Isha 15 vjeçe kur e pashë për herë të parë
UVIL ZAJMI/ Një histori e bukur dashurie, më shumë se romantike ka qenë ajo e ish-aviatorit, pastaj portierit të “Partizanit” legjendar, kombëtares, Mikel Jankut me Sandra Simon. Nga njohja, në moshë të re me gjimnazisten e “Petro Ninit”, bukuroshen, vajzën adoleshente, çasti, momenti kur u panë, u prezantuan, u takuan dhe puthja e parë. “Një lidhje pasionante, pa kushte e kufi. E tillë mbeti deri kur Mikeli u nda nga jeta”- shprehet Aleksandra për “Panorama”. Një çift shumë simpatik, kur i shihje së bashku.
Znj. Sandra, pak informacion për familjen tuaj?
Fillimisht familja ime ka banuar pranë kinema “Ali Demit”. Ishim katër fëmijë, dy motra e dy vëllezër. Unë më e para, pastaj Petraqi, Pirro dhe motra tjetër. Në fillim të viteve 60-të u transferuam te pallatet pas harkut jugor të stadiumit “Dinamo”, të ato ndërtesa, dy katëshe që janë edhe sot, me ballkone nga rruga.
Shumë afër, por nuk ka interes nga ju…
Sapo ishim sistemuar në ato ndërtesa, pra, banonim afër. Më përpara vinte pallati im, pastaj i Mikelit. Shkak që u njohëm, u bë Efigjeni, motra e tij. Ishim nxënëse te “Petro Nini-Luarasi” në klasë paralele. Mikeli na shihte kur ktheheshim bashkë me Efin nga shkolla, por unë nuk e njihja dhe nuk i kisha dhënë rëndësi.
Cili është momenti që u njohët?
Si banore të reja, një ditë Efigjeni më fton, eja në shtëpi, të njiheshim më shumë edhe si komshinj. 15 vjeç e gjysmë isha kur e njoha e pashë për herë të parë Mikelin. Bashkë me njerëzit e familjes, 6 fëmijë, katër djem e dy vajza. Mbiemër i njohur, i ati ishte diplomuar në Rumani. Mikeli ishte më i madhi, Xhili, Agimi, Vladimiri dhe dy motrat. Më ftonin gjithmonë të shkoja, më kishin pëlqyer si shoqen e vajzës. Kështu nisa ta frekuentoja gjithmonë e më shumë miqësinë, shtëpinë e tyre.
Sa informacion kishit për të riun Janku?
Djalë simpatik, shumë i sjellshëm në ato fillime. Nuk e dija, madje aty jam informuar se kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik, kishte qenë i pari i shkollës, se kishte mbaruar me medalje e artë, për aviator. Pastaj karriera si futbollist, sapo kishte nisur të merrte famë, si portier i “Partizanit”. Luanim me letra, ngrinte sytë, më shihte, më linte të fitoja. Si njerëzit atëherë që ishin shumë të pastër. Kujtoj një mbrëmje, shtator ka qenë, vitit 1962, Mikeli sapo ishte kthyer nga Suedia, me “Partizanin”, i kishte mbetur valixhja në një aeroport, e kishin ngatërruar, diçka e tillë. Ishin shqetësuar në familje.
Shumë shpejt së bashku, fillimisht fshehurazi
Ajo ka qenë një dashuri e shpejtë, dhe tejet pasionante për ne të dy. Një vit të dashuruar, telefon nuk kishte që të komunikoje dhe me Efin ai më sillte letra, ku do të takoheshim fshehurazi. Një herë në javë ne nxënësit shkonim bënim, punën praktike, në Kombinat dhe aty dilja nga dera e pasme, e takoja Mikelin. Vinte me autobuz. Ose ndodhte kur Efi më lajmëronte, e prisja te hyrja kur kthehej nga stërvitja.
