– Kur me Bashkim Golemin bënim gara me këngët italiane –
Me Bashkim Golemin isha shok në rini. Ishim njohur në rrethin letrar të klubit të rinisë së qytetit të Shkodrës, për të cilën përkujdeseshin Hasan Lekaj dhe Ferdinand Bushati duke botuar çdo vit një almanak letrar me krijime të letrarëve të rinj. Pasioni për letërsinë ishte ajo çfarë na bashkonte me shumë nga bashkëmoshatarët tanë. Mbaj mend se në rrethin letrar vinin të rinj të talentuar si Alfred Çapaliku, Tonin Shtjefni, Dod Kaçaj, Bashkim Golemi, Mehmet Gucia, Burhan Kurti, Rudina Lohja, Suzana Jegeni, Riza Lahi, Valentina Ago, Xhahid Bushati, Shyqyri Mollaj, Fejzi Gushta, Marta Qesteri, Arben Shehi, Terezina Mozali, Bedri Islami, Fluturak Germenji e tjerë. Dod Kaçaj ishte asokohe student në Insitutin e lartë pedagogjik në Shkodër dhe më të rrija e flisnim për letërsinë. Me Dodën me bashkonte edhe prejardhja e familjeve tona nga Malësia e Madhe, unë nga Traboini i Hotit e ai nga Bajza e Kastratit. Edhe me Shyqyri Mollën nga Dobraçi, që ishte kushuri me Haxhi Hajdarin i cili u vra me murtajë në shpellë nga diktatura, ruaja një miqësi të mirë si krijues, ai kishte arritur të botonte madje një roman, por më pas punët do ti shkonin keq e më keq. Nuk do ta linin të botonte. Tani është në Amerikë dhe dhe vazhdon të botojë, kurrë pa harruar të vijë të më sjellë librat e tij. Alfred Çapaliku ishte një tjetër miku im letrar, një djalë i sinqertë me të cilin kur diskutonim për letërsinë harroheshim. I kishim shtëpijat afër, unë ngjitur me shtëpinë e Cin Daisë e Rrok Zadejës, dy baballarët e korifejve të muzikës Tish Daija e Çesk Zadeja që sigurisht jetonin në Tiranë e kur shfaqeshin në rrugën tonë konsiderohej festë.
Me Alfredi Çapalikun, që tashmë është profesor në Universitetin e Shkodrës, hynim e dilnim në shtëpinë e tij, se shtëpia e tim eti ishte thuajse e rrënuar që kurse vdiq Dada Katrinë në fillim të qershorit 1964 e cila ishte vajza e Motres Tone. Dada Katrinë ishte një mrekulli e jetës sime, me atë më lidhte çdo fijëz e pejëz qe ka lidhje me artin, pa nxitjen e saj mbase nuk do të isha asgje. Ajo sikur edhe shtëpisë i jepte forcë për tu mbajtur në këmbë e përballuar shkatrrimin tek këndonte krejt natyrshëm këngë italiane se ajo nga babai italiane qe. Ishte e bija e Andrea Skanjetit të parë, mësuesit mirëbërës të babait tim mbetur jetim qysh i vogël. Që të vazhdojmë me atë botë rinore pasionuar marramendshëm pas letërsisë, nëna e Alfredit na qeraste me ëmbëlsira ndërsa dëgjonte e drithëruar( ah zemra e nënave shkodrane) të përmendnim emra shkrimtaresh të mëdhenj. Emra shkrimtarësh si Koliqi e Fishta, dhe të huaj sigurisht, madje të ndaluar.
Por me Bashkim Golemin ndodhte ndryshe. Megjithëse ishte një letrar i talentuar në krijimet poetike, prirjet e tij muzikore spikasnin. Deri në vitin 1970 për të cilat referohen këto kujtime, kishte më shumë hapësire dëgjimi dhe nuk ishin aq shumë të rrezikshme, siç ndodhi më vonë me nervozizmin patologjik të udhëheqjes politike moniste që merrte masa drastike. Terrori mbi intelektualë e krijues do të riniste veçmas pas festivalit të 11 me përndjekje të paparë në kuadrin e luftës kundër shfaqjeve të huaja. Por edhe para vitit 1970, të cilit i referohemi, nuk ishte krejt e lehtë. Organet e partisë dhe të frontit, veglat e tyre, veçmas spiunët e shumtë që aktivizonin bënin punën e vet përgjuese. Kishte edhe vullnetarë në përgjimet e spiunimet e kohës. Mjerë kush binte në vështrimin e rrjetën e tyre.
