Bisedoi Ferdinand Dervishi
“SI E SHKATËRRUAN VOLEJBOLLISTIN ASLLAN RUSIN PSE DASHUROI VAJZËN E ENVERIT” – pohon Mjeshtri Vangjel Koja ish-trajneri i ekipit “DINAMO” –
Asllan Rusi, ish- volejbollisti më i mirë i ekipit të Dinamos në vitet ‘70, është goditur dhe shkatërruar nga Sigurimi i Shtetit në kulm të karrierës së tij, vetëm sepse dashuronte vajzën e Enver Hoxhës. Një ngjarje e frikshme, pasojat e së cilës pak vite më vonë i kanë kushtuar jetën. Tashmë, pas rreth 25 vitesh nga humbja tragjike, historia e njeriut që shkroi një faqe të artë në librin e sportit shqiptar, për herë të parë pranohet e bashkuar me një tjetër fletë, kësaj radhe të zezë, të një historie tjetër. Faktin e pohon Mjeshtri Vangjel Koja, ish-trajneri i shquar i ekipit të meshkujve të Dinamos në vitet 1960-‘90. Është një burrë rreth të shtatëdhjetë e pesave, por këtë moshë vetëm pamja nuk mundet ta fshehë. Ndërsa për 75 vitet e logjikës, Vangjel Koja, duket se është i aftë të matet me më të mirin. Në raste të tilla me vete mban edhe një bllok shënimesh, që daton vitet ‘50 dhe që e ndihmon të jetë konçiz, më saktë të hedhë baste gjithmonë të fituara me veten. “Hidhini një sy. Në vitin 1962 Asllan Rusin e kam të fundit në listën e volejbollistëve, një renditje që e bëja duke respektuar aftësitë e gjithsecilit. Kurse në vitin 1975, kur edhe ndodhi ngjarja, e kam të parin në listë. Prej këtej e thyen dhe e hodhën përtokë si të ishte një fletë peme…”, – rrëfen trajneri Koja, duke shpjeguar se shkatërrimi i jetës së Asllan Rusit, është një nga pengjet më të mëdha të jetës së tij. Gjithçka kishte ardhur papritur, aq papritur sa vijnë gjithmonë ngjarjet e frikshme.
Zoti Koja, do më pëlqente ta nisnim nga fillimi. Si jeni njohur me Asllan Rusin?
VANGJEL KOJA: Ka qenë viti 1961. Asllan Rusin, një adoleshent gjatosh, e pikasa në skuadrën e volejbollit të të rinjve të ekipit të Tiranës që kishte për trajner një mikun tim, Thanas Mitrushin. Duket Asllani ishte paska tip i pashtruar dhe kishte pasur disa përplasje me trajnerin. Kurse mua më bëri përshtypje që ishte më i gjatë se shokët e skuadrës. Biseduam dhe kur dëgjoi dëshirën time për ta marrë me Dinamon, Mitrushi nuk ma bari dysh: Ta jap unë Asllanin, – më tha. Unë isha tjetër tip, u bija kokës lojtarëve dhe nuk kisha asnjëherë probleme disipline, kështu që nuk më trembi “shtrimi” i Asllanit. Ai nisi të stërvitej me të rinjtë e Dinamos përgjatë vitit 1961. Një vit më pas forma e tij ishte shumë e mirë dhe e kaluam me ekipin e të rriturve. Kështu nisi edhe historia e tij që pak vite më pas do të njësohej me historinë e Dinamos së madhe, ekipit që do të bënte epokë në volejbollin evropian. Asllani ka qenë i vitlindjes 1945. Vinte i dobët, por me kalimin e viteve u mbush dhe gëzonte një fizik dhe një trup të formuar për të pasur zili. Kam edhe parametrat: Ishte 188 cm i gjatë, peshonte 88 kilogramë, gjatësia me krahë 2,45 m, kërcimi 3,45 metra…
Dhe kur, në ç‘vit Asllani arriti të ishte një nga më të mirët e ekipit të Dinamos?