Për të ardhur, te ajo mbrëmje e paharruar
Ishte i grumbulluar, e pashë që po vinte. Zbrita me vrap, aty poshtë, nën shkallë u takuam, më përqafoi dhe më puthi. Kjo ishte puthja e parë. Atë natë nuk më zuri gjumi. Ëndërroja, fantazoja, e tillë ishte edhe mosha.
Sandra, një letër, dhe shumë sekrete
Në Shkodër, gjatë një ndeshjeje, Mikeli dëmtohet rëndë, e kanë sjellë gati pa ndjenja. Ismail Feta, mjeku i gjithë sportistëve, njeri jashtëzakonshëm, ndërhyri për mjekimin, shërimin e tij. Gjatë kohës që ishte në spital më dërgoi një letër me Efin, ishim në dashuri. Unë u futa në banjo për ta lexuar. Mami e kuptoi, dhe me thotë “çfarë po bën aty? Nuk i tregova, por ajo diçka kuptonte.
Një dashuri me admirues skuadra, futbollistë.
Dashurinë tonë e dinin lojtarët e “Partizanit”, të kombëtares. Deri kur na zbuluan. Te unë e morën vesh më vonë. Babait tim i tha Gudari një mik i tij. Mendoni, isha gjimnaziste, nxënëse e mirë, në vit të dytë. Në shkollë kishte vajza të bukura, që ishin më të mëdha se unë, por mjaft prej tyre ishin të fejuara, ashtu siç fejoheshin asokohe. Kujtoj Ana e Petrit Qëndron.
Dy njohje paralele në klasë e në fushë
Me Vera Kapon isha në një klasë, në një bankë. Kur ajo u fejua me Mehdi Bushatin, dhe unë me Mikelin ishim gjimnaziste. Shoqe ne, shumë shokë edhe të fejuarit tonë. Mehdiu futbollist i njohur i “Dinamos”, po kështu edhe Mikeli i “Partizanit”. Të dy bashkë edhe në kombëtare. Në stadium me Verën shkonim kur luante Partizani-Dinamo.
Në pritje, gjithmonë pas Mazrekut, Bellovës
Pas ndeshjes, të cilën e ndiqja në radio, me zërin e Anton Mazrekut, Ismet Bellovës, rrija e prisja në ballkoni deri sa të vinte. Mikeli do kalonte njëherë, poshtë ballkonit tim pastaj do të shkonte në shtëpinë e tij. Shumë i thjeshtë, gjithmonë i shoqëruar nga ai grup i zakonshëm tifozësh. Edhe kur kishte humbur i njëjti ritual. Zbrisja e takoja, shkonim në shtëpinë e tij, qëndronim pa aty, dhe më pas dilnim.
Fejesa, nuk ju ndalon as mosha?
Kur shkoi në Hanoi më 1963, tashmë dashuria jonë ishte bërë e njohur. E dinin edhe të afërmit e tij, që Mikeli ishte dashuruar me një nxënëse te “Petro Nini”. Pas kthimit nga Hanoi, ku kishte spikatur, kishin marrë medaljen e argjendë unë isha 17-vjec, shpallëm fejesën, muaji shkurt 1964 ka qenë. Vajtëm te familja e Mikelit, prenë fjalën, më uruan. Thoma Nano, ishte garanti që u fut në mes dashurisë sonë. Babai im e donte shumë Mikelin, dhe nganjëherë kur mërzitej, rrëmbehej, unë i thosha Mikelit anglisht, foli, se vetëm po ti fliste Mikeli ai qetësohej. Mikeli ishte djalë i kulturuar.
