Misioni i NATO-s në Kosovë ka njoftuar se me stafin e tij po punon në zbutjen e situatës në veri, si dhe se është në kontakt me institucionet e Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë.
Në një komunikatë drejtuar mediave, KFOR-i tha se ka shtuar praninë në komunat veriore të Kosovës “për të siguruar një mjedis të sigurt për lirinë e lëvizjes”.
“Komandanti i KFOR-it dhe stafi i tij po punojnë për zbutjen e situatës dhe janë në kontakt me të gjitha palët, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe të organizatave të sigurisë në Kosovë dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë. Raportimet e mediave për një takim me Goran Rakiqin janë të pabaza, po ashtu edhe pretendimet se komandanti i KFOR-it ka bërë ndonjë paralajmërim për të shtëna në Zveçan”, thuhet në komunikatë.
Edhe sot paradite, Misioni i KFOR-it në Kosovë u ka bërë thirrje palëve të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione ose shkaktojnë përshkallëzim të situatës.
Në një komunikatë të publikuar në Twitter, KFOR-i tha se ka shtuar praninë e tij mëngjesin e së hënës në veri, pas zhvillimeve të fundit, ndërsa i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen për dialog.
“Në përputhje me mandatin e tij, KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt në mënyrë neutrale dhe të paanshme. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve dhe Organizatave të Sigurisë në Kosovë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar. KFOR-i i kërkon Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të ulur tensionet dhe si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.syri.net