Është duke bërë xhiro e qarkulluar nga disa media në Prishtinë, po ashtu edhe në rrjetet sociale kjo foto e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry gjatë qendrimit në Kosovë me krerët e shtetit që e mikpritën ku paçka se nuk shquhen mirë duken edhe disa policë.
Fotoja shoqërohet me titullin: „John Kerry dha edhe një mesazh duke u fotografuar me Policinë e Kosovës“. Pastaj në tekstin që ilustron fotografinë dhe titullin thuhet se „Policia e Kosovës, në javët të fundit, ka qenë në shënjestër të opozitës. Këta të fundit, pjesëtarët e Policisë së Kosovësë po i konsiderojnë instrumente të pushtetit.“
Kjo foto dhe ky tekst pa emër, anonim që u është shpërndare mediave duket si i shkruar në zyrën e Ministrit të Brëndshëm të Kosovës, për të justifikuar dhunën brutale ndaj protestuesave dhe familjarëve të tyre, të cilët manifestuan paqësisht më 28 Nëntor. Dmth ai që e ka shkruar këtë tekst që duket i djeg miza nën kësulë, kërkon që t’i mbushi mendjen opinionit publik se pavarësisht dhunës të Policisë së Kosovës dhe pavarësisht akuzave të opozitës, John Kerry i mbështet veprimet e Policisë së Shtetit.
Ky është një manipulim i pastër. Sekretari Amerikan i Shtetit erdhi në Kosovë jo për të mbështetur aksh politikan, por për të shprehur mbështetjen për Kosovën, shtetin e Kosovës dhe institucionet shtetërore, përfshi edhe Policinë e Shtetit të Kosovës, por jo assesi dhunën e ushtruar brutalisht nga një segment që me shumë të drejtë ish-Avokati i Popullit Sami Kurteshi e denoncoi si “pjesë e kriminalizuar e Policisë së Kosovës me urdhëra politikë”. Ne i pamë reagimet normale të Policisë së Kosovës gjatë gjithtë manifestimit, pamë edhe kur djali minoren i Ramush Haradinajt ia dha dorën pjestarëve nga trupat e Policisë të Kosovës e pastaj ne i pamë protestuesit e gjakosur. Dhe natyrisht me ata policë që gjakosën protestuesit paqsorë John Kerry nuk është, as me ata politikanë që dhanë urdhër që t’i rrahin brutalisht. John Kerry nuk do të dilte assesi në fotografi me ata që keqpërdorën uniformën e Policisë të Shtetit të Kosovës.
Sekretari i Shtetit John Kerry erdhi në Kosovë dhe foli drejtë për së drejti me politikanët dhe popullin e Kosovës, pra nuk ka nevojë për interpretë manipulatorë. John Kerry kërkoi dialog, jo gaz lotsjellës dhe jo dhunë, por nëse John Kerry do të informohej dhe duhet të informohet se si një segment i Policisë së Kosovës ka ushtruar brutalisht forcën kundër protestuesave paqsorë dhe fëmijëve të tyre, ai natyrisht që do të shprehej kundër tyre dhe do të kërkonte që si ushtruesit ashtu edhe urdhëruesit e dhunës të japin llogari përpara ligjit.
Të njëjtën gjë do t’u thoshte John Kerry edhe botuesave të gazetave e portaleve, do t’u thoshte, ju lutem mos i manipuloni faktet dhe mos i përdorni fotot ku dalë unë për të manipuluar opinionin publik.

Komentet