Një ndeshje me një protagonsit dhe shumë jehonë
Ka qenë tetor 1965, Është ndeshja që u fol, se u shemb stadiumi. E kam ndjekur në radio. Pasi mbaroi ndeshja, prit e prit, më thoshte mami do bëhesh me zemër. Ishim të fejuar, kisha merak, çfarë mund të kishte ndodhur, kur nga tufa njerëzish që kishin dalë nga stadiumi “Qemal Stafa”, duke kaluar dëgjoja që bërtisnin rrugës:”Janku, Janku”, Nuk durova zbrita morra rrugën dhe te pallatet Moskate, shoh Mikelin, të cilin njërëzit e hidhnin përpjetë. Me dallon mua dhe ashtu siç ishte, aty pranë qëlloi një makinë, hapi derën e saj u fut brenda duke më tërhequr edhe mua. Atë natë shkuam në Shtëpinë Qendrore për të festuar. Partizani kishte fituar 1-0 me “17 Nëntorin”, dhe Mikeli kishte qenë heroi i takimit
Vitet e fejesës, çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Ajo ka qenë një periudhë shumë e bukur. Kudo bashkë, në plazh, çfarë kënaqësie. Shëtitjet në breg të detit, Mikeli njihej, i flisni të gjithë, unë e re, dashuria jonë i tërhiqte vëmendjen. Pastaj mbrëmjet, kërcimet në pistën e Turizmit, me orkestrën e njohur durrsake. Gjatë verës, pas stërvitjes shkonim në kinema verore, në orët e vona, në shfaqje artistike. Pëlqenim filmat e Kinostudios, me aktorët tanë, por edhe ta të huaj, ndër to edhe ata rusë, se Mikeli kuptonte gjuhën. I komentonim më pas me pasion. Edhe teatrin e frekuentonim, sepse aktorët I kishim shumë miq. Shpesh, pas shfaqjes, kur takoheshim, më shumë flitej për futboll se për pjesën teatrale.
Keni dy momente që i referohen Gjermanisë Perëndimore.
Po, e para shtator 1964. Pas barazimit 0-0 në Tiranë me Këlnin, u organizua një mbrëmje, ku ishin të gjithë, lojtarë, drejtues të ekipit gjerman dhe zyrtarë të klubit, futbollistët e Partizanit, familjarët e tyre. Ajo u bë në Shtëpinë Qendrore të Oficerëve te Rruga e Kavajës. Të gjithë bashkë, jemi dëfryer deri në mëngjes, çka i habiti gjermanët. Është kërcyer, kënduar e pirë pa fund. Tjetrën e kam, kur si zakonisht i përcillnim, i prisnim kur shkonin e ktheheshin nga jashtë shtetit. Kur erdhën nga Gjermania, 1967, muaji prill isha shtatzënë. Kur më pa në aeroport, u emocionua shumë. Jo vetëm ai por të gjithë, kujtoj Alfred Kazanzhiun, kryetarin e federatës së futbollit që erdhi më takoi.
Te Vollga, muzikë dhe kërcim argëtues.
Mikeli kërcente shumë bukur. Te Vollga, pas ndeshjeve, aty festonim, të shtunën, apo të dielën në darkë. Kishim veshje të bukur, këpucën, fustanin, për faktin se sportistët, artistët dilnin disa herë jashtë shtetit, kishin privilegje. Fillonte valsi, tre, katër të tilla i kërceja unë me Mikelin. Nuk çohej asnjë çift tjetër, na shihnin ne të dyve, shijonin kërcimin tonë. Edhe orkestra e dinte, ka ardhur Sandra me Mikelin, dhe muzika ishte vetëm për ne. Por edhe te Kisha e Shën Prokopit, te lulishtja e njohur në periudhë vere, shkonim me Rebekën dhe Panajotin më shumë.
Miqësia me sportistë ….
Kujtoj se sportistët në përgjithësi kishin shumë miqësi dhe të bukur. Kur fitonin kampionatin, o ndonjë trofe, jo vetëm futbolli, por edhe në sporte të tjera, mblidheshim për të festuar. Argëtoheshim me muzikë, humor një afërsi e sinqertë me njëri-tjetrin, një shoqëri shumë shumë njerëzore e pastër. Sportistë, drejtues, trajnerë, si Njazi Lleshi, Mico Papadhopulli, Panajot Pano, Muhamet Përmeti, e të tjerë. Organizonim mbrëmje më orkestër, gjatë të cilave kërcenim, këndonim. Po kështu edhe për datë lindje, përvjetorë, kudo bashkë, në gëzime, hidhërime.
