Miq, dje mësuam se këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u nda nga jeta ish-kryetari i Federatës Panshqiptare Vatra Dr. Gjon Buçaj (14 shkurt 1934-14 maj 2022).
Dr. Buçaj i takon atij brezi emigrantësh shqiptarë të cilët rrezikuan shumë por arritën t’i shpëtojnë gulagut të diktaturës komuniste në Shqipëri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Pastaj, kur prekën botën e lirë, ata mbetën zemërplasur për mënxyrën që lanë pas, për dhunën dhe terrorin që regjimi gjakatar i Enver Hoxhës ushtronte mbi popullin e vet të pafajshëm, por e kthyen pikëllimin për vendlindjen në forcë për të njohur Perëndimin me mungesën e lirive themeltare të njeriut dhe për të kërkuar demokratizimin e vendit dhe daljen nga izolimi dhe varfëria e skajshme. Si shumë të tjerë, edhe Buçaj fare i ri, largohet nga Shqipëria në vitin e largët 1951, për ti shërbyer mëmëdheut nga larg me gjithë energjitë e tij deri në frymën e fundit.
Kur e pyesje Dr. Buçajn për aktivitetin e gjatë të shtrirë në kohë, ai thoshte se ishte “i motivuem kryesisht nga idealizmi atdhetar i paraardhësavet tanë”. Fjala ishte për frymëzimin që ai gjente dhe përgjegjësinë që ndjente si pasardhës në Vatër i Nolit, Konicës e të tjerëve paraardhësve patriotë me kontribute të vyera. Aktiviteti i Dr. Buçajt në Sh.B.A. kulmoi me zgjedhjen e tij kryetar i Federatës PanShqiptare Vatra (The Hearth), pas largimit të Ing. Agim Karagjozit.
Për një kohë relativisht të shkurtër, kur pata rastin të marr pjesë në disa aktivitete dhe mbledhje të Vatrës, pata rastin edhe të bisedoj me Dr. Buçajn. Më pati pyetur me hollësi edhe për hallet, problemet dhe për rrënjët e mia. Ishte kurioz. U emocionua shumë kur i tregova disa histori familjare dhe se gjyshi mezi kishte dalë gjallë nga Këneta e Maliqit në vitin 1955. “Po-tha ai-ata ishin barbarë, duke iu referuar veglave të diktaturës komuniste. “A i ke lexu vargjet e Arshi Pipës?” E kishte fjalën për poezinë “Kanali” ku pena hollë e Pipës përshkruan dhimbjen tmerruese të Maliqit.
“Pështillen, struken gjindja nën mburoje:
Nji lamsh ku qelben rrecka e mish njeriu.”
Buçaj fliste ngadalë, me një ton të butë e të kujdesshëm, në dukje hezitues për të mos thënë diçka të pamatur. Kur dëgjonte kritika për afrimin në Vatër të individëve me motive të dyshimta thoshte: “Vatra asht e të tanve.”
Dr. Gjon Buçaj ishte dëgjues i mirë dhe vlerësonte larminë e opinioneve por edhe kundërshtitë. Disa herë e pata dëgjuar të thotë: “E si t’ia bajm atëhere?” Në fund, ai pranonte verdiktin e shumicës. Në një mbledhje të hapur të Kryesisë së Vatrës, për të cilën kisha marrë lajmërim dhe mora pjesë edhe unë në vitin 2012, para festimeve të 100 vjetorit të Vatrës në prill 2012, pika kryesore e axhendës ishte qëndrimi ndaj Bamir Topit, asokohe President i Shqipërisë, kur ky të vinte në Sh.B.A.. Ta prisnin apo të mos e prisnin? Nëse po, ku të pritej dhe si? Kjo për faktin se marrëdhëniet mes Topit e Sali Berishës ishin acaruar shumë, dhe Vatra e njohur nga analistët e temave shqiptare për tendencat e saj berishiste, nuk mund të mbante anën e Topit. Them berishist dhe jo të djathtë sepse ky dallim shpesh harrohet. Madje, ajo mbledhje më la bindjen se nëse Vatra dëshiron ti bëjë fresk Berishës ajo nuk ka pse të quhet ende federatë e të pretendojë se respekton larminë e mendimeve e bindjeve. Gjithësesi, kthehemi në temë. Por për ti komplikuar më tej gjërat, Topi kishte lajmëruar nëpërmjet stafit të tij se kishte planifikuar që gjatë udhëtimit në Nju Jork do të dekoronte Vatrën me rastin e 100 vjetorit të themelimit. Pra, Vatra ishte zënë ngushtë dhe do t’a takonte Presidentin Topi medoemos. Po ku dhe si? Pas diskutimeve të ndezura ku sulmohej Topi, u hodh për votim dhe me shumicë u vendos që ceremonia në të cilën Topi do ti jepte vlerësimin presidencial Vatrës të bëhej në hollin e një hoteli në Manhattan në një kornizë kohore rreth 30 minuta dhe kaq. Për konteks, Vatra kishte shtruar darka sa herë që kishte ardhur Sali Berisha në Sh.B.A.. Mesa kujtoj, ndryshe nga të tjerë, Dr. Buçaj nuk tha asgjë denigruese për Topin. Vetëm lejoi diskutimet. Kur mori fjalën, ai e trajtoi problemin në rang institucional, dhe tha se dy institucione, Presidenti i Shqipërisë dhe Vatra duhet “të merren vesh”.
