Musine Kokalari është një personalitet i njohur i historisë dhe letërsisë shqipe .Ajo është heroina shqiptare e kohëve moderne, që luftoi deri në vetëmohim, për një shoqëri demokratike të tipit Evropian dhe për bashkimin Kombëtar.Gjatë 50-viteve të diktaturës, propoganda famëkeqe komuniste e ka paraqitur si armike te popullit .Fotografia e saj shfaqej herë pas here në Muzeumin e Ministrisë së Brendshme, ku ishim të detyruar ta vizitonim me nxënësit e shkollës. Si mësuese letërsie në disa dekada kam zbatuar programin mësimor, ku pjesën më të madhe e zinte letërsia e Realizmit Socialist, nepërmjet së cilës e kam njohur edhe Musinenë.
Në planin mësimor, ishte përfshirë edhe romani “Para Agimit” i Sh.Musaraj, i cili njihej si shkrimtar i viteve 30-të, siç ishte edhe M.Kokalari.Nga Prof.N.Hakiu, kam mësuar se Sh.Musaraj kishte miqësi me familjen Kokalari dhe së bashku me Musinenë kishin një mik të përbashkët, kolosin e publicistikës shqiptare,Branko Merxhanin.
Kështu,Sh.Musaraj, mbi bazën e kësaj njohje krijoi personazhin (Ermira Velo) në romanin “Para Agimit”që mbart krejtësisht tiparet e Musine Kokalarit dhe të Zotit Bardhi që mishëron figurën reale të B.Merxhanit.Duke analizuar ndër vite pjesët e romanit, e kam lakuar këtë emër në menyrë të përsëritur, në shumë orë mësimi.Pa dashjen e saj, Musineja, hyri ilegalisht në letërsinë e realizmit socialist me emrin, Ermira Velo, pasi autori kishte bashkëpunuar me te edhe gjatë periudhes se luftës kundër okupatorit. Megjithëse i detyruar nga tendenca për të luftuar pozitën e saj klasore dhe pikëpamjet ideologjike, fillimisht autori e ka paraqitur figurën e saj me të gjitha tiparet që mishëronte Musineja por pastaj gradualisht pozitivitetin e saj e ka përfshirë në kornizen e luftës së klasave.Në përshkrimin e portretit të saj autori shkruan :” Ermira (M.Kokalari) ishte e thjeshtë, e afruar me çdo njeri dhe nuk bënte kurrë dallim midis njerëzve me pozitë dhe atyre që nuk kishin as strehë ku të fusnin kokën. Prekej pa masë nga vuajtjet e të tjerëve dhe nuk kursehej t’i ndihmonte me ç’t’i kish dora .v.1,f.20,”Para Agimit”
“ ..Si mbaroi shkollën e mesme ajo njihej si një nga vajzat me prirje përparimtare “v.1,f.18”Para Agimit”
…Dhe qe një gëzim i madh për te, kur pa të botuar në një revistë shkrimin e saj të parë,shkrimi kish dalë me të vërtetë një xhevahir i vogël letrar siç e gjykuan shumë nga të njohurit e saj .”v,1,f.21”Para Agimit”
Musineja dhe familja e saj, jane paraqitur në një taban të shëndoshë kulturor e patriotik, ashtu siç ishin në të vërtetë . Babai i saj gjykatës dhe vëllezërit me profesione: Jurist,profesor,përkthyes,të cilët ishin njëkohësisht edhe shokët e saj .
Ermira Velo (M.Kokalari) -shkruan autori- kish nje respekt te madh për të vëllanë dhe ushqehej vazhdimisht nga idete e tij” v1,f.18,”Para Agimit”
Këto konsiderata për familjen dhe personazhin në fjalë, janë dhënë në fillim të romanit,kur rinia shqiptare ishte e bashkuar për një qellim në luftën kundër okupatorit dhe ishin në një barrikadë.
Ajka e inteligjencës shqiptare, ku përfshihej edhe Musinea qenë konsekuent në pikëpamjet e tyre : lufta kundër okupatorit dhe bashkimi i shqiptarëve të drejtuar nga shembulli i demokracive evropiane. Kur një pjesë e rinisë përqafuan idetë sllavokomuniste, autori e pozicionon personazhin e M.Kokalarit si social-demokrate që ishte e kundërt me pikëpamjet e Nac.Clirim.
Familja Kokalari, në të cilën u rrit dhe u edukua Musineja, kishte gjithë potencialin ekonomik, kulturor dhe patriotik që ajo të trashëgonte vlera pozitive për formimin e saj intelektual.
Falë zgjuarësisë krijuese të saj, vullnetit dhe karakterit të fortë, ajo mbaron me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme “Nana Mbretëreshë “dhe më vonë arrinë të bëhet një nga studentët më cilesorë ne Universitetin e Romës ku u diplomua “Doktoreshë në Letërsi”ne vitin 1941, me temën “Literatura Albanese, Naim Frashëri”.