VANGJEL KOJA: Ishte i talentuar dhe u ingranua shumë shpejt. Nisi të shkëlqente që në vitin 1963. Një vit më pas me Asllanin në skuadër do të fitonim titullin Kampion Kombëtar, madje filluar nga ky vit titullin e fituam tetë herë radhazi. Pikërisht në kampionatin e fituar të vitit 1964 spikatën gjuajtjet nga vija e dytë të Asllanit. Kujtoj se këto gjuajtje në atë kohë nuk i bënte askush në Shqipëri. Kishte një taktikë të gabuar, sipas të cilës për gjuajtjet nga vija e dytë nuk organizohej bllok dhe liheshin të priteshin. Por pothuaj në të gjitha këto gjuajtje Asllani merrte pikë. Kujtoj se kampionatin e fituam me një ndeshje të drejtpërdrejtë me ekipin e Partizanit, që në ato kohëra lulëzonte dhe kishte “aneksuar” prej kohësh titullin kampion.
Dihet që Dinamo në atë kohë ka arritur të luajë deri në gjysmëfinalet e Kupës së Evropës, një arritje nga më të mirat e sportit shqiptar, tashmë krejt e paimagjinueshme. Cili ishte roli i Asllanit në skuadër?
VANGJEL KOJA: Asllani ishte nga më të mirët e turneve në një kohë që luanim më skuadra kampione të Evropës. Kujtoj se ai, por edhe Dashamir Fagu, – këtë e merrnim “borxh” nga “Partizani”, patën oferta për të luajtur me ekipe të mëdha të Evropës. Kuptohet, një ëndërr që komunizmi nuk e lejonte. Pra, me kalimin e viteve loja e Asllanit vinte në rritje. Le të shohim një statistikë. Në kampionatin e vitit 1969-‘70 Asllan Rusi i ka dhënë skuadrës 160 pikë, pra është më i miri i ndjekur nga Kreshnik Tartari, që renditet i dyti. Pas kësaj kohe ka qenë absolut në lojën e tij që vinte duke u rritur. Në vitin 1972 arritëm të futeshin në gjysmëfinalet e Kupës së Evropës, ku Asllan Rusi dhe Dashamir Fagu bëjnë figurë të shkëlqyer. Hidhini një sy bllokut të shënimeve. Që nga viti 1973 Asllan Rusi renditet i pari, jo vetëm sipas vlerës, por edhe sipas pjekurisë. Por siç e shikoni edhe vetë, ai ka luajtur deri në vitin 1975. Më tej Asllani nuk luan më… nuk ka më Asllan.
Pse nuk ka… çfarë ndodhi?
VANGJEL KOJA: E goditën, e rrëzuan… Kaloi disa peripeci në këtë kohë… dashuronte vajzën e Enver Hoxhës.
Si u krijua mundësia të njihej me vajzën e Enver Hoxhës?
VANGJEL KOJA: Janë njohur në plazhin e Durrësit, në Kavalishencë. Duhet t‘ju kujtoj se ekipi i Dinamos i përkiste Ministrisë së Brendshme dhe si të tillë kishim të drejtë të shfrytëzonim një pjesë plazhi të rrethuar në Durrës në dispozicion të Ministrisë së Brendshme, që rëndom quhet Kavalishenca. Ngjitur ishin edhe vilat dhe plazhi i udhëheqjes komuniste të kohës. Pikërisht këtu janë njohur Asllani me të bijën e Enver Hoxhës. Kujtoj gjithashtu se vajza e Enverit stërvitej me ekipin e femrave të Dinamos dhe kjo ka qenë një tjetër mundësi kontakti mes të dyve. Vajza ishte e gjatë dhe llogaritej të ishte një volejbolliste me perspektivë. Kujtoj gjithashtu se ajo ishte më e vogël në moshë nga Asllani.
Nga sa dini ju, bëhej fjalë për dashuri të ndërsjellë, apo vetëm Asllani ishte dashuruar pas vajzës?
VANGJEL KOJA: Unë flas nga pozita e një trajneri, që sigurisht nuk e ka mundësinë të dijë më shumë se lojtarët e skuadrës. Kështu që mendoj se lojtarët e tjerë të skuadrës dinë më shumë hollësi të këtij lloji. Për një gjë jam i sigurt, që Asllani e dashuronte. Jam i sigurt gjithashtu se pikërisht kjo dashuri u bë shkaktare që atij ti shkatërrohej jeta, duke filluar me largimin nga ekipi i Dinamos e dërgimin me dhunë në spitalin psikiatrik.
