Në funksion të zbatimit të platformave për shfarosjen e kombit shqiptar, që kishin për pikënisje programin “Naçertanija” të Ilia Garashaninit, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Principatës së Serbisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, një nga dallgët më të mëdha të gjenocidit serbo-malazez përshkoi trevat shqiptare, jashtë Shqipërisë së 1913-ës. Momenti kulmor ishte masakrimi i krahinës së Bihorit (5-6 janar 1943), ku në 82 fshatra u shfarosën në mënyrat më të tmerrshme rreth 5 000 shqiptarë, rreth një e treta e të cilëve ishin fëmijë, gra dhe pleq, tragjedi kjo në kushtet kur trojet shqiptare ishin pushtuar nga forcat ushtarake italiane, gjermane, serbe dhe bullgare. Përgjegjësit kryesorë për masakrën e Bihorit, por dhe për masakra të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin çetnikët e Drazho Mihajloviçit.
Dëshmi autentike të këtyre masakrave barbare ka edhe në dokumentet arkivore të administruara nga institucionet e shtetit shqiptar. Në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, fondi 152/shtesë (Ministria e Punëve të Brendshme), viti 1944, dosja 865, gjenden dokumente arkivore, korrespondenca të Ministrisë së Punëve të Brendshme me Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe prefekturat e Tokave të Liruara mbi përpjekjet e çetave drazhiste me xhandarmërinë shqiptare dhe vullnetarët shqiptarë. Disa prej këtyre dokumenteve të dosjes 865, që publikohen për herë të parë, do t’i japim për lexuesin e “Gazeta Shqiptare” në vijim të këtij dossieri.
II.
1. Shkaqet e luftimeve me drazhistat në qarkun e Prishtinës
Në fillimin e vitit 1944, veprime të çetave drazhiste kundër popullsisë shqiptare u evidentuan edhe në Qarkun e Prishtinës. Më 29 shkurt 1944, prefekti i Prishtinës Hysen Prishtina, me shkresën nr. 26/15, i përcjell Ministrisë së Punëve të Brendshme një shkresë të Prefekturës së Mitrovicës, si dhe një dokument në gjuhën serbisht, që flisnin rreth shkaqeve dhe gjendjes së luftimeve në krahinën e asaj prefekture, që ishin zhvilluar ndërmjet çetnikëve sulmues serbë dhe vullnetarëve shqiptarë, të cilët ishin të detyruar për me mbrojtë kufijtë shqiptarë, si dhe mbi masat me karakter shëndetësor të marruna në atë prefekturë për të plagosurit shqiptarë.
Po më 29 shkurt 1944, prefekti i Prishtinës, Hysen Prishtina, me shkresën nr. 26/13, i kishte përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme procesverbalet dhe origjinalet e një shkrese shpjegimi të nënprefekturës së Ferizajt rreth “arrestimit të disa personave me kombësi serbe, anëtarë të rrezikshëm të Partisë Drazhiste në krahinën e Kosovës, me lutjen që t’i shqyrtonin edhe të merrnin masat e rastit kundra tyre në mënyrë që mund t’u pritej definitivisht hovi i veprimtarisë së tyrë në dâm të interesave jetike të atdheut tonë”.
Nga ana e saj, Ministria e Punëve të Brendshme, me shkresën e saj nr. 282/50, datë 21 mars 1944, do të përgjigjej: “Personat që përmenden në shkresën e sipërme të mbahen në burg dhe kundra tyne të merren masat ligjore”.
2. Drazhistët serbë që do luftonin kundër komunistëve në Shqipëri
Drejtuesi i çetnikëve serbë, Drazha Mihajloviçi, do të tentonte pa sukses edhe lidhjen e tij me nacionalistin nga Luma, Muharrem Bajraktarin, me qëllim bashkëpunimin kundër komunistëve në Shqipëri dhe Kosovë. Për këtë fakt hedh dritë edhe procesverbali i mbajtur nga Nënprefektura e Ferizajt mbi arrestimin e çetnikut Rajko Parliç, që iu përcoll Prefekturës Shtetnore të Prishtinës, nga nënprefekti i Ferizajt, Kadri Vasil Borshi me shkresën nr. 191/I ex 43 Rezervat, datë 18 janar 1944.
Ky procesverbal u mbajt më 11 nëntor 1943, në zyrën e Nënprefekturës së Ferizajt, ku përveç nënprefektit Borshi ishin prezent edhe postëkomandanti i Qendrës Adem Kajtazi dhe sekretari i nënprefekturës z. Galip Dema.