….dhe artistë të njohur
Sopranoja Luiza Papa më donte shumë, nuk ma lëshonte dorën. Tejet solare, kujtoj se fliste, i tregonte shumë bukur gjërat. Grua fisnike, kishte dicka të vecantë. Bashkë me bashkëshortin, tenorin e njohur Gaqo Cako, shkonim e vinim, krijuan një afërsi. Po kështu edhe me kompozitorin e paharruar Kujtim Laron, e kishim në një hyrje, takoheshin në darkë, pinte cigare me gruan, Lilin e mrekullueshme. Shtroheshim në shtëpinë tonë apo të tyre dhe, Kujtimi i binte në piano disa pjesëve muzikore, këndonim edhe ne. Gjithmonë Mikeli e pyeste për muzikën e filmit “Lulëkuqe mbi mure, si e kishte kompozuar atë muzikë aq të bukur. Po kështu edhe me këngëtarin e madh Mentor Xhemali, e kishim pranë, banonte afër nesh. Edhe miqësia me artistin Skënder Sallaku, gruan e tij.
Kthehemi pak tek futbolli, është një humbje, që ka reagim të ashpër?
Viti 1966, kur humbën një ndeshje finale 2-1 me “17 Nëntorin”, Petrit Dumja jep urdhër dhe skuadrën e dërguan direkt në Durrës. Unë e prisja si zakonisht të vinte poshtë ballkonit, kur shoh të kalojë autobusi i klubit dhe ai ma bën me dorë por, nuk kuptova asgjë. Prit, prit të vinte, ai i kishte dërguar në konvaleshencë. Shansi im që ata kaluan, para pallatit që i pashë.
Ka reagim pak ndryshe nga ju që i befason të gjithë?
Nuk mund të rrija pa e takuar Mikelin. Të nesërmen, me një shok të tij, me tren, shkoj në Konvaleshencë, te Plepat. Sapo kishin dalë nga mbledhja, trajneri Rexhep Spahiu u habit kur më pa. “Pse ke ardhur”-më pyeti?. U bëra merak i përgjigjem. Mbrëmë janë mbledhur tërë gratë e futbollistëve e kanë bërë grevë”- i them. Profesori dhe disa që ishin aty e morën seriozisht. Në Tiranë, u kthyem të gjithë me autobuzin e klubit.
Si e përjetonit dashurinë, nisur nga disa kushtëzime?
Dashuria jonë ka qenë e kushtëzuar, kondicionuar edhe nga grumbullimet e gjata. Ka ndodhur që kemi qëndruar edhe më shumë se një muaj pa u parë. Kishte raste, kur i grumbullonin që të martën, varej çfarë ndeshje kishin. Grumbullimet zakonisht në Durrës, në klub, te reparti i Diko Zeqos, në periferi të Tiranës. Mezi e prisnim që të mbaronte ndeshja, ose grumbullimi. Apo kur shkonin në Korçë, fazë përgatitore, muaji korrik, kishte raste që shkoja edhe unë, se në Korçë kisha hallat e mamait, dhe qëndroja atje. Ose kur ishte në Kinë, Hanoi vetmi pa fund dhe për kohë të gjatë. Ato ishin të vetmet momente që na ndanin.
Ka një parfum me famë për ju?
