WASHINGTON — Pas daljes së lajmeve të martën se Rusia zotëronte informacione komprometuese të një natyre personale dhe financiare ndaj zotit Trump, presidenti i zgjedhur u përgjigj përmes një postimi në Tweeter duke shkruar “LAJME TË RREME”.
Postimi i plotë është: “LAJM I RREMË – NJË GJUETI POLITIKE SHTRIGASH!” Në të kaluarpën ai ka mohur se Moska ka patur ndonjë ndikim në zgjedhjen e tij dhe është shprehur për vendosjen e lidhjeve më të ngushta me këtë vend.
Një dokument prej dy faqesh (classified briefing) me këto informacione, i është dorëzuar zotit Trump të premten e javës së kaluar, gjatë takimit që ai pati me zyrtarët amerikanë të shërbimeve të zbulimit, ku ai u informua lidhur me dyshimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane, sipas shtypit amerikan, që i referohet burimeve të paidentifikuara, por me njohuri nga informacioni që iu dha presidentit të zgjedhur.
I njejti informacion, i ishte dhënë Presidentit Barack Obama një ditë më parë, të enjten e kaluar.
Njoftimi u dha për herë të parë të martën nga rrjeti CNN, por pa hollësi se për çfarë informacioni kompromentues ndaj zotit Trump bëhet fjalë.
Shtypi amerikan shkruante se dyshimi që Rusia mund të ketë patur fakte kompromentuese, dihej që në muajt e fundit të vitit të kaluar nga disa gazetarë dhe politikanë në Uashington.
Informacioni, sipas shtypit amerikan që po raporton për të, nuk është i vërtetuar.
Njoftimi për ekzistencën e fakteve kompromentuese ndaj zotit Trump, është hartuar në bazë të raporteve të një ish agjenti të zbulimit britanik, që ka kontakte të shumta në Rusi, puna e të cilit në të kaluarën në Shtetet e Bashkuara është konsideruar e besueshme, gjithmonë sipas njoftimeve të shtypit amerikan.
CNN-i, njoftoi se FBI-ja ishte njoftuar që në gusht të vitit të kaluar, disa muaj përpara zgjedhjeve të nëntorit.
“Ajo që ka ndryshuar është fakti që agjencitë amerikane të zbulimit i kanë kontrolluar raportet e ish agjentit britanik dhe rrjetin e tij të gjerë të kontakteve në Evropë dhe kanë arritur në përfundimin se ai dhe burimet e tij janë të besueshme për t’u përfshirë në informacionin që i dhanë presidentit të zgjedhur Trump”, sipas raportimit të CNN-it.
FBI Director James Comey testifies on Capitol Hill in Washington, Jan. 10, 2017, before the Senate Intelligence Committee hearing on Russian Intelligence Activities.
Drejtori i FBI-së James Comey, i cili dëshmoi në Senat të martën lidhur me sulmin kibernetik të Rusisë, nuk pranoi të komentonte në se agjencia e tij po heton për lidhje të mundshme midis fushatës elektorale të zotit Trump dhe Rusisë, duke përmendur rregullin e FBI-së për të mos komentuar mbi ato që agjencia mund të jetë duke bërë.
Në fund të tetorit, zoti Comey, u vu në qendër të kritikave të demokratëve, kur 11 ditë para zgjedhjeve ai bëri të ditur se FBI-ja po analizonte e-maile të tjera në kuadër të hetimeve mbi zonjën Klinton.
Zërat në atë kohë, për hetime të mundshme të FBI-së rreth lidhjeve të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë, duket se u mbështetën nga një letër që ish kryetari i demokratëve në Senat, Henry Ried, i dërgoi zotit Comey ku shkruante:
“Është bërë e qartë se ju keni informacione rreth lidhjeve të ngushta dhe bashkëpunimit midis zotit Trump dhe këshilltarëve të tij të lartë me qeverinë e Rusisë, një qeveri që është hapur armike ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilën zoti Trump e ka vlerësuar pozitivisht sa herë i është dhënë mundësia. Publiku ka të drejtë të njihet me këtë informacion”.
A part of the declassified version Intelligence Community Assessment on Russia’s efforts to interfere with the U.S. political process is photographed in Washington, Jan. 6, 2017.
Agjencitë amerikane të zbulimit javën e kaluar dëshmuan në Senat se Presidenti rus Vladimir Putin kishte dhënë urdhërin për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane me synimin për të dëmtuar kandidaten Klinton në favor të zotit Trump.
Portali “Buzzfeed”, i cili pretendon të ketë një kopje të raportit të fshehtë, e ka postuar atë ne faqen e tij. (kliko website)
Sipas asaj që është botuar nga portali Buzzfeed, një ish zyrtar i lartë i zbulimit rus, pretendon se agjencitë ruse të zbulimit kanë informacione kompromentuese ndaj zotit Trump, që lidhen me aktivitetet e tij në Moskë, informacione të mjaftueshme për t’i bërë atij shantazh.
Po ashtu në raport pretendohet se Rusia ka punuar për të zhvilluar, mbështetur dhe ndihmuar zotin Trump për të paktën 5 vjet, një projekt i mbështetur nga Presidenti Putoin, me synimin për të futur përçarje në aleancën perëndimore.
Komentet