Makina e politikës së jashtme po sheh humbje të njëpasnjëshme në sfidat e shumta përballë interesave të Shteteve të Bashkuara. Pse ndodh kjo dhe nëse nuk është në favor të interesave globalë amerikanë, atëherë në favor të kujt?
Jemi në një kohë kur SHBA është superfuqia e vetme, me thuajse zero konkurrencë në projeksionin global të fuqisë. Kjo ka lejuar depërtimin e mendjemadhësisë në departamente të ndryshëm qeveritarë si një kancer agresiv, por njësia që dallohet është Departamenti i Shtetit.
Disa vjet më parë, isha ftuar të vizitoja një vend të BE dhe diskutuam për mekanizmat e politikës së jashtme amerikane përballë perceptimit të saj nga evropianët. U shokuan kur e përshkrova Departamentin e Shtetit të SHBA si diçka jo më tepër se një shërbim postar i glorifikuar që kishte të bënte fare pak me procesin e vendimmarrjes të administratave të Shtëpisë së Bardhë. Kanalet e vërtetë diplomatikë kalojnë përmes Pentagonit.
Ky lloj informacioni u prit me mosbesim absolut sepse i gjithë mekanizmi evropian për marrjen e vendimeve në arenën e politikës së jashtme bazohet në rrjedhën e informacioneve nga trupi diplomatik nëpër zinxhirin komandues dhe ka dorën e kreut të diplomacisë në formulimin e përgjigjeve. Kjo funksionon vetëm kur nuk ka komponent ushtarak, i cili, më tepër se kurrë është një faktor kyç përcaktues në mënyrën se si SHBA, Rusia dhe Kina imponojnë vullnetin e tyre mbi aleatët apo kundërshtarët.
Shkëputja e këtij realiteti është sjellë në qendër të vëmendjes së fundmi teksa administrata Biden i ka dhënë Blinkenit dhe Departamentit të Shtetit autonomi relative dhe “carte blanche” për angazhimin në çështjet globale, ndërsa Departamenti i Mbrojtjes është tredhur për shkak të emërimeve të dobëta të Bidenit. Kjo është edhe më problematike kur merr në konsideratë që pjesa më e madhe e shërbimit të huaj të Departamentit të Shtetit është shumë liberale, jo objektive, si dhe faktin që edhe vetë shërbimet inteligjente të SHBA nuk ndajnë plotësisht informacionet me Departamentin e Shtetit. Nuk ekziston besimi për shkak të kaq shumë operativëve në terren të anshëm ideologjikisht e plot gabime, të cilët shfaqen plot fodullëk para homologëve të tyre.
Që nga JFK, SHBA e kishte zhvendosur diplomacinë te Këshilli i Sigurisë Kombëtare brenda Shtëpisë së Bardhë. Gjithçka e nivelit vërtet të lartë thjesht devijohej për të shmangur Departamentin e Shtetit, me përjashtim të Kissinger e Baker, pjesa tjetër e Sekretarëve të Shtetit ka qenë gjithmonë në nivel dytësor. Ky ishte fillimi i degradimit të sistemit diplomatik të SHBA ashtu siç e njihte bota. Synimi ishte anashkalimi i burokracisë së Departamentit të Shtetit për të kaluar drejt majës përmes Pentagonit.
Për çështjet me Kinën, Bush urdhëronte Flotën të luante rolin e sistemit diplomatik në rajonin Azi-Paqësor. Ky është një kanal diplomatik paralele krejtësisht i shkëputur nga Departamenti i Shtetit. Disa në Departamentin e Shtetit mund të mendojnë se janë të rëndësishëm, por e vërteta është se sot ata janë thjesht ceremonialë. Sado që të përpiqet Blinken, ai nuk flet për administratën Biden në çështjet globale dhe askush nuk e pyet shumë, çka është problem sepse ai ka nisur një përqasje globale që iu shërben interesave vetjakë për të ardhmen.
Provat se sa keq është situata mund të shihen në hapat e gabuar rëndë të Blinkenit që kanë sjellë humbjen e interesave amerikane për një brez të tërë, ka fuqizuar kooperimin ruso-kinez, ka sjellë mosbesim të aleatëve evropianë për misione të ardhshëm pas Afganistanit, ndërhyrje në politikën e brendshme të vendeve anëtare të NATO-s si Shqipëria, dhe përpjekje të mëtejshme nga vendet aziatike për të kërkuar marrëveshje të reja tregtare pa kontributin e SHBA.
Të gjithë i pamë, në kohë reale, pamjet e tmerrshme dhe llogaritë e gabuara të administratës Biden në Afganistan, që çuan në vrasjen e ushtarëve amerikanë, marrjen e vendit nën kontroll nga talibanët dhe braktisjen e aleatëve tanë që rrezikuan jetën e trupave të tyre për misionin tonë. Por çfarë ka në horizont që njerëzit nuk po i kushtojnë vëmendje?
