Në praktikën ndërkombëtare, të paktën në tre shekujt e fundit, nuk ka asnjë rast të tillë ku bisedimet për njohje mes një pale ish-koloniale dhe një pale që ka fituar pavarësinë, të kenë zgjatur kaq shumë dhe të kenë marrë një kahje kaq të kundërt me qëllimin e tyre të kryehershëm.
“Dialogu” Kosovë-Serbi, ku Kosova është pala që ka fituar pavarësinë, ndërsa Serbia është pala ish koloniale, e ka burimin nga Rezoluta e 9 shtatorit të vitit 2010 e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara qenë paraqitur dy versione: njëri ishte versioni i Beogradit, ku kërkohej që statusi i ardhshëm i Kosovës të vendosej gjatë dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, tjetri ishte versioni i Bashkimit Evropian ku përcaktohej se statusi ishte përfundimtar dhe nuk do të diskutohej.
Kjo rezolutë, atë ditë dhe në vijim, u konsiderua një fitore për Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, së cilës iu deshën dy ditë presion ndaj presidentit serb Boris Tadiç që ky ta pranonte formulën e sugjeruar nga Bashkimi Europian. “The Guardian” shkruante se Tadiçi ishte paralajmëruar nga zonja Ashton që refuzimi i kësaj formule do të nënkuptonte mbylljen e derës për Serbinë në BE, ku ajo ka dëshirë të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur. Gjithashtu, nga ana tjetër, edhe Washingtoni, më konkretisht, zevendespresidenti Joe Biden, e kishte përforcuar këtë mesazh. Kështu Beogradi e njihte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth Kosoves dhe mirëpriste ndërmjetësimin e BE-së në një proces dialogues mes Serbisë dhe Kosovës. Në artikullin me titull “Serbia heq dorë nga sfidimi i pavarësisë së Kosovës”, Guardian shkruante se Serbia u gjunjëzua pas presionit intensiv nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, duke hequr dorë nga sfidimi i pavarësisë së Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe se kjo tani iu hap rrugën bisedimeve mes Beogradit dhe udhëheqjes shqiptare të Kosovës.
Rezoluta e 9 shtatorit 2010 (ditë e enjte), që bënte thirrje për dialog mes Serbisë dhe Kosovës, miratohej disa javë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhënë më 22 korrik të atij viti, ku shpallja e pavarësisë së Kosovës konsiderohej një veprim në pajtim të plotë me ligjet ndërkombëtare. Projekt-rezoluta e Beogradit përfshinte mosnjohjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ndërsa teksti përfundimtar i rezolutës njihte gjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi, që thotë se shpallja unilaterale e pavarësisë së Kosovës është e ligjshme. Rezoluta e 9 shtatorit 2010 gjithashtu përshëndeste ofertën e Bashkimit Evropian për të mundësuar dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, si rrugë për anëtarësimin e Kosovës në të ardhmen në këtë organizatë. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç përsëriti papushim që Beogradi nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ato ditë kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, garantoi në Prishtinë se bisedimet mes palëve nuk duhet të çojnë në ndarjen e veriut të Kosovës e as në rinegociimin e statusit: “Si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar dua të jem shumë i qartë se këto bisedime nuk duhet të jenë për statusin, sepse statusi është zgjidhur dhe këto bisedime në asnjë mënyrë nuk duhet të çojnë në ndarjen e veriut. Çështjet që mund të diskutohen mes palëve duhet të jenë në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve dhe në funksion të qëndrueshmërisë rajonale dhe perspektivës evropiane të Kosovës dhe të Serbisë.”
Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare, i pyetur nga mediat, përjashtoi mundësinë që për veriun e Kosovës me shumicë serbe të ketë një zgjidhje tjetër, jashtë asaj që parashikon plani Ahtisaari. Për shkak të dështimit të zbatimit të planit gjithëpërfshirës për statusin në veri të Kosovës, Grupi Ndërkombëtar i Krizave pak ditë më parë kishte rekomanduar dhënien e një autonomie për veriun apo shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, zgjidhje që përjashtoheshin tashmë nga Rezoluta e 9 shtatorit 2010 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Rezoluta e 9 shtatorit 2010 ishte e detyrueshme dhe mbyllte një praktikë të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e kishte filluar më 9 tetor të vitit 2008, kur ajo kishte miratuar një rezolutë të Serbisë ku OKB-ja i kërkonte Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë përgjigje ndaj pyetjes: A është shpallja e njënashme e pavarësisë së Kosovës në pajtim me ligjet ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244? Është hera e parë dhe deri tash e vetme që GJND-së i kërkohet mendim për një deklaratë pavarësie.
