SHBA ka rritur përkushtimin ndaj presidentit autokrat serb dhe ka riorientuar qëndrimin rajonal me vendosjen në qendër të politikës së jashtme të Beogradit
Mes parashikimeve pa fund për ndikimin e pushtimit rus në Ukrainë në shkurt 2022, një nga më të përsëriturit në Ballkanin Perëndimor – kufiri tjetër madhor i Evropës – ishte ai që kjo do të shënonte fundin e pashmangshëm të iluzioneve të Perëndimit për mundësinë e bashkëjetesës me regjime autoritare e shoviniste.
Në Sarajevë, Prishtinë e Podgoricë, në veçanti, shpresonin se më në fund SHBA dhe Bashkimi Evropian do ta shihnin Serbinë dhe regjimin e Aleksandar Vuçiç për atë çka janë në të vërtetë: një shtet satelit i Kremlinit që mbjell mosmarrëveshje përmes një rrjeti veglash në rajon me synimin e përhapjes së makinacioneve të veta thuajse imperiale dhe, në koordinim me Moskën, për të ndaluar aspiratat e anëtarësisë në NATO e BE për Bosnjë Hercegovinën, Kosovën e Malin e Zi. Dhe, si rezultat, përfitimet do të vinin për Beogradin.
Kjo nuk ka ndodhur. Në fakt, gjatë vitit të kaluar, SHBA, edhe më tepër se BE, e ka thelluar intensivisht përkushtimin ndaj presidentit autokrat serb duke riorientuar në të njëjtën kohë pozicionin e vet me vendosjen në qendër të Beogradit dhe përparësitë e tij në politikën e jashtme. Ndërsa në kontekstin ukrainas administrata Biden këmbëngul në parimin “asgjë për Ukrainën pa Ukrainën” – që do të thotë se ukrainasit duhet të përfshihen në secilën e në të gjitha bisedimet në lidhje me luftën – dhe e ka vënë në kornizë mbështetjen për Kievin si nj shprehje të axhendës më të gjerë pro-demokraci të presidentit amerikan, asnjë nga principet nuk aplikohet në inkursionet e saj në Ballkanin Perëndimor.
Këtu, ambasadorët amerikanë në Sarajevë e Beograd takohen me Vuçiç për të diskutuar bëmat e veglës separatiste të president serb në Bosnjë, Milorad Dodik. E bëjnë këtë ndërsa betohen për “rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterit multietnik (të Bosnjës) dhe të institucioneve shtetërore funksionale” – por pa pasur asnjë zyrtar boshnjak të pranishëm.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili, për lumturinë e tabloidëve të Beogradit, kritikon vazhdimisht qeverinë e Kosovës për atë që e quan si dështim të saj për t’iu përmbajtur Marrëveshjes së Brukselit më 2013 – e cila synonte hapjen e rrugës drejt njohjes reciproke dhe normalizimit diplomatik midis dy vendeve. Megjithatë, Hill ka pak për të thënë për refuzimin e Serbisë për përmbushjen e kushteve bazë të asaj marrëveshjeje dhe të disa të tjerave të mëvonshme. Në fakt, Beogradi është kaq intransigjent në lidhje me Kosovën sa që Vuçiç refuzoi ta nënshkruante dokumentin e marrëveshjes së fundit Ohër-Bruksel, iniciuar nga Bashkimi Evropian, për rinisjen e procesit të normalizimit. Ai deklaroi se kishte rënë dakord verbalist me marrëveshjen, por brenda pak orëve e bëri të qartë se nuk kishte aspak synim t’i nënshtrohej ndonjë aspekti të dokumentit.
Në Malin e Zi, ndërkaq, SHBA ka dalë si përkrahësi kryesor i huaj, bashkë me Serbinë, i një koalicioni jo ortodoks reformatorësh të supozuar anëtarët më sinjifikativë të të cilit janë një bllok partish nacionalist e klerikaliste serbe që edhe vetë Uashingtoni i njeh si të financuara direkt nga Rusia. Presidenti i ardhshëm i vendit, Jakov Milatoviç, është prezantuar si i moderuar pro-evropian dhe partia e tij e re, Evropa Tani, pritet gjerësisht të dominojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në qershor.