Diktatura ka qenë vërtetë e frikshme por në mes miqsh e shokësh kishte një qasje tjetër. Veçmas tek të rinjtë e brezit tonë. Ndjeje paksa liri më tepër brenda pamundësisë së kohës. Dhe të mendosh se çfarë ndodhte rrotull, pikërisht në atë kohë. Një djalë jetim, moshatar me ne, qe kishte qenë në jetimoren e Shkodrës ku unë e kisha njohur, Skënder Daja, e burgosën se ishte i pasionuar pas këngëve italiane të Adriano Çelentanos. Më pas e pushkatuan në Spaç. Edhe atje para se ta ekzekutonin këndoi Çelentanon. A e dinë italianët këtë? A e di Çelentano? Gjithsesi edhe në kohërat më të qeta në atë dreq luftë klasash e shfaqjeve të huaja, nuk qenë pa rrezik dëgjimi e komentimi i këngëve italiane. Por gjithsesi e sado e rëndë të këtë qenë ushtruar dhuna psikofizike, në rininë tonë i kemi dhënë sado pak liri vetes, brenda asaj pamundësie të përgjithshme që të zinte frymën e ti mbyste liritë dhunshëm.
Këto më vinë në mendje kur kujtoj kohën që me Bashkim Golemin rrinim tek Truma e Dugajve të Reja, ku hidhnim ndonje sy edhe nga vajzat e Institutit e diskutonim me orë të tëra për këngët italiane madje edhe konkuronim me njeri tjetrin se kush di më shumë emra këngëtarësh apo kush ruante në kujtesë tekstet e këngëve dhe vijën melodike. Miku im i rinisë Bashkim Golemi ishte pasionant, i sinqertë, energjik, me fantazinë që e çonte kudo në hapësira lirie. Ndjehej kjo edhe në ato garat që bënim me njëri-tjetrin për çfarë dinim e nuk dinin për Domeniko Madunjon, Adriano Celentanon, Nikola di Barin, Iva Xanikin, Ornela Vanonin, Katerina Kazelin, Luçio Batisti e Luçio Dala e plot të tjerë. E në të gjitha rastet, falë prirjeve të tij muzikore që më habisnin, i fitonte shoku im i rinisë Bashkim Golemi. Shpesh më vinte e hidhur humbja ( eh rini e çashtër si qielli i luleve të majit), nervozohesha nga padija ime përballë shokut që i dinte aq mirë e i përsëriste aq bukur. E unë, që isha rritur në shtëpi me këngët italiane të përditshme të Dadës sime Katrinë, mbetesha pas. Hatër mbetje e sinqertë, rinore, e atëhershme sigurisht. Flakë kashte. Pjesëz e asaj kohe të ngushtë ku jetonim si në një grackë për shpirtin e ndaluar, por tani më vjen për të qeshur për mënyrën se si e përballonim errësirën me tinguj të bukur që u jepnin dritë e gëzim ditëve tona në mungesë të lirisë.
Duke admiruar këngët që vinin si jehonë që përtej detit (që komunistët dhe sigurimi i konsideronin si bajlozë të zinj sipër dallgëve), na dukej se ne po e sfidonin ndalimin dhe tiraninë. Edhe aq ishte një guxim i madh për kohën që përpiqej ti lidhte njerëzit në shtratin e Prokustit, për ti pasur më pas ushtarë pa tru, shtetas të bindur e të verbër të diktaturës. Fatlumturisht shpëtuam pa u bërë ushtarë prej plumbi, e mbase-mbase shpëtimtarë të ndjesive lirike qenë tingujt e fjala, të cilat i ngrohnin shpirtrat njerëzorë në kohën e ngricës më të madhe në jetën e atyre shqiptareve qe patën fatin e keq të lindnin e të jetonin nën një diktaturë të egër në gjysmën së dytë të shekullit XX.
Ishte koha kur rinia ime hidhte shtat përmes ndalimesh në Shkodër.
____________ ☸ ____________
Dy poezi nga krijmet e Bashkim Golemit nxjerrë nga almanaku letrar vjetor “Shtigje të çeluna” nr. 3 viti 1970, organ i rrethit letrar të Klubit të Rinisë Shkodër, të cilat kanë frymën e asaj kohe rinore e të asaj gjendje ku ndodheshim e ku kërkonim ta zbonim zymtësinë e jetës me këngë e me vargje.
Bashkim Golemi
PËR QYTETIN TIM
Qytet i lindjes, qytet i lashtë
Më je i dashtun, me je i shtrenjtë.
Me rrugë të ngushta, me mure t’naltë
Me gjuhën e bukur, me gjuhë e mprehtë.
Tek ec n’ këto rrugë m’kujtohet fëminia…
Këto rrugë t’ vjetra ku brodha dikur.
Këto shpija me gur
Të mdhejë, të randë
Anash me mur
Të naltë, të gjanë.
Shpërthei fëminia si pranver’ e re
Mbas një dimni të ashpër, të gjatë
Ç ‘çeli ajo nën qiellin pa re
Mbi rrugët e vjetra
Çmpleksen andrrat, zë flet zemra
Ti po vjen plot gaz e jetë.
Hyn pa frikë në zemrën time
Kështu e dashtun, kështu e qetë.
Çmpleksi flokët, le t’rrëshqasin!
Përmbi supe le të bijnë
Kështu ma bukur dijn’ të flasin
Sytë ma shumë, kshtu do të ndrijnë.
Nuk thermohen andrrat kurrë!
Ndonjëherë fshihen mbas ndonj’reje
Do t’shpërthejn’ ato dikur
Posi pllumba përreth teje.
____________ ☸ ____________
Komentet