I arrestuari Rajko Parliç, 40 vjeç, i lindur në Nerodime, i martuar, me pesë fëmijë (vajza), bujk, i pyetur nga autoritetet e mësipërme dha përgjigjet e tij, sipas të cilave rezulton:
Rajko Parliç kishte qenë ushtar i ish-Jugosllavisë dhe mbasi kapitulloi Jugosllavia (prill 1941) kthehet në shtëpi. Deri më 23 janar 1943 merret me punët e tij. më 23 janar, pasi kishte dalë me marrë dru, plagoset nga komunistët dhe shtrohet në shtëpinë private të kushurinit të tij Stojmir Parliç. Mbas tre muajsh, së bashku me Stojmir Parliç, kalojnë kufirin fshehtas për në Serbi dhe jetojnë në katundin Tern të Komunës Dobridoll. Këtu kanë veprue si ushtarë në trupat e Drazho Mihajloviçit për tre muaj dhe kanë luftue kundër komunistëve. Mbas tre muajsh, komandanti i tyre, majori Gkuriç, i cili gjithashtu ishte nën urdhrat e Drazho Mihajloviçit, u jep urdhër Rajko Parliçit, meqë e dinte gjuhën shqipe, që së bashku me Stojmir Parliçin të shkojnë në Shqipëri dhe aty do të vepronin bashkë me shqiptarët kundra komunistëve nën urdhrat e duke pasur lidhje me Muharrem Bajraktarin. Ata ishin gjashtë vetë: Rajko Parliç, komandanti i tyre toger Stojmir Parliç, toger Petar Terkla, Obrad Perkla, Danilo Perkla e Gjorgje Vojnoviç. Pasi kalojnë kufirin (Serbi- Kosovë), në vendin e quajtur Terpeza, udhëtojnë natën dhe mbërrijnë në Çagllavic të Komunës së Graçanicës, ku mbasi fjetën një natë u nisën prapë natën për në Nerodimen e Epërme, në shtëpinë e Vukadin Parliçit, ku mbasi hanë darkë dalin në vendin e quajtur Çuka. Ndërkohë, Stojmir Parliçi kishte harruar torbën me municion në shtëpinë e Vukadinit, i cili mbasi kishte marrë torbën për t’ua sjellë, gjatë rrugës e kapin policët e Komunës Nerodime. Vukadini tregon se ku gjindeshin drazhistat dhe në atë kohë vihen në ndjekje të tyre policia e komunës dhe vullnetarët. Policia nuk i gjeti dhe kështu nuk u dha rasti për të bërë përpjekje me ta. Një natë flejnë në Potok – Obiçki, ditën e ardhshme flejnë në pyell dhe të tretën ditë Rajko Parliçi me Petar Terklan udhëtojnë për në Prizren malit, për të kaluar në anën e Muharrem Bajraktarit, ku, në takimin me të, Rajko Parliç do luante rolin e përkthyesit. Ndërkohë, katër të tjerët (Stojmir Parliç, Danilo Perkla, Obrad Perkla e Gjorgje Vojnoviç) u nisën për në Ferizaj, ku fare lehtë mund të zhvillonin programin e tyre. Stojmir Parliç dhe Gjorgje Vojinoviç arrestohen dhe burgosen.
Rajko Parliçi me Petar Terklan, mbasi udhëtojnë tri ditë në pyell, mbërrijnë në Prizren. Natën e parë flejnë në një han të panjohur, në krahun e djathtë kur hyhet në qytet nga Suhareka. Të nesërmen, Petar Terkla niset për në Kukës me automobil, kurse Rajko Parliç, meqenëse ishte i sëmurë, qëndron gjashtë javë në shtëpinë e Vojin Gjorgjeviçit, të cilin e kishte shok dhe ishte sipërmarrës.
Mbas gjashtë javësh, Petar Terkla kthehet nga Kukësi, takohet me Rajkon dhe së bashku, duke udhëtuar fshehtas natën, pas katër ditëve mbërrijnë në Prishtinë. Petar Terkla shkon në shtëpinë e zonjës Vukoviçka, shtëpi që gjendej në hyrjen e qytetit në rruga e parë në krahun e majtë, afër pazarit të bagëtive. Kurse Rajko Parliç kthehet për në shtëpinë e tij në Nerodime, ku qëndron i fshehur për një muaj, derisa xhandarmëria shqiptare merr vesh vendndodhjen e tij dhe e arreston. Petar Terkla, kur u kthye nga Kukësi i kishte thënë Rajkos se nuk mundi me u takue me Muharrem Bajraktarin, ngaqë ushtria gjermane ishte në kalim e sipër e nuk pati rast.
