejtësi, sa përgjigja e tij erdhi menjëherë pas mbërritjes;
“Balli Kombëtar; Mallakastër, 19/IX/943; Shqipnia e Shqiptarëve; Vdekje Tradhtarëve; Kadri Cakranit, Komandant usht. Balli Kombëtar, Berat; Sekret Rezervate;
Italianët që muarrmë në Skrapar, nuk i kalova dot nga Ura Vajgurore, nga që Gjermanët e kishin zënë dhe vetëm maqinat mezi i kalova një nga një, pasi kontrolluan ushqime e plaçka, se kanë ikur nga lufta që plasi. I dërgova në Mallakastër se çetat me Tofikun dhe Besimin i lashë të kalonin btg. (batalionin-red) e mitraglierëve që mora, se 400-500 vetë me pajime, është e pa mundur. Po ata e kaluan lumin lart në vah gjith ditën dhe maleve në darke u takuam, se maqinat i fsheha. Nga mëngjesi mbërritëm në Cakran dhe po bëjnë një kamp. Mbase zbarkojnë aleatët dhe tërheqin dhe italianët, kështu të venë dhe ato familjet, se i pyeta dhe dinin italisht mirë. Kur t’i shpërndash ata italianët që kanë mbetur nëpër zonat t’ona të mos i marrin komunistët, se ata i vënë në luftë për hesap të tyrej, dhe po i panë gjermanët, do ti asgjesojnë të gjithë. Po munda nga rrugë tjetër të vij prapë ë të marr nga Div. Perugia, se po ranë në duar të komunistëve, do t’ja bëjnë si i biri i Shehut që hëngri e piu me shokun karabinjer italian, dhe i theri e vrau në grreminë të Kremenarit.
Komandanti Usht. Ballit Kombëtar, Mallakastër, Kapiten Kujtim Cakrani”
Në këto momente të paqarta anarkie dhe tmerri luftarak për italianët e kapitulluar, misioni katolik i Vatikanit në Shqipëri arrin të hyjë në zonat e sigurisë së Mallakastrës, dhe pikërisht në kampin italian ushtarak kqyrur e ruajtur nga nacionalistët e këtushëm; “Si të mos i mjaftonin italianët me qindra, vjen dhe gjen strehë aty edhe Krye Peshkopi i Vatikanit me tetë murgesha dhe gjithë grupin e tij. Ato i futi me një herë në Spital” (Kadri Cakrani, “Lufta Ime” fq.129) Por ushtaraku Kujtim Cakrani shprehet qartë për rrezikun e shumfishte të kujto italiani, tashmë; “Unë jam mysliman dhe e kam shpëtuar nga partizanët komunistë, At Daniele Barberini Ainidei, eprori i Basilianëve në Shqipëri, me misionarët të ndryshëm dhe murgeshat” (Intervistë e Kujtim Cakranit, Revista “Oggi”, 21.3.1984)
U munduam modestisht të hidhnim sado pak dritë të historisë sonë kombëtare me këto të vërteta të thjeshta, ndoshta të ditura nga kushdo, por të lëna në skutat e errëta enkas, qoftë kjo e Luftës II Botërore, aq e përfolur, e përlyer, e përbaltur, e përçmuar në Shqipëri, kur po arrin shekulli fundin e vet. Po sa e sa të tilla ka historia jonë anemike sot, në këtë gjendje të zënë prej fyti nga fitimtarët!
