Fakti që Shqipëria i ofroi strehim një grupi disident që synon ta përmbysë regjimin e Teheranit dhe që punon aktivisht për ta arritur këtë qëllim, e ka vënë Tiranën në kryqëzim nga Teherani, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizëm, në Hagë.
Më 20 qershor, Policia e Shtetit Shqiptar bastisi kampin e disa muxhahedinëve iranianë, të njohur si grupi MEK, nën dyshimet se disa pjesëtarë të tij kanë kryer veprat penale “provokim i luftës” dhe “sulme kibernetike”.
Vetë MEK-u e cilësoi aksionin policor si “kriminal” dhe “shtypës”.
Shtuni thotë se nëse dyshimet kundër grupit vërtetohen, ato përbëjnë “kërcënim të qartë për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”.
Radio Evropa e Lirë: Pas bastisjeve që bënë në kampin e muxhahedinëve iranianë, autoritetet në Shqipëri thanë se ka dyshime për disa vepra penale – në mesin e tyre edhe “provokim i luftës”. A mund të na shpjegoni më shumë për këtë vepër?
Adrian Shtuni: Fakti që Neni 211* përmendet në dokumentin e gjykatës, nënkupton që autoritetet i konsiderojnë aktet në këtë rast si të atilla që e ekspozojnë Shqipërinë ndaj kërcënimit të luftës ose ndërhyrjes së një fuqie të huaj.
Ky është një krim i rëndë që dënohet me burgim jo më pak se 15 vjet.
Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, a paraqet grupi MEK rrezik për sigurinë në Shqipëri?
Adrian Shtuni: Pjesëtarët e MEK-ut janë armiq të betuar të regjimit të Teheranit për më shumë se 40 vjet. Fakti që Shqipëria i ofroi strehim një grupi disident që synon ta përmbysë regjimin e Teheranit dhe që punon aktivisht për ta arritur këtë qëllim, e ka vënë Tiranën në kryqëzim nga Teherani.
Sulmi shkatërrues kibernetik kundër Shqipërisë, vitin e kaluar, ishte një shembull i qartë i llojit të kërcënimeve me të cilat përballet vendi. Por, kërcënimi nuk kufizohet vetëm në hapësirën kibernetike.
Qeverisë shqiptare iu desh të anulonte samitin vjetor të MEK-ut më pak se një vit më parë, për shkak të kërcënimeve terroriste.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se autoritetet shqiptare duhet ta vazhdojnë marrëveshjen për strehim me MEK-un? Përfaqësuesit amerikanë në Shqipëri thanë se i takon Tiranës zyrtare të vendosë në lidhje me të.
Adrian Shtuni: Autoritetet shqiptare ranë dakord rreth një dekadë më parë për t’i ofruar strehim grupit MEK për arsye humanitare, por me kusht që grupi të përmbahej nga përfshirja në aktivitete të caktuara politike.
Nëse vërtetohen dyshimet se grupi përdori Shqipërinë për të nisur sulme kibernetike ose për të komplotuar dhe financuar aktivitete terroriste, një gjë e tillë ka të ngjarë ta komprometojë pozicionin e tij.
Aktivitetet e tilla jo vetëm që shkelin marrëveshjen, por përbëjnë një kërcënim të qartë për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Në atë rast, autoritetet do të duhej të peshonin opsione të ndryshme, bazuar në shkallën e përfshirjes në aktivitete të tilla dhe numrin e individëve të angazhuara me to.
Nga ana tjetër, nëse pretendimet nuk mbështeten nga provat e mbledhura gjatë bastisjes ose përmes hapave të tjerë hetimorë, nuk mendoj se marrëveshja aktuale do të ndikohet.
Radio Evropa e Lirë: A mund të vendosë Qeveria shqiptare njëanshëm për ndërprerjen eventuale të marrëveshjes?
Adrian Shtuni: Çdo vend sovran ka të drejtë të hyjë në marrëveshje dypalëshe dhe të tërhiqet prej tyre nëse arrin në përfundimin se kushtet e marrëveshjes janë shkelur, marrëveshja nuk i shërben më interesit më të mirë të vendit, etj. Por, kushtet e marrëveshjes zakonisht përcaktojnë kushtet që do të çonin në ndërprerjen e saj.
Megjithatë, besoj se autoritetet shqiptare do të konsultoheshin me autoritetet amerikane në rast se do të konsideronin një hap kaq drastik.
*Video: Situata në kampin Ashraf-3 në Shqipëri, pasditen e 21 qershorit.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se SHBA-ja ndryshoi qëndrim ndaj grupit MEK? Ajo shprehu mbështetje për bastisjen e kryer nga policia shqiptare.
Adrian Shtuni: Fakti që SHBA-ja tregoi mbështetje për hapat e ndërmarrë nga autoritetet shqiptare në hetimin e krimeve të mundshme, sipas mendimit tim, nuk tregon domosdoshmërisht një ndryshim pozicioni ndaj grupit MEK.
Thënë thjesht, autoritetet shqiptare kanë të drejtën sovrane për të ndërmarrë çdo hap ligjor që konsiderohet i nevojshëm për të hetuar krimet e mundshme, për të parandaluar kërcënimet dhe për të minimizuar rreziqet për sigurinë kombëtare. Deklarata që kam parë, sqaron se autoritetet amerikane e mbështesin këtë të drejtë, ashtu si dhe hapat e ndërmarrë për ta ushtruar atë.
*Dokumenti i gjykatës në Shqipëri thirret në Nenin 221 të Kodit Penal, sa i përket veprës “provokim i luftës”. Shtuni thotë se ky është gabim dhe se bëhet fjalë për Nenin 211 dhe jo 221.