Sipas Rajko Parliçit, Petar Terkla ka qenë i caktuar si komandant i ushtrisë në Ferizaj prej Shtabit Madhor Drazhist, kurse Stojmir Parliçi, po prej të njëjtit shtab, ishte caktue si nënprefekt në Ferizaj dhe (me hamendje) Lubo Kerstiçi si kryetar bashkie. Stojmir Parliçi kishte me pasë lidhje me Bajrush Shtimjen, me Ismail Goranin dhe me nënprefektin, emnin e të cilit nuk e kujtonte Rajko Parliç.
Në përgjigje të kërkesës së datës 29 shkurt 1944 të Prefekturës së Prishtinës, Ministria e Punëve të Brendshme (Tiranë), do urdhëronte që shtetasit e mësipërm “të mbahen në burg dhe kundra tyne të merren masat ligjore”.
3. Veprimet e çetnikëve në trevat shqiptare në Mal të Zi
Organizime të çetnikëve dhe veprime të tyre kundër elementit shqiptar kishte dhe në trevat shqiptare të Malit të Zi.
Sipas informacionit të datës 5 prill 1944, që Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë i drejton Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezultonte se “më 16 mars 1944 patrulla të ushtrisë shqiptare në Petnicë (Rozhajë), ka takue në kufi dhjetë çetnikë malazez dhe një vajzë të cilët, simbas urdhënit të komandantit të vendit, janë shoqërue me Gjindarmë e ushtarë për t’ja dorzue komandantit të fuqive vullnetare në zonën neutrale të Bihorit, me qëllim që ky t’ja dorëzonte Komandës Gjermane. Mirëpo, në shoqërim e sipër, në vendin Baricë të Petnicës, ata kanë tentue me u arratis për Mal të Zi, patrulla ka qenë e shtrëngueme të hapte zjarr kundra tyne, ku kanë mbetë tetë prej tyne të vramë dhe dy të tjerët e vajza janë largue, por kjo e fundit nga plagët që kishte pas marrun, âsht gjetun vdekun në vendin Jahovicë”.
Më 14 prill 1944, Zyra Politike e Ministrisë së Punëve të Brendshme, do informohej nga Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë se, Qarkkomanda e Shkodrës, më datën 6 prill 1944, ishte lajmërue nga Rrethi i Tuzit se në Vermosh ishin grumbulluar një fuqi çetnikësh malazezë prej afro 400 – 500 vetësh, në të cilët kishte edhe oficera e ish-personalitete malazeze, si dhe nji oficer italian.
Kjo fuqi me mjete ushqimore furnizohej nga një komandë gjermane me qendër në Guci dhe siç kuptohet, kjo fuqi qëndronte atje në marrëveshje dhe autorizim të komandave gjermane. Mirëpo, populli i asaj krahine shfaqej mjaft i shqetësuar dhe urrejtës kundra tyre, duke qenë se kjo fuqi ndodhej e shpërndarë ndër banesat e popullit të atjeshëm, ndonëse nuk mund të mohohej se edhe nga parija e atjeshme mund të furnizoheshin për interesa e qëllime të tjera të tyne.
Komanda e Xhandarmërisë së qarkut të Shkodrës, “për ç’do eventualitet e ndryshim situate, qëndrimin e çetnikëve malazezë n’atë vend me pozita strategjike e të rândësishme si për difensivë ose ofensivë e çmonte mjaft të rrezikshme për interesat kombëtare”.
Për sa parashtrohet më sipër, Qarkkomanda e Shkodrës ishte e mendimit dhe lutej që “të ndërmjetësohet ku duhet për largimin e asaj fuqije s’andejmi, ose të formohet e të dërgohet sa mâ parë një Kompani e Rojes së Kufinit për me muejt me qenë gadi për çdo nevojë e qëllime t’errta që eventualisht mund të ngjasin, mbasi edhe në kohnat e mâparshme n’atë vend ka pasë ekzistue nga një kompani e Rojes Kufinit”.
Në lidhje me këtë problem, Inspektori i Përgjithshëm i Kryeministrisë, i cili në atë kohë ushtronte edhe detyrën e prefektit të Shkodrës, Javer Hurshiti, më 8 prill 1944, kërkonte nga Ministria e Punëve të Brendshme, “që çështjes t’i epet rândësija që meriton tue ndërmjetsue për largimin e tyne ose për ristabilizimin e një fuqie të mjaftueshme të Rojes së Kufinit …”.
