Fatosit i pëlqente vetmia, ndaj qëndronte gjatë i mbyllur në vetvete, gjë që e kishte zanafillën vite të shkuara mbas largimit të Valit, me të cilën kishte bashkëjetuar. Jo vetëm kaq, por kish pasur dhe episode të tjera të pakëndshme, të cilat vinin duke u shtuar, ca më tepër që vetë Fatosi nuk po mundohej të gjente një mënyrë refleksioni dhe përmirësimi. Bashkëjetoi plot pesë vjet me Valin, por me gjithë përpjekjet e skajshme të saj, nuk ia doli ta bindte për një dasmë të thjeshtë apo për një mbrëmje miqësore. Fatosi qe pakëz i ftohtë në këtë këndvështrim, ndoshta edhe për shkak se në thellësi të zemrës së tij dashuria e parealizuar me Silvën u pasua nga një tjetër goditje e fuqishme dhe paimagjinueshme. Ishte krijuar një boshllëk por i pashprehur së jashtmi në shpirtin e tij , si të ishte një akullnajë masive dhe që nuk mundi të shkrihej dot ,përgjatë tri dekadash…
Fatosi ishte i ndërgjegjshëm për kthjelltësinë e mendimeve të veta, sikurse e pranonin gjithë sa e njihnin, por njëherazi kuptonte dhe pranonte me keqardhje se logjika në këtë betejë të pabarabartë, pra përballja me botën e tij të brendshme shpirtërore, mbetej mbas saj…
Një mbasdite vonë po qëndronte ulur në njërin nga stolat e bulevardit të qytetit në pritje të takimit me Besnikun, i cili mund të vonohej për arsye të punës së tejzgjatur. Në pritje e sipër, Fatosi hidhte vështrime pa interes drejt kalimtarëve.
Befas u dëgjua një zhurmë e lehtë. Dikush, ulur në skajin tjetër të stolit po nxirrte prej xhepit celularin, i cili i shkau pa dashje nga dora dhe goditi në pjesën fundore të ndenjëses metalike. Personi u përkul në moment ta merrte. Teksa po e mbante në duar, ktheu lehtas kokën anash dhe rastësisht shkëmbyen vështrime midis tyre…
Pa mundur ta kuptojë se çfarë po ndodhte, Fatosi shtangu, sepse, duke e vështruar me vëmendje, iu krijua fillimisht një dyshim i lehtë, që në çast u zëvendësua me bindje të plotë se po shihte Iliazin, pikërisht personi jo më larg se rreth një metër larg tij… Të ishte vallë e vërtetë?… Pothuajse po ndihej i sigurt që kishte pranë shokun e fakultetit dhe mikun e mëvonshëm, me të cilin prej vitesh nuk ishin takuar, sepse, pas vendosjes së demokracisë në vendin tonë, Iliazi, si shumë të tjerë, ishte larguar dhe e kishte ndërtuar jetën e vet në Kanada. Fatosi e kujtonte shpesh, por lidhja miqësore ishte shkëputur fatkeqësisht, një problem mbetur i paqartë për të dy…
Çfarë po ndodhte me Fatosin realisht? Sigurisht nuk po shihte një ëndërr, por po dëgjonte me vesh më të lehtën zhurmë, po shihte qartë, por drejtimi i shikimit të syve të tij ishte ngulitur brenda një tjetër periudhe kohe, e cila, në të njëjtin çast po e turbullonte…
Një djalosh rreth 17-18 vjeçar, tërheqës, truplartë e shpatullgjerë, për të cilin etiketimi “bukurosh” do të ishte mëse i goditur, bazuar në prezantimin: së pari të një balli tepër të lartë, të gjerë dhe me një lëkurë të shndritshme; sigurisht kur rrezet e diellit apo një ndriçim i zakonshëm në momentin e takimit me atë kontur të veçantë do të riktheheshin pas, duke e shfaqur si një skulpturë të papërsëritshme, të rrethuar me flokë të dendur të ngjyrës së verdhë, më e veçanta e të cilave qëndronte në formën e tyre me kaçurrela të së njëjtës madhësi, të renditura këndshëm njëra pas tjetrës. Çuditërisht të kujtonin paraqitjen e gjyqtarëve në tavolinat e drejtësisë, parë në shumë filma të huaj, me të vetmin ndryshim esencial se djaloshi tregonte natyrshëm flokët në kokën e tij dhe ato nuk prezantonin njërën nga parruket plotësuese si pjesë përbërëse të uniformës zyrtare të një punonjësi të drejtësisë.
Bukuria perfekte e flokëve plotësohej me ngjyrën e kaltër, të ëmbël të syve, e siguruar nga pjesëmarrja së bashku në mënyrë harmonike e gjithë nuancave të asaj ngjyre, njëherazi duke i dhuruar shikimit të djaloshit një naivitet pothuajse misterioz… Pavarësisht viteve të shumta të shkëputjes me mikun Iliaz, dikur shokë studentë në të njëjtin fakultet, në fillimet e punës shoqëria midis tyre njohu shkallë ngjitëse, duke u transformuar në miqësi, sepse ata nisën punë si inxhinierë kimist në të njëjtin rreth në dy laboratore, që pavarësisht largësisë, kishin profil pune të barabartë, prandaj Fatosi mundi të njihte më tej imtësisht karakterin e tij. Në të njëjtën kohë, në mënyrë të vagullt i përshkoi kujtesën në formën e shkrepjes së një vetëtime edhe pamja kalimtare e largët e një fëmije, kur vite më parë mikja e tij shtrëngonte në krahët e saj…
Punë e ngatërruar! Përse ky episod kalimtar të vendosej midis atyre kujtimeve shumë të hershme duke treguar një ngjashmëri të pakuptueshme midis personave që as njiheshin dhe as kishin më të paktën lidhje me njëri-tjetrin? Apo nuk ishte kështu?… E pashpjegueshme për Fatosin ngjashmëria gati absolute e fytyrës së një fëmije dyvjeçar me djaloshin pranë tij ,dhe ky i fundit me Iliazin qëi kujtoi shprehjen e mirënjohur: “Ngjajnë si dy pika uji”, por për një gjë ishte mëse i bindur: mbresëlënia i përkiste ngjyrës së syve, reflektimi i naivitetit të njëjtë fëmijëror, pavarësisht moshës prezantuese dhe valëvitja e rreshtave të gjerë e kaçurrella të flokëve të verdhë. Çuditërisht ,pa mundur të qartesohej, ai tani po shihte.. se
Përsëri Iliazi po qëndronte qetësisht përballë Fatosit. Aq tërheqës dhe i veçantë ishte konturi i ballit të Iliazit, sa ndonjëherë edhe identifikohej me të, si tipari më karakteristik:
“Po, e di cili është studenti që ju doni ta takoni. Është ai me atë ballin e lartë, të shndritshëm, që e rrethojnë balluket e verdha”.
E kujtonte me buzëqeshje një episod kthimi të vonë në dhomën e konviktit, kur Iliazi, për të mos u prishur gjumin shokëve, u mjaftua me dritën e një çakmaku të ndezur, që të lëvizte brenda saj, kur Pirua, njëri nga shokët e dhomës, gjysmëzgjuar, u ngrit paksa ndenjur në shtrat dhe ironizoi:
“Zoti gjykatës, vendimi u diskutua në mbledhjen e orës 12. 00. Bën mirë të ikësh tani, por mos harro të tregohesh korrekt në takimin e radhës”.
Në tërësi, pamja e jashtme e Iliazit, e gërshetuar me qëndrimin në jetën e përditshme, të sillte në mendje një person duke ecur në rrugën e artit kinematografik. Realisht ishte i dhënë pas studimeve në fakultet, të cilave nuk iu largua as përgjatë viteve të punës në mënyrë të përkushtuar… Edhe vajzat mundoheshin t’i binin në sy… Çuditërisht, Fatosi, pa mundur ta përcaktonte sesi, po e gjente veten vite më parë tepër të emocionuar. Kjo po ndodhte saje përcaktimit të një ngjashmërie absolute të djaloshit me fizionominë e shokut Iliaz, me të cilin viteve të fundit, të detyruar nga rrethanat, nuk ishin parë… Të ishte mungesa e tij aq e fuqishme sa, ta kthente pas në kohë? Ndjenja e mallit për shokun nxiti si një vullkan në momentin e shpërthimit, energji të panjohura përfaqësuese të ndjenjave brenda shpirtit të tij dhe Fatosi po jetonte në vite të shkuara, të largëta… Ngritur në këmbë, kokën të kthyer me vërtik përballë djaloshit, thirri:
– Iliaz! Iliaz! Oh, sa shumë më ka marrë malli për ty! Ka kaluar kohë e gjatë pa u takuar së bashku! Më beso, e kam ndier mungesën tënde…
Djaloshi ktheu kokën, u ngrit nga stoli, por nuk po mundej të kuptonte se çfarë po ndodhte me personin dy hapa larg tij, i cili dukej se nuk po jetonte në botën reale. Emocionet e forta që kishin zaptuar Fatosin, fuqizoheshin dhe gërshetoheshin midis tyre, aq sa dukej sikur ecnin nëpër rrugë të brendshme të paekspozuara, por herë-herë të ngatërruara dhe, për njohjen e tyre detyrimisht duhej të ekzistonte një kod i fshehtë, që vetëm ato e përdoronin…
Momente tejet të vështira për Fatosin, ndërsa për djaloshin një situatë e pashpjegueshme, disi e sikleteshme, sidomos kur Fatosi shqiptoi me zë të ulët në të cilin dukej se mbizotëronte dhembja e shpirtit:
– Unë të njoh ty… Nëna jote quhet Silva dhe babanë tënd e kam njohur… Kemi pasur miqësi, por… jeta fatkeqësisht na ndau…
Papritur djaloshi e ndërpreu, duke marrë një qëndrim dinjitoz, tepër korrekt dhe, si të ishte në moment para një eprori të fuqishëm, iu kthye Fatosit me një të folur të vrazhdë, përzier me ironi therëse:
– Të më falni, zotëri, shoh se keni nevojë të qartësoheni, të mendoheni thellë dhe të mësoni më të thjeshtën, por më të domosdoshmen në jetën e përditshme për cilindo, pra sjelljen korrekte. Emrin e dikujt që e konsideron mik, nuk mund ta ngatërrosh kurrë me atë të një personi tjetër, dhe kjo është njëra nga bazat e emërtesës “miqësi”.