“Në psikiatri, Asllan Rusit i injektuan ilaçe shkatërruese” “E larguan nga ekipi, se donte vajzën e Enverit”
Mjeshtër, kur kuptuat se Asllan Rusi kishte probleme, apo nisi të ndryshonte në sjelljen e tij?
VANGJEL KOJA: Bëhet fjalë gjithmonë për në vitin 1975. Kohë kur ai dashuroi vajzën e Enver Hoxhës. Natyrisht unë e mësova më pas këtë fakt, por pikërisht në këtë kohë Asllani pati një ndryshim në sjelljet e tij, që s’më shpëtoi nga vëmendja. Nisi të konsumonte alkool. Duket që e kishte një hall. Gjithsesi, në fushën e lojës vazhdonte të ishte një lojtar perfekt. Pak ditë më pas, pas interesimit pse mungonte në stërvitje, më thanë se e kishin shtruar në spitalin psikiatrik. Kjo më shokoi.
Për sa kohë e kishit njohur, ju kishte dhënë ndonjë shenjë Asllani se kishte probleme nga ato që mund të shërohen në psikiatri?
VANGJEL KOJA: Absolutisht jo. Asllani ishte në kulmin e karrierës dhe shkëlqimit të tij si sportist. S’ka ndodhur kurrë të ketë shkaktuar situata të pakëndshme, apo të tregonte se kishte probleme mendore. Prandaj, edhe shtrimi në spitalin psikiatrik m’u shkarkua me dhimbje në mendje. Me të mësuar për këtë, u nisa me urgjencë për në spital që ta vizitoja.
Mund të na përshkruani si e gjetët?
VANGJEL KOJA: Po. Ka qenë një nga skenat më të dhimbshme që kam përjetuar. Sa hyra në dhomë, mu shfaq një Asllan i tjetërsuar. Të më kuptoni. Gjatë atyre viteve isha mësuar të konceptoja një Asllan me trup viganësh, që ia kishin zili shumëkush, një Asllan vital, të qeshur dhe njëkohësisht të sjellshëm e të bindur. Pra, u futa me këtë përshtypje në dhomën ku e kishin shtruar dhe u shtanga kur e pashë. Në pak orë të kaluara aty brenda, se nuk ishin bërë akoma ditë, ai ishte tjetërsuar. Ishte lëshuar krejt dhe nuk ishte në gjendje as të çonte gotën e ujit me duart e veta te goja. U tmerrova dhe kërkova shpjegime. Një mjek më sqaroi se ishin duke e kuruar për sistemin nervor. Mjeku mu prezantua si tifoz i sportit të volejbollit. Më thotë: Mos u tremb. Po i bëjmë një kurë me ilaçe që i heqin forcën nervore… Por me kalimin e kohës gjithçka do kalojë…
Si u gjend në këtë spital Asllan Rusi, shkoi me rekomandimin e ndonjë mjeku, apo…?
VANGJEL KOJA: Këtë e mësova më pas. Është nga ato histori të cilat pasi i dëgjon të presin krahët, pasi dalin jashtë fuqive të tua. Më rrëfyen se Asllanin e kishin çuar me forcë në spitalin psikiatrik. I kishin kurdisur një kurth. Duket, ata kishin tentuar ta merrnin dhunshëm në ndonjë tjetër rast, por ka gjasa që kishin dështuar, për shkak të fizikut të jashtëzakonshëm të Asllanit. Prandaj i kishin bërë llogaritë mirë që të mos dështonin sërish. Më rrëfyen se kurthin ia kishin gatitur në afërsi të Degës së Brendëshme të Tiranës. Sot në të njëjtat ambiente është Drejtoria e Policisë. Dy policë të bëshëm, të cilët ishin njëkohësisht mundësa të “Dinamos”, që të dy të njohur apo miq të Asllanit, i kishin prerë rrugën me një makinë policie. Dy policët kishin zbritur nga makina dhe pa dhënë asnjë shpjegim e kishin marrë Asllanin me forcë dhe futur dhunshëm në brendësi të xhipit. Mua më thanë se nga këtu ishin nisur drejt e në spitalin psikiatrik.