Përsëri më 24 prill 1944, prefekti i Shkodrës Javer Hurshiti, insistonte zyrtarisht pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, që t’u njoftohej mënyra e veprimit rreth çetnikëve që qëndronin në Vermosh e që vazhdimisht pa autorizimin e organeve shqiptare kalonin kufinin. Nga këto veprime, theksonte Hurshiti, “veç që banorët e Vermoshit ishin tue u rândue prej tyne, por dyshohej se në kohna t’ardhëshme mund të sillin konsekuenca t’idhta për at’ krahinë”.
Pas këtij insistimi, Ministria e Punëve të Brendshme, me shkresën nr. 282/76 Rezervat, datë 2 maj 1944, që i drejton Prefekturës së Shkodrës, e vinte në dijeni se rreth përqendrimit t’asaj sasie çetnikësh malazez në rajonin e Vermoshit, “ishte njoftue Komanda Gjermane, e cila do të merrte masat e duhuna për rregullimin e çështjes”.
Si përfundim i angazhimit të autoriteteve përkatëse, më 10 maj 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë njofton Ministrinë e Punëve të Brendshme se “çetnikët malazezë që ndodheshin në Vermosh, qysh me datën 25 prill 1944 qenkan largue s’andejmi duke kapërcye kufinin t’onë e hy në tokën malazeze”.
4. Çetnikë serbë përgatiten në Bullgari për të sulmuar shqiptarët
Më 23 shkurt 1944, prefektura e Prizrenit do informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme rreth disa veprimeve të qeverisë bullgare. Sipas këtij informacioni, “në Bullgari dhe afër kufinit shqiptar janë tue u përgatitë 1 200 serbë t’atyne krahinave me qëllim me hy këndej kufinit dhe me u ra shqiptarëve”. Nga ana e saj, Ministria e Punëve të Brendshme me shkresën nr. 282/53 Rezervat, datë 16 mars 1944, i drejtohet Ministrisë së Punëve të Jashtme, me lutjen që “të bahen demarshet e duhuna ndaj qeveris bullgare që të ndalojë të tilla pregatitje kundra shtetit shqiptar”.
5. Presioni ndaj shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Partinë Drazhiste
Në trevat shqiptarë jashtë kufijve të shtetit shqiptar të vitit 1944, konstatohet se ushtrohej presion i hapur edhe ndaj elementit shqiptar për t’u anëtarësuar në Partinë Drazhiste.
Këtë fakt e provon dhe shkresa nr, 26/16 Rezervat, datë 7 mars 1944, e prefektit të Prefekturës së Prishtinës, Hysen Prishtina, drejtuar Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Prishtinë, ku shkruhet:
“Bashkangjitun kemi nderin t’ju përcjellim kopjen e shkresës nr. 17/I Rezervat, datë 16 shkurt 1944 të Nënprefekturës së Gjilanit, që bân fjalë mbi propagandën e Partisë Drazhiste në mes të Shqiptarëve të përtej kufinit, mbi pjesëmarrjen e tyne n’atë Parti dhe që jep hollsina rreth komandantëve dhe efektivëve t’asajë Partie n’atë kufi t’onin.
Shtojmë, veç se Shqiptarët, si mbas informatave t’ona, nënshkruhen në Partinë Drazhiste nga frika e terrorit dhe të torturave serbe, me qenë se nuk kanë një mbrojtje të mjaftueshme në nder, pasuni dhe jetë nga ana e shtetit, prej të cilit mvaren sot për sot.
Prandaj lutemi të keni mirësinë të na njoftoni se ç’masa mundemi me marrun, ose shifen t’udhës m’u marrun, për ndalimin dhe zhdukjen e propagandës dhe të rrezikut të pjesëmarrjes shqiptare në Partinë Drazhiste shoviniste dhe për mbrojtjen e elementit shqiptar përtej kufinit”.
6. Veprime të tjera të çetave drazhiste – 20 000 çetnikë përgatiten për të sulmue Kosovën
Me shkresën nr. 164 Rezervat, datë 25 prill 1944, Zyra e Adjutanturës, në Komandën e Përgjithshme të Mbrojtjes së Kufirit, vinte në dijeni Komandën e Mbrojtjes Kombëtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbi përgatitje që po bënin çetat drazhiste për të sulmuar popullsinë shqiptare në Kosovë.
Sipas informatave të mbledhuna prej titullarit të Komandës së Kompanisë së Rojes së Kufirit Rakosh, parashtrohej se, një numër i vogël çetnikësh serbë silleshin n’afërsi të zonës Luçka – Reka me qëllim vëzhgimi dhe zbulimi, për me përgatit ndonjë sulm kundër vendeve t’ona. Supozimi se ishin çetnikë nuk duhej të besohej mbi idenë që ata shfaqnin, mbasi këtë e paraqisnin si formë, me qëllim që të fshehnin idenë e tyre komuniste. Çetnikët serbë përfitonin të silleshin në zonën e sipërthënë, mbasi ishin informuar se vullnetarët shqiptarë nuk bënin patrullime të rregullta n’atë zonë të rëndësishme.