Pas shqiptimit të këtyre fjalëve të goditura, konform çastit përkatës, djaloshi u kthye vrulltas, duke u larguar me hapa të shpejtë. Fatosi po e ndiqte me sy nga mbrapa atë trup të fuqishëm e shpatullgjerë, tek i cili, edhe mënyra e hedhjes së hapave kishte të veçantën e saj në çastet kur e ndiqnin njëra-tjetrën me hijeshi dhe shpejtësi si të mos donin të harxhonin kohë për të qëndruar në tokë dhe vetëm sa ta preknin kalimthi atë – një mënyrë e të ecurit e cila të krijonte përshtypjen e çastit të fillimit të një vallëzimi…
Pikërisht kjo ecje e Iliazit i kujtoi Fatosit humorin e shokëve në vitet e rinisë…
“Si mund të fillosh ti i vetëm vallëzimin? Ende nuk është dhënë komanda për grupin dhe koncerti nuk fillon vetëm me njërin”.
Një mesazh në celular po e informonte Fatosin se shoku i tij Laze, me të cilin do të takoheshin në orën gjashtë, për një ndodhi të papritur në familje, nuk do t’u mundësonte takimin e paracaktuar. I kërkonte falje, por Fatosi, tashmë i goditur nga realiteti, nuk po shqetësohej aspak se do të vazhdonte të qëndronte i vetëm ulur në stol…
Minutat ndiqnin njëra-tjetrën. Fatosi e kishte të pamundur të qartësohej. Ai po e ndiente veten të mjegulluar, gjë që as e shpjegonte, por as po mund të shkëputej plotësisht nga përjetimi i jetës së tij të shkuar…
Vite të bukura në fëmijëri, me një vëlla me dy motra më të mëdha, në moshë të cilat përherë ishin të gatshme t’i plotësonin çdo kërkesë që ngandonjëherë dukej se ishte thjesht sjellja e fëmijës tekanjoz. Përgjatë adoleshencës dhe viteve rinore po tregohej paksa i tërhequr nga grupet e shokëve, ndofta se për koincindencë shoku i vetëm, Besniku, një natyrë e ngjashme me të, ia plotësonte kërkesat e përditshme, si: shëtitjet me biçikleta, në kinemanë e qytetit nuk mbanin mend të mos e kishin parë çdo film që shfaqej për herë të parë, një pjesë të kohës e kalonin duke vrapuar brenda fushës së sportit në konkurs midis tyre ndonese kohën e fillimit apo fituesin e përcaktonte saktësisht motra e Besnikut ,Silva, dy vite më e vogël. Përgjatë viteve të gjimnazit ajo veçohej si një vajzë që i pëlqenin librat, me të cilët kalonte pjesën më të madhe të kohës dhe Fatosit po i tërhiqte vëmendjen fakti se nga dita në ditë Silva prezantonte një bukuri të natyrshme, me të cilën spikaste në vitet e fakultetit, pavarësisht se koha po tregonte që vajzave në rritje u nevojitej edhe ndihmesa e parrukieres së qytetit…
Silva, një vajzë e thjeshtë me një prezantim tërheqës së largu, bazuar në ëmbëlsinë e tipareve dhe ngjyrës së errët të lëkurës së gjithë trupit, por të veçantën e tregonte ngjyra e syve, vetullat e holla dhe të larta në përputhje të këndshme me atë të flokëve, aq sa i kishin dhënë edhe nofkën “vajza zeshkane”. Për vetë kohën e gjatë të njohjes me të, Fatosi ishte në gjendje të përcaktonte me saktësi se si emërtesa e dikurshme për Silvën, “Korrozeza”, u transformua në tiparin pozitiv të prezantimit të saj në shoqëri dhe ai nuk po mundej ta kuptonte se si Silva po zinte gradualisht një vend të sigurt brenda zemrës së tij, ashtu pavetëdijshëm… Sigurisht i paqartë në fillimet e saj, sepse gjatë viteve të mëvonshme Fatosi kuptoi dhe pranoi se Silva ishte shkrirë në një subjekt të vetëm së bashku me ndjenjat brenda shpirtit të tij…
Ndihej i lumturuar brenda vetes për ndjenjat e pastra lindur ndaj një vajze të bukur e të zgjuar, por hapësira ndarëse midis tyre rezultoi të ishte e pamatë, sikurse u provua më vonë, ndofta bazuar në vetë karakterin e Fatosit, të formuar prerazi, si të ishte kthyer në një skulpturë të gurtë, e cila, në mënyrë figurative, nuk mund të bënte as me të voglin spostim milimetrik, edhe kur momenti e kërkonte…
Erdhi çasti i shumëpritur për Fatosin, kur të dy studentë, për më tepër në të njëjtën degë me mundësinë e një afërsie të sigurt me Silvën, shumë më tepër favorizuese se gjatë gjithë viteve të fëmijërisë, kur u bind se para ishte hapur një rrugë e re në të cilën ecte vrullshëm rrjedha e ndjenjave të tij rinore, duke besuar se do ta pasonin të mëvonshëmet, ato burrërore, të së njëjtës linjë… Rrjedhja e jetës e detyroi të pranonte pamundësinë e realizimit, përmbysjen e tyre.
Nuk e harronte atë mbasdite kur i bënë vizitë Besniku me Silvën, e cila gjendej në mëdyshje për zgjedhjen e degës së studimit dhe, duke besuar në gjykimin e tij, e pyeti për inxhinierinë kimike. Por çfarë tjetër do t’i sugjeronte ai veç degës se përzgjedhur ku studionte dhe fatmirësisht edhe ajo do të ishte krahas i tij ,pra një zgjedhje ideale? Por e argumentoi shkurt pjesën e dukshme të problemit, sa për…
– Unë preferova inxhinierinë kimike, – tha, – duke njohur kohën, qytetin, fazën aktuale të zhvillimit të vendit ku ne jetojmë dhe vlerat në rritje të këtij profesioni ku ne do të punojmë me përkushtim…
Po, Silva ishte një studente në Fakultetin e Inxhinierisë Kimike dhe konform natyrës së saj të prirur ndaj përvetësimit të teksteve profesionale, në pozicionin e studentes mundej të lexonte më pak letërsi artitike. Pra Silvën e vlerësonin brenda kornizës si një vajzë provinciale, ndërsa kryeqyteti nuk përkulej para saj… Mbështetur në njohjen, respektin reciprok me Fatosin dhe shkallën e besimit në ndershmërinë e tij, Silva arrinte deri aty sa t’i tregonte edhe për ndonjë kërkesë , apo propozim, sikurse etiketohej aso kohe sugjerimi i një djali për njohje dhe afrimin e mëtejshëm me pikësynim për lidhje serioze me një vajzë. Sipas rastit mund edhe të kishin një njohje të mëparshme, pikërisht atëherë djali e shfaqte hapur qëllimin e tij.
Në të tilla biseda Fatosi tregohej i kujdesshëm. Pasi e dëgjonte Silvën me vëmendje, në çast e pyeste i interesuar, por realisht përpiqej të mos zbulohej se cilën femër përfaqësonte ajo, në zemrën e tij:
– Po ti, a i ktheve përgjigje? Patjetër e ke refuzuar, unë të besoj…
Sigurisht e ndiente veten në një farë ankthi derisa të merrte përgjigjen që priste, pas së cilës lehtësohej, por pa e kuptuar përse, njëherazi e pranonte se ndaj Silvës po mbante një qëndrim gati vëzhgues, shtyrë nga një forcë e brendshme deri pak kohë më parë e panjohur, gjë për të cilën as vëllai i saj në Akademinë Ushtarake nuk i kërkonte shpjegime.
– Patjetër që e kundërshtova! – përgjigjej Silva duke buzëqeshur. – Për mua përgatitja e detyrave dhe notat e mira në provime kanë përparësi, se kohën dua ta harxhoj për të mësuar në sallën e studimit, jo të shëtis sa andej këtej e pastaj të kthehem në konvikt pas mesnate. Jam edhe njëra nga studentet e aktivizuara në jetën shoqërore si sekretare e rinisë për tri grupe paralele në të njëjtin kurs. Pra, konsumimi i kohës më tepër se kaq është jashtë mundësive, sipas gjykimit tim…
Ky argumentim i pëlqente Fatosit, e bënte të ndihej i qetë, vetëm se vitin e fundit një pyetje e çuditshme brenda tij mbeti pa përgjigje. Nuk e kuptojnte arsyen përse Iliazi kthente kokën anash dhe nuk denjonte as ta përshëndeste Silvën kur rastiste të takoheshin në korridor mbasi dilnin së bashku nga auditori i leksioneve, për më tepër kur ajo i drejtonte vështrime kureshtare saje paraqitjes së tij të veçantë, një arsye e qartë që tërhiqte vëmendjen e femrave…
Duke e sjellë ndër mend këtë qëndrim të çuditshëm të Iliazit, një ditë tjetër, kur po përsëritej e njëjta skenë, Fatosi iu afrua pranë dhe i tha:
– Iliaz, Silva është njëra nga bashkëqytetaret e mia, po në ndryshim nga të tjerat, është motra e shokut tim të fëmijërisë. Na përshëndet me respekt, ndofta mund t’i pëlqente afrimi me ne dhe fakti që po njohim shokë të rinj, nuk do të thotë të harrojmë të mëparshmit, po më kupton? Kurse ti as kokën nuk e kthen. Pse sillesh kështu?!