Parahistoria e “dialogut” Kosovë-Serbi kalon deri këtu nëpër tri data: 9 tetori 2008, kur Serbia miraton në OKB rezolutën ku i kërkoj mendim GJND për pavarësinë e Kosovës; 22 korrik 2010, kur GJND përgjigjej se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me ligjet ndërkombëtare; 9 shtator 2010, kur miratohet Rezoluta që bën thirrje për dialogun Kosovë-Serbi mbi bazën e vendimit të GJND-së, dialog në të mirën e “paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, formulë që u shqiptua fort ato ditë dhe vazhdon të ndihet edhe sot.
“Dialogu teknik”
“Dialogu” paralajmërohej të fillonte nga fundi i vitit 2010. Por, ndërsa pritej tronditje e madhe në Beograd pas humbjes së bujshme diplomatike të Tadiçit, Daçiçit dhe Jeremiçit, kjo ndodhi në Prishtinë. Largohej nga skena, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Fatmir Sejdiu, krahu i djathtë i Thaçit në koalicionin që shpalli pavarësinë dhe udhëhoqi deri aty proceset e shtetit më të ri të botës, largohej edhe Skënder Hyseni, ministri i Jashtëm, që e kishte ndjekur edhe zhvillimin në GJND dhe javët e diskutimeve në OKB pas këtij vendimi deri në miratimin e Rezolutës së 9 shtatorit. Thaçi improvizonte qeveri të re pa LDK-në, presidentë të tjerë pas Sejdiut, dhe “dialogu” i quajtur “teknik” filloi vitin e ardhshëm, pas zgjedhjeve të reja parlamentare të Kosovës.
Deri më 9 shtator 2010 ishte bërë sa ishte bërë presion mbi Beogradin. Nga kjo datë është Beogradi ai që bën presion, tashmë duke shpërfillur Rezolutën e hartuar me 27 vendet e BE-së dhe të miratuar njëzëri nga OKB-ja, por duke zbatuar Projekt-rezolutën që paraqiti Beogradi në OKB dhe që nuk u miratua. Nga kjo datë filloi vrullshëm sfidimi i statusit të Kosovës, sfidimi i vendimit të GJND-së, sfidimi i të gjitha realiteteve të konfirmuara deri atëherë.
Përkundër njohjes së vendimit të GJND-së, Serbia nuk pranon që Kosova të përfaqësohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo kërcënon me bojkotimin e çdo veprimtarie ku ftohej Kosova për pjesëmarrje. Pothuaj gjithë vitin 2011 dhe muajt e parë të vitit 2012 u shpenzuan për arritjen e marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale. U hodh propozimi që Kosova në këto takime të paraqitej me një fusnotë të shoqëruar me asteriks (*). Marrëveshja parashikonte që “Kosovo*” të jetë denominimi i vetëm që do të përdoret dhe që fusnota ta ketë këtë tekst: “Ky emërtim është pa paragjykimin për statusin, dhe në linjë me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 si dhe Opinionit të GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.
Propozimi për fusnotën shkaktoi reaksion dhe zemërim në Kosovë, duke e parë si paragjykim ndaj statusit të saj të shtetit të pavarur dhe sovran. Edhe ekspertët perëndimorë, përfshirë James Hooper dhe Janusz Bugajski e tjerë e quajtën të dëmshme fusnotën. Thaçi i quajti antiamerikanë dhe antievropianë të gjithë ata që e kundërshtonin fusnotën. Pas muajsh e muajsh ecejakësh të ndërmjetësuesit të Brukselit Robert Cooper, Beogradi pranoi që pranë rezolutës 12 44 të përmendej këshilldhënia e GJND-së. Më 24 shkurt 2012 u nënshkrua marrëveshja nga Daçiçi dhe Thaçi në praninë e Ashtonit. Kështu Kosova do të përfaqësohej në takimet rajonale, me kusht që fusnota të ishte kudo e dukshme dhe në dokumentet e mbledhjeve të ishte shënimi i plotë sqarues dhe, përveç kësaj, ai të lexohej paraprakisht. Beogradi tha se fusnota do të ishte afagjatë, ndërsa Prishtina këmbënguli se fusnota do të ishte fjollë bore. Në fakt, fusnota është gjallë e shëndosh edhe kësaj dite. Konkretisht, Brukseli i propozon Prishtinës që, për të mos figuruar si UNMIK, Kosova të figurojë me fusnotë, pra Kosovo*.