Pra, Asllani u çua në spital forcërisht, jo sepse kishte nevojë për kurim?
VANGJEL KOJA: Asllan Rusi u shkatërrua nga injeksionet në spitalin psikiatrik. Nuk ishin të natyrshme këto zhvillime. Asllani nuk u dërgua në spital se ishte i sëmurë, ai u shkatërrua nga diçka tjetër. E goditën, sepse dashuronte vajzën e Enver Hoxhës. Kjo histori e shkatërroi. Kur e pashë në atë gjendje, e mendova të humbur. Kujtoj se në spital i shkonte përditë i vëllai, Mimi, një basketbollist i mirë joni, i cili i rrinte pranë me orë të tëra. Pas vdekjes së Asllanit, në vitin 1983, Mimi kaloi shumë kriza nervore dhe humbi jetën duke u hedhur nga dritarja e pallatit.
Ç’ndodhi më pas? Asllani doli një ditë nga spitali, apo jo?
VANGJEL KOJA: Patjetër. Por nuk ishte më në gjendje të stërvitej. Ishte lëshuar shumë fizikisht. Kujtoj Asllanin që vinte pranë fushave ku stërviteshin shokët e vet dhe kalonte kohën duke luajtur “nëntësh” me rojen. Një skenë që më shkaktonte lotë. Por çuditërisht pati një periudhë që Asllani e merr veten. Ishte i njëti vit, 1975, dhe skuadra jonë ishte në Rumani për Kampinatin Evropian. Aty Asllani luajti si i barabartë me ekipin. Por me t’u kthyer në Shqipëri, sërish përfundoi në spital. Pas kësaj e detyruan të largohej nga ekipi i “Dinamos”…
Le të ndalemi pak në këtë pikë, pasi kolegët e vet thonë se pikërisht largimi nga ekipi i “Dinamos” e shkatërroi përfundimisht Asllan Rusin… Jeni edhe ju i të njëjtit mendim?
VANGJEL KOJA: Kam qenë dhe mbetem i mendimit se atë e shkatërruan, sepse dashuronte vajzën e Enver Hoxhës. Mua më kanë thirrur në Ministrinë e Brendshme dhe më kanë urdhëruar ta largoj Asllanin nga skuadra. Duhet t’ju risjell në vëmendje, se “Dinamo” ishte ekip i Ministrisë së Brendshme. Nuk më kujtohen njerëzit që më thirrën, por kujtoj se më thanë prerë: Asllani s’është më për ne. Një urdhër përpara të cilit isha krejt i pafuqishëm, edhe pse u përpoqa ta ndihmoja Asllanin. Sipas mjekëve, atij i bënte mirë sporti. Kështu që në atë përballje të pabarabartë në Ministrinë e Brendshme, arrita të paktën që të “merrja leje” që Asllani të kalonte në një tjetër ekip.
Si reagoi Asllani kur i komunikuat largimin nga skuadra?
VANGJEL KOJA: Nuk më keqkuptoi kur ia thashë. – Të paktën më rregullo në ndonjë ekip tjetër, – më tha.
Ishte një nga bisedat më të vështira të jetës sime. Më dhimbsej. Asllani nisi të luante me ekipin e Studentit përgjatë vitit 1966 dhe natyrshëm që vazhdonte të ishte më i miri i ekipit. Por duket aty nuk merrte të njëjtën kënaqësi shpirtërore që merrte me “Dinamon”. E la shpejt sportin, në vitin 1976. Kujtoj se vitet e fundit të jetës i kaloi si mësues fizkulture në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Më tej u godit nga një sëmundje kanceroze. Unë shkoja shpesh ta shihja në spital. Aq shpesh, saqë dikur i kishte thënë Andi Tiranës, që ishte njëkohësisht mjek dhe volejbollist i Dinamos: “Nuk ma merrte mendja se nga të gjithë, më shumë më donte profesori”. Vdiq në vitin 1983. Ishte vetëm 38 vjeç.