Ndali dhe vërshoi kaltërsia në sytë e Iliazit, shoqëruar me një tis të hollë të lagësht, si të ishte duke i ujitur mendimet që transmetonte në çast:
– Tani është radha ime të më dëgjosh, Fatos, se të duhen ca këshilla. Në periudhën fillestare të njohjes midis dy të rinjve, kryelartësia, e shoqëruar me mospërfillje, janë hapat e parë të sigurt drejt një rruge të suksesshme për një mashkull, për më tepër kur dallohet njëfarë tërheqjeje në sytë e një vajze bukuroshe ndaj tij dhe, pikërisht kjo do t~ja fuqizojë pozitën djaloshit ndaj saj… Mos vallë nuk po e kuptoj qartazi se studentja simpatike shkëputet me kujdes nga shoqet dhe e planifikon përballjen me ne të dy duke e treguar si të rastësishme? Por ama, dhe ty të ndrit fytyra kur e sheh së largu. Sa për mua, kohën e kam përpara…
Në ditët e mëvonshme Fatosi vuri re se ishte Iliazi ai që shpejtonte hapat të shkëputej prej tij, dilte para shokëve, teksa zbrisnin shkallët, dhe përshëndeste Silvën, gjasme si rastësisht. Ishin moshatarë, studentë në dy grupe paralele në fakultet, shokë dhome në konvikt, por në pozicion të ndryshëm ndaj shokëve e shoqeve në jetën e përditëshme; origjina e familjes tij të vjetër përcaktohej në njërin prej qyteteve bregdetare, një familje e kamur në breza; mbase kjo e favorizonte t’i shihte myzeqarët me nivel civilizimi paksa më të ulët (sipas këndvështrimit të Iliazit)… Sigurisht një tipar egoizmi për një person në fillesën e rrugeve të jetës. Po, ai renditej midis studentëve me vleresime të larta dhe shprehej se do të vazhdonte të ishte ambicioz për të arritur rezultate studimore, të cilat do ta rendisnin në grupin e shkencëtarëve bashkëkombas të ardhshëm.
Ishin disa breza të rinjsh që pas shkollës së lartë nisën të punonin në periudhën e veçantë të kohës që korrespondonte me vitet kur në vendin tonë lulëzonin veprat e mëdha, si: Azotiku, Industria e Naftës Nxjerrëse e Përpunuese dhe shumë të tjera. Bankat e shkollës dhe auditoret shumë shpejt ua lanë vendin analizave precize në laboratorë, përqendrim të skajshëm në pritje të rezultateve të sakta jo rrallë shoqëruar me përsëritshmëri, si njëra nga pjesët e rëndësishme të profilit të punës në atë sektor; specialistët me përvojë, teknikët e mesëm dhe kuadrot e larta ideuan ngritjen dhe vënien në punë të disa uzinave: Uzina e Përpunimit të Naftës, Rafineria e Naftës, TEC-i dhe puna shkencore ishte e pamatë.
Nga studimet dhe eksperimentimet e kryera në sektorin shkencor u arrit në përfundimin se rërat bituminoze të Shqipërisë ndahen në dy tipe: të lagura me ujë, të cilat kanë një strukturë të veçantë dhe të tjera të lagura me bitum ose naftë. Pikërisht mbi këtë bazë sektori shkencor i rërave bituminoze, i mbështetur në studimet dhe punimet e bëra, arriti që brenda një kohe të shkurtër të realizonte skemën e përshtatshme, kushtet e ndarjes së mazutit nga rërat bituminoze dhe të gjitha kampionet që nxirreshin nga punimet gjeologjike, studioheshin, analizoheshin në laboratore. Njëri prej studiuesve ishte Fatosi.
Zbatimi i rregullores së parashikuar në punën e përditshme për çdo punonjës në sektorin e naftës, përkushtimi i përditshëm duket se zbuti paksa madhësinë e puplave futuruese tek Iliazi, por thellësia e rrënjëve të tyre, prezantuar në karakterin e tij, mbeti e njëjtë me ndryshimin e vetëm, shprehur me kërkesën për t’u afruar sa më tepër me Fatosin. Të dy shumë shpejt po drejtonin punimet në laborator si inxhinierë kimist, Fatosi në laboratorin e Rafinerisë, ku punonin 12 laborantë, duke analizuar mazutin për TEC-in, bitumin si lëndë për izolim e asfaltim rrugësh dhe lëndët djegëse; solari për kaldaja, vajguri dhe benzina. Si inxhinier kimist, edhe pse me natyrë e sjellje krejt të ndryshme me Fatosin, Iliazi kishte të njëjtin arsimim, profesion me shokun, por atë e diferenconte edhe diçka tjetër: puna për doktoraturën, sepse dëshironte të merrte një titull shkencor, për të cilin i duhej të studionte shumë. Kohën ua përkushtonte librave studimorë, punimeve të thelluara në laboratorin Patos me 25 punonjës, ku bëheshin analiza për llojet e ndryshme të naftës bruto dhe solucionet e argjilës. Shprehej se koha e lirë e pakët nuk i mundësonte krijimin e një familjeje të re, por… sa për t’u argëtuar, sipas preferencës së tij, Fatosi kishte fakte të shumta që provonin se pikërisht jeta familjare do të ishte më e dobishme për të.
Nuk mund të mos përmendet edhe ambienti i punës përgjatë 8 orëve, tepër i rënduar nga hidrokarburet. Të dy shokët inxhinierë kimist pikësynonin për arritje personale në fushën e studimeve shkencore, gjë që fatkeqësisht nuk u realizua për Fatosin. Ai e përjetoi me dhembje të thellë mosvlerësimin real të punimit, sepse i gëzohej nivelit profesional të lartë individual, krahas me vlerën në thellimin e studimeve në rang vendi, ndërsa shoku punoi dhe fatmirësisht ia doli, por, në ndryshim nga Fatosi, Iliazi e shihte me syrin e një miopi marrjen e doktoraturës. Pra, ajo do të përfaqësonte një kurorë të artë mbi kokën e tij; sa për të tjerat, i vlerësonte dytësore.
Së bashku me Iliazin kishin organizuar që kohën e lirë ta kalonin me aktivitete të ndryshme, si: duke vrapuar në periferi të qytetit, ecje e shpejtuar përgjatë orësh, anëtarë të skuadrës së basketbollit të formuar me djemtë e rinj, në palestër çdo javë, sepse, duke kaluar kohën në mënyrë të këndshme konform moshës, stërvitja drejpërsëdrejti do ndihmonte që jeta e përditshme të mos ndiqte një linjë të sheshtë dhe e pranonte që jeta e tij shpirtërore po mbetej e vagët.
Fatosi nuk mundej ta harronte Silvën, të cilën e sillte ndërmend dhe e ndjente brenda zemrës çdo çast, por mundësia për t’ia shprehur sinqerisht ndjenjat e çiltra iu frenua bazuar në disa tentativa paraprake, të mirëmenduara dhe delikate pa i rënë në sy, të cilat nuk funksionuan përgjatë dy viteve të fundit të fakultetit. Sa për në kohën kur ajo vazhdonte gjimnazin, ndjenjat e tij të brendshme nuk ishin konsoliduar në përmbajtje dhe formë, ato ishin thjesht një tërheqje. Përgjatë dy viteve të shkollës së lartë, disa herë e kishte pritur atë pas mbarimit të leksioneve të ditës në rrugën bashkuese me bulevardin. Gjasme se rastësisht i kishte rënë rruga atypari dhe e kishte ftuar të drekonin së bashku, por ajo prerazi kundërshtonte, prandaj e gjykoi me gjakftohtësi se një përpjekje e mëtejme për një lidhje midis tyre nuk do të kishte aprovimin e vajzës që ai e njihte më së miri, përkundrazi do të tregonte një nëpërkëmbje të personalitetit të tij, nga e cila asnjeri nuk do të ndihej i lumtur, prandaj vendosi të mos hidhte hapa të mëtejshme në këtë drejtim. I papërshkrueshëm ishte hidhërimi në çastin kur Fatosi mësoi lajmin se Silva ishte martuar me Bilbilin, shkurt “Bylo” e thërrisnin, një kryespecialist nafte, punonjës në sektorin special të evitimit të dëmtimeve apo sikurse e njihnin “Brigada Avaro-Shpëtuese” në Kuçovë. E njihte së largu Bylon, të cilin e respektonin në të gjithë zonën, bazuar në rezultatet pozitive të arritura prej punonjësve të brigadës që drejtonte në vite.
Ky informacion nuk e pakësoi pafundësinë e trishtimit në të cilin Fatosi po e shihte veten të zhytur, përveçse, pasi u mendua mirë, vendosi të zgjidhte midis disa mundësive para tij, afërsinë me një vajzë të re me emrin Vali, në profesionin e mësueses në ciklin e ulët.