Kjo marrëveshje, ndërkaq, nuk e lejonte Kosovën të përfaqësohej në veprimtaritë ndërkombëtare. Kryeministri Thaçi e trumbetoi marrëveshjen si sukses të madh që do të shpërblehej nga Bashkimi Evropian me dhënien e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Pas rreth dy vjetësh “dialog”, më 19 prill 2013, u arrit marrëveshja e parë e ashtuquajtur e “normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë” e nënshkruar nga kryeministrat Thaçi e Daçiç. Marrëveshja thuhej se “si bazë ka vendosjen e parimeve të para të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Kjo marrëveshje u trumbetua kaq shumë sa u mëtua që këta të dy të merrnin Nobelin e Paqes të atij viti. Thaçi deklaronte se kishte bërë 30 takime me Daçiçin. Ndërsa Petrit Selimi i tij do të shpërndante në internet foto familjare me Daçiçin dhe me djalin e tij foshnjë. Një vit më vonë, Enver Hoxhaj, i vetmi diplomat i formatit të lartë në Kosovë, përcaktonte se normalizimi do të duhet të kalojë nëpër pesë etapa deri te vendosja e marrëdhënieve normale ndër-fqinjësore:
“Së pari, Serbia të implementojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun me Kosovën.
Së dyti, Serbia duhet të shpërbëjë të gjitha strukturat ilegale paralele në Republikën e Kosovës.
Së treti, të lejojë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Së katërti, mosbllokimi i Kosovës nga ana e Serbisë në organizata të ndryshime evropiane duke përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Së fundi, duhet të pasojë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Vetëm pas plotësimit të këtyre pesë kushteve, ne mund të flasim për normalizim të marrëdhënieve.”
Në fakt, Marrëveshja e 19 prillit 2013 duhej të ishte marrëveshje e njohjes zyrtare paraprake të Kosovës nga ana e Serbisë, ku të përvijoheshin parimet bazë mbi të cilat do të hartohej marrëveshja përfundimtare “gjithpërshirëse dhe obligative”. Nga këtu, Kosova dhe Serbia do të duhej bënin dialog të vërtetë dhe jo “dialog” në thonjëza, ku shteti ish kolonial është anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe pothuaj i të gjitha organizmave ndërkombëtare. Kryeministri Thaçi e quante “marrëveshje historike” që i jepte fund së kaluarës dhe hapte perspektiva evropiane për të dyja vendet.
Prishtina e hante këtë karrem duke besuar se, nën presionin e Brukselit dhe Uashingtonit, Serbia nuk do ta pengonte Kosovën në integrimin e saj në të gjitha organizmat ndërkombëtare dhe se, në shkëmbim të rolit të saj në “dialog”, Kosova do të shpërblehej me integrime të shpejta sa më të njëkohshme dhe të barabarta me Serbinë.
Duke i marrë me radhë pesë pikat e Hoxhajt, mund të themi se:
1. Serbia nuk ka implementuar asgjë nga marrëveshjet e arritura. Ekspertët kanë vlerësuar se, po të vazhdojë me ritmet e deritashme, Serbia as pas disa shekujsh nuk do t’i implementojë këto marrëveshje.
2. Serbia nuk i ka shpërbërë strukturat e saj paralele. Ndonëse Prishtina i ka integruar disa segmente të këtyre strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës, ato paguhen shumë mirë nga Prishtinë dhe njëkohësisht shumë majmë nga Beogradi, nga i cili i marrin urdhërat dhe të cilit i shërbejnë.
3. Komunitetit serb të Kosovës Beogradi vazhdon t’i thotë se Serbia është shteti i tyre dhe jo Kosova. Serbia vazhdon ta mbajë komunitetin serb në Kosovë në pritshmëri të rikthimit të plotë të Serbisë “në krahinë”.