Kur vinte nga jashtë shtetit, më sillte gjërat më të bukura, pa ja treguar askujt që të mos i kishte njeri dhe të mos i vinte në pozitë. Dhe unë gjithmonë jam veshur bukur, por asnjëherë më ekzagjerim. Rrallë diçka për vete, çdo gjë e kishte për mua. Po t’i thosha sa e bukur është kjo, herës tjetër ai do ma sillte. Kujtoj kur erdhi nga Kina dhe menjëherë shkuan në Bullgari, edhe pse ishim, të dashuruar më solli një pako mua, pa i treguar as prindërve të tij. Kjo edhe kur familjet nuk e dinin ende lidhjen tonë. Kujtoj një parfum, nga Këlni, ku ishte fabrika e famshme, e njohur për kolonjat.
Një dasmë pa shumë zhurmë
E vendosëm që martesën të mos e bënim të madhe, as me zhurmë, por në familje. Dasmën e kemi bërë në apartamentin te pallati në Rrugën e Durrësit që i kishin dhënë Mikelit. Aty kam ardhur nuse. 17 korrik 1966, ka qenë ishim të dy familjet, të afërm, shokë, miq, futbollistë, plot njerëz. E mobiluam shtëpinë, u krijua një mjedis i bukur, ishim të lumtur, madje unë vazhdoj të banoj ende aty. Kam kujtime pafund që nuk mund të ndahem.
Sa e ndiqje Sandra, kur ai luante?
Nisa edhe unë të bëhem tifoze. Kjo më shumë kur Mikeli, luante, e ndiqja nga radioja, jo në stadium. Ndeshjet nuk transmetoheshin në televizor nga Tvsh, pasi dhe pak televizorë kishte. Mbetej vetëm kureshtja, fitoi ‘Partizani’?
Po stadiumin e frekuentonit?
Vetëm në takime ndërkombëtare. Me shkrimtarin Nonda Bulka, ndeshjen Partizani-Torino, e kemi ndjekur nga tribuna, me biletat që na i siguroi Mikeli. Kam një moment kur një fotograf na fiksoi duke u përqafuar me Nondën, kur Partizani shënoi golin e fitores. Në ato vite ne jetonim te pallati i oficerëve të Rruga e Durrësit dhe me Nondën ishim komshi. Kishte televizor ia kishte sjellë një motër nga Amerika. Na thërriste për të ndjekur programet e Rai-t, Sanremon, Canzonisiman, ndonjë film. “E shikon këtë bibliotekën më thoshte, nuk ma ka mësuar televizori”. Vetëm me Sterjo Spasen kishte miqësi, e vlerësonte.
Marrëdhëniet në familje, si i përjetonit një rezultat sportiv?
Asnjëherë të ndodhte që Mikeli të reflektonte mërzitje në shtëpi pas një ndeshjeje, aq më shumë para meje. Kurrë të më transmetonte problemet, shqetësimet e skuadrës, klubit, humbjen, përkundrazi, vetëm dashuri përcillte tek unë, më respektonte shumë. Edhe kur drejtonte sportin në klub e zyrtar ministri, ishte shumë i logjikshëm, i arsyeshëm me vartësit, sportistët, i kujdesshëm veçanërisht me mua.
Pak më sipër më përmendët një emër, Panajot Pano
Panajotin e donte, kishin shumë miqësi. Njeri dhe lojtar i mirë. Mikeli e adhuronte. Bashkë në plazhe, familje. Kur ndërroi jetë, na merr në telefon Fatmir Frashëri:” Mikel e di që ka vdekur Panajoti? Jo i thotë Mikeli. Me shpejtësi morëm Amerikën, ku ai kishte vajtur te vajza. Folëm me Rebekën, një fatkeqësi e madhe. Pastaj ceremonia e varrimit, pasi sollën trupin në Tiranë. Për Panajotin Mikeli kishte një vlerësim shumë të madh.
Ka një komunikim tjetër për ju?
Televizioni, radioja, janë një tjetër pjesë e jetës sonë, një tjetër dashuri e tij, por gjithmonë pas meje. E ndiqja në radio kur bënte komentin me Ahmet Shqarrin, kthehej vonë në shtëpi. Një miqësi e jona ishte edhe me gazetarin Vladimir Grillo, kur Mikeli nisi si opinionist në televizion. Me Violën, gruan e Ladit, këndonin bukur këngët ruse. Kishte vizion, lexonte, por kur kthehej, gjithmonë më pyeste, e priste, e vlerësonte mendimin tim.