Të dy njiheshin prej vitesh, njëherazi edhe familjarisht. Fatosi te Vali vlerësonte paraqitjen e saj mbi të zakonshmen, korrektësinë, sjelljen e kulturuar. E kishte kuptuar dashurinë që mësuesja ushqente për të, me shpresa se një ditë edhe ai do t’i përgjigjej në të njëjtën mënyrë. Pra vendosi të bashkëjetonte, nisur dhe drejtuar nga logjika…
÷÷÷
Puna e përditshme për Fatosin, Iliazin dhe shokët e kolektivit të tyre nuk ishte e lehtë, prandaj programonin që brenda javës në orë të paracaktuara të shkonin në palestër për stërvitje e cila i gjallëronte më tepër se aktivitetet e tjera në qytet. Në njërin nga takimet paraprake, Fatosi mbeti i befasuar kur po i tërhiqte vemendje gjendja shpirtërore e çelur, entuziazmi që kishte zaptuar shokun të cilin sapo e takoi para palestrës dhe po e dëgjonte i habitur të qeshte i kënaqur, teksa po i drejtonte pyetjen:
– E gjen dot Fatos se cila femër iu shtua kolektivit të laboratorit tonë ditën e sotme? Bukuria e rrezatuar prej saj i transformoi epruvetat në sende të argjendta, aq sa ishte gati të pengohej personi kur përshkonte dhomën e punës përmes dhe prekja e kampioneve të argjilës dukej se imitonte tinguj muzikor, një melodi e ngjashme me valsin… Besoj se të kujtohet sa kam kërcyer në mbrëmjet tona shoqërore sa me njërën apo tjetrën valltare, pothuajse pa qëndruar asnjë çast ulur si pjesëmarrës në të gjitha llojet për kohën dhe përherë paraprija apo e përfundoja unë vallen, kurse ti mbaje kokën drejt pjatës…
– Si ta kuptoj një pyetje të tillë tepër të vështirë Iliaz?
Pranë teje, me sa mbaj mend, nuk kam parë një rast të vetëm kur femra të mos pësonte transformim duke filluar nga djersa mbuluar ballin, mbasi e shoqëroje me delikatesën e një princi deri në vendin e saj mes shoqesh apo kur më ka rastisur rrallë të shihja momentin e dhënies fund të një lidhjeje kalimtare tënden me një vajzë të re, vërtetuar nga lotët në sytë e saj, pa mundur të shqiptonte një fjalë dhe mënyra e largimit me kokë të varur në gjoks… Sado të mendohem, nuk do mundem të gjej se cili person do të ndihej krenar duke punuar krahë teje këtej e tutje dhe besoj se kjo mund të quhet enigma e shekullit, sigurisht nëse do të bëhej një pyetësor…
Fatosi nuk po e përmbante të qeshurën, ndërsa Iliazi, duke i ngulitur shikimin e atyre syve të kaltër që të kujtonin qiellin e pastër, rrezet e para të diellit kur i dhuronin përshëndetjen e ëmbël cilitdo që takonin para tyre me një ndryshim të dukshëm të çastit, se kësaj radhe në sytë e Iliazit lodronte lehtas një nënkuptim i qëllimshëm:
– Po të mendohesh, në çast e gjen. Dihet linja e shpejtë direkte zemër-tru dhe, sapo të hedhësh një shikim brenda zemrës sate, njëherazi pa qenë e nevojshme, të shprehë ajo një rrokje të vetme, truri yt ta jep vetë përgjigjen e saktë, sepse ti njihesh si njeri i zgjuar dhe i kulturuar…
– Sinqerisht, për hir të marrëdhënieve miqësore midis nesh, të cilat u konsoliduan pasi fillova dhe vazhdoj punën në qytetin tuaj, ato pikërisht më udhëzojnë të të paralajmëroj që të mos trishtohesh kur të mësosh se e njohura jonë e përbashkët Silva, duhet të ishte duke punuar krahë teje në laboratorin e të njëjtit profil, por fati e përcaktoi si njërën nga punonjëset vartëse të mia dhe sigurisht laboratorët që drejtojmë unë e ti kanë pak largësi…
Realisht Fatosi po e ndjente veten disi të turbulluar. E kishte provuar herë të tjera kur vetëm përmendja e emrit të Silvës dhe… papritur e pa e kuptuar as vetë se çfarë po ndodhte në moment thellësia e ndjenjave të tij si të ishte një oqean i pamatë do të pësonte në sipërfaqen e tij luhatje të lehta në formë dallgëzimi të pazhurmshëm, të pakapshëm për personat pranë tij… Sa për Fatosin, ai i ndjente dhe mundohej të mos e ekspozonte botën e vet shpirtërore, duke i zëvendësuar valët ledhatuese në një stuhi të vërtetë, nëse do të shihte Silvën. Pra, ndjenjat e prezantuara jashtë tij, tregonin Fatosin e dashuruar dhe përpjekjet për ta fshehur sekretin nuk mjaftonin…
– Nuk kam dijeni çfarë rruge kanë ndjekur këto punë deri këtu, por të më falësh, tani po e kuptoj se e teprova ca…
Pas këtij çasti, Iliazi heshti. Të tjera hollësira nuk ishte e nevojshme të mësonte Fatosi se ritmi i fuqishëm i zemrës, shoqëruar me vështirësi kalimtare në frymëmarrje ia pengonte të folurit për pyetje të tjera:
– Silva?! Janë trasferuar në qytetin tonë? Nuk kam ditur gjë…
Njëherazi e kuptoi se përpjekjet e shumta për t’i fshehur ndjenjat, tërheqjen e vërtetë ndaj saj, nuk i shpëtuan mendjemprehtësisë dhe mjeshtërisë së Iliazit në këtë fushë. Ai mundi të kuptonte gjendjen emocionale të Fatosit ende pa përfunduar shqiptimi i emrit Silva. Fatosi në heshtje shpejtoi të zbriste shkallët e palestrës. Nuk dëshironte të merrte të tjera informacione dhe as të vazhdonte bisedën, për më tepër kur dëgjoi pas krahësh zërin e shokut:
– Po, erdhi të punojmë në laborator e përzgjedhura, shoqja jonë…
Kishin kaluar vite nga çasti kur Fatosi ndihej plotësisht i sigurt se brenda zemrës tij, Silva ishte ngulitur thellë dhe nuk ishte zëvendësuar me askënd tjetër, njëherazi përfaqësonte të vetmen arsye për lidhjen e tij me Valin me shpresa të vakëta se mund ta largonte gradualisht nga shpirti i tij. E pranoi gabimin dhe u bind shumë shpejt që Silva ishte e pazëvendësueshme, sikur të prezantonte palcën kurrizore të organizmit të tij. Pra, Silva mbeti e patjetërsueshme. Nga ana tjetër, shihte se lidhja me Valin, bashkëjetesa nuk po funksiononte sikurse e meritonin dy të rinj. Shprehur thjesht, arriti përafërsisht rreth një niveli mesatar (Vali ëndërronte të përkryerën) dhe ishte e vetmja arsye për Fatosin ta pranonte si rrugëdalje për ta larguar përfundimisht nga brendia e zemrës Silvën. Kohëve të fundit ndodhi e paimagjinueshmja kur ndiente që po zbehej ajo pak afërsi për Valin fituar me përpjekje të skajshme, ndërsa në këndin tjetër…
Një natë e gjatë, pothuajse e pagjumë përgjatë së cilës Fatosi mendonte të tregohej sa më i matur në takimet e ardhshme midis shokësh, ekzaktësisht në prani të Iliazit dhe Silvës. Asnjërës prej pyetjeve të sinqerta të Valit të shqetësuar së tepërmi për ndryshimin e papritur të gjendjes së tij shpirterore, qëndrimin e heshtur për një kohë të gjatë kur të dy ndodheshin brenda shtëpisë, mosngrënien e ushqimeve të gatuara me cilësi prej saj, gjë për të cilën ishte e mirënjohur, Fatosi nuk i kthente përgjigje… Pra, ditët e ardhshme takimi i shokëve favorizuar nga i njëjti profil pune e vuri thellë në mendime Fatosin, sepse duhet të tregohej njeri praktikë,i natyrshëm, të merrte një vendim të matur, në bazë të të cilit do të krijohej mundësia e takimeve shoqërore, njëherazi familjare, favorizuar nga fakti se e prezantonte Valin si bashkëshorten e tij.