4. Serbia e bllokon gjithnjë e më fuqishëm Kosovën në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, duke lobuar fuqishëm kundër njohjeve të reja të Kosovës dhe njëkohësisht tek vendet që e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që këto vende t’i tërheqin njohjet e tyre, pasi, sipas Beogradit, statusi i Kosovës nuk është i përcaktuar.
Duke u përqëndruar tek veprimtaria lobuese vetëm e Vuk Jeremiçit, kur ai ishte ministër i Jashtëm i Serbisë, unë në atë kohë kam shkruar se Jeremiç “ka lobuar kundër njohjes së Kosovës duke udhëtuar personalisht në Argjentinë, Brazil, Kil, Kubë, Xhamajkë, Venezuelë, Meksikë, Egjipt, Libi, Gabon, RD Kongo, Afrikën e Jugut, Ganë, Marok, Algjeri, Lesoto, Namibi, Nigeri, Kinë, Indi, Indonezi, Malajzi, Singapor, Vietnam, Kuvajt, Azerbajxhan, Tailandë, Filipine, Pakistan, Siri, Oman dhe Iran. Gjithashtu ka lobuar në takimet e larta të Lëvizjes së të Paangazhuarve në Teheran, në Unionin Afrikan në Sharm-el-Sheik dhe në Malabo, në Sesionin e 38të dhe të 40të të rregullt të Organizatës së Shteteve Amerikane , në Forumin Ekonomik Rajonal të Meksikës, në Forumin 2010 të Aleancës së Qytetërimeve në Rio De Zhaneiro, në takimin e Lidhjes Arabe në Egjipt, në Teheran ka takuar ministrat e Jashtëm të Mongolisë, Sri Lankës, Algjerisë, Bruneit, Kenias, Kubës, Iranit, Pakistanit, Butanit, Laosit, Bangladeshit, Singaporit, Venezuelës, Panamasë, Kilit, Kolombisë, Marokut, Sirisë, Tunizisë dhe Bolivisë. Në Meksikë ka pasur takime me Felipe Kalderón, Daniel Ortega, Antonio Saka, Álvaro Kolom Kaballeros, Manuel Zelaya dhe Fernando Araújo Perdomo. Në vitin 2009, ai u takua me prelatin e Vatikanit Pietro Parolin që të ketë konfirmimin dhe miratimin e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë. Kjo madje përbën edhe krenarinë e Jeremiçit gjatë ushtrimit të detyrës së tij si ministër i Jashtëm i Serbisë.”
Ky lobim ballor i gjithanshëm i Serbisë kundër Kosovës është sot më agresiv se kurrë. Kryeministrja e Serbisë kohët e fundit i dërgonte deri edhe Kryeministrit të Shqipërisë letër ku i kërkohej që Shqipëria ta tërheqë njohjen ndaj Kosovës. Kjo tregon se të gjithë zyrtarët e lartë të Serbisë iu dërgojnë letra të tilla sistematikisht homologëve të tyre ndërkombëtarë për ta tërhequr njohjen e Kosovës. Ndërsa vendet që nuk e kanë njohur i falënderon për mbështetje të integritetit territorial të Serbisë.
5. Serbia, sa më shumë që ka vazhduar “dialogu”, aq më shumë e ka përforcuar vendosmërinë për të mos e njohur Kosovën.
Ashtu siç pritej, “dialogun” në Bruksel Serbia e ka shfrytëzuar për të nxjerrë përfitime sa më maksimale prej tij, për ta sabotuar sa më shumë të ardhmen e Kosovës nëpërmjet tij, dhe për ta përdorur si mjet diplomatik që, nëpërmjet tij, të përfitonte sa më shumë kohë në pritje të koniunkturave ndërkombëtare të favorshme për Serbinë dhe të pafavorshme për Kosovën.
“Dialogu politik”
“Dialogu politik” shënon periudhën pas Marrëveshjes së 19 prillit 2013, kur objekt i tij është arritja e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.
Kjo periudhë karakterizohet nga forcimi i madh i pozitës ndërkombëtare të Serbisë. Pas marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale, arritur më 24 shkurt 2012, pa pritur fare zbatimin e saj, menjëherë, në janar 2012 Serbia pranohet kandidate për anëtare të Bashkimit Evropian. Pas marrëveshjes së 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, fare pa pritur zbatimin e marrëveshjes, Serbisë i hapen negociatat për pranim në Bashkimin Evropian.
