Nga Mattathias Schwartz-Businessinsider
Një mëngjes tetori, më 2017, Allison Guerriero vuri re diçka të pazakontë në dyshemenë e apartamentit të të dashurit të saj në Park Slope, Brooklyn: një qese plot me para. Ja tek ishte, pranë këpucëve, poshtë një stoli, një nga ato qeset e supermarketeve. Brenda ishin disa tufa kartëmonedhash me prerje të madhe, të lidhura me lidhëse llastiku.
Nuk dukej si diçka që ai duhej të mbante me vete. Në fund të fundit, i dashuri i saj, Charles F. McGonigal, mbante një nga pozicionet më të larta e sensitive në FBI. ‘Nga dreqin kanë ardhur këto’, pyeti ajo.
‘Oh, e mban mend atë ndeshjen e bejsbollit?’, u përgjigj McGonigal, sipas asaj që thotë Guerriero. ‘Vura një bast dhe fitova’.
McGonigal kishte dy fëmijë në moshë shkolle dhe gruan-apo ‘ish-gruan’ siç i referohej ndonjëherë-në shtëpinë e tij në Chevy Chase, Maryland. Atje shkonte një apo dy herë në muaj. Por Guerrieron e kishte bërë të besonte se ose ishte i divorcuar, ose do ta bënte së shpejti. Ajo nuk e vuri në dyshim, ashtu si dhe historinë e qeses me pará.
Pak ditë më parë, Guerriero ishte ulur në kolltuk me McGonigal për të parë skuadrën e tij, Cleveland Indians, teksa fitonte kundër Yankees. Shumë më vonë-pas diagnozës së saj me kancer, ndarjes së tyre dhe largimit të McGonigal nga FBI-McGonigal do të akuzohej si i dyshuar, ndër të tjera, për marrjen e 225,000 dollarëve nga një ish-punonjës i zbulimit shqiptar. Shuma përfshinte 80 mijë dollarët që pretendohet se iu dhanë në një makinë të parkuar pranë një restoranti, më 5 tetor 2017.
5 dhe 6 tetor ishin ditët kur Indians fitoi me Yankees në dy ndeshjet e para të American League Division Series. Sot, Guerriero nuk e beson më se qesja me para erdhi nga fitorja e një basti sportiv.
Njëri nga avokatët e McGonigal, Seth DuCharme, refuzoi të bënte koment.
Guerriero ishte 44 vjeç kur u takuan, një ish-edukatore zëvendësuese kopshti e cila dilte vullnetare për çështje të zbatimit të ligjit dhe punonte me një kontraktues për një kompani sigurimesh gjatë kohës kur jetonte me të atin. McGonigal, atëherë 49 vjeç, sapo kishte nisur punën e re në zyrën e FBI-së në New York.
Guerriero thotë se lidhja e tyre zgjati pak më tepër se një vit. Apartamenti i McGonigal në Brooklyn mund të ishte modest, por ai bënte jetë luksi. Ai e çoi Guerrerion në restorante të shtrenjtë për ta bërë për vete. I jepte pará – 500 apo 1000 dollarë – për ditëlindje apo Krishtlindje. Njëherë, për humor, i bëri dhuratë për Krishtlindje letrat e divorcit të vëna në kornizë, ndonëse ai divorc nuk u materializua kurrë. E mori për të parë ndeshjet e hokeit të New Jersey Devils në një lozhë private. Ajo kujton se si McGonigal një herë i dha 100 dollarë një lypësi në rrugë. ‘Unë jam në gjendje pak më të mirë se ai. Mund t’i jap 100 dollarë’, tha McGonigal pas mahnitjes së saj.
Mc McGonigal akuzohet për marrjen e parave në takime të përsëritura me dikë që kishte lidhje me inteligjencën shqiptare. Dhe ajo që ka tronditur më tepër autoritetet është se sa lirë e shiti veten. Një akuzë pretendon se me 225 mijë dollarët bashkëpunëtorët e tij bënë që McGonigal të lobonte te kryeministri shqiptar për dhënien e licencave të shpimit në fushat naftëmbajtëse, dhe më pas për të hapur një hetim të FBI-së për një qytetar amerikan që kishte lobuar për një nga kundërshtarët politikë të kryeministrit shqiptar.
Në fund të 2018, McGonigal dhe Guerriero u ndanë. Ajo kujton marrjen e një mesazhi anonim e armiqësor në email. Pak më pas, McGonigal i tha se ishte ende i martuar dhe nuk kishte ndërmend të ndahej nga gruaja. ‘U trondita’, thotë. ‘Isha e dashuruar me të dhe kjo ishte e dhimbshme’. Nisi të pinte shumë. Pak muaj më vonë, pasi kishte pirë, i nisi një email gjithë zemërim William Sweeney-t, i cili ishte në krye të zyrës së FBI-së në New York dhe që e kishte prezantuar me McGonigal.
Ajo kujton se i shkroi Sweeney-t që duhej të shihte veprimet e McGonigal në Shqipëri. Ai ishte bërë mik me kryeministrin shqiptar dhe kishte shkuar disa herë në Shqipëri, udhëtime që do të dilnin më pas në akuzë.
Në nëntor 2021, FBI po e hetonte McGonigal. Dy agjentë u shfaqën në derën e Guerrieros, thotë ajo, i treguan një foto të McGonigal me kryeministrin shqiptar, dhe e pyetën për bashkëveprimin mes tyre.
Ajo mori edhe një fletëthirrje nga gjykata për të paraqitur gjithë komunikimin me McGonigal si dhe informata për pagesa apo dhurata që i kishte dhënë ai.
FBI nuk pranoi të komentonte detaje specifike nga historia e Guerreiros.
Marrë nga businessinsider.com-Përgatiti: SYRI.net