SI E NJOHA DHE SA NUK E NJOHA TAHIR KOLGJININ
– në 120 VJETORIN e LINDJES –
Ishte mars i vitit 1971, kur e takova sëpari herë.
Jo rastsisht. Miku im Eqrem Kryeziu, i cili mbante korespondencë me Ernest Koliqin dhe Tahir Kolgjinin, pati mirësinë të më jepte lidhjen në Stamboll, për çka i falënderoj sinqerisht. Në fillim të mrsit, 1971 duke u kthyer nga Bagdadi pas një qëndrimi njëmujor, për vizitë shokëve të gjeneratës time që vazhdonin studimet në Universitetin e Bagdadit, u ndala edhe në Stamboll, për disa ditë. Këtu jetonte halla ime me familje, në një lagje, që tani nuk ekziston – këtu kalon magjistralja Rumeli-Azi – Otakçılar, në rajonin Edrene Kapı.
Me Axhën Tahir u takuam në Tahta Kale – KAPALI ÇARşI, në zyrën te ndërtesa Davud-Han,shkova me Rushanin,herën e parë teTahir Kolgjini, një zotëri rreth shtatëdhjetave, elegant, siç ia kërkonte pozita, me simpatinë që kishte ndaj Eqrem Kryeziut më priti me kënaqësi të veçantë.
Ky udhëhiqte shërbimin Hyrje-Dalje të financave në kompanin AHSUVAR FABRIKASI – pronë e familjarëve të Shahsivar Ali Prishtinës.
Herat tjera shkoja vetë në Tahta Kale, te Tahir Kolgjini. Në takimin e parë këmbyem njoftimin e ndërsjell: një student i filologjisë Orientale dhe një kuadër i rexhur në rrjedhat politike shqiptare e më gjerë, si edhe në hulumtime historike e filologjike. Këtë e dëshmonte me veprat që më dhuroi, në fillim vetëm SHPALIME RRETH LAHUTËS dhe PO VAJTOJMË GJON GJININ, e më pastaj edhe veprat ESAT PASHË TOPTANI DHE AKUZAT QË I BËHEN, këta në gjuhën shqipe, kurse më pastaj dhe një vepër në gjuhën turke: Të vërtetat dhe të pavërtetat e marrëdhëneve Shqiptare-Greke.Nga ky takim i parë, axha Tahir Kolgjini, më përcolli me dhuratat: Türk edebiyyat tarihi, 3 vëllime, të autorit Ahmet Kabaklı, për të cilin më tha se ishte një shqiptarë, muhaxher i mëhershëm në Turqi, po edhe me dy çanta luksoze për studentë: njërën për mua dhe tjetrën për Eqremin, të cilit ia kishte lakmi mjekrrën rinore.
Deri në vitin 1986, sa herë që kam shkuar në Turqi, për simpoziume, jemi takuar disa herë. Herën e fundit më priti në shtëpin e tij në Floriya, një paralagje e Stambollit. Unë, pas takimit të parë, e dija se Tahir Kolgjini ishte hafiz i Kur`anit, këtë ma pat konfirmuar mulla Sadri Prestreshi profesor, në Prishtinë, por me axhën Tahir nuk e diskutuam asnjëherë këtë çështje, për çka më vjen keq sot, që nuk e kam përfshi në leksikonin e hafizëve HAFIZËT TANË GJATË HISTORISË, që e botova në vitin 2010, Prishtinë.
Më fliste për shërbimin e tij në Prizren, me detyrë të lartë në sigurimin e shtetit – shërbim i punëve të brendshme në periudhën e SHQYPNIS VJETËR, e ndonjë hollësi tjetër, lidhur me gazetën Besa dhe gazetën Vardar, siç më thoshte e kam ushqyer me artikuj, por gjithmonë me kujdes dhe i përmbajtur, sepse, më thoshte nuk të duhen më shumë sepse mund të rrezikojnë.Si njeri me përvojë në hetime, më kursente nga ndonjë situate e paparashikuar në ato rrethan politike shoqërore në Jugosllavi.
Kontribut i tij është edhe pajisja ime me ENCIKLOPEDINë 6 vëllimëshe të Sami Frashërit, KAMUSU-L-A`LAM, për të cilën i bëri telefon zotëri Ibrahimit, në sahafçılar çarşısı – ngjit me Sheshin BEYAZIT, dhe ai ma pat siguruar me një çmim simbolik – ashtu e kishte porosit TAHIR HOCA. (për 120 dollar)
Kam ditë çka kam ditë, e kam njohur si e kem njohur, por nuk kemi pas kohë apo qëllimisht zotëri Tahir Kolgjini iu ka shmangur atyre bisedave dhe unë nuk kam ditur kontributin e tij dhe rolin e tij në organizimin e mbrojtjes së vlerave kombëtare gjithëshqiptare, në xhami e në gjykata, në zyra e jasht zyrave. Nuk e kam ditë potencialin e tij në nivelin e një figure për administrim të shtetit shqiptarë. Angazhimin e tij për shtet të plotë shqiptarë. Fatmirësisht këtë vit lexuesi shqiptar mori Komlpetin e veprave te tij.
Tash e di se sa nuk e kisha pas njohur Tahir Kolgjinin, i cili për sigurinë time më pat dhënë adresën e vajzes tij në Stamboll, për komunikim më të sigurt.
Sot më bën krenar dhe mburrem që pata fatin të jem një mik i Tahir Kolgjinit, por më vjen keq që nuk arrita t`ia gjejë një mik,(me porosinë e tij) i cili me dije të tij jetonte në Kroaci, M.Mborja, por mua nuk më shkoi për dore ta gjeja.
Prof.Dr.Feti Mehdiu, Montreal, Kanada, 19. Dhjetor. 2023.