Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon të hënën në Uashington zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit përmes një njoftimi zyrtar.
Aty nuk janë dhënë më shumë hollësi se cilat do të jenë temat e diskutimit në takimin që zhvillohet pasdite, me orën lokale të Kosovës.
Presidentja Osmani është takuar me zëvendëssekretarin Landau edhe në korrik të këtij viti, kur dy palët i kanë diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.
Ajo pati përmendur se dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.
Osmani është takuar përgjatë vitit edhe me zyrtarë të lartë amerikanë, në margjina të samiteve të ndryshme, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së e kanë përjetuar një goditje më herët gjatë vitit për shkak të vendimit të Uashingtonit për të pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Dialogu ishte planifikuar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e ekzekutivit janë parë si sfida për përparim.
Gjatë viteve të fundit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi, apo mbylljen e institucioneve serbe.
Kurti i ka justifikuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Por, bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.
Vetë Kurti ka thënë ditë më parë se marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.
E pyetur lidhur me këto deklarata, Ambasada e SHBA-së në Kosovë I ka thënë Radios Evropa e Lirë më 17 dhjetor se synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re të zgjedhur pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.
Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.
Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.
Shumëvarësia e Kosovës
Po na vjen sërish përvjetori. Në prag datëlindja e dhjetë e republikës. Me çfarë, me kë, e me tek do ta presim, të shohim. Për këtë as që është e nevojshme të thuhet ndonjë fjalë, pasi që s’di a mbet gjë pa u thënë, përsëritur, stërpërsëritur e stërthënë por këmbëngulja e politikanë-pushtetarëve e të të veshurve, e të (pa)maskuarve të këtij sistemi ngulfatës s’po na lë rehat ndonjë herë. E kur po flasim e po numërojmë pak të bardha e fatkeqësisht shumë të zeza a e shihni se eksizton liria e fjalës po thonë, liria e të shprehurit, po çka do të thonë po t’u përmendet liria e kaosit, liria e rrënimeve e mjerimeve, liria e urisë, liria e papunësisë, liria e korrupcionit, liria e mosndëshkueshmërisë…
17 shkurti 2008 ështe një datë e rëndësishme por jo si datë historike e përmbylljes së procesit e aq më pak e parrullës propagandistike: “Bac u kry”, sepse gjërat nuk janë vënë në binarë të vet e s’janë aspak në terezi. Për këtë tashmë po pajtohemi të gjithë, të gjitha shtresat e nënshtresat, palët e nënpalët, grupet e nëngrupet, klanet, mbienënklanet…
Tash në 10 vjetorin e pavarësisë Kosova mbetet e shumë-pa-k-varura në aspektin e mbrendshëm e të jashtëm! Po cka me ba t’ia krisim festës ndonëse edhe këtu pajtohemi se festa do të jetë e zbehtë se para bajrami a ditës se falënderimeve nuk majmen as deshët e as quranat.
Edhe po jepen para nga buxheti i Kosovës ndërkoh për dekadën krenare ndërkohë korrozioni bashkë me korrupcionin po i shembin Kullat e Bacit. Dhe vazhdojnë varientet e pafundme te “Bac u…”Plus shto edhe 1001 halle e derte tjera.
Çfarë pavarësie mund të kemi kur mungojnë të drejtat elementare për një jetë me dinjitet.
Gjithkah po trumbetohen aktivitete të 10 vjetorshit. Në një koncert ‘pararendës’ për nder t’dekadës shtetërore “Elita 5” e interpretoi edhe këngën “Welcome to Albania”. Dhe këngën por edhe vargjet e saj “Problem kryesor është papunësia, depresion çdo të ri (njeri) që e sheh” çjerr maskat politike t’trumbetimeve boshe të boshteve korruptive shqiptare që keqperdorin emra heronjsh e cdo gjë që u bjen në mend e u shkon përshtati. S’lënë gjë pa lëvizur e s’lënë dy gurë bashkë në rrugën e tyre të faraonizmit. Jemi zhytur llum, e mund ta zgjasim edhe më shumë por…
Shumë gëjra janë thënë e po thuhen por shumë më pëlqeu poezia e Albin Mehmetit që e pashë në faqe interneti. Poezia kishte përmbledhur aq “llaftarueshëm” rrugëtimet e ankthet tona.që vazhdojnë, vazhdojnë…
Albin Mehmeti
Dita e errësueme
Errësina e t’djeshmes e errësina e sotit
Bashkë janë bâ
Qi nesër kur t’vjen dita e re
E errësueme me lé