Për herë të parë në jetë Fatosi pranoi se rrethanat e detyronin të tregohej një çift i lumturuar (në mospërputhje me jetën reale të përditshme), argumentuar në dashurinë e pakufi dhe mirëkuptim të admirueshëm midis tij dhe Valit…Nuk mbante mend të shtirej apo të kishte përdorur më parë gënjeshtrën si mburojë, por ja që vjen një çast në jetë dhe shprehja e njohur “Qëllimi justifikon mjetin” iu duk se do të kishte edhe vlera për të, sikurse u provua më pas, kur pikërisht ai mori drejtimin për organizimin e takimeve jashtë qytetit, sapo u krijohej mundësia e sigurimit të kohës së lirë, zakonisht ditëve të diela. Grupi prej pesë vetësh: Fatosi, Iliazi, Bylua dhe Silva me Valin duhet të siguronte mjetin për udhëtim, ushqimet e përgatitura dhe të tjera sende të nevojshme përdoruese gjatë ditës. Nuk ishte përherë e lehtë dhe kjo dukej në fytyrën e Fatosit, që fshihte brenda saj një zjarr i cili në shikim të parë dukej të ishte i tulatur, realisht ende i pashuar, nëse tentoje ta prekje dhe atëherë…
Së largu Fatosi kishte dëgjuar për Bylon si njëri nga mjeshtrit më të vlerësuar në atë fushë dhe saje experiences së tij shumëvjeçare, kufijtë e kontributit të tij nuk mateshin në raste avarie, rrallë në puse të naftës. Prezantonte një mashkull të fuqishëm, por diçka e veçantë tërhiqte vemendje sapo përqendroje shikimin në fytyrën e tij, pa e kuptuar sesi të transmetonte një përqendrim të brendshëm të tij si shoqërues të pandarë sa edhe mund të ndiheshe disi i prekur shpirtërisht për faktin që, ndërsa ishe duke folur me të, Bylua mendjen e kishte diku tjetër…
Mbahej mend analiza e saktë e një shoku të afërt të tij lidhur me heshtjen pothuajse enigmatike. Pra ajo do përfaqësonte një përgjigje për këtë qëndrim të çuditshëm, nëse do të mund të shprehej:
– Bylo, ti po mendohesh thellë dhe dukesh i përqendruar në veten tënde, prandaj nuk je pjesëtar në bisedën tonë miqësore… Jam i sigurt se po mban vesh drejt nëntokës, për të ndjekur me vëmendje drejtimin e gazit dhe shpejtësinë e lëvizjes së tij, se mos ndofta papritur ai shpërthen dhe pastaj… nafta, fontana…. Mos e moho, ti je aq i dhënë me ndërgjegje mbas punës, sa do të sakrifikoje edhe jetën tënde nëse do të ishte e nevojshme të parandaloje ndonjë aksident të papritur. Të admiroj për këtë qëndrim të rrallë dhe përkushtim që tregon ndaj detyrës, por besoj se i ke kaluar kufijtë e paracaktuar. E dimë mirë të gjithë se njohja e parametrave bazë, mbështetur edhe në studimet shkencore përherë e më të thella, të plotësuara, ndihmojnë në parapërgatitjen për një shpërthim, shoqëruar me pasoja të rënda, por njëherazi pranohet edhe fakti që nafta i përket nëntokës dhe atë e shoqërojnë shumë probleme të vështira që presin zgjidhje… Më kupton, Bylo? Edhe unë jam bir naftëtari, në këtë sektor e fillova punën qysh në moshën 14-vjeçare, por në ndryshim me ty e shoh jetën në shumë këndvështrime, jo vetëm të përqendruar në rezervat e naftës. Pra, mendoj me qetësi që të duhet t’i hedhësh sytë edhe rreth e rrotull…
Silva, e pranishme në atë bisedë, e njihte mirë natyrën e Bylos, sepse jeta martesore me të ishte shpalosur dhe ajo po kuptonte se përpos shumë cilësive pozitive të bashkëshortit ky fakt e kishte shqetësuar sa edhe zënkat kishin lindur me atë subjekt, por e kuptonte se ishte e pamundur të ndryshohej karakteri i Bylos, pavarësisht përpjekjeve. Transferimin e të shoqit në një tjetër qytet ku ajo do të punonte në të njëjtin profil si inxhiniere kimiste e mirëpriti duke iu gëzuar mundësisë së një jete më të lirshme për të e Bylon, duke u nisur nga shkalla e zhvillimit përkatës dhe jo më pak i rëndësishëm ishte fakti për njohjen e mëparshme me kolegët Iliaz dhe Fatos…
Bylua, si një specialist i aftë në raste avarie, do të punonte në një tjetër sektor nafte ku ishte i kërkuar si një profesionist i mirëfilltë saje eksperiencës, aftësive të veçanta, prandaj ishte tepër i zënë me punë me personelin tekniko-inxhinier, duke treguar së bashku devotshmëri, sakrificë dhe gatishmëri si një bazament për sukseset e arritura në atë sektor ekonomik tepër të rëndësishëm. Pra, ai me shokët ishte në vendin e punës përgjatë gjithë ditës ndonjëherë gjatë natës, sa rastiste të ishte në shtëpi brenda javës një herë apo dy herë.
Silva e mirëpriti punën e re, sepse jo vetëm ishte rritur në këtë qytet dhe njihej me kolegët inxhinierë, por ishte në pritje për më të mirat për familjen. Veçanërisht shef Iliazi e mahniste me përkushtimin në punë dhe vënien në jetë të studimeve, të cilat ishin ende të freskëta nga leksionet në fakultet, njëra nga arsyet e tërheqjes ndaj tij.
÷÷÷
Nuk do të kalonte shumë kohë derisa së bashku të organizonin takime jashtë qytetit, që mundësuan të afroheshin së tepërmi dhe kështu të formonin një grup miqësor, bazuar në mirëkuptim reciprok, realisht më e mira e këtij transferimi të çiftit Silva dhe Bylo. Shëtitjet të dielave, kur me vete merrnin në çanta shpine ushqimet e përgatitura me kujdes gjatë darkës së mëparshme, shishe me ujë dhe pije shoqëruese; në raste të tjera ngrënien e përgatisnin drekën në zjarre të porsandezura me shkarpa apo degë pemësh të thata të mbedhura nga grupi i përbërë nga Fatosi, Iliazi, Bylua, teksa femrat: Silva me Valin, kujdeseshin për ta mbajtur zjarrin të ndezur për të gatuar.
Shëtitjet ndiqnin njëra-tjetrën, si: në Llogara, Ardenicë apo në plazhin Seman, sapo koha tregonte ngohtësinë e verës dhe pothuajse të gjitha vendet e vizituara ishin mbresëlënëse, pa mundur të bënin diferencë, por më të shpeshta ishin pushimet ditore brenda javës në bregdet. I tërhiqte plazhi Seman, me shtrirje të gjerë dhe formë të një brezi rreth 2 metër me dy karakteristika, sikurse rëra e imët, e ashpër, e pasur me jod dhe pylli i mrekullueshëm i pishave në anën e majtë, kur i drejtoheshin detit që shtrihej në një pjesë të gjatësisë së bregut në brendi të të cilit më mahnitës mbetej gjelbërimi përgjatë gjithë vitit, aq sa shokët e kishin edhe pikësynim të qëndronin vetëm brenda pyllit me pisha të pjerrëta përgjatë ditëve me kohë të freskët.
Diçka e veçantë, tërheqëse ishte ndjekja e Valit, një notare e talentuar, nga Silva, e cila, edhe pse përpiqej t’ia kalonte shoqes, përherë shihej rreth 2-3 herë pas saj duke mos e llogaritur largësinë e përshkuar, sa vinte çasti dhe vështirësohej njohja e siluetës së kokave të tyre, tashmë si një formacion i panjohur. Si të ishin pjesëmarrës në një konkurs noti, dukej se soditësve u shtohej gjallëria, teksa qëndronin ulur në rërën e pastër të bregut, duke qeshur dhe thirrur me zë të lartë, por nuk mund të fshihej mërzitia kur edhe në kthim përparësia përherë i takonte Valit…
Çuditërisht, të tre meshkujt ishin në të njëjtën pozitë përsa i përkiste dëshirës së sinqertë të fitores prej Silvës. Dukej se Fatosi, i dhënë pas sportit të notit, e njihte mirë tendencën e një personi të apasionuar të talentuar në atë fushë, kënaqej në fillim të përballjes së dy shoqeve mes dallgëve të kaltra e ledhatuese (pas notit do të drekonin sëbashku), por kur mbrapa Valit, bashkëjetueses shihte lodhjen e konkurrentes Silva, në pamundësi të ndjekjes së triumfueses, nuk mund ta fshihte zhgënjimin, shoqëruar më mërziti… Notari Iljaz, me emocion priste çastin kur të kthehej Vali e lumturuar, shtrihej në rërën e thatë dhe e ftonte Silvën të riniste konkursin me të dhe në mënyrë të qëllimtë mbetej disi prapa saj…
Dreka i qetësonte disi vallëtarët e uritur dhe pas saj vallëzimi, sigurisht nëse mund të gjendej një hapësirë në formë sheshi për vallëzim brenda pyllit me pisha të përkulura si një karakteristikë e zonës, ia linte radhën këngëve, pikërisht atëherë argëtimi arrinte majat. Tregimet si pjesëza jetë të spikatura me humor e ruanin vlerën edhe në ditët e mëvonshme, duke i risjellë në mendje sikurse episodi i spikatur në një të diel mbasdite me plazhistin në Seman, që e kishte lënë makinën me drejtim nga deti, duke mos mundur ta parkonte si herë të tjera me drejtim nga pylli i pishave. Mbasi doli nga deti, shkoi të ndërronte rrobat e banjës më të zakonshmet, por duket se rrezet përvëluese të diellit dhe kohëzgjatja e të qëndruarit në det nuk i qartësuan ndryshimin e parkimit të mjetit në drejtim të kundërt, sikurse duhet ta kishte bërë herë të tjera. Pra, kur hapi derën e makinës që të mbrohej nga shikimet kureshtare të pushuesve përballë tij, nuk po e kuptonte se dera e dytë, e pasme si një mbrojtëse për të, ndodhej mbas trupit të tij dhe ai po tregonte një trup plotësisht të zhveshur drejt kureshtarëve gjysmë të ulur, të cilët qeshnin, duke u argëtuar me një gabim njerëzor…
Pasdites, gjatë shëtitjes, ndalonin në fusha para se të ktheheshin në shtëpi, duke dashur të mos ndërprisnin kënaqësinë.
– Do mbledh lulet e porsaçelura, – shprehej e gëzuar duke thirrur me zë të lartë Silva, – dhe t’i vendos në një gotë me ujë se, duke i pasur para syve në shtëpi, do mundem të kujtoj e lumturuar argëtimin e sotëm e përgjatë disa ditëve të ardhshme, sepse lulet që do të vendosim në tavolinën e punës në laborator pjesërisht më përkasin mua…
Ato dukej sikur ndiqnin me ëndje lëvizjet e shefit brenda ambientit të punës dhe me pamjen e një vogëlusheje lozanjare Silva shihte e ngazëllyer Iliazin, i cili mundohej të paraqitej se nuk po e ndiqte kolegen, njëherazi shoqen e grupit…Pas ngrënies së drekës, kur Fatosi dhe Bilbili e ndjenin të nevojshme të shtriheshin një copë herë, gjë që e favorizonin edhe dy-tri gota rakie të prodhuar në mënyrë artizanale, zier në kazanin e bakrit në shtepinë e Zylos nga i ati (i biri e mbante në çantën e dorës në një shishe të vogël, të zbukuruar, e cila i përkiste një parfumi të çmuar blerë nga Silva në muajin e mjaltit në Itali)… I takonte rakisë… Bylua, shoqëruar nga Fatosi, e mbaronin me patjetër shishen deri nga mesi i ngrënies, ndërsa Iliazi vetëm sa e prekte në buzë duke thirrur:
– Gëzuar! Për shëndetin e të pranishmëve, momentalisht jo shëtitës! Ky grup organizon, shijon me meritë argëtime mbresëlënëse!