“SI E MORËM ASLLANIN NË RUMANI PËR TA KURUAR”
Ka pasur një periudhë kur Asllan Rusi ishte shfaqur i njëjtë me Asllanin që kishte qenë para se ta shkatërronin me ilaçe. Një kohë e shkurtër që kishte bërë trajnerin dhe kolegët e tij të mendonin se gjithçka do të riparohej më në fund. Ishte viti 1975 dhe Rusi i shkatërruar fizikisht nga injeksionet në spitalin psikiatrik, vetëm sa paraqitej në stërvitjen e skuadrës. Në këtë kohë “Dinamo” duhet të shkonte në Rumani për të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të volejbollit. Nuk dihet se si ia kishte arritur, por trajneri Koja kishte mundur të fuste edhe emrin e Asllan Rusit në listën e lojtarëve që do të niseshin jashtë vendit. Ishte justifikuar me shprehjen: Ta kurojmë njëherë në Rumani. Një shprehje që fatmirësisht kishte funksionuar me suksesin e “hapu Susam”. Duket njerëzit e Sigurimit të Shtetit që shihnin me lupë emrat e sportistëve të cilët shkonin jashtë shtetit, nuk kishin pasur kontradikta pikërisht me këtë kërkesë: Ta kurojmë njëherë në Rumani. Ajo duket u kishte ardhur për shtat e kishte përkëdhelur variantin e tyre, sipas të cilit Asllan Rusi ishte një i sëmurë që duhet të kurohej në spitalin psikiatrik. Duke vazhduar rrëfimin, trajneri Koja shpjegon se si me të mbërritur në Rumani shëndeti i Asllanit ishte përmirësuar me hapa galopantë. “Në pak ditë nisi të stërvitej dhe po tregonte një formë të shkëlqyer sportive. Nuk do ta besoni, por falë kësaj forme ne e aktivizuam në ndeshjet e drejtpërdrejta me ekipet më të mira të Ballkanit dhe Asllani ishte ai i mëparshmi. U vlerësua madje, ndër të dalluarit e këtij kampionati”, – rrëfen Mjeshtri Vangjel Koja. Por duket në tokë të huaj, larg stresit të Tiranës, kishte ndodhur edhe shkëlqimi i fundit i Asllan Rusit. Pasi me t’u kthyer në Tiranë, shëndeti i tij sërish shkatërrohet. Askush nuk di të thotë se në ç’rrethana ai përfundoi për së dyti në spitalin psikiatrik. Për më tepër, asnjë nga miqtë e tij nuk di shumë hollësira. Duket Asllani nuk u rrëfente kolegëve të vet për problemet e tij. Të pyetur për këto ngjarje, ata që gjenden në Shqipëri janë mjaftuar me shprehjen: “Dimë vetëm atë historinë me vajzën e Enver Hoxhës”. Duke qenë se janë të pakët dëshmitarët e hollësive të kësaj historie, ka shumë të ngjarë që të vërtetat e tij Asllani t’ia ketë besuar një tjetër personi, që tashmë nuk jeton, mbase të vëllait, ish-basketbollist, i cili i ka marrë me vete në varr, pasi humbi jetën në rrethana të habitshme duke u hedhur nga lartësia e një pallati. Fe. De.
KUSH ËSHTË VANGJEL KOJA?