Titullari i kompanisë së Rakoshit ishte informuar edhe se “drazhistat, në bashkëpunim me forcat e Nediçit, ishin tue lufue ashpërsisht në qarqet e Çaçakve dhe Uzhicës kundër forcave të Titos, tue u provokue dëme të konsiderueshme komunistëve”.
Prefektit i Pejës, Xhelal Preveza, më 21 qershor 1944, i drejton Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Tiranë, shkresën nr. 162/61 Rezervat, ku e informon se sipas lajmeve që vinin nga Nënprefektura e Tutinës, më datë 11 qershor, çetnikët serbo-malazezë kishin djegur katundin Nish, që ndodhet në veri të katundit Grubetiqe, të rajonit të Komunës së Ribariqit. Banorët e katundit të djegur ishin mbledhur në katundin Ribariq.
Gjithashtu, Nënprefektura e Tutinës lajmëronte se “çetnikët ishin duke u mobilizue dhe grumbullue fuqina rreth kufinit të Komunës së Ribariqit”. Informata më të hollësishme do të komunikoheshin në vijim.
Për situatën që po precipitonte në Veri të Mitrovicës sjell të dhëna me interes një informacion i prefektit të Mitrovicës, Ibrahim Lutfiu, dërguar Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe Administratës së Kosovës, informacion që është administruar edhe nga Zyra Politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Tiranë (nuk ka datë dhe nr. protokolli-V.H.), të cilin po e japim të plotë në vijim:
“Më datën 23 korrik 1944, një grumbull çetnikësh afër 20 000 (njëzetë mijë) vetash iu drejtue kufinit Etnik të kësaj Prefekture, me pretekst se luftojnë kundra komunistavet. Të gjithë (janë) t’armatusun. Në krahun e djathtë kishin kët’ shkresë: LIRI A VDEKJE – HAKMARRSIT E KOSOVËS. Disa prej këtyne ju kan kërcënue shqiptarvet në kufi tue thanun se do të vijnë në Kosovë.
Mbramë natën, me qëllim provokacioni, disa prej këtyne çetnikëve t’organizatës Drazha Mihajloviçit, i janë afrue kufinit Ethnik Merdar-Prepallac dhe në disa vende i kanë gjuejt Shqiptarët, tue hudhë njëkohësisht granata duersh, por asnjë Shqiptar s’âsht plague.
Qyshë herët kemi pasë informata se, prej anës kësaj organizate bâhet një përgatitje me qëllim që të sulmojnë Kosovën. Tekstin e betimit të këtyne çetnikëve ju a kemi dërgue. Pra shifet se vonë apo herët çetnikët do të bâjnë një tentativë për realizimin e qëllimeve të tyne kundra Kosovës.
Megjithëse kjo prefekturë i muer masat e duhuna për sigurimin e kufinit Ethnik, e shof si detyrë me lajmërue Komitetin Qendruer dhe Administratën e Kosovës që të jenë gati për çdo eventualitet, mbasi numri i armikut âsht shumë i madh në barazim me fuqinat civile të kësaj prefekture.
Njëkohësisht ju bâjmë më dijtë se armët e municioni na mungojnë për nji rezistencë të gjatë.
Ju lutemi që kjo gjâ të konsiderohet [me] rândësi dhe të jeni gjithnji në heshtje”.
Një informacion të ngjashëm përcjell për Ministrinë e Punëve të Brendshme, më 26 korrik 1944, edhe prefekti i Prizrenit Shaqir Curri.
Sipas një burimi shumë të sigurtë, ndër rrethet e Kurshumlis, pranë kufirit të Podujevës, ishte grumbullue një fuqi prej njëzetmijë çetnikësh drazhista dhe kishin qëllim që në rastin më të parë të sulmonin Kosovën. Kjo fuqi udhëhiqej nga oficerët Zr.Markoviç Gjuriç, Kesereviç etj. dhe bashkë me ta majori gjerman Ëeime. Sipas Currit, “gjendja paraqitej mjaft kritike për arsye se fuqit t’ona ushtarake e civile janë angazhue në luftë me serbomalazest në kufinin e Malit të Zi”. Prefekti Curri lutej që çështja të merrej në shqyrtim serioz dhe të disponoheshin masat e rastit.
Komentet