Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të intelektualit tiranas, Reshat Këlliçi, pinjoll i një prej familjeve të njohura, ku të parët e saj, si Mytesim dhe Masar Këlliçi, pasi ishin diplomuar në universitetet e Stambollit, në vitin 1912-të, iu përgjigjën thirrjes së Ismail Qemalit dhe u kthyen në atdhe për të dhënë kontributin e tyre në formimin e shtetit të ri shqiptar.
Miqësia e ngushtë e Reshat Këlliçit me djaloshin nga Vlora, Avni Rustemi gjatë periudhës që studionin në Kalabri, ku ata u takuan edhe me nipin e poetit të famshëm të Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Radës, i cili kërkonte të shiste dorëshkrimet e gjyshit të tij. Kthimi i Reshatit në Shqipëri në vitin 1920-të, ku u angazhua në politikë me Shoqërinë “Bashkimi” që drejtohej nga miku i ngushtë i tij, Avni Rustemi, duke drejtuar gazetën “Bashkimi” dhe largimi nga Shqipëria, pas ardhjes së Zogut në pushtet, duke emigruar në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1936 që u diplomua në Shkencat Politike.
Kthimi i Reshtatit në atdhe pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, pasi ishte zhgënjyer nga ‘doktrina komuniste’ dhe realiteti që ia kishte parë me sytë e tij në atdheun e Leninit e Stalinit, gjë e cila bëri që ai të mos bëhej kurrë komunist dhe për atë gjë, u pa shtrembër nga regjimi komunist deri sa mbylli sytë në vitin 1966, nën kujdesin e mikut të tij, Sejfulla Malëshova, të cilën se lejuan të merrte pjesë në funeralin e mikut të tij të idealeve që nga koha e rinisë!
Nga Stambolli në Tiranës pas thirrjes së Ismail Qemalit
Reshat Këlliçi lindi në Stamboll në vitin 1901, ku pas largimit nga Tirana, ishte vendosur familja e tij që përbëhej nga intelektualë, nëpunësish të lartë të administratës shtetërore. Familja Këlliçi autoktone tiranase, ishte vendosur në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, aty nga fillimet e vitit 1890-të. Babai i Reshatit, Masar Këlliçi, mbaroi studimet për Teologji në kryeqytetin turk, ku pati kontakte të shpeshta me patriotët e tjerë tiranas, si Seremedin, Refik e Abdi Toptani, të cilët përgatisnin e shtypnin libra shqip, që i dërgonin fshehurazi në Shqipëri. Pas mbarimit të shkollës teologjike, Masari së bashku me vëllanë e tij, Mytesinin, punuan për disa kohë në doganën e Bursës e Izmirit. Në vitin 1912-të, mbas shpalljes së pavarësisë, kur Ismail Bej Qemali, ju bëri thirrje të gjithë intelektualëve shqiptarë që ishin jashtë Shqipërisë, të ktheheshin në atdhe, për të kontribuar në ndërtimin e shtetit të ri, familja Këlliçi, ju përgjigj nga të parët asaj thirrje, e u kthye në Tiranë. Masar Këlliçi, aty rreth vitit 1920-të, u zgjodh në funksionin e Kryetarit të Komunitetit Islamik për Tiranën. Po kështu duke parë dhe kontributin e tij patriotik gjatë viteve të qëndