Për të pasqyruar figurën e Ceno bej Kryeziut nevojitet një rishikim i rrethanave historike të viteve ’20 të shekullit të kaluar. Presidenti Zog emëroi atë ministër të Punëve të Brendshme, pasi Ceno beu e kishte ndihmuar të kthehej në pushtet. Opozita e asaj kohe e akuzonte mbretin Zog se ai e kishte urdhëruar ministrin Ceno beg Kryeziu të organizojë vrasjet e Bajram Currit dhe Luigj Gurakuqit.
Sipas Sejfi Vllamasit, aktor politik i kohës, marrëdhëniet mes presidentit Zog dhe Ceno bej Kryeziut, u përkeqësuan edhe më shumë. Tirana zyrtare filloi ta shikonte Ceno beun me dyshime, kryesisht si njeri që ndiqte politikë në dëm të interesave të Shqipërisë. Ceno beu caktohet për ambasador të Shqipërisë në Beograd, në kohën kur marrëdhëniet Shqipëri – Jugosllavi qenë acaruar për shkak të marrëveshjes që presidenti shqiptar Ahmet Zogu kishte bërë me Italinë. Jugosllavia e asaj kohe e pa veten të rrezikuar nga Marrëveshja e Miqësisë Shqipëri-Itali dhe filloi me presionet diplomatike dhe ushtarake përgjatë kufirit me Shqipërinë. I gjendur në këtë situatë, presidentit shqiptar Ahmet Zogu iu desh të ndërmerrte aksione në mbrojtje të vendit.
Jugosllavia pranon Kryeziun për ministër të Shqipërisë në Beograd
Sipas studiuesit Ilir Ushtelenca, presidenti Zog përveç masave ushtarake, ai mendoi të shfrytëzonte lidhjet e Ceno bej Kryeziut me personalitetet e Beogradit, në mënyrë që të zbuste armiqësinë e Jugosllavisë. Megjithëse kosovar, Jugosllavia pranoi që ambasador, apo siç thuhej atëbotë ministër i Shqipërisë në Beograd të jetë Ceno bej Kryeziu.
Sipas Ushtelencës, “Diplomacia e Mbretit Zogu I-rë” më 22 mars, presidenti Zog i kërkoi Cen beut të kthehej për “konsultime”, por ai nuk iu përgjigj. Pas tri telegrameve të tjera, Ceno beu njoftoi se ai “duhej te qëndronte edhe ca kohë për shkak të krizës ministeriale në Serbi”.
Marrëdhëniet e këtilla duket se vazhduan me këtë tempo, deri me plasjen e çështjes Gjurashkoviq. Kur autoritetet shqiptare arrestuan përkthyesin e konsullatës jugosllave në Durrës, Vuk Gjurashkoviq, u kuptua edhe korrespondenca sekrete e Ceno beut nga Beogradi me elementët projugosllavë në Shqipëri. Jugosllavia kërkoi lirimin e Gjurashkoviqit, meqë ai punonte në zyrat e saj në Shqipëri, ndërsa autoritetet e Tiranës u përgjigjën se ai ishte me shtetësi shqiptare, malazez nga Shkodra, dhe se përfaqësitë e Jugosllavisë në Shqipëri nuk e kishin lajmëruar askund se ai punonte për to. Kur Jugosllavia tërhoqi të dërguarin e saj nga Tirana, presidenti Zog e urdhëroi Ceno beun të kthehej menjëherë në Tiranë.
Sipas Ushtelencës, para largimit nga Beogradi, Ceno beu, bëri një deklaratë: “Unë sot po nisem për në Tiranë, që t’ia spjegoj personalisht, presidentit të Republikës se çfarë gabimi i madh është bërë në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe vendit tuaj. Këtë ia kam sqaruar sa e sa herë në telegrame, por pa sukses. Ndikimet ishin më të forta nga të gjitha telegramet e mija urgjente”, tha Ceno bej Kryeziu.
Pas një procedure marrëdhëniet midis dy këtyre dy shteteve u rivendosën, me fitoren diplomatike të Shqipërisë. Në vend të Ceno bej Kryeziut ministër i Shqipërisë në Jugosllavi u emërua Tahir Shtylla. Presidenti Zog, i cili sipas autorit Zhivko Avramovski i kishte kuptuar më 1925 lidhjet e Ceno beut me shërbimin jugosllav, ndonëse e largoi Kryeziun nga Beogradi, e emëroi ministër në Çekosllovaki, por njëkohësisht e mbajti të akredituar edhe në Jugosllavi. Kjo sipas studiuesit shqiptar Ilir Ushtelenca, bëhej për t’i treguar opinionit ndërkombëtar se nuk ishte hakmarrës e inatçi.
Po sipas Ushtelencës, kur Ceno bej Kryeziu u kthye në Tiranë, për të fituar besimin e humbur, përgënjeshtroi ato që i kishte deklaruar në gazetën “Politika” më 16 qershor 1927.
Diplomati shqiptar Ceno bej Kryeziu arrin në Pragë
Ceno beu gjatë rrugës për në Pragë, kaloi nga Beogradi, ku ndejti gjatë gjithë shtatorit dhe ditët e para të tetorit. Kur autoritetet e Tiranës i dërgonin mesazhe që të nisej e të niste punën e ministrit shqiptar në Pragë, ai qe përgjigjur se i mungonin të hollat për rrugë.
Ceno bej Kryeziu më në fund arriti në Pragë, por në 14 tetor e vret studenti Alqiviadh Bebi.
Shtypi i kohës për atentatin e akuzonte herë Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) e herë patriotët shqiptarë në Jugosllavi. Presidenti shqiptar Ahmet Zogu, lajmin për vrasjen e burrit të motrës e mori rëndë. Sipas Ushtelencës, “Zogu pati një atak nervor kur mori vesh vdekjen e burrit të motrës. Qau ditë të tëra para elitës që shkonte ta ngushëllonte si dhe para vëllezërve të Ceno beut, por e vërteta s’doli kurrë në dritë. Së pari, se në fillim A. Bebi pohoi se e kish vrarë vetë pa porosinë e askujt, së dyti sepse atë e vranë vetë vëllezërit e Ceno beut në sallën e gjyqit”.
Ky ishte fundi jetës dhe i karrierës diplomatike të Ceno bej Kryeziut, një nga njerëzit që i ndihmoi Ahmet Zogut të rikthehej në pushtet në dhjetor të vitit 1924.
Por, vrasja pati jehonë jo vetëm në Pragë dhe Tiranë, por edhe në gjithë Evropën. Gazetat e kohës, dhe jo vetëm ato çeke e jugosllave, raportuan për ngjarjen. Gazetat çeke i kushtuan vëmendje kësaj ngjarjeje, jo vetëm duke e raportuar, por ato u përpoqën të hedhin dritë në prapaskenën e vrasjes, duke këmbëngulur me botimin e artikujve dhe analizave që pasqyronin implikimet që sillte vrasja e Ceno beut në marrëdhëniet Tiranë – Beograd, por edhe në Pragë.
“České Slovo”: Vrasja e diplomatit shqiptar në Pragë
Ishte koha e marrëdhënieve të mira ndërmjet Pragës dhe Beogradit, dhe koha e Antantës së Vogël, një mekanizëm rajonal i sigurisë kolektive. Në vitin 1926 Jugosllavia kishte kundërshtuar kërkesën e Shqipërisë që të pranohej në Antantën e Vogël, sepse në rast të pranimit, Jugosllavia detyrohej të respektonte pavarësinë, tërësinë tokësore dhe paprekshmërinë e kufijve të Shqipërisë.
Gjithë kjo histori merr fundin e saj të hidhur. Vrasësi i Ceno beut, Alqiviadh Bebi, po gjykohej në një gjykatë të Pragës, por para se ta dënonte gjykata, atë e dënoi me vdekje mu në sallën e gjyqit, Zija Vuçiterni, axhutant i Gani beg Kryeziut. Vuçiterni shtiu dhe e qëlloi me pistoletë Alqiviadh Bebin dhe me këtë pos që e vrau atë, e plagosi edhe një gazetar italian. Në gjykimin e vet, Zija Vuçiterna e pranoi se ai e kreu vrasjen me fjalët “mora hakun e vëllait tim Ceno Begut”.
Të nesërmen pas vrasjes së Ceno bej Kryeziut, e përditshmja çeke “České Slovo” e raportonte ngjarjen në faqen tre, me titull “Vrasja e diplomatit shqiptar në Pragë”.
Gazeta jepte njoftimin se vrasësi Bebi kishte qëlluar me revolver dy herë në kokë Ceno beun.
“České Slovo” njoftonte kështu: “Mbrëmë në ora nëntë e pesëdhjetë minuta në çastin kur Ceno beu po e linte kafenenë Passage, një djalosh i ri doli nga gardëroba dhe e vrau me disa të shtëna të dërguarin shqiptar në Pragë, Ceno beun. Diplomati shqiptar, pa dyshuar për asgjë, po kërkonte sakonë e vet, kur nga mbrapa i afrohet një djalosh i ri i panjohur tetëmbëdhjetëvjeçar nga prapa dhe shtiu dy herë nga kolti i tij në kokën e viktimës. Pas vrasjes. Dorasi u ndalua nga gardërobistja dhe nuk u mundua aspak të ikte. Dorasi është gjithashtu shqiptar me emrin Alqiviadh Bebi nga Elbasani, i lindur më 1904. Në tollovinë që u krijua, fillimisht nuk dihej për kë bëhej fjalë dhe a ishte vetëvrasje a atentat. Shokët e porsardhur të ambasadorit donin ta linçonin dorasin në vend, po të mos reagonte me vendosmëri personeli i kafenesë dhe ta largonin me kohë kufomën e ambasadorit. Muzika në kafene vazhdonte të jehonte, kështu që nuk u krijua panik. Pasi policia e dëgjoi dorasin, kuptoi se ai e ka ndjekur viktimën për tri ditë të plota dhe mbrëmë ishte ulur në galeri afër muzikës dhe kohë pas kohe shkonte në gardërobë për të parë se kur ambasadori do të kthehej për të marrë rrobat e veta. Kafeneja u mbyll menjëherë dhe nuk iu lejua askujt dalja deri te ardhja e Policisë. Ambasadori i plagosur rëndë është dërguar në spital. Menjëherë pas vrasjes dorasi është ndalur dhe i ka thënë këto fjalë “ku je bre burrë qe gjashtë ditë të kam pritur të të vras.”
Arsyet për atentatin, sipas dorasit, janë politike. Në fakt Cena beu në kontekstin rreth konfliktit jugosllavo- italian, në marrëveshjen e Tiranës, ai kishte marrë qëndrim kundër sulmit italian mbi Jugosllavinë. Ndihmën e parë menjëherë pas atentatit mbi fatkeqin ia dha doktor Shtajni nga Bubence. Ai ka konstatuar se dy të shtënat në kokë kanë shkaktuar gjakderdhje të madhe. Megjithëse gjakderdhjen e ka ndalur, ambasadori Cena gjatë transportit për në spital ndërroi jetë.
Ceno beu dëshironte që Ballkani t‘i takojë popujve ballkanas
Dorasi i ambasadorit shqiptar Alqiviadh Bebi është nga Elbasani, i lindur më 1904, student i klasës së gjashte në liceun në Romë. Ai ka ardhur nga Vjena në Prage, me 10 tetor. Ditën tjetër me 16 tetor “České Slovo” ne faqen dy thotë se ambasadori i vrarë shqiptar Cena bej ka ardhë në Pragë para disa ditësh dhe është vendosur në hotelin Passage. Cena bej qysh gjatë luftës në vitin 1915 ka qenë në Pragë te nënkoloneli Roter në Smihov i vendosur në rrugën Smetanova numër 15. Kur ka ardhur në Pragë, ai ka vizituar familjen Roter dhe ka qenë mysafir nderi në shtëpinë e tyre. Cena beu ka kuptuar se në Pragë ekziston një rreth shqiptar dhe ka shprehur interesim për t‘u njoftuar me pjesëtarët e këtij rrethi. Z. Fhmel, prodhues i vulave në Pragë, i cili gjatë luftës ishte përkthyes në regjimentin e 28 e ka vizituar të premten pasdite nënkolonelin Roter, për të aranzhuar takimin e ambasadorit me mërgatën shqiptare. Z. Rottel e ka pritur Cena beun, i cili nuk ka ardhur, për shkak se gjatë rrugës së tij për në Pragë është sëmurë nga malaria dhe është dashur të qëndrojë i shtrirë në shtrat. Ceno beu ka ardhur si ambasador në Pragë, me programe ekonomike dhe ka dashur të afrohet me përfaqësuesit tanë të jetës ekonomike dhe të industrisë. Sipas informacioneve, ai ka pasur qëllim të zhvillojë në Shqipëri një kolonizim të çekëve kultivues të sheqerit dhe për të ndërtuar atje një fabrikë sheqeri. Ai ka dashur gjithashtu që qarqet tona të eksportuesve t’iu kushtojnë vëmendje më të madhe Shqipërisë e të dërgojnë atje përfaqësuesit e tyre.
Qëllimi tjetër i tij ishte që Shqipëria në panairin pranveror të Pragës të paraqes ekspozitën shtetërore dhe importuesve çekë t‘iu prezantojë lëndët e para të cilat kishin mundur të importohen nga Shqipëria në Çeki. Përndryshe, një kompani çeke e ka ndërtuar një elektrocentral në Durrës, për 12 milionë kruna, e paguar në ari. 32-vjeçari Cena beu ishte plot me ideale për Shqipërinë. Cena beu bënte përpjekje të mëdha për kontakte e marrëdhënie sa më të mira ekonomike me Çekosllovakinë. Duke pasur për lajtmotiv Shqipërinë e pavarur, ai dëshironte që Ballkani t’i takojë popujve ballkanas. Cena beu, ishte dhëndër i presidentit të tashëm Ahmet Zogu. Planet e tij madhështore për qëndrimin e Shqipërisë së pavarur dhe për arritjen e kontakteve miqësore dhe ekonomike me Republikën e Çekosllovakisë, u ndërprenë me një të shtënë nga revolja e një fanatiku të ri shqiptar, i informuar keq për përpjekjet e ambasadorit shqiptar.
A e ka dhënë Alqiviadh Bebi emrin e vërtetë
“České Slovo” e të njëjtës ditë, 16 tetor, në faqen e tretë raporton për zhvillimet e mëtejme rreth vrasjes, me titullin “Policia e merr ne pyetje vrasësin e ambasadorit shqiptar”. Vëllai i të vrarit vjen në Pragë. Gjatë dëgjimit të sulmuesit të Cena beut, që bëhet brenda natës, kur ndodhi atentati, merret vesh se dorasi është 24-vjeçar e vjen nga Elbasani dhe është i pa baba. Ai është pranuar në Kolexhin Monte Karlo, ku është marrë me studime të literaturës filozofike antike dhe moderne dhe me vepra të ekonomisë. Librat me përmbajtje të tilla i janë gjetur gjatë kontrollit të banesës së tij në Pragë, gjë që i vërtetojnë deklaratat e tilla. Në Pragë ka ardhur nëpërmjet Vjenës, tri ditë më herët, me paramendim që ta vriste ambasadorin Cena bej. Mbrëmë pas orës nëntë, ai ka shkuar në kafenenë Passage, në Vaclavske Namesti dhe e ka diktuar atje ambasadorin Cena bej. Kur pak pas orës dhjetë ambasadori doli nga kafeneja për në gardërobë, menjëherë pas tij del edhe dorasi dhe duke iu afruar shumë, shtien nga mbrapa dy herë. Sipas fjalëve të dëshmitarit Ajzenshtajn, dorasi ka thënë se ky akt i tij nuk do të thotë fund i atentatit. Sipas disa dëshmitarëve të tjerë lajmëruan në Polici në çastet kritike, Alqiviadhi kishte biseduar me disa të rinj, të cilët menjëherë pas atentatit e shfrytëzuan tollovinë dhe u larguan.
Dëshmitarët thanë se ata kishin qenë të moshës rreth 25-30-vjeçare. Dorasi ka pranuar se nga autorët që i ka lexuar me pasion, ka përvetësuar mendime pesimiste ndaj jetës. Revolveri i tipit kolt, me të cilin e ka vrarë ambasadorin, e ka blerë tri vjet më herët, kur i ka shkuar mendja për t i dhënë fund jetës së tij. Bebi nuk e ka njohur personalisht Cena beun. Për këtë ka blerë revista të ilustruara, në të cilat ka parë fotografitë e diplomatit, dhe në bazë të këtyre fotografive ai e ka identifikuar Cena beun në kafenenë Passage. Dorasi ka pranuar, po ashtu, se ka kërkuar nga ambasadori Ceno bej një audiencë dhe ai nuk e ka pranuar. Dëgjimi ka zgjatur deri në ora katër në mëngjes dhe dje pasdite Bebi i është dorëzuar gjykatës penale të vendit.
Sipas informacioneve më të reja, i vrari ishte dhëndër i Ahmet Zogut, president i sotëm i Shqipërisë. Vëllai i të ndjerit, kapiten në Ushtrinë shqiptare, me emrin Gani bej Kryeziu, është informuar menjëherë pas atentatit me lajm telegrafik. Për varrimin e të ndjerit priten propozimet e Gani bej Kryeziut i cili gjendet në rrugë nga Beogradi për në Pragë.
“Ceské Slovo” në vazhdim të artikullit ka vënë një pyetje: A e ka dhënë Bebi emrin e vërtetë dhe priten arrestime të reja.
Vrasësi është i qetë dhe vazhdimisht përsërit se ambasadorin e ka vrarë nga arsyet politike. Policia mendon se pasaporta e tij është falsifikuar dhe se emri i tij Alqiviadh Bebi nuk është i vërtetë dhe se ai ka tjetër emër, gjë që mund të jetë ngjashëm me rastin e Cicinkovit. Mirëpo, sulmuesi i refuzon këto pohime të Policisë dhe vendosmërisht thotë se pasaporta dhe emri i tij është i vërtetë. Mirëpo, mendohet se sulmuesi ka pasur bashkëpunëtorë të cilët ose e kanë furnizuar me të holla, apo i kanë dhënë informacione ku banon ambasadori dhe cili vend do të ishte më i përshtatshmi për ta kryer atentatin. Hetimet vazhdojnë me intensitet të madh dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera.
Në vazhdim gazeta njofton se Ministri i Punëve të Jashtme dr. Eduard Benesh i ka dërguar Qeverisë shqiptare keqardhje dhe shprehu ngushëllimet e tij të përzemërta. Mbrëmë ai ka biseduar me konsullin çek në Shqipëri, arkitekt Matushkën, për këtë ngjarje tragjike.
Në Beograd keqardhje për vrasjen e ambasadorit Ceno bej
“České Slovo” boton edhe një lajm të korrespondentit të saj nga Beogradi. Lajmi për vrasjen e ambasadorit shqiptar ne Pragë, Cena bej, si në Pragë ashtu edhe në Beograd, ka shkaktuar keqardhje të thellë, si në opinion ashtu edhe në shtyp. Ambasadori Cena bej në qarqet jugosllave ka gëzuar simpati të mëdha për qëndrimet e tij të hapura dhe të guximshme të njohura me parullën “Ballkani popujve ballkanas”.
Ambasadori Cena bej ka arritur të miratojë këtë parim edhe në konfliktin e njohur në kontestin Gjurashkoviq dhe e ka shfrytëzuar gjithë ndikimin e tij në Tiranë, për një përfundim të mirë të këtij kontesti. Gazeta beogradase “Politika” e 15 tetorit, për këtë atentat e fajëson Romën dhe thotë se Roma tani e ka marrë rolin e prishësit të paqes në Ballkan, të cilën më herët e kishte Vjena. Njësoj, sikurse dikur Serbia që i kishte qëndruar Vjenës në rrugën e saj për në Ballkan, ashtu sot Jugosllavia është pengesë kryesore kundër planeve imperialiste të Romës. Me vrasjen e ambasadorit Cena bej, nuk do të vritet ideja për Shqipërinë e lirë, dhe lirinë e shteteve ballkanike, të cilën Cena bej e ka përfaqësuar.
Gazeta “Politika” shkruan më tutje për koalicionin e vrasësve ndërkombëtarë, të cilët veprojnë pa u dënuar nëpër Evropë. Mirëpo, gjykon se ky koalicion gjakatar nuk ia arrin qëllimeve të veta dhe se do të përfundojë me katastrofë, ashtu si ka përfunduar dikur Vjena. Mirëpo, si duket Roma, nuk ka marrë kurrfarë mësimi nga përvoja e Vjenës, përfundon “Politika”.
E përditshmja tjetër “Narodni Listy” e 16 tetor 1927 boton artikullin në ballinë me titull “Vrasja e ambasadorit shqiptar në Pragë”. “Njeriu i ri i cili u vra me dy të shtëna, të premten në mbrëmje në gardërobën e një kafeneje të Pragës, ishte i një bir i madh i popullit të vet, të cilin duhej ta përfaqësonte te ne, si ambasador i parë shqiptar në Pragë”, shkruante “Narodni Listy”.
Sipas gazetës, Cena beu, 32-vjeçar, ishte personalitet i cili u jepte kahe rrjedhave të jetës politike në Shqipëri. Me prejardhje nga Gjakova, nga një familje bejlerësh shqiptarë, e cila i dha popullit të vet disa personalitete me ndikim. Babai i tij ishte i dërguar i Sulltanit turk Abdyl Hamitit. Në oborrin e sulltanit edhe vëllai i tij ka pasur pozicion të lartë. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, babai i tij qëndronte në krye të kryengritjes kundër turqve, krahas me serbët. Bashkëshortja e të vrarit, Cena bej, është motra e presidentit të tashëm shqiptar, Ahmet bej Zogut. Kthesa e dhjetorit e vitit 1924, kundër regjimit pro italian të Fan Nolit, e ka futur në karrierë shtetërore edhe Cena beun, përfaqësues besnik i idesë “Ballkani popujve ballkanas”, ide me të cilën vjen në pushtet miku i tij, presidenti Ahmet Zogu. Fillimisht e fiton vendin në Qeveri, si udhëheqës suprem i Ushtrisë shqiptare. Kur Shqipëria nisi t i riformulojë orientimet në politikën e saj të jashtme, në kuptimin e raporteve me Italinë dhe në nëntor vjen deri tek e ashtuquajtura “Marrëveshja e Tiranës”, Cena beu heq dorë nga udhëheqja e Ushtrisë dhe emërohet ambasador në Beograd.
Dy të shtëna vrasin Cena beun dhe miqësinë e tij ndaj sllavëve të jugut
Prej atje me ndikimin e tij ai filloi të punojë në përparimin e vendit të tij. Ishte merita e tij, deri në një masë, që në mënyrë të butë është zgjidhur konflikti i porsandodhur midis Shqipërisë dhe Mbretit të serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, për shkak të arrestimit të Gjurashkoviqit në Tiranë.
Menjëherë pas zgjidhjes së kësaj mosmarrëveshjeje, dërgohet ambasador në Beograd, ndërsa tash ishte emëruar ambasador në Pragë.
Qëndrimi i tashëm në Pragë, nuk ishte i pari për Cena beun. Qysh gjatë luftës, kur ishte i internuar nga armata austriake, ai për vendqëndrim e zgjodhi Pragën, ku jetoi deri në fund të luftës. Që nga atëherë ai ishte një mik i sinqertë i yni. Kur para disa kohësh u muar iniciativa për hapjen e përfaqësisë diplomatike të Tiranës te ne, ai ka kërkuar që udhëheqja e misionit diplomatik në Pragë t‘i jepet atij, sikurse njëkohësisht edhe në Beograd. Preteksti politik ishte dëshira e tij për afrimin e Shqipërisë me “Antantën e Vogël”. Mirëpo, në masë të madhe ai ka punuar më shumë në afrimin ekonomik midis dy vendeve.
Duke i njohur mirë potencialet tona, ai erdhi me ide praktike dhe përparimtare. Ai deshi që në vendin e tij të lansojë prodhimet tona, të ndërtojë atje me ndihmën tonë fabrikë sheqeri dhe në panairin pranveror të Pragës të prezantojë ekspozitën shtetërore të Shqipërisë dhe t‘ua hapë rrugën eksportuesve tanë deri te lënda e parë në vendin e tij, për të cilin ai nuk ishte vetëm përfaqësues i mirë, por edhe punëtor besnik. Se do të ishin kushtet e mira të këtyre marrëdhënieve ekonomike, dëshmon edhe ndërtimi i elektrocentralit në Durrës, miratuar nga enti çekosllovak.
Jo vetëm sllavët e jugut, por edhe ne, me këtë vrasje e kemi humbur një mik. Kjo e zmadhon dhimbjen tonë për këtë ngjarje tragjike. Dy të shtënat të cilat Cena beut ia morën jetën, në një farë mënyre e vrasin edhe miqësinë e tij ndaj sllavëve të jugut. Ai ishte i bindur se me idetë e tij i kontribuon më së miri përparimit të vendit të tij. Ai i ka qëndruar besnik idesë se Ballkani u takon popujve të Ballkanit. Ai i qëndroi deri në fund miqësisë, në të cilën ai e ka parë një garancë për një të ardhme, më të qetë dhe më të lumtur të vendit të tij. Ishte xhentëlmen i madh që të mos harronte miqësinë e atëhershme, me të cilën përpiqej t i realizonte planet e tij për pavarësinë e Shqipërisë, përfundon teksti në ballinën e gazetës ceke “Narodni Listy” e 16 tetorit 1927.
Po këtë ditë, kjo gazetë sjell në faqen 5, një tekst tjetër gjurmëve të lajmit të vrasjes së Cena bej Kryeziut. Me titullin: “Hollësi të vrasjes së Cena beut”,
Ceno beu parandjeu vrasjen dhe bile tregoi edhe emrin e vrasësit
“Narodni Listy” thotë se viktima priste atentatin. Siç merret vesh, fillon teksti i gazetës, qysh disa ditë para arritjes së ambasadorit Cena bej në Pragë, nga disa persona zyrtarë ai pati paralajmërime se po përgatitej atentat ndaj tij. Si duket, vetë ambasadori kishte parandjenja të caktuara për fatin e tij, me ç‘gjë shpjegohet indisponimi i tij, i cili në një masë ishte shkaktuar edhe nga ethet malarike. Disa miqve të ngushtë ai u shprehu hapur frikën e tij dhe thuhet se ua ka treguar bile edhe emrin e vrasësit, për të cilin kishte informata se është dërguar pas tij. Ishte ky emër krejtësisht tjetër nga ai me të cilin është legjitimuar vrasësi, gjë që mund të konkludohet se ose ambasadori ka pasur informacione të gabuara, ose është dërguar njeri tjetër, ose se vrasësi i kishte dokumente të falsifikuara për t‘i dhënë vrasjes kahe tjetër.
Se frika e tij nuk ishte e paarsyeshme, tregojnë edhe disa karakteristika dhe rrethana, të cilat u kuptuan nga rrethi i ngushtë i miqve të tij në Pragë. Cena beu është dërguar ambasador në Beograd, por bashkëshortja, fëmija dhe nëna janë detyruar të mbesin në Tiranë, pasojë që ai të mos e ushtrojë detyrën e tij jashtë vendit. Kështu, në njëfarë mënyre, familja e tij ishte një lloj pengu që rastësisht të mos lindin mosmarrëveshje në orientimin e politikës së jashtme të qeverisë shqiptare, kur ai me nxitim merr qëndrim në rastin e konfliktit shqiptaro-jugosllav. Ai jep dorëheqje si ambasador i Shqipërisë në Beograd dhe vazhdon të jetojë në Beograd, si afarist, sa të ndikojë në rrethanat e mëtutjeshme e të cilat ka menduar se janë të dëmshme për vendin e tij. Nga kjo mund të konkludohet se në këto rrethana ishte guximi i tij i madh për kthimin e tij në Beograd dhe, nga ana tjetër, nuk mund të mbyllen sytë ndaj faktit se sa i madh ishte ndikimi i armiqve të tij.
“Narodni Listy” vazhdon me theksimin e rrugës që kishte bërë vrasësi. Sulmuesi Alqiviadh Bebi, siç shkruan në pasaportën e tij, është nisur nga Roma, ku studionte në gjimnazin “Kolegio di Monte Mario“, me paramendim që ta vriste Cena beun. Bebi fillimisht ishte nisur pas Cena beut në Beograd, ku nuk e kishte arritur. Në rrugë për në Pragë, Bebi është ndalur në Vjenë, ku është vendosur në qarkun e nëntë. Menjëherë pas arritjes në Vjenë, ai është kontrolluar detajisht nga Policia për të huajt. Dokumentet i kishte në rregull dhe deklaron se qëllimi i ardhjes së tij në Vjenë, është të regjistrohet në shkollën e lartë. Por, ditën tjetër ai niset për në Pragë. Këtu, Bebi vendoset në “Hotel Ballkan“, në Smihov, Pragë. Që nga dita e parë fillon ta kërkojë Cena beun. Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve, ai u takua me ambasadorin disa herë, mirëpo ambasadori gjithmonë ishte në shoqëri, kështu që vrasësi nuk kishte rast të volitshëm për ta qëlluar për vdekje. Ai u përpoq të përfitojë një audiencë te ambasadori në rezidencë në “Hotelin Passage“, mirëpo ambasadori e ka refuzuar. Kështu, ai e vrau ambasadorin në gardërobën e kafenesë, kur ambasadori mbeti vetëm, pa parandier për asgjë.
Gjatë marrjes në pyetje në polici, vrasësi deklaroi se e ka vrarë Ceno beun me paramendim; se ishte gjatë verës në Elbasan, ku ka shkuar nga Roma, dhe se vjen nga një familje e varfër dhe se bursa e vogël nga Qeveria shqiptare nuk i mjaftonte. Ai tha se ka menduar gjatë për gjendjen e atdheut të tij dhe ka ardhur në përfundim se fajtorë janë Ceno beu dhe Qeveria e tashme dhe se duhet ta mënjanojë atë. Alqiviadh Bebi tha se revolverin e ka siguruar para tri vjetëve pas vdekjes së babait të tij, me paramendim që të vriste veten. Ai është lexues i apasionuar dhe nga librat që kishte lexuar, kishte përfituar mendime pesimiste për jetën.
Policia e Pragës ka qenë e paralajmëruar se në ambasadorin shqiptar po përgatitet atentati
Fanatiku i ri shqiptar e vrau Ceno beun ashtu siç kishte bërë më herët vendasi i tij me Esat Pashain në Paris. Vrasësi deklaroi se Ceno beu ka dashur t‘ia shesë Shqipërinë Jugosllavisë. Konsulli shqiptar në Vjenë, Saraçi, dërgoi një kumtesë, e cila duhet të studiohet sepse sjell marrëdhëniet e Ceno beut me Zogun.
Deklaratat e tij duken të jenë të dyshimta, sepse nuk kishte të holla për studime, ndërsa kishte të holla për udhëtim të gjatë, në ndjekje të Ceno beut dhe se Qeveria të cilën ai e fajësonte e kishte afër, në Tiranë. Është i dyshimtë edhe fakti se ideja për këtë vrasje i ka ardhur në shtëpi, ndërsa revolen e kishte siguruar për vetëvrasje, shkruan gazeta “Narodni Listy”.
Në këtë artikull thuhet se, përndryshe, e tërë historia për pikëpamjet e tij pesimiste për jetën dhe librat filozofikë që i kishte në valixhet e tij janë shumë të pabesueshme. A do të mjaftojnë hetimet, me këto të dhëna, si në rastin e Daskallovit.
Para çastit vendimtar Ceno beu i urdhëroi detektivit përcjellës të largohet
Gazeta “Narodni Listy” vazhdon artikullin duke njoftuar për shprehjet e ngushëllimeve. Sipas saj, në të gjitha ndërtesat e ambasadave të huaja në Pragë, në shenjë të ngushëllimit për vrasjen tragjike të ambasadorit shqiptar, Ceno bej, flamujt ishin lëshuar në gjysmë shtizë. Ministri i punëve të jashtme, dr. Benesh, i dërgoi qeverisë shqiptare një fjalim të përzemërt ngushëllues. Për varrimin nuk është vendosur ende, por priten vendimet e vëllait të ambasadorit, Gani beut, i cili është në rrugë për në Pragë. Kufoma e të vrarit nesër do t‘i dorëzohet Institutit gjerman të mjekësisë ligjore.
Artikulli mban një mestitull të fundit: “Shtypi parisien për vrasjen e ambasadorit shqiptar”. Shtypi parisien komenton gjerësisht vrasjen e ambasadorit shqiptar në Pragë. Në “Journal des Debata” thuhet se i vrari Ceno bej, në funksionin e ambasadorit shqiptar në Beograd, pas notës së Shqipërisë ndaj Jugosllavisë, qëndroi luajal dhe mohoi lajmin për përgatitjet ushtarake të Jugosllavisë në kufi me Shqipërinë. Kjo nuk ishte e mirëseardhur për Romën, e cila pas reagimit të Britanisë së Madhe, është detyruar që tërë çështjen ta lërë në harresë. Kohët e fundit është thënë se Musolini bënte presion mbi qeverinë e Beogradit për të ratifikuar të ashtuquajturën “Marrëveshjen e Nettunit”, ndërsa kuvendi i tashëm është më pak miqësor se ai i mëparshmi dhe me këtë rast do të vinte te tensionet e reja ndërmjet Romës dhe Beogradit. Gazeta franceze konstaton se Ceno beu ishte me ndikim të ndërsjellë në Beograd.
Sipas gazetës franceze, fanatiku i ri shqiptar e vrau Ceno beun, ashtu siç kishte bërë më herët vendasi i tij me Esat Pashain në hotelin “Kontinental“ në Paris. Vrasësi deklaroi se Ceno beu ka dashur t‘ia shesë Shqipërinë Jugosllavisë. Prokuroria e Parisit e liroi vrasësin e Esat Pashës, a do të ndodhë i njëjti skandal edhe në Pragë, pyet gazeta franceze “Journal des Debata”.
“Politika“ e Beogradit: të gjitha rrugët të çojnë në Romë
Gazeta “Narodny Listy” e datës 18 tetor i kushton vëmendje atentatorit të Ceno beut, Alqiviadh Bebit. Me titull “Gjurmëve të vrasjes së Ceno beut”, gazeta shkruan se vrasësi i ambasadorit shqiptar i është dorëzuar të shtunën burgut të gjykatës. Hetimet do të zhvillohen shumë shpejt, në mënyrë që prokurorit t‘i dorëzohet sa më shpejtë. Procedura e shpejtë do të jetë e rëndësishme ashtu si edhe dënimi i krimit. Mirëpo, do të varet shumë edhe nga fakti që procedura të mos kufizohet vetëm në konstatimin e vrasjes dhe në ato që i ka pranuar vrasësi.
Vrasja e ambasadorit Ceno bej ka zgjuar interesim të madh edhe përtej kufijve të Çekisë. Vëmendja më e madhe ndaj të huajve, sipas xhandarmërisë, do të intensifikohet në procedurë gjyqësore. E kemi shpjeguar më herët menjëherë pas vrasjes se në çfarë bazash ka rrjedhur gara politike, pasojë e së cilës është sulmi vrasës në Ceno beun. Konsulli shqiptar në Vjenë, Saraçi, dërgoi një kumtesë, e cila duhet të studiohet sepse sjell marrëdhëniet e Ceno beut me Zogun. Nga ana tjetër, edhe për marrëdhëniet e tij me diasporën shqiptare. Diaspora shqiptare, e shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Evropës, është e orientuar politikisht në të njëjtën kah nga ishte orientuar edhe Ceno beu i vrarë. Nga kjo vihet në konkludim se atentati nuk është pjellë e emigracionit shqiptar. Vetë atentatori nuk ka qenë emigrant, por stipendist i qeverisë shqiptare. Vetë z. Saraçi ka aluduar se burimin e vrasjes duhet kërkuar në rrethin e shqiptarëve në Romë.
Nëse edhe ai prejudikon vendin nga rrjedh krimi, nuk është për t‘u çuditur komenti i shtypit jugosllav, botuar në gazetën “Politika“ të Beogradit, se në të gjitha këto rrethana, të gjitha rrugët të çojnë në Romë.
Tashti del në pah se në çfarë rrethanash të politikës ndërkombëtare u bë ky akt, i cili ka ndodhur të premten në mbrëmje në një kafene të Pragës. Nuk mund të lihet në harresë që hetimet gjyqësore të bëhen sa më të thella e të gjithanshme, të zhvillohen në thellësi, deri në vendin e burimit.
Sot, kur edhe shtypi ndërkombëtar shkruan gjerësisht për këtë vrasje, do të ishte e kotë të fshihet e të mos përmendet ajo të cilën e kemi theksuar të dielën. Policia e Pragës ka qenë e paralajmëruar se në ambasadorin shqiptar po përgatitet atentati. Ceno beu ka qenë po ashtu i përcjellë me një detektiv, të cilin para çastit vendimtar i ka urdhëruar të largohet. Është pikëpyetje se a do të mund të parandalohet vrasja në atë vend edhe po të mos ishte larguar detektivi. Do të ishte më mirë të ndalemi te personaliteti i vrasësit. Fillimisht, ai ka shkuar pas Ceno beut edhe në Beograd. Nga gazetat beogradase kuptojmë se pa kurrfarë dyshimi në dokumentet e tij, megjithatë në stacion, atij i merret pasaporta. Ai ishte gjithë kohën nën përcjellje policore dhe ka qenë i detyruar të lajmërohet në Polici. Gjatë largimit të tij nga Beogradi kanë qenë të paralajmëruara organet e sigurimit. Në Vjenë, me të arritur në hotel, ishte kontrolluar detajisht nga Policia. Mirëpo, këtu te ne në Pragë, ku po ashtu është lajmëruar me pasaportë shqiptare, ka qarkulluar katër ditë pa kurrfarë kontrolli. Edhe pse konsiderohet se dokumentacioni i tij do të duhej të zgjonte dyshim, është për habi se si vrasësi, si huaj që është, është orientuar në Pragë, shumë mirë dhe si ka ditur tërë kohën se ku ndodhet Ceno beu dhe detaje të tjera të ngjashme.
Çfarë tha autopsia
Autopsia e kufomës në Institutin gjerman të Mjekësisë Ligjore u konstatua se i vrari qe qëlluar me dy plumba. Njëri plumb e kishte qëlluar pas kokës dhe kishte depërtuar në tru, ndërsa tjetri pas shpine kishte arritur deri në stomak. Forma e revolverit, këmbëza e të cilit ngrehej vështirë, e vërteton konstatimin se vrasësi ka qëlluar nga afërsia e madhe. Vrasësi ka qenë afër, por edhe revolen e ka ofruar shumë. Kufoma e ambasadorit do të balsamohet sot. Ajo do të vishet me uniformë ushtarake dhe do të vendoset në lokal mbyllur, shkruan gazeta “Narodny Listy” e Pragës.
E përditshmja tjetër “České Slovo”, pesë ditë pas atentatit mbi Ceno bej Kryeziun, më 19 tetor, ne ballinën e saj njofton me titullin: “Nga prapavija sensacionale e atentatit mbi Cena beun.“
Në Vjenë ka zgjuar vëmendje të madhe rruga e papritur e konsullit të atjeshëm shqiptar Saraçi, në Pragë. Arsyeja e rrugëtimit të tij ishte intervista të cilën ia dha revistës “Rano”. Në qarqet e informuara pohohet se qëllimi i rrugës së konsullit ishte pikërisht kjo intervistë, ndërsa nga përmbajtja e intervistës së tij se ka gjurmë në atentatin mbi Ceno beun. Në intervistë thuhet diçka për mërgatën shqiptare në Romë, që nuk përputhet me bazat e logjikës politike. Emigrant është ai i cili largohet nga vendi, i cili nuk pajtohet me regjimin ekzistues të vendit të tij. Sot në Shqipëri mbretëron regjimi italofil, kështu që në emigracion mund të jenë vetëm ato qarqe që kundërshtojnë regjimin. Ndërsa, emigracioni nga Jugosllavia mike nuk do të shtinte në Ceno beun. Nëse konsulli Saraçi pohon se atentati në Ceno beun buron nga rrethet e emigracionit shqiptar në Romë, nuk përputhet me asnjë fakt që do të thotë se me këtë don të fshehë diçka. Është indikative pse insiston aq shumë për publikimin e opinioneve të tij.
Flitet zoti Saraçi ka shkuar vetë te redaktori i revistës “Rano”, për të dhënë intervistën. Qarkullon gjithashtu shprehja se atentatori në Cena beun, studenti Bebi, gjatë kalimit në Vjenë, e ka vizituar Saraçin. Mbi të gjitha këto është e ditur edhe ndikimi i Saraçit në Bari, ku ka qenë konsull, e po ashtu edhe në rrethanat e ngjarjeve të jashtëzakonshme. Duke i marrë parasysh të gjitha këto rrethana për prapavijën e atentatit, konsiderohet se detyra e policisë së Pragës, është shumë e vështirë. Çudia më e madhe është se Policisë së Pragës, gjithashtu edhe Policisë së Vjenës, i është tërhequr vërejtja se po përgatitet atentati mbi Ceno beun dhe se ku dhe kush mund ta kryejë atë. Policia nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme, në kufi, ose të bëjë kontroll kundër personave si Bebi. Këtu mbretëron interesim shumë i madh për rezultatet e hetimeve dhe gjithçka po ndiqet detajisht. Qarqet ndërkombëtare presin dënim ekzemplar për vrasësin, përfundon artikulli në ballinën e gazetës “Ceské Slovo”.
Më 21 tetor, “České Slovo”, përveç botimit të artikullit, sjell edhe fotografinë e kufomës së Cena beut të balsamuar në arkivol. Kufoma e ambasadorit të vrarë shqiptar është ekspozuar në arkivolin me xham, në sallonin pranues në stacionin e Wudroow Wilson. Dje paradite ishte hapur për përfaqësuesit e zyrave dhe qarqeve diplomatike për t‘i dhënë nderimet e fundit, ndërsa numri i tyre ishte i madh. Ata u nënshkruan në librin e zisë. Në ora 11 arriti ministri i punëve të jashtme, dr. Benesh, me disa zyrtarë nga Ministria e punëve të jashtme që në emër të qeverisë dhe në emër të tij personal t‘ia japë nderimet e fundit ambasadorit shqiptar, të vrarë tragjikisht. Ministri Benesh është nënshkruar në librin e ngushëllimeve dhe e vuri një kurorë mbi arkivolin e ambasadorit shqiptar Cena bej. Përveç tjerash, kurorë lulesh vuri edhe delegacioni diplomatik nga Beogradi, ambasada e Shqipërisë në Pragë dhe shumë miq të tij.
Gazeta beogradase “Politika” për vrasësin e Cena beut
Politika e Beogradit njofton më 20 tetor se vrasësi i Cena beut, Alqiviadh Bebi, pas një dëgjimi të gjatë, ka pranuar se e ka vrarë ambasadorin shqiptar, me udhëzimin e profesorit italian Baldaqi, i cili ka tërhequr vërejtjen se Cena beu është tradhtar, se ai po e tradhton Shqipërinë te Jugosllavia. Për këtë ka deklaruar se është i gatshëm t’i jep Bebit, për këtë qëllim, në dispozicion një shumë të madhe të hollash. Para nisjes së tij nga Roma në Elbasan, Bebi i ka pritur kot të hollat e premtuara, kështu që përfundimisht e ka marrë rrugën krye më vete dhe me shpenzime të veta. Për personalitetin e profesorit Baldacci, “Politika” e Beogradit thotë se ai është armik i përbetuar i Jugosllavisë dhe se në vitin 1918 e ka përfaqësuar Italinë në Mal të Zi dhe që atëherë është përpjekur të shkaktojë kryengritje separatiste në mesin e malazezve. Para një kohe, Baldaqi u dërgoi disa malazezve që jetojnë në ekzil letra me të cilat ai i thërret ata në luftë për pavarësinë e Malit të Zi. Baldaqi ka vepruar gjithashtu në Shqipëri, ku ka shpërndarë propagandë italiane dhe ka organizuar ndërhyrje të ndryshme në territorin jugosllav.
Në anën tjetër, ish-kryeministri shqiptar, Fan Noli, deklaron në emër të organizatës “Për Shqipërinë e Pavarur” se fijet e atentatit në Pragë çojnë në Tiranë, ose në Romë, ose në të dyjat, në interes të të cilave ishte të likuidojnë Cena beun, i cili mbështeste Jugosllavinë, përfundon gazeta e përditshme “České Slovo” e datës 21 tetor.
Komentet