I njëjti nxitim pati karakterizuar ri-integrimin e Serbisë në bashkësinë ndërkombëtare, menjëherë pas rrëzimit të Millosheviçit nga pushteti dhe dërgimit të tij në Hagë. Pa pritur që Serbia të kishte një bashkëpunim konstruktiv me Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, ajo shpërblehet me kryesim të OSBE-së, me zgjedhjen e Vuk Jeremiçit në krye të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me ftesë për partneritet me NATO-n e tjerë. Tribunali i Hagës vazhdimisht akuzoi Beogradin për mosbashkëpunim në kapjen dhe dërgimin e të akuzuarve serbë për krime lufte. Një numër shumë i vogël i kriminelëve të luftës u dërgua në Hagë apo u nxor para drejtësisë në Serbi. Dhe, sapo u kthyen, nga dënimet në Hagë, të dënuarit për krime lufte po marrin poste të larta në krye të ushtrisë serbe dhe të shtetit serb.
Kjo periudhë përkon me ardhjen e Vuçiçit në krye të Serbisë, me zgjedhjen e Thaçit president i Kosovës, me zgjedhjen e Edi Ramës në krye të qeverisë në Shqipëri dhe me ardhjen e Federica Mogherinit në krye të diplomacisë së Bashkimit Evropian, pas largimit të Ashton nga kjo detyrë.
Kjo periudhë karakterizohet nga dobësimi i madh i pozitës së brendshme dhe ndërkombëtare të Kosovës. Njohjet e reja rrallohen dhe pastaj ndalen. Thaçi shpall se përparësi e tij ishte anëtarësimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtare. Por Kosova, edhe falë lobimit ekstrem të Serbisë, në të gjitha përpjekjet e saj dështon të pranohet në Këshillin e Evropës, UNESCO, INTERPOL dhe mezi pranohet në disa organizata sportive. Kosova edhe pas gjashtë vjetësh nga marrja e udhërrëfyesit, nuk e ka fituar liberalizimin e vizave. Diplomatët perëndimore në Prishtinë fare haptas dhe pa asnjë ngurim ua bëjnë të qartë të gjithë bashkëbiseduesve të tyre se Serbia ka arritur të paralizojë këto vite, më shumë se kurrë, jetën e brendshme të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, duke krijuar një situatë të rëndë, veç të tjerash psikologjike tek qytetarët, para së gjithash tek rinia.
Sa më shumë që shpërblehet nga Evropa dhe nga bashkësia ndërkombëtare, aq më shumë Serbia bën pozat e viktimës. Humbësja e katër luftërave në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, autorja e gjenocideve të tmerrëshme në zemër të Evropës, shtiret se e përjeton rëndë dërgimin e kryekasapëve Millosheviç, Sheshel, Mlladiç, Karaxhiç e tjerë në Hagë.
Vuçiçi para serbëve në Kosovë arrin të rehabilitojë Millosheviçin publikisht, duke shpallur se ai luftoi për një çështje të drejtë, por me mjete të gabuara. Milosheviçi përdorin ushtrinë për të realizuar Serbinë e Madhe. Bashkëpunëtorët dhe pasuesit e tij nuk kanë hequr dorë nga qëllimi i shefit, përkohësisht kanë hequr dorë nga mjetet e tij.
Nga njëra anë duke u shtrirur si viktimë e padrejtësive ndërkombëtare, nga ana tjetër duke shantazhuar me destabilizim të Bosnjës, Malit të Zi, Kosovës e tjerë me anë të pranive serbe atje, si dhe për rritje të bashkëpunimit të gjithanshëm me Rusinë motër, Serbia ka arritur të imponojë pothuaj gjithçka në këto vite pas rezolutës së 9 shtatorit 2010.
Teksa flitet për marrëveshjen përfundimtare gjithpërfshirëse Kosovë-Serbi, Vuçiçi del me tezën se Serbia nuk mund të dalë përsëri humbëse, ajo patjetër duhet të fitojë diçka. Dhe kjo “diçka” është, ndër të tjera, ndarja e Kosovës. Kreu serb qartësisht kërkon të marrë veriun e Kosovës. Tezës së tij i bën jehonë Hashim Thaçi, kur flet për “korrigjim të kufijve”, për “marrëveshje të dhimbshme” të Kosovës me Serbinë, duke e kamufluar ndarjen e Kosovës me gjoja bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Ndërsa Vuçiçi e shpall ndarjen e Kosovës ide serbe, Thaçi e shpall atë ide kryehere të Prishtinës, madje duke e argumentuar atë.