Sa për epilog duhet theksuar se qeveria shqiptare qysh në vitin 1945 i kërkonte me forcë kundërshtarët e vet aleatëve anglo-amerikanë, dominant qysh nga lufta në Itali. Në ta flitej për emrat e lista, të cilat nuk u zbatuan kurrë. Dihej që në to gjendeshin; biri i firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë Kadri Hajredin Cakrani, dhe biri i Ministrit të Parë të Thesarit të Qeverisë së Vlorës, Kujtim Bektash Cakrani. Kështu qeveria shqiptare komuniste e pasluftës, shprehet e pakënaqur për pranimin nga ana e aleatëve të komandantit të përgjithshëm nacionalist, Kadri Cakrani, fakt që e bën të jetë gjithmonë në krye të listave, që qeveria e Tiranës ja dërgoi edhe vetë kryeministrit britanik Churchill; “Subject Kadri Cakrani, Drejtorisë ËIOS, 30 Sep. 1947; Kadri Cakrani, anëtar i përfaqësues ushtarak i Ballit Kombëtar gjatë pushtimit gjerman, i akuzuar për bashkëpunim me gjermanët dhe ky person është i urryer si kriminel lufte nga regjimi aktual në Shqipëri. Në një artikull të botuar në Bashkimin më 2 qershor 1945, Enver Hoxha, kryeministër i Shqipërisë, kritikoi politikën e aleatëve, e cila ishte duke i akuzuar kriminelët kryesorë të luftës, mes të cilëve përmendet Kadri Cakrani, të qarkullojnë lirshëm në Itali, duke theksuar se një gjë e tillë përbën një padrejtësi dhe në një kohë një shkelje ndaj popullit shqiptar që ka bërë sakrifica të tilla për kauzën e përbashkët” (Declassified and Released by Central Intelligence Agency, CIA, 2003-2006) Familja hebreje të cilën e strehoi në Berat, tashmë në Romë, ja ktheu sa mundi sakrificën atij dhe familjes, duke i sugjeruar dhe ndihmuar për sistemimin në kryeqytetin e shkatërruar italian të pasluftës.
Ndërsa në fund shfaqet “qershia” totalisht e panjohur, e tortës; Kapiten Kujtim Cakranit, për ndërrmarrjen e pabesueshme të strehimit të 7500 italianëve robër në kohë lufte, nga aleatët dhe qeveria italiane iu akordua pension i veçantë nga Parlamenti Italian, Presidenti i Republikës së kohës ‘45, por ngjarja e tij, që ishte në qendër të mjediseve të ndryshme italiane paslufte, bëri që ai të dekorohej me urdhërin kalorsiak i stilit fiorentin, themeluar qysh më 1 shkurt 1459 “Shën Maria e Betlehemit” Ky urdhrër (Ordo Militaris ac hospitalarius de Sancta Maria de Bethlehem) për ironi të fatit kishte këtë tekst;
“Princeps Aloysius Amoroso de Aragonia;
Urdhëri “Shën Maria e Betlehemit”, i argjëndë
Dekretoj dhënien e tij kapitenit të kavalerisë Kujtim Cakrani;
Urdhërin ushtarak e spitalier për luftë kundër nazi-fashistëve
Dhënë nga selia e Magjistërit të Madh, në Itali, 19 korrik 1945”
Po e mbyllim me fjalët modeste të Kadri Cakranit, përballë këtyre veprave bujare të një shpirti të lindur fisnik shqiptar, të cilët mendoj, se në këtë mënyrë të tillë të së vërtetës, krenojnë çdo shqiptar, madje dhe shtetin vetë kur në botë flet për mikpritjen e bujarinë, besën dhe gjithçka që sot kanë mbetur si një kujtim i së shkuarës; “Mes të tjerave akoma i dhanë Kujtimit një dekorim, si një titull si princëror, si fetar të madh nja 500 vjeçar “Shën Maria e Bethlehemit”. Këtë për luftën kundër fashizmit dhe mikpritjet e pa menduara të mijëra ushtarëve, me të ngrënë e me të pirë dhe me shërbimin spitaljer. Ishte për të qeshur e qarë në të njëjtën kohë. Komunistët Shqipëtarë e kërkonin si kriminel dhe atë që kishin në gojë, konlaborasjonist i armikut, dhe këtej te aleatët ai dekorohej si luftëtar anti-fashist, po dhe bujar i pa shoq. Këtë që bëri Kujtimi dhe Bektash Beu nuk e ka bërë asnjë Shqipëtar në të gjithë historinë, kështu që kush do që të thotë se kam bërë atë e këtë, vepëra j’onë është një pikë ujë në detin e Tyrej.”
Komentet