Një jetë në punë. Kjo është historia me tre fjalë e njeriut që mban emrin Vangjel Koja. Ka drejtuar ekipin e volejbollit të meshkujve të Dinamos për më shumë se 30 vite, por është marrë me këtë sport për gati 50 vite. Dhe gjithmonë ka pasur rezultat, madje edhe pak javë më parë kur ndihmoi ekipin e femrave të Dinamos të shpallej kampion. Tashmë “Mjeshtër i Madh”, titull i dhënë nga Presidenti i vendit në dhjetor 2003, Koja është laureuar gjithashtu me tre urdhra “Naim Frashëri” të kategorive 1,2 dhe 3 si dhe me titullin “Mësues i Popullit”. Mbart me vete gjithashtu një histori interesante, sipas së cilës dikur e kishin detyruar të zgjidhte volejbollin. Vangjeli e kishte nisur sportin në vitin e largët 1947. Në moshën 14 vjeçare ishte shpallur kampion me të rinjtë e ekipit të Tiranës në katër gara: hedhje shtize, kërcim së gjati dhe në vrapimet në distancat 800 e 400 metra. Njëkohësisht i pëlqenin basketbolli dhe volejbolli. Por kur në vitin 1956 “nga lart” vjen një direktivë që sportistët duhet të specializoheshin në një lloj sporti, Vangjeli zgjedh më të fundit, volejbollin. Në vitin 1958 krijon shkollën sportive “Dinamoviti i ri”. Deri në vitin 1963 bën trajnerin dhe lojtarin në ekipin e volejbollit (meshkujt) të Dinamos, një ekip që u krijua në vitin 1958. Merr pjesë në disa turne ndërkombëtarë, por në këtë kohë forma e ekipit të ri nuk ishte më e mira. Dinamo luan fillimisht në kategorinë e dytë, por duke dalë kampion në vitin 1959, futet në të parën. Më tej rritja e ekipit të Kojës është e papërballueshme. Në vitin 1961 zë vendin e katërt, një vit më pas të tretin, më 1963 të dytin dhe më 1964 të parin. Më pas 8 vite rresht Dinamo shpallet kampion kombëtar. Tetë vite më pas ekipi futet në gjysmëfinalet e Evropës. Koja është në drejtim të Dinamos deri në vitin 1990. Më tej shkon trajner në Itali, ku merret për gati 10 vite më trajnimin e femrave në Kastelana Grotte (Pulia) duke pasur sërish sukses.
Fatkeqesite e familjes Rusi
Familjen e Asllan Rusit e kanë ndjekur pas aq shumë fatkeqësi, sa tashmë prej trungut të saj nuk jeton askush. Babai, Xhelal Rusi, një farmacist i diplomuar në Francë, që njihej edhe me Enver Hoxhën, vdiq në moshë ende të re duke u shprehur gjithmonë i pakënaqur nga regjimi komunist. Të njëjtin fat pati edhe e shoqja, që ishte njëkohësisht e mbesa e poetit kombëtar Naim Frashëri. Në vitin 1983 vdekja nuk kurseu edhe volejbollistin e talentuar, Asllan Rusi, në këtë kohë me fizik të shkatërruar. Por e dhimbshme është edhe historia e vëllait të tij të vetëm, që pas humbjes së të afërmve të familjes, përgjatë një krize mendore, u hodh nga një kat i lartë pallati duke humbur edhe ai jetën.
“ME RUSIN NGJITËM DINAMON NË GJYSMËFINALET E EVROPËS”
Duket gjithçka ka qenë një bashkim njerëzish që dëshironin shumë të dallonin nga të tjerët, nisur nga trajneri. Pasi historia e ngritjes së ekipit të sapoformuar të volejbollit të meshkujve të Dinamos ka qenë spektakolare. I krijuar më 1958 ekipi e nis startin nga kategoria e dytë për të mbërritur 14 vite më pas të barazohej me më të mirët e Evropës. Është një histori e denjë dhe e pazakontë që barazohet me shumë pak raste në botë, më saktë aktualisht mund të krahasohet me ngritjen e futbollit të ekipit të Kievos pak vite më parë. Sipas rrëfimit të trajnerit Vangjel Koja, gjithçka i dedikohet një grupi lojtarësh shumë të aftë, siç ishin Asllan Rusi, Kreshnik Tartari, Ylli shehu, Franc Jakova, Zhani Bonata, Anastas Panteqi, Andrea Gjika, Foto Kola, Ali Lulolli, Shkëlzen Hoxha, Shaban Uka, Kiço Lena, Enis Terihati, Rajmond Gjerazi, Ilir Cirinaku, Hajrulla Beriolli, Leonard Tase, Vladimir Starja e të tjerë.