Ai kishte një dëshirë të madhe për të promovuar Shqipërinë dhe Shqiptarinë më gjerë. Një herë, më tërhoqi menjanë dhe më tha: “E di se je shumë i ngarkuem, por a mundesh me shkue e me promovue Shqipninë në një radio në Manhattan, e cila merret me eksperiencat turistike të amerikanëve? Ata duen ta bajnë nji emision për Shqipninë e do ishte mirë të përfaqsoheshim denjsisht.
Vjen edhe Agim Kola me ty.” Asokohe, mes preokupimeve të tjera familjare e profesionale, unë punoja edhe për mbrojtjen e doktoraturës dhe isha vërtet i ngarkuar. Agimi ishte muzikant, dhe mes të tjerave ishte edhe pianist në Kishën Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, dhe sikurse unë edhe ai i takonte valës së dekadës së parë të emigracionit të periudhës post-komuniste në Sh.B.A.. E pranova kërkesën dhe shkuam me Agimin e folëm për gjithçka shqiptare, aq sa mundëm në një orë emision, posaçërisht për Shqipërinë.
Pas largimit tim nga Nju Jorku në vitin 2013, Dr. Buçajn nuk e takova më dhe kontaktet me Vatrën u bënë më të pakta. Pas asaj që ndodhi në Vatër pas dorëheqjes së Dr. Buçajt në vitin 2017, u bë e qartë se lufta për kontroll mbi Vatrën kishte tashmë në krye një grup që ishte më i forti, jo domozdoshmërisht më besniku ndaj parimeve të sanksionuara në Kushtetutën e Vatrës. Shkelja e Kanunores se Vatrës ishte bërë tashmë diçka fare rutinë. Dr. Buçaj e demaskoi fuqishëm këtë devijim nga Vatra e Nolit dhe e Konicës, por “të fortët” i dërguan njërëzit që Dr. Buçaj mbështeste në gjyq. Ndaj sot ata kanë turp të shprehin ngushëllime sepse kanë vepruar në mënyrë të turpshme për 5 vjet, e ndoshta edhe më gjatë. (Edhe mesazhi i ngushëllimit i botuar në gazetën Dielli, tashmë të uzurpuar nga të “fortët” ishte një formalitet i pështirë që nuk ka asgjë të përbashkët me respektin dhe nderimin që meriton Dr. Buçaj.)
Edhe pse në pension, Dr. Buçaj mbeti i angazhuar pas shkarjes së Vatrës. Them shkarjes për t’iu referuar ngjarjeve të 5 viteve të fundit, daljes haptazi të individëve me interesa të vogla e mjerane, sepse për mua nuk ka patur pikë dyshimi se kryesia a Vatrës ka qenë celulë demode qëkur Vatra kryesohej nga Ing. Agim Karagjozi.
Gjithësesi, për mua personalisht, surpriza më e madhe dhe prova ime personale e angazhimit të Dr. Buçajt në komunitet ishte telefonata e tij e 10 tetorit 2019 nëpërmjet së cilës më ngushëllonte për humbjen e nënës sime të dashur. U surprizova sepse për aq pak kohë njohjeje me Dr. Buçajn, vite më parë, nuk e prisja atë telefonatë. Dr. Buçaj tha, mes të tjerash, se “nana juej ka shku e lumtun e krenare për bijtë që la pas” dhe fjalë të tilla, të ardhura nga Dr. Buçaj patën efekt lehtësues për mua, mes dhimbjes dhe pikëllimit që më kishin pushtuar atë ditë.
Dr. Buçaj do të mbahet mend si një njeri i dashur, parimor, patriot e punëtor. Mbi të gjitha, Dr. Buçaj do të mbahet mend si dikush që u përpoq e dha gjithçka nga vetja, aq sa diti e sa pati, për të avancuar të mirën tonë të përgjithshme.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr. Buçajt! Ngushëllime djemve Eduardit dhe Lekës; vajzave Teutës dhe Norës. Ngushëllime bashkëshortes Nikoleta për humbjen e shokut të saj të jetës!
Ngushëllime nipave, mbesave dhe mbarë farefisit Buçaj. Trashëgimtarët kanë shumë me të cilën të krenohen.
Ngushëllime të sinqerta miqve dhe bashkëpunëtorëve!
Ilir Hysa, PhD
Pennsylvania, Sh.B.A.
Komentet