Natyra artistike e Iliazit e prezantonte një këngëtar të talentuar kur fillonte si solist këngë të huaja apo paraprinte shokët në këngët e shumta popullore, përkatësisht të krahinave tona. Vendosën që një ditë të diele të vizitonin qytetin antik të Apolonisë, i themeluar në vitin 587 p.e.s. Atje mësuan me një ndjenjë krenarie pa e fshehur ndjenjën atdhetare se zhvillimin e madh kulturor të tij e vërteton edhe fakti që në shek I p.e.s., Perandori i parë romak, Oktavian Augusti, studioi në Akademinë e Apolonisë. Aktualisht është një qendër tërheqëse për vizitorë, turistë të huaj të apasionuar pas arkeologjisë dhe historisë së lashtë të këtij qyteti, pranë të cilit ndodhet muzeu arkitektonik së bashku me kishën, dekoret dhe pikturat murale, pra një qendër kulturore, artistike e plotësuar me zbulime arkeologjike.
Pikërisht atë ditë Bylua, ulur mes lulesh të shumëllojshme, vështronte i heshtur pamjet e jashtëzakonshme para tij në largësi, të cilat, në mënyrë harmonike ia linin radhën njëra-tjetrës, duke nisur nga një fashë e gjerë e qiellit të shndritshëm me ngjyrë të bardhë, të pastër si kristal dhe pa asnje rè, në konturin më të ngushtë përfaqësues i kaltërsisë së detit dhe në vijimësi shihte fusha të mbjella, ndarë në konfiguracione katrorësh të rregullt. Afërsia me qytetin antik u përkiste radhëve të ullinjve të rinj, të cilët qëndronin në pritje të marrjes së detyrës prej atyre shekullore, gjysmë të përkulur…
Duket se brenda kësaj harmonie të nënës natyrë ndjesia shpirtërore bëri që Bylua të largohej disi nga mënyra e zakonshme e jetës së përditshme, ku ai me përpikmëri i respektonte parametrat e paracaktuar, thjesht e tejkaloi sasinë e rakisë së prodhuar me shkallën më të lartë të fortësisë së saj dhe ngadalë po e zaptonte gjendja e dehjes, e cila shpejt mund ta shkëpuste me realitetin. Pikërisht koha kur Silva me Valin po shëtisnin me kujdes në sipërfaqen e pjerrët kodrinore dhe në të njëjtën kohë qëndronin paksa mbështetur në trungjet e pemëve, për të garantuar hapat e mëtejshëm në terrenin me guriçka të shumtë dhe vendodhja e tyre përcaktohej nga pasthirrmat e larta:
– Oh! Oh! Kjo aromë ka forcë të të rrëzojë në shesh dhe të mos dish të marrësh rrugën e kthimit!
Mbedhur lulet në tufa, tejet të impresionuara nga bukuria e rrallë e natyrës , duke nuhatur aromat e këndshme, mes të cilave ndiheshin si të ishin zhytur në një vaskë të stërmadhe natyrore, në të njëjtën mënyrë si të ishin detyruar nga një forcë enigmatike, ecnin me kokën ngritur paksa më lartë se zakonisht. Iliazi qëndronte i vetëm për një kohë të gjatë midis zbulimeve arkeologjike në muze dhe sodiste mendueshëm skulpturat e vjetra.
Në një ditë nga fundi i qershorit, mbasi mbaruan vaktin e drekës dhe ulur po qëndronin Fatosi me Bylon, i cili dukej të ishte afër mbarimit të sasisë së rakisë në shishen e sheshtë, papritur iu afrua Fatosit, vështroi rreth e qark të sigurohej se ndodheshin të vetëm të dy dhe i pëshpëriti në vesh:
– E shoh që përsëri sot e teprova, vetëm se… një arsye shëndetësore e fortë më tronditi para tri ditësh, mbas konsultës me mjekun specialist androlog për disa shqetësime të mia kohëve të fundit. Ai u përqendrua në analiza të shumta dhe ekografi të organeve urinare, të cilat, në mbështetje të njëra-tjetrës dhe mendimin e mjekut, fatkeqësisht më informuan se unë…nuk do të lumturohem duke mbajtur në krahë fëmijën tim trashëgimtar dhe… nuk do të jem babai i vogëlushëve në të ardhmen… Ky problem ishte i panjohur për mua, por tani që e mësova këtë diagnozë, ky është informacioni më i hidhur që mund të merrja për jetën tonë familjare. Sidomos kur Silva e njohu të vërtetën, e përjetoi me hidhërim të pamatë. E njoh që ka mirësi shpirtërore dhe zemërbardhësi të skajshme, të cilat po më ndihmojnë ta marrë veten…
Në të njëjtën kohë, Fatosi po ndihej i hidhëruar pas këtij informacioni konfidencial që mori nga Bylua, dhe e kuptoi vlerësimin, shkallën më të lartë të besimit që shoku po tregonte ndaj tij, prandaj vendosi që sekretin e mikut ta konsideronte personal. Edhe një hollësi tjetër disi e çuditshme e periudhës së përbashkët katërvjeçare e cila nuk mund të largohej nga kujtesa Fatosit:
Të tre ishin specialistë të një dege, por Silva dhe Iliazi kishin ftesa për pjesëmarrje në konferenca shkencore në Tiranë, ndërsa emri i tij nuk përmendej ndër të ftuarit. Përse vallë të bëhej ky diferencim?! Dhe, pa u treguar naiv, i drejtoi një ditë pyetjen therëse, ironike, Iliazit :
– Do të doja të më sqaroje pa fjalë të shumta dhe pa kaluar sa nga njëra degë në tjetrën se vetëm rritja e nivelit profesional në laboratorin tuaj është treguese për punimet shkencore në sektorin e naftës?. Jam dakord që unë e humba këtë mundësi të ëndërruar, në ndryshim me ty që po shkon drejt përfundimit me sukses dhe e pranoj me ndërgjegje se mbase nuk kisha punuar aq sa e kërkonte subjekti përkatës, por po Silva, që sa është aprovuar në numrin e kërkuesve dhe nuk ka arritur as një konkluzion të vetëm?! Të më kuptosh drejt, nuk më shtyn asnjë ndjenjë xhelozie ndaj jush që ju konsideroj si miq të afërm, por drejtesia njeh vetëm një rrugë…
Asnjëri prej tyre nuk i ktheu përgjigje, si të mos e kishin nuhatur nënkuptimin e veçantë të pyetjeve të Fatosit, realisht objektive. Pa ia mohuar asnjërit vlerat shpirtërore, shoqëruar me aktivitetin fizik dytësor përgjatë gjithë shëtitjeve të mirorganizuara nga grupi i konsoliduar, arsyeja që i bashkonte në shëtitjet jashtë qytetit ishte një lehtësim sado i pakët për ngarkesën psikologjike në punën e përditshme, udhëhequr nga ndërgjegjësimi për përgjegjësinë konkrete të secilit në atë sektor delikat. Sa për mbilodhjen, kryesonte Bylua, por këto argumente dëgjoheshin në kohën kur ata ndodheshin në grup, apo në rastet kur i bisedonin brenda shtëpisë si Fatosi me Valin, Silva me Bylon apo në atë pak kohë të lirë në laborator, midis Iliazit dhe Silvës…
Vetëm se në thellësi të zemrës së çdonjërit (pa u ndërgjegjësuar se si dhe pa dëshirë t’i ushqenin) po shfaqeshin filizat e para prezantuese të një gjendjeje shpirtërore të turbulluar, ndonëse përpjekjet prej tij që t’i eleminonte bëheshin sapo e nuhaste, dhe pa pritur përballje të mëtejshme, por shtrohej një pyetje e thjeshtë: “A ia dolën?”, sepse në këndvështimin individual problemet e brendshme emocionale ndiqnin njëra-tjetrën duke filluar me Silvën. Ajo e njihte mirë të shoqin dhe e respektonte, por natyra e heshtur dhe përkushtimi i tij në profilin e teknikut në një sektor jetësor nuk mund t’i dhuronte përherë një gjendje shpirtërore të këndshme, prandaj ia ktheu gjatë një debati midis tyre, jo pa shpoti:
– Shoku Bylo, tani është darkë dhe ti sapo u ktheve në shtëpi. Je pranë gruas dhe problemet e pusit të naftës me të cilat u morët për disa ditë gjithë brigada, i mbaruat pas mesnatës së kaluar… Tani më dëgjo të bisedojmë për probleme të brendshme të familjes, je në krye të saj…
Heshtja pasuese e iritoi Silvën. Të tjera episode moskuptimi nisën të nxirrnin kokë herë pas here. Më delikatja prej tyre lidhej me faktin e moskryerjes, mungesës së shkollës së lartë prej Bylos, jo për arsye ekonomike, sepse pikërisht niveli mbi të zakonshmen kishte ndihmuar që Silva të aprovonte martesën me të. Tepër vështirë prezantohej para syve të mendjes së Silvës, në raste të rralla edhe mes miqsh mungesa e shkollimit të lartë për Bylon, gjë që përtërihej vitin e fundit, kur ajo po mendonte të thellohej në punë studimore. Ai e refuzoi prerazi dhe pas shumë diskutimesh pranoi i detyruar, por pikërisht ai subjekt i asaj teme ishte si një zjarr i mbuluar me një shtresë të trashë hiri që sërish mbetej i pashuar.