Por Milatoviç ka shërbyer më parë si ministër i zhvillimit ekonomik në kabinetin jetëshkurtër të Zdravko Krivokapiç, një nacionalist serb i linjës së ashpër me lidhje të ngushta si me Beogradin ashtu edhe me Moskën. Kur qeveria e Krivokapiç u rrëzua në vitin 2022, Milatoviç u zëvendësua në portofol. Fushata e tij e mëvonshme presidenciale u mbështet nga i gjithë establishmenti nacionalist serb në Mal të Zi dhe madje edhe nga kriminelët e dënuar serbë të luftës si Vojislav Sheshelj. Kur erdhi koha që mbështetësit e tij të festonin fitoren, e bënë me një mbizotërim të flamujve serbë dhe himneve sektare për Kosovën.
Pse Uashingtoni është tashmë në linjë me Beogradin? Nuk është e vështirë të shpjegohet, por është një politikë krejtësisht në kundërshtim me qëndrimin e administratës Biden ndaj Ukrainës. Pas pushtimit rus, administrata Biden konstatoi me të drejtë se situata e përgjithshme politike dhe e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ishte bërë e paqëndrueshme. Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi ishin pikat më të mundshme të shpërthimit, të cilat të gjitha mund të kooptoheshin lehtësisht nga Moska për të krijuar një front të dytë proverbial në Evropë – ndoshta jo në kuptimin kinetik, por sigurisht politikisht. Si i tillë, ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara të mbyllnin shpejt Ballkanin Perëndimor pas dy dekadash që ia kishin lënë kryesisht administrimin e rajonit Brukselit – me rezultate të tmerrshme.
Për të arritur këtë, Departamenti i Shtetit Biden, sipas të dhënave publike, ka arritur në përfundimin se ka nevojë për partnerë që mund të përmbushin premtimet e tyre. Në Ballkanin Perëndimor, kjo përgjithësisht do të thotë të mbështetesh në regjimet më pak pluraliste në rajon. Siç ka vërejtur Majda Ruge, një anëtare e lartë e politikës në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë: “Qeveritë perëndimore e trajtojnë vazhdimisht Beogradin si lojtarin e domosdoshëm në çështjet kryesore me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Cilado qoftë çështja në fjalë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është personi i parë me të cilin flasin. Një pjesë e kësaj është e kuptueshme: pushteti në Serbi është i përqendruar tek Vuçiç, i cili ka krijuar kontroll të konsiderueshëm”.
Kjo do të thotë edhe mosllogaritje të menjëhershme të Sarajevës, Prishtinës dhe Podgoricës, pavarësisht se të tre janë dukshëm properëndimorë në orientim dhe Mali i Zi është anëtar i NATO-s. Kjo vjen për shkak se politika e të tre shteteve nga brenda është shumë e ndashme, kryesisht për shkak të ndërhyrjes direkt të fuqive të jashtme: Serbisë, para së gjithash, por edhe Kroacisë, të paktën në rastin e Bosnjës. Me sa duket, administrata e Biden beson se paqja në Ballkan kërkon përqendrimin e interesave të të fortëve mbi të dobëtit, duke përqendruar interesat e atyre që kanë më shumë gjasa të krijojnë paqëndrueshmëri mbi ata që kërkojnë të mbrohen.
Është lloji i llogaritjeve realpolitik që ka nxitur dekada të politikës së SHBA-së në rajone të paqëndrueshme. Është ajo që Uashingtoni është përpjekur të bëjë me Pakistanin, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe madje edhe Rusinë vite më parë. Arritjet flasin vetë. Siç vuri në dukje Daniel Serwer, një ish-diplomat amerikan dhe studiues i politikës së jashtme, muajin e kaluar, “analiza bazë” e atyre që i shtyjnë këto politika “është e gabuar”. Ai vazhdoi: “Ata janë mbështetur te Serbia si shteti kryesor në rajon për të sjellë stabilitet, në bashkëpunim me Kroacinë dhe Shqipërinë. Por Serbia është një fuqi revizioniste. Ajo dëshiron të qeverisë të gjithë serbët në rajon. Kroacia dhe Shqipëria kanë ambicie më të vogla, por në të njëjtin drejtim: të kontrollojnë bashkatdhetarët e tyre në Bosnjën dhe Kosovën fqinje”. Deri në çfarë mase Shqipëria është pjesë e këtij triumvirati mbetet e diskutueshme, por pak vëzhgues të sprovuar vënë në dyshim centralizmin e Serbisë dhe Kroacisë në skemë.
Megjithatë, problemi i vërtetë është se edhe nëse administrata Biden do të rishikonte politikat e saj, është e paqartë nëse kjo do të sillte shumë ndryshim në këtë moment. Hapat e gabuar të presidentit amerikan Joe Biden në rajon kanë qenë aq të rëndësishme saqë ai mund të mos jetë në gjendje të shpëtojë reputacionin e tij midis komuniteteve më të prekura nga vendimet e tij, të cilat rastisin të jenë popullsitë më pro-amerikane në rajon. Ky është veçanërisht rasti në Bosnje, ku roli autorial i Washingtonit në mashtrimin e pacipë, joliberal dhe partizan nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në emër të nacionalistëve kroatë HDZ BiH dhe partnerëve të tyre në SNSD-në e separatistit Dodik ka zvogëluar besimin në Shtetet e Bashkuara në pikën më të ulët të pasluftës.