Pasi ekipi meriton titullin “Kampion Kombëtar” në vitin 1964, rritja është e papërmbajtshme. Sipas trajnerit, në vitin 1966 Dinamo shpallet kampion me 14 fitore dhe asnjë humbje. “Ndërkohë, kishim humbur një lojtar shumë të mirë, Zhani Bonatën, një gjuajtës që rivalizonte Asllan Rusin. Bonatën e goditën për shkak të biografisë. I kishin pushkatuar të atin. Ishte një humbje e madhe për skuadrën”, – rrëfen Vangjeli. Gjithsesi, Dinamo kishte bërë përpara. Turne të ndryshme, qoftë në Kinë, vend që me të cilin në atë kohë shteti shqiptar kishte marrëdhënie të mira, kishin bërë që skuadra të merrte edhe përvojën e duhur në ndeshje ndërkombëtare.
Sfida evropiane nis në vitin 1966, kur për herë të parë një ekip shqiptar merr pjesë në kupat e Evropës. Ndeshja e parë sipas shortit zhvillohet në Tiranë. Përballë ishte kampania e Italisë, VIRTUS-Bolonja. Sipas statistikave të pagabueshme të trajnerit, Mjeshtrit Vangjel Koja, Dinamo fiton 3-0 (45-18). Ndërsa në Itali mundet 0-3 (45-28). Dy pikët më tepër të shënuara e kualifikojnë. Kalimi i këtij turi ishte një ngjarje e pazakontë për spotin shqiptar. Por i njëjti skenar, pra vetëm për dy pikë, do të skualifikonte Dinamon në ndeshjet e radhës. Këtë radhë përballë kishin volejbollistët me eksperiencë të BLLOKER, kampiones së Holandës. Ndeshja e parë përfundon 3-0 (45-30), por në Holandë gjithçka përmbyset. Dinamo humbet 0-3 (45-28) dhe skualifikohet vetëm për dy pikë. “Na bëri hile një arbitër gjermano-perëndimor. Ishte koha e Luftës së Ftohtë dhe ne lindorëve nuk na donin. Kujtoj se në setin e dytë ishim ne përpara me pikë 13-10, por arbitri na penalizoi disa herë rresht duke e përmbysur në 13-15 setin”,- rrëfen me keqardhje Vajgjeli. Por sukseset duket kishin bërë pakt me Dinamon. Në vitin 1970 dhe 1971 Dinamo mund dy herë në Athinë dhe dy herë në Tiranë ekipin kampin grek Panathinaikos, ndërkohë që fitorja në Tiranë me MLLADOST-in e Zagrebit 3-1, me gjithë humbjen në transfertë 0-3, është llogaritur si nje tjetër arritje e madhe e volejbollit shqiptar, për shkak se kjo skuadër ishte në elitën e volejbollit botëror. Ndërsa historia shkruhet në vitin 1972, kur Dinamo kualifikohet në gjysmëfinalet e kampionëve të Evropës. Dinamo kualifikohet duke pasur në grup skuadra nga më të mirat si AMVJ-Holandë, CSKA-Sofje dhe REBELS-Belgjikë. Dinamo fiton 3-2 me CSKA dhe 3-1 me REBELS, mundet 3-0 nga kampionët e Holandës (këtu u bënë ndeshjet kualifikuese), por gjithsesi del në gjysmëfinale që zhvillohen në Belgjikë. Edhe pse mundet nga AMVJ 3-0, ZOTOR-BRNO (Çekosllovaki) 3-0 dhe RUIN (Itali) 3-2, Dinamo bën një figurë të shkëlqyer. “Ishin rezultate që sot as mund të ëndërrohen. Natyrshëm që lojtari më i mirë yni ishte absolutisht Asllan Rusi. Ishte vërtet një kundërshtar që trajnerët e skuadrave më të mira të Evropës e kishin në konsideratë. Ishte koha kur edhe Asllan Rusi edhe Dashamir Fagu, i marrë nga Partizani, kishin shumë oferta për të luajtur me ekipe të ndryshme të Evropës”, – përfundon trajneri që ka pasur fatin të stërvitë kampionë./GSH2007
Mos abuzoni kot. Vajza e Enver Hoxhes nuk e ka dashur Asllan Rusin. Atij i pat ikur mendja e i shkonte mbrapa. Ajo me qytetari i thoshte qe mos me ndiq se pergjigja ime eshte qe nuk te dua. Tani sajohen historira koti. Mos genjeni kot o njerez.