Para së gjithash, Lindja e Mesme. Me gjithë gabimet që kishte Trump, Departamenti i Shtetit/Departamentin i Mbrojtjes në gjysmën e parë të administratës së tij ishte shumë, shumë i fortë. Tillerson dhe Pompeo u ngarkuan me shkurtime në Departamentin e Shtetit, ndërsa Mattis gëzonte respektin e Rusisë e të Kinës. Aq shumë, sa që Xi Jinping qarkullonte foto të tijat me Mattis për t’i treguar rajonit që ishte i fortë sepse Mattis ishte “miku” i tij. Kjo nuk ekziston më me emërimin e Austinit nga Biden dhe për shkak të kësaj mungese respekti tensionet janë shtuar në Lindjen e Mesme, që nga sulmet e lëvizjes Huthi kundër Arabisë Saudite (pasi Biden e hoqi nga lista e terrorit) deri te goditja me raketa e Kurdistanit nga Irani. Pas Afganistanit dhe mungesës së përgjigjes për sulmet mbi aleatët, pse nuk duhet të inkurajohen rusët, iranianët e kinezët?
Duke u kthyer te marrëdhëniet në NATO, vendet më pro-amerikane në Evropë janë Polonia dhe Shqipëria. Administrata Trump i çoi lidhjet me Poloninë përpara dhe lavdëroi rritjen e saj si një partner mbrojtës kryesor në Evropë. Sot, Sekretari i Shtetit vazhdon me prirjen frankofile duke lënë pas dore Poloninë teksa përkëdhel Parisin, i cili pa asnjë dyshim sheh më tepër interesat e tij se sa të NATO-s.
Ndërsa shumë mund të kenë dëgjuar për Shqipërinë vetëm për shkak të luftës së Kosovës apo nga elementët kriminalë në filma, Shqipëria është një aleate e qëndrueshme e SHBA. Ajo ka dërguar trupa në Irak e Afganistan, si dhe ka pranuar refugjatë ke kërkesë të SHBA. Kjo dinamikë nuk do të ndryshojë, megjithatë, veprimet e fundit nga kanakarja e Blinkenit, Ambasadorja Yuri Kim, kanë qenë kaq të dëmshme dhe destabilizuese për perceptimin e Amerikës saqë nuk arrij ta kuptoj se si secili prej tyre mund të mbetet punonjës i Departamentit të Shtetit.
Blinken, pa diskutim, ka punuar në mënyrë autonome nga administrata Biden në këtë zonë të botës, duke përkrahur kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste teksa minon aktivisht opozitën duke kërcënuar përkrahësit e duke shkuar në nivele aq amatore saqë të zvogëlojë përkrahjen për Berishën përmes sondazheve fals.
Kjo është tepër shqetësuese, për shumë arsye. Së pari, nuk është demokraci e shëndetshme nëse ke sistem njëpartiak. Opozita është e nevojshme për kontroll e balancim, gjithmonë kam qenë përkrahës i fortë i kësaj. Të heqësh kundërbalancën do të thotë të ftosh korrupsionin, dhe korrupsioni është rritur vërtet, edhe para syve të fushatave amerikane anti-korrupsion .
Së dyti, Departamenti i Blinkenit deklaroi ish-kryeministrin Sali Berisha si persona non grata bazuar në akuza korrupsioni pa fakte, pa iu treguar asgjë anëtarëve të Kongresit apo publikut, e më pas ndoqi politikën e tokës së djegur kundër gjithë përkrahësve të tij. Kini parasysh, Berisha ishte instrumental në nxjerrjen e Shqipërisë nga komunizmi, dhe llogaritjet e gabuara të analistëve të Departamentit të Shtetit për ta hequr qafe ishin abismale. Shqiptarët e thjeshtë e kanë ngritur përherë e më tepër zërin kundër ambasadores amerikane. Ky nuk është imazhi për të cilin ka nevojë SHBA tani.
E gjitha kjo është bërë për të forcuar Edi Ramën dhe Partinë e tij Socialiste, që tashmë ka qenë e mbushur me trafikantë droge prej vitesh. Jo më pak se pesë ministra nga partia e tij, njëri mik i tij i afërt, dhe javën e kaluar edhe një mbledhës fondesh në Itali, janë arrestuar. Greqia, Italia, Spanja, Gjermania dhe vende të tjera i kanë kërkuar më tepër bashkëpunim Shqipërisë, ndërsa SHBA kryesisht e injoron situatën.
E gjitha kjo dhe Departamenti i Shtetit ende nuk e ka marrë mundimin as të pyesë veten nëse kemi të bëjmë me një Manuel Noriega të dytë. Pse nuk e pyesin zyrtarët e Bidenit Blinkenin se çfarë po ndodh? Pse nuk i bëjnë disa pyetje komisionet e jashtme të Kongresit dhe Senatit ambasadores Yuri Kim? Me shpresë që pas zgjedhjeve të mes-sezonit do të ketë seanca dëgjimore jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë veprimet e Departamentit të Shtetit të Blinkenit që nga Afganistani në Lindjen e Mesme, për të vënë përpara përgjegjësisë personat që rrezikojnë interesat e SHBA.
Marrë nga intelligencequarterly.com
Komentet