Fëmijët, tjetër dashuri për Sandrën e Mikelin
Djali Albano ishte fëmija e parë, lindi me 13 gusht 1967. Pak ndoqi rrugën e Mikelit si futbollist me Partizanin, por jo portier. Me profesion inxhinier vazhdoi një tjetër karrierë si arbitër futbolli. Mikeli e ndiqte, por shumë i rezervuar në komente edhe kur i duhej të jepte opinion në televizor. Kishte raporte të mira, diskutonin, por asnjëherë të debatonin pas ndeshjeve. Tashmë ka jetën familjare, i martuar me fëmijë. Pastaj vajza, Joli, që ka qenë shumë e lidhur me të atin.
Ndarja, një pabesi e madhe e jetës?
Nuk e priste askush, pasi ishte aktiv, donte ta jetonte çdo çast të jetës. Pas një shqetësimi, ndërhyrjes kirurgjikale, situata u përmirësua, ishte i lumtur. Por pas përkeqësimit të dytë, mjekët nuk i dhanë shpresë. Ashtu u largua, pa thënë asnjë fjalë, në heshtje, pa shqetësuar askënd. E trishtuar për të gjithë.
Një kujtim me vlerë, për ta pasur gjithmonë pranë
Kur Mikeli ndërroi jetë, vajza Joli sapo kishte lindur fëmijën e saj. Atë natë vjen e më thotë mami, orën e babit veja në dorë. Dhe ashtu vepruam. Duke qenë i sëmurë, e pata harruar që syzet dhe unazën ia kishim hequr, dhe që ia kishim lënë. Pas dy-tre javëve se si hapa një kuti, shoh unzën e tij. Shtanga. Do ta mbaja unë tashmë dhe sa herë kemi ndonjë event, me fëmijët, të afërm e ve atë, sepse më duket sikur me atë unazën, ai është prezent. Edhe shënimet e fundit siç i ka lënë, nuk ia kam prekur. Aty para televizorit, ku i mbante i ka.
Znj. Sandra, në mbyllje, ka një moment dashurie të munguar?
Në çdo rrugë, rrugicë të Tiranës kudo ku kaloja, zbrisja nga autobusi, më njihnin, o gruaja e Mikel Jankut më thërrisnin. Edhe tani ashtu më njohin, më nderojnë. Merak e kishte, gjithmonë më thoshte me shaka: “Sandra, dua të bëj një fluturim me avion, ku të jemi vetëm ne të dy, unë piloti dhe ti asistentja ime. Nuk e realizoi. Mikeli ishte i kulturuar, familjar, korrekt, gjithmonë e më tepër më mungon sot.
/Gazeta Panorama
Teper e dhimshme!
Pershendetje i nderuar! E lexova kete shkrim te shkurter, kushtuar profesorit Prenk Kaçinari. Nuk e kam njhur personalisht, pasi jam ma i ri se te tjere durrsakë, qe i ndoqen mesimet e tij ne gjimnazin e Durresit. Por kam njohur Salvator Sotirin, mesues i nderuar ne qytetarine durrsake, qe e kishte daje Prenk Kaçnarin. Para do vjetesh i kam kushtuar nje shkrim ketij martiri te demokracise dhe edhte pjese e librit tim “Misionare ne uedhene dijes”. Shkrimi titullohet: “A u vetevra, apo e vrane?” dhe ne Mars te vitit 2006, ështe botuar edhe ne disa gazeta, si “Durresi Bulevard”, revista “Dituria” ne Suedi, etj. Nese me jepni E-milin tuaj, jua dergoj shkrimin.
Miqesisht dhe mirekuptim!
Kadri Tarelli
Durres.