Pas tetë vitesh “dialog”, Kosova dhe Serbia janë gjithnjë e më shumë dy palë jo të barabarta. Kjo e vërtetë mund të bëhet fatale për Kosovën dhe rajonin si dhe për të gjitha zhvillimet ndërkombëtare të ndërlidhura me to, nëse vazhdohet me të njëjtën logjikë.
Ekspertët amerikanë kanë këmbëngulur këto kohë se “dialogu” mund të përmbyllet me sukses vetëm kur palët të jenë të barabarta. Pozita e barbartë krijohet vetëm nëse paraprakisht Serbia njeh, në mënyrë zyrtare, Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran unitar me kufijtë e saj kushtetues shtetërorë, si dhe nëse Serbia lejon anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara. Nëse ndodh vetëm e para, argumenton David Phillips, kjo nuk përbën asnjë garanci për Kosovën, sepse Serbia është një partnere e pabesueshme. Vetëm pasi Serbia të ketë njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës dhe kjo, Republika e Kosovës të jetë bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara, atëherë mund të hartohet e të miratohet marrëveshja gjithpërshirëse ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërfqinjësore Kosovë-Serbi. Këtë e përsërit tash edhe Daniel Serwer, kur kritikon librin e marrëveshjes Kosovë-Serbi të kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Dialogu Vuçiç-Thaçi”
Kryeministri Haradinaj edhe në një intervistë të gjatë tek “Zëri i Amerikës” para pak ditëve, me të drejtë theksonte se idetë e Vuçiçit dhe të Thaçit për “korrigjim të kufijve”, “ndryshim të kufijve”, “shkëmbim të territoreve” e tjerë çojnë në vënien në diskutim të statusit të Kosovës.
Në shkresat që dërgojnë vendet që kanë pezulluar njohjen e Kosovës, të cilat thuhet se janë nja 15, thuhet se e pezullojnë këtë njohje deri në marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, ku do të përcaktohet edhe statusi i Kosovës. Serbia, pra, i ka bindur disa nga partnerët e saj ndërkombëtarë se statusi i Kosovës është ende i papërcaktuar. Idetë për ndryshim, korrigjim të kufijve apo shkëmbime të territoreve janë thjesht mosnjohje e tyre, dhe kur kjo mosnjohje vjen edhe nga kreu i Kosovës, kuptohet që çon në rihapje të kapitujve të Kosovës nga e para, pra duke filluar nga statusi.
Faza përmbyllëse e “dialogut”, siç shihet, mund të quhet tashmë “dialogu Vuçiç-Thaçi”, i personalizuar kështu në emrat e Presidentit të Serbisë dhe të Kosovës. Kuptohet, siç e kam theksuar, se ka qenë dhe është imponim i Beogradit ndaj Brukselit dhe bashkësisë ndërkombëtare që Kosova të përfaqësohet ekskluzivisht patjetër nga Thaçi. Janë të gjitha gjasat që Beogradi të imponojë që marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi ta nënshkruajë vetëm me Thaçin.
***
“Dialogu” me Serbinë në Bruksel gjithë këto vite është një kohë e humbur për Kosovën dhe një kohë e fituar për fqinjen e saj veriore. Në këto kushte çdo vazhdim i tij sjell rreziqe fatale për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, në kuptimin e mprehtë që marrin këto dy terma në aktualitetin e sotëm botëror. Dialog mund të ketë vetëm në kushte të barabarta, kur Kosova të ketë njohjen zyrtare nga Serbia fqinje dhe të jetë anëtare e OKB-së. Vetëm kështu procesi i normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, shtete të pavarura dhe sovrane, anëtare të Kombeve të Bashkuara, mund të jetë i pakthyeshëm. Përndryshe, kahja që ka marrë “dialogu” e kthen pashmangshëm Kosovën dhe rajonin përsëri në vitet 1990 dhe me pasoja shumë më fatale për të gjithë.
thaqi duhet menjiher mi shkarku edhe me dhan pergjegjesi para popullit
Analize e perpiket me shume fakte e me permbajteje..!