Në Romë iu krijuan të gjitha kushtet për të qëndruar pranë atij Universiteti, por ishte vendosmërisht e bindur se kontributi i saj i duhej Shqipërisë.
Miqësia e familjes me Mit-hat Frashërin ndikoi direkt në pikëpamjet e saj për të ardhmen e Shqipërisë.
Shumë diskutime bëheshin në familjen e saj lidhur me fatin e Shqipërisë në prag të Luftës së dytë Botërore. Cila do të ishte e ardhmja e këtij vendi? Çfarë rruge do të ndiqte Shqipëria? Këto pyetje dhe të tjera e kishin munduar Musinenë dhe e munduan deri në fund të jetës .Vajza e re universitare, hyri në kuvend me elitën e njerëzve më të mënçur që kishte Shqipëria e asaj kohe dhe për këte Shefqet Musaraj nuk e kurseu konsideraten për të gjithë familjen në terësi:”Mbi të gjitha Ermiren (M.Kokalari) e entuziasmonte një fakt tjetër që provonte se shtëpia e saj kish për të qëndruar gjithmonë një fole patriotizmi, kish filluar të vinte shpesh njeriu(M.Frashëri) që nuk është komprometuar asnjë majë thoi gjatë regjimit të zogut dhe që ka një urrejtje të tmerrshme për italianet.” V1,f.67”Para Agimit”.
Nje ndikim tjetër tek Musineja, kishte Branko Merxhani,drejtor i Revistës “Përpjekja Shqiptare”.
Kryeartikulli i shkruar prej B.Merxhanit “Pse nuk jam Marksist ,“me anën e të cilit argumentonte se komunizmi ishte një eksperiment pa të ardhme, e kishin bërë Musinenë të mendonte akoma më shumë se bolshevizmi ishte një rrezik për Shqipërinë, prandaj ajo rrugë nuk duhej ndjekur. Këte ide,Musineja, e kishte forcuar akoma më shume kur kishte lexuar romanin“Nena “te M.Gorkit, per të cilin kishte thënë: “se s’janë të përshtatshme për në ato gjëra .
Bashkëpunimi saj me Branko Merxhanin, Shefqet Musarajn,Nexhat Hakiun,Vedat Kokonen,N.Bulka,P.Marko,M.Kuteli,S.Spase,.. e të tjerë, ishin të njohura sepse përfaqësonin plejadën e shkrimtarëve të viteve 30-të.
Nga që nuk e njihja realisht Musinenë, nuk mund ta bëja lidhjen e personalitetit të saj me emrin e personazhit në roman në qoftë se nuk ma bënte të ditur, prof. Nexhat Hakiu
( 1917-1978, personalitet i shquar, poet lirik – social i 11 titujve, botues i “Revista Letrare” 1940, studiues, mësues metodist, …).i cili vitet e fundit para pensionit i mbylli në shkollën tonë, “Gjimnazi K.Kristoforidhi”.
Atëhere filloi interesimi im për personazhin real nga të dhënat e profesorit sepse ata ishin bashkëkohës të të njejtës rrymë letrare dhe ideologjike.
Edhe pse në anën e kundërt të ideologjisë komuniste, figura e saj ka marrë vlera të mëdha, sepse është vënë midis ideologut të saj Mit-hat Frashërit, nacionalistit dhe demokratit më të madh të kombit shqiptar,(emrin e të cilit autori nuk e ka ndryshuar në roman) dhe Branko Merxhanit, pionierit të filozofisë progresive shqiptare, që në roman njihet me emrin, Zoti Bardhi .
Ajo i adhuronte këto dy personalitete, jo vetëm për nivelin kulturor dhe mendjen e ndritur, por edhe si njerëz të pa komprometuar nga rregjimi. Ajo veproi si ata, duke ndjekur rrugën antikomuniste, si luftëtare për një shoqëri të tipit Evropian dhe për çështjen e Shqipërisë Etnike,Për Shqipërinë natyrale ajo ka thënien e saj emblematike ”Pa Kosovë e Çamëri,nuk ka Shqipëri”M.K
Ate që nuk e vazhdoi shkrimtari Sh.Musaraj, të shkruante për jetën e saj gjatë ferrit komunist, e plotësoi vetë Musineja, kur deponoi në Gjyqin Special për aktivitetin e saj politik dhe revolucionar gjatë luftës.
Evoluimin e personazhit, autori e konsideronte pozitiv në se ajo do të përqafonte idetë komuniste.Por jo, ajo u qëndroi besnike pikëpamjeve të ideologëve të saj, të cilët e konsideronin filozofinë marksiste pa të ardhme, sepse ishte eksperimentuar në B.S..dhe ishun bërë të njohura botërisht tragjeditë që shkaktoi.Kështu, megjithë tendencën e autorit për të dënuar idetë e saj, ajo rritet deri në madhështi sepse qendroi e patundur në mendimet e saj, ndërsa vetë autori, i cili ndryshoi pikëpamjet drejtë ideologjisë së re, vjen e minimizohet si pa kuptuar, sepse bie në kundërshtim me idetë për të cilat e kishte filluar luftën me Musinenë për bashkim dhe jo për luftë civile. Në gjyq, Musineja merr përmasat e një heroine të vërtetë që flijohet për çështjen e Atdheut.