Realisht mjeshtëria e mirënjohur dhe e konkretizuar në raste avarish dhënë prej Bylos dhe brigadës që ai drejtonte, prezantonin një bazament të shëndoshë ngritur në eksperiencën shumëvjeçare, përkushtimit të admirueshëm, një kontribut i vlefshëm për shoqërinë. Sigurisht natyra e mbyllur e bashkëshortit të Silvës tregonte një ndryshim të kapshëm midis tij dhe dy kolegëve të saj Iliaz dhe Fatos. Për shembull, ajo pëlqente notin, por në detin e dallgëzuar shihte t’i afrohej Ilizi apo “këngëtari tërheqës në grup”, siç njihej Iliazi apo “valltari” Fatos. E kuptonte qartë se këto grimca nuk kishin rëndësi kur i shihte të veçuara, ama kur ato formonin një tërësi, atëherë mund të mos i shpëtonin shikimit tek asnjë i pranishëm…
Nga të gjitha mendimet e thella lindur brenda logjikës së saj dhe njohja e vlerës për çdonjerin, Silva goditjen më të fortë e pësoi kur mësoi papritur fatkeqësinë, diagnozën vërtetuese se Bylua nuk do të gëzonte mundësi si një qenie njerëzore të rriste fëmijët e vet; pikëllimi i saj ishte i dyfishtë, së pari, vuante hidhërimin e Bylos për të cilin ishte mëse e bidur se përpiqej tej mase të mos e lëndonte gruan, dhe, natyrisht, pasojat familjare që do ta preknin direkt Silvën. Sa herë mundej të shijonte bukurinë e natyrës, ajo pothuajse e falënderonte në heshtje për ato pak kohë që shkëputej nga problemet e jetës, të cilat sa vinin po shtoheshin, por a ekzistonte një rrugë shpëtimi?
Kaluan shpejt më tepër se pesë vite jetesë të përbashkët, gjatë të cilave miqësia midis çiftit Fatos dhe Vali pësoi një krisje të lehtë, fillimisht duke përfunduar rreth gjashtë muaj më vonë, në largimin përfundimtar të saj kur ftohja e marrëdhënieve arriti në pikën e ngrirë dhe nuk mund të rikthehej në parametra normal. Të dy e kuptuan se përpjekjet e bëra për ta mbajtur gjallë atë lidhje mirëkuptuese i kishin konsumuar të gjitha mundësitë, martesa e tyre mbeti në formë ideje dhe nuk u bë reale. Natyrisht , gjendja shpirtërore e Valit, plotësisht e rrënuar, shenjat e para tregonte kur në mjaft raste grindeshin me Fatosin, pa pasur arsye të vërtetë, gjë që ajo e vuri në dyshim kur po kuptonte se afrimi i tyre apo më thjesht grupimi, se po e gjallëronte bashkëjetuesin në prani të Silvës, pavarësisht në shoqërim të përbashkët. Qartazi ai reflektonte gjendje të çelur shpirtërore që pothuajse përtërihej sapo përmendej emri i saj dhe… shpejt zëvendësohej me zymtësi në ditët e planifikuara për dalje jashtë qytetit, por në pamundësi të realizoheshin për ndonjë arsye objektive të lindur befas. Vali e respektonte Silvën si një femër të zgjuar, të dhënë pas studimeve profesionale dhe ambicien për të fituar një gradë shkencore e shihte si diçka jo të zakonshme; fakti që ishin punonjës në të njëjtën fushë me Fatosin, Ilizazin dhe shpesh i dëgjonte të bisedonin për probleme të njohura për ta, nuk e shqetësonte, por brenda shpirtit trembej se ndofta një ditë kjo do të shërbente si urë lidhëse, aq sa u pendua për qëndrimin egoist, sigurisht kalimtar kur Fatosi nuk arriti shkallën e doktoraturës.
Me gjakftohtësi vendosi të mos e fajësonte Silvën për rrugën e pambaruar të lidhjes me Fatosin, i cili ishte ai dhe vetëm ai përgjegjësi i shkelmosjes së ëndrrave të saj, Valit, sepse ndonjëherë personi i Fatosit i kujtonte një personazh kryesor në njërin nga librat e letërsisë botërore, i cili, në një pozicion kulmor, drejtonte në heshtje jetën e personave pranë tij që as mund ta kundërshtonin, sepse nuk e njihnin vendqëndrimin dhe as mund ta përballonin forcën e tij mbinjerëzore, sepse vendi i vëzhgimit të tij dhe vendimet që merrte ishin enigmatike… Po, nuk kishte më të voglin dyshim se ai e simpatizonte Silvën dhe ajo përfaqësonte një femër ideale, por në të njëjtën kohë tregohej korrekt me të, sikurse me të tjerët, asnjëherë të vetme nuk prezantoi hapur ndjenjat e zemrës, të cilat, edhe sikur të mund t’ia nxirnin forcërisht, do të dinte t’i mbronte, edhe… në se duhet ta paguante me jetën e tij.
Diçka, ndonëse e vogël, e bënte Valin të mendohej: fakti që edhe Silva tregohej e matur ndaj Fatosit, duke respektuar kufijtë shoqërorë, njëherazi njerëzorë, gjë që nuk i plotësonte kundrejt Iliazit… Qartësisht tek Iliazi dukej pamja e një artisti të vërtetë, shoqëruar me karakter dhe sjellje të zhdërvjellta, niveli i lartë profesional të cilin e argumentoi edhe marrja e gradës shkencore, duke pohuar se nuk do tërhiqej për të tjera më të larta, duke u thelluar në punime kërkimore shkencore në vitet e ardhshme dhe ajo më e thjeshta, por konkrete, ai drejtonte punën në laborator, ishte në pozitën e shefit dhe ajo ndiqte nga afër aktivitetin e përditshëm në punë të Iliazit se mbas saj nuk mund të merrte asnjë të dhënë, ndonëse ishte tejet e interesuar.
E verteta është se Iliazi nuk kishte një karakter të qëndrueshëm. Sa shpejt afrohej, po aq shpejt i largohej lidhjes me një tjetër vajzë. Rastësisht Silva mësoi rreth një lidhjeje dashurie të Iliazit me një vajzë të re që nuk mund ta pranonte disfatën, ndërprerjen e marrdhënie midis tyre, për të cilat disa herë kishte tentuar të ktheheshin sërish, disa herë e kishte parë në korridor në pritje të vëmendjes prej tij, por pas dy-tri orësh largohej me lot në sy…
Në njërën nga ditët kur u kërkohej një rezultat analizash tepër të rëndësishme mbi të cilat do të ngrihej një punë intensive me kosto të lartë; pikërisht për këtë arsye personelit të laboratorit i kërkohej përkushtim maksimal, sepse ato rezultate do të shërbenin si udhërrëfyese dhe përcaktuese për punën e ardhshme, por zëri i natyrshëm i shef Iliazit, ku dallohej respekti si rrallë herë, e detyroi të dyshonte për vendin dhe kohën kur po jetonte, aq sa një drithërim e lehtë i përshkoi tërë trupin, shoqëruar me djersë të pakta në ballë.
– E kam njohur vartësen Silva si një femër të zgjuar, punëtore dhe me një bukuri të pakomentuar, por nuk besoja se shkalla profesionale e saj do të arrinte maja të larta. Urime të sinqerta, i meriton, sepse këto përfundime të sakta na nderojnë të gjithëve!
Ditët e mëvonshme gjesti i shefit do ta çorientonte sapo e ripërtërinte, por e çudiste edhe një element tjetër: sikur në vend të Iliazit, shefi të ishte Fatosi, a do ta përjetonte episodin kalimtar me të njëjtën forcë emocionale? E sigurt se midis tyre çka ajo shihte, e ndjente brenda vetes një ndryshim të thellë dhe as që mund të përcaktonte pozicione paralele…
Goditja e papritur, më e forta dhe hidhërim i pafund, ishte çasti kur mësuan për një defekt teknik në njërin nga puset e naftës, pasojë e të cilit Bylua humbi jetën. Goditja fatale e një pjese metalike nuk mund ta rikthente në jetë. Veç tri ditë jetoi, saje një përkujdesi të papërshkruar të stafit mjekësor dhe afërsisë njerëzore.
÷÷÷
Mbas kësaj fatkeqësie, pa kaluar shumë kohë, Silva e ndërpreu punën në laborator duke e rifilluar në një qytet tjetër me të njëjtin profil. Atje do të ishte pranë familjes së të vëllait, që kishte krijuar familjen e vet dhe vazhdonte të punonte. Çdokush nga grupi prej pesë shokësh ndihej në vetvete i trishtuar kur kuptonte se ato ditë të kaluara pushimesh të organizuara me përkujdesje, të filluar një ditë më parë dhe plotësuar përkatësisht të nesërmen, pra, saje parapërgatitjes krijohej mundësia që gjithë fundjavat të ishin mbushur me gjallëri, këngë, humor dhe shijimin e ushqimeve të gatuara në shtëpi apo shtesa të porsapërgatitura në orët e qëndrimit lirshëm në mes të gjelbërimit, aromës së këndshme të luleve të shumëllojshme; të gjithë e meritonin çlodhjen dhe prisnin mbarësi në javën e ardhshme.
Fatosi po e përjetonte shumëfish hidhërimin. Mbasi Vali e braktisi, e kuptonte qartazi se ajo nuk ishte për të gruaja e ëndërruar. Vali, një femër me karakter të formuar, nuk mund të pranonte lëmoshë, sikurse ajo pak afërsi të cilën Fatosi ia afronte në çaste të shkurtra rrallazi, prandaj nuk po mundej të vazhdonte jetesën së bashku në ato pozita. E gjykoi saktë se vendimi i detyruar për shkëputjen me Fatosin po përcaktohej prej sjelljes së tij kohëve të fundit.