Megjithatë, sa duket, as Shtëpia e Bardhë dhe as Departamenti i Shtetit nuk shqetësohen. Më 27 prill, Shtetet e Bashkuara mbështetën përsëri një raund të dytë të ndryshimeve kushtetuese demokratikisht të dyshimta në entitetin e Federatës së Bosnjës pasi dështuan ndryshimet fillestare të Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt nga 2 tetor 2022 – të vendosura vetëm disa minuta pasi qendrat e votimit ishin mbyllur në zgjedhjet e përgjithshme të vendit, për të nxjerrë e dëshiruar (pra një qeveri të dominuar nga HDZ BiH). Çdo pretendim për të punuar për të realizuar reforma të qëndrueshme, demokratike, liberale në Bosnje (dhe kushtetutën e saj të hartuar nga SHBA) është zhdukur. Washingtoni tani po vepron thjesht në interes të angazhimeve të tij ndaj Beogradit dhe Zagrebit dhe si rrjedhim interesave politike të përfaqësuesve të tyre përkatës boshnjakë dhe rajonalë.
Në një kthesë historike interesante, nëse ndodh që administrata Biden të pendohet për qëndrimin ndaj Ballkanit, kjo do të jetë, të paktën në afat të shkurtër, për shkak të realiteteve elektorale të SHBA-së. Xhepat e vegjël por të rëndësishëm në zgjedhje të amerikano-boshnjakëve, për shembull, në shtetet e lëkundura si Georgia, Michigan, Karolina e Veriut dhe Arizona, ndër të tjera, do të mjaftonin t’i jepnin fitoren kandidatit republikan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA. Që nga viti 2015, për shembull, rreth 10,000 boshnjakë jetojnë në Georgia ku Biden fitoi me më pak se 12,000 vota në vitin 2020. Ka një numër të ngjashëm boshnjakësh në Karolinën e Veriut. Në Michigan, i cili ka një numër të përafërt të amerikano-boshnjakëve, guvernatorja Gretchen Whitmer e shpalli 1 Marsin si “Ditën e Boshnjakëve të Amerikës”. Vetëm Phoenix, Arizona, pranoi rreth 7,000 refugjatë boshnjakë gjatë viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000, dhe që atëherë komuniteti është rritur ndjeshëm. Të gjitha këto shifra janë përveç rreth 50,000 deri në 70,000 boshnjakëve që jetojnë në zonën metropolitane të St. Louis, në shtetin Misuri që cilësohet si shesh beteje zgjedhore.
Republikanët nuk kanë gjasa të përmbushin interesat thelbësore të këtyre votuesve në lidhje me prioritetet e tyre rajonale (pavarësisht nga kampionët e fortë të komunitetit si përfaqësuesja e Misurit, Ann Wagner). Por duke folur me drejtuesit e komunitetit boshnjak-amerikan në të gjithë vendin, ndjenja e tradhtisë në kthesën e Bidenit ndaj Bosnjës dhe Ballkanit është e dukshme. Boshnjakët nuk kanë nevojë të votojnë republikanët për të pakësuar shanset e Biden për rizgjedhje. Mjafton që të qëndrojnë në shtëpi.
Edhe kështu, do të ishte ngushëllim i ftohtë për ato popullsi rajonale të brishtë që tani është lënë në mëshirën e qeverive nacionaliste në Serbi dhe Kroaci dhe të gjithë kujtesës historike dhe politike që vjen me primatin e tyre të rinovuar. Si shpeshherë më parë në Ballkanin Perëndimor, premtimet e mëdha ideologjike të epokës sonë – në këtë rast, shpresa e një angazhimi kategorik, normativ të Perëndimit politik për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtën e kombeve të vogla për të qenë të lirë – janë kthyer në hi. Mjafton të udhëtosh më pak se 1000 milje në jugperëndim të Bucha, Ukrainë, për të parë SHBA që luan e flet me aleatët e njohur të Rusisë në emër të një stabiliteti bosh e mizor.
*Jasmin Mujanoviç është shkencëtar politik i specializuar në politikën në Evropën juglindore. Ai është autor i librit “Uri e zemërim: Kriza e demokracisë në Ballkan”.