Ndër të tjera ajo pohon përpara trupit gjykues: Mbas mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si social demokrate dhe kam qenë përgjegjëse e Gazetës, “Zeri i Lirisë “ në të cilën kam botuar artikuj, ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të kartës se Atllantikut dhe çështjen për të luftuar, jo për qëllime e përfitime të disa klikave, por për demokratizimin e vendit . “S’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhej faj .Unë jam nxënëse e Sami Frashërit, me mua ju doni të dënoni Rilindjen “. Kjo deklaratë e fuqishme, ia shtoi vuajtjet: Burg,internim,punë të rënda fizike, deri te sëmundja e pashërueshme e cila ia mori jetën me 14 gusht 1983. Duke iu referuar epilogut, ajo vete shkruan: “Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha nje gjyq special .Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej e këndej. Njoha punën e punëtorit me norme individuale, njoha punën e punëtorit me normë kolektive në bujqësi e ndertim. Njoha vetminë e vetëkërkuar,shoqerinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky termet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit .Kam 38 vjet që nuk di çdo me thënë familje “ Me pikëllim të madh ajo e thekson fjalën,Familje,sepse tragjedinë më të madhe e pësoi vatra familjare ku ajo kishte pasur ngrohtësinë. Dy vëllezërit e saj, Vesim e Mumtaz, u pushkatuan në nëntor të vitit 1944 pa gjyq .I jati vdiq sapo mori vesh menxyrën qe i kishte ndodhur në familje. Në ato mejtime, kur gjendja e rëndë shëndetësore e paralajmeroi se po bashkohej me të dashurit e saj, u kujtua për të lenë diçka nga shpirti i saj bujar që kurrë nuk iu shua. Me mendje të qartë deri në fund ajo shkruan:”Ne se vdes në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokasters. Ato pak kursime edhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut i cili është i domosdoshëm që të demokratizohet dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë “.Thesari tjetër i vyer që la Musineja, që diktatura e egër nuk mundi t’ia shuante, ishte krijimtaria letrare e cila e radhiti ate në plejaden e shkrimtarëve të viteve 30.
Në botimet e para “Seç me thoshte Nenua plakë “,”Rreth vatrës “,”Sa u tunt jeta “e deri te botimi i fundit “Sikur të isha një lule “, ajo mbetet një vëzhguese e hollë e realitetit . Ideali i saj për barazi shoqërore, i kalonte kufijtë e klasës së cilës i përkiste, duke mos pasur asnjë pretendim material përpara asaj ideje të madhe që donte të realizonte.
Temën për lirinë e individit, e mbronte haptazi dhe me kurajo duke e përjetësuar që në skicat e para .Për të mbrojtur këtë ide, ajo dha shembullin me të lartë, doli e para në Demonstratat Antifashiste dhe në të tjera aktivitete që tani janë bërë të njohura.Tema që e tërhoqi më shumë ishte ajo për emancipimin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj në jetën shoqërore. Që kur ishte studente në Romë u dërgonte mesazhe vajzave shqiptare që të luftonin dhe të merrnin rrugën e shkollimit për t’u bërë forca aktive në progresin shoqëror .Të gjitha këto e bënë të dalluar Musinenë, si shkrimtare të talentuar, si revolucionare të vendosur në mbrojtjen e pikëpamjeve të saj demokratike dhe si një intelektuale përparimtare.
Pas viteve 90, ajo është ndër të parat disidente që u dekorua me medaljen “Martir i Demokracisë “ Edhe të mbijetuarit e familjes bënë çmos për rehabilitimin e veprës së saj.
Fondacioni “Musine Kokalari, “kryen shumë aktivitete që e plotësojnë njohjen e saj të ndaluar prej shumë dekadash. Shkolla që mban emrin e Musinesë e përjetëson duke e mbajtur si pishtar drite e diturie.
Nga Piedestali ku e vendosi koha, Musineja u flet gjeneratave: ”Besa,Shpresa,Dashuria, ato pra na lartësojnë .Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë .
P.s.Musine Kokalari u lind me 10 shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë. Në vitin 1921 Familja e saj kthehet në Shqipëri .Në nëntor të 1944 arrestohet për herë të parë. Me 23 janar 1946 arrestohet për së dyti, gjyqi komunist e dënoi 20 vjet heqje lirie Me1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internuan ne Rrëshen.Me 1981 sëmuret nga kanceri ku nuk u tregua aspak kujdes nga shteti komunist,vdes me 1983.
Komentet