Tronditja e Fatosit mori përmasa të pamatshme kur mësoi se Silva kishte një fëmijë, të cilin e lindi mbas largimit nga qyteti i tyre, saktësisht disa muaj pas vdekjes së Bylos. Ai nuk mund ta harronte bisedën konfidenciale të Bylos, shqetësimin e vërtetë të tij kur, në besim të plotë, zgjodhi të hapte zemrën para Fatosit, pra, shatzënia e Silvës, qoftë edhe në muajt e fundit të jetës së bashkëshortit, mund të mos tërhiqte vëmendjen e miqve, por në mënyrë absolute kjo gjë nuk do t’i shpëtonte logjikës së hekurt të tij… Me cilin të ishte afruar ajo vallë? Me personin që nuk u martua të kishte krijuar një lidhje? Jashtë imagjinate për të… Pikërisht ky fakt e dërrmoi Fatosin, i bëri përshtypje të thellë, sepse Silvën e kishte dashur në heshtje dhe vazhdoi ta dashuronte çmendurisht pas largimit të bashkëjetueses Vali…
Teksa ndihej i vetmuar dhe besonte se të njëjtën gjendje shpirtërore po përjetonte edhe Silva, e gjykoi me gjakftohtësi të bisedonte hapur me të dhe t’i sugjeronte më të mirën e të dyve, martesën, realizimin e së cilës Fatosi e shihte si zgjidhjen ideale të ëndërruar prej vitesh. Informacionet rreth saj i kishte të pakta, se nuk dëshironte ta bënte si një bisedë të zakonshme me të tjerë persona; njëherazi as në ato telefonike nuk pëlqente të tregonte botën e tij të brendshme shpirtërore dhe e vetmja siguri qëndronte në besimin se Silva do të pranonte një takim me Fatosin, si miq të vjetër, për më tepër që do të ishte e dobishme për të në situatën e krijuar tejet trishtuese.
Takimi u realizua një pasdite vonë në një mjedis të qetë, të cilin e përzgjodhën paraprakisht. Fatosi ndodhej atje rreth gjysmë ore më parë dhe po e përjetone çastin e takimit, bisedën pasuese me emocione të forta si kurrë ndonjëherë tjetër, po priste me ankth një njeri të cilin e njihte, e ndiente të afërt, por njëkohësisht e shihte veten të pazotin të shqiptonte qoftë një fjalë të vetme, për më tepër edhe mendimet po i ngatërroheshin, ndonëse e kishte menduar hollësishëm shumë herë thelbin e bisedës. Teksa po i afrohej, Silva prezantonte pothuajse të njëjtën pamje tërheqëse në tërësi; veçanërisht fytyra me pamje të zeshkët, si të ishte e sapokthyer nga qëndrimi disaditor në bregdet…
Pas disa çastesh të vështira, Fatosi po e zotëronte veten dhe, pa e zgjatur shumë, hyri në brendi të problemit që e shprehu thjesht:
– Silva, për vetë kohën e gjatë të njohjes sonë, unë do të shprehem shkurt dhe po të njëjtën përgjigje pres prej teje… Fati na ndihmoi të njiheshim dhe të afroheshim miqësisht njëri me tjetrin, por rrethanat e sotme na krijojne një mundësi tjetër të favorshme për të dy. Pra dëshiroj të formojmë një familje të vërtetë së bashku, gjë që mua më ka munguar, ndërsa ty fatkeqësisht t’u këput përmes… Jemi ende të rinj, jeta është para nesh dhe ne e meritojmë ta gëzojmë së bashku, sepse jo vetëm puna është ajo që sjell kënaqësi. Në situata të papritura, të paparashikuara, njeriu përpiqet të gjejë një rrugëdalje në jetë, pavarësisht kostos dhe problemeve të vështira brenda saj apo të tjera shoqëruese, një pjesë e të cilave mund të mos vihen re nga një tjetër përson…
Ishte një çast kur Fatosi, me zemër të drithëruar, shoqëruar me një ndjesi peshe të rëndë në gjoks, të paprovuar kurrë më parë, po priste një përgjigje aprovuese dhe ishte mëse i bindur që ajo do pranonte… Nuk po mund të priste, përsëritej më i fuqishëm turbullimi i shpirtit.
– Silva, më kupto! – vijoi ai. – Ne edhe e nisim si një bashkëjetesë. Sa për dasmën, kur të na krijohet mundësia…
Silva qëndroi gjatë pa iu përgjigjur dhe tregonte me një tundje të lehtë të kokës se do të shprehte mendimin, por së pari nguliti shikimin e syve të saj të bukur, më të theksuarën nuancë të ngjyrës së zezë, që, pa e kuptuar se si, Fatosit i dukej të ishte përballë një plumbi, trajektorja e të cilit, e fiksuar drejt tij, do të depërtonte permes vetëm pas një sekondi; Silva i dha përgjigje me zë të ulët, gati në pëshpëritje:
– Së pari, dua të të falënderoj për këtë sjellje miqësore tënden. Realisht nuk gjej tjetër emërtesë, por dua të jem plotësisht e sinqertë me ty dhe sigurisht edhe me veten time… Do ta pranoja kërkesën tënde, por ti duhet ta dish se unë nuk jam e vetme, sikurse ti më di. Fatos, më duhet të sqaroj se në kohën që Bylua fatkeqësisht u largua nga jeta, atëherë isha shtatzënë tre muajshe… Pra, tani kujdesem edhe për një vogëlush dyvjeçar… Ja, është duke ma sjellë, dadoja se kur erdha këtu ishte duke fjetur…
Pikërisht momenti kur Fatosi ndjeu një marrje mendsh të papritur, djersë të ftohta ta përshkonin në fytyrë dhe drithma të lehta në trup, aq sa po i dukej se edhe dhëmbët e tij po bënin një zhurmë kërcitëse, teksa mundohej të shtrëngonte buzët dhe të mos i kthente Silvës përgjigjen e merituar… Po Silva mund të gënjente cilindo para saj, por të vetmit njeri me emrin Fatos të mos guxonte as ta shkonte nëpër mend, sepse një bisedë e bërë midis tij dhe burrit saj tre vjet më parë kishte ngelur e freskët në mendjen e Fatosit, si të ishte duke u zhvilluar atyre çasteve… Ndaj atij iu deshën përpjekje mbinjerëzore të përmbahej e të mos tregonte të vërtetën drithëruese për një fëmijë, të birin e Bylos…
Rastësia e solli që në derën e xhamtë rrotulluese të hynte një femër mesogrua me një fëmijë bukurosh, i cili sapo iu afrua Silvës iu hodh me vrull në krahët e saj të drejtuara para.
– Mami! Mami! – dhe me shpejtësi afroi kokën në kraharorin e Silvës, duke e parë pjerrtas Fatosin, i cili po përjetonte më të pikëlluarin çast të jetës. Po mendonte nëse duhet ta njihte apo jo fëmijën e Silvës me atësi Bylon para se të krijonte një familje të shëndoshë… I lindën dhe dyshime të shumta se kujt i ngjante ky fëmijë. Sikur t’i shkrepëtinte një rrufe në qiell të freskët i përshkoi mendjen fizionomia e Iliazit… dhe Fatosit iu kujtua papritmas një episod i hershëm kur i kishte parë së largu në një kthesë të rrugës, pas së cilës shihej një godinë luksoze shumëkatëshe në Tiranë. Silva me Iliazin dukeshin së largu të lumturuar…, por me dyshim se atëherë mund të ishte gabuar dhe të kishin qenë persona të tjerë, pikërisht ripërtëritja e asaj pamje në vetëdije e bindi se kishte ekzistuar…
Pa e kuptuar se si, po ndihej i poshtëruar brenda vetes, sepse të gjithë e njihnin saktësisht sipërfaqësinë e Iliazit, paqëndrueshmërinë e karakterit dhe sjelljet aktoreske ndaj femrave… Disa i njihte, atëherë rrathët koncentrikë që po mblidheshin shtrëngueshëm rreth zemrës së tij i mundësuan të shprehte dy fjalë, i ngritur në këmbë:
– Silva, përgjigjen e saktë ma dha ky vogëlush dhe… naiviteti im i pafalshëm. Jo përherë njihet e mira… Sa për mua, besoj se fati nuk do të tregohet përherë mizor… Do të të këshilloja që ti të ishe e sinqertë. E pranoj se edhe kësaj radhe e humba betejën, gabova, sepse besoj që forcat e mia kanë mundësi të ndihmojnë vetëm ty, por dhe një person të tretë, sikurse ky vogëlushi këtu, nuk munden t’ia dalin… Ti do më mbetesh brenda kujtesës sime, sepse vetëm këtë meriton dhe asgjë më tepër… Të jap fjalën ty dhe vetes sime! Lamtumirë!
Afër mesnatës Fatosi u kthye në shtëpi, por ende nuk ishte kthjelluar; për më tepër telefonata e papritur nga ana e Silvës, ndërprerjet e herëpashershme dhe paqartësia e shqiptimit të disa fjalëve, ia rikthyen trishtimin. Në ndryshim me atë të disa orëve të mëparshme, po i dukej se i ngjante një qielli të mbushur me rè të errëta në prag të nisjes së rrebeshit, çuditërisht pas tyre po shiheshin disa rreze të pakta dielli, të cilat aty-këtu dukeshin të qarta, kur retë ishin shpërndarë…
– Fatos, përherë të kam besuar dhe kam treguar respekt ndaj teje… Njoh mirë karakterin dhe ndershmërinë tënde, bujarinë e zemrës sate, e cila do të bënte që vogëlushi im të kishte një baba… Fatkeqësisht, rrjedha e jetës sime nuk ia siguroi atë. Babai biologjik nuk e di të vërtetën dhe jam e sigurt se kurrë nuk do të dëshirojë ta mësojë; tjetri, sipas dokumenteve, ka ndërruar jetë dhe ti… je i vetmi që mund të zgjatësh dorën drejt nesh, të na dhurosh sado pak ndihmë, sikurse ke bërë edhe herë të tjera… Të lutem, më lejo të takohemi sërish, premtoj që do të tregoj me sinqeritet gjithçka ka ndodhur deri kur ne arritëm në këtë pikë… Po, shpresoj, Fatos…
Gjatë kësaj bisede të zgjatur ai nuk e ndërpreu dhe, sapo e kuptoi se Silva nuk po mund të vazhdonte më tej, shqiptoi:
– Natën e mirë, Silva! Të uroj gjithë të mirat!
Dt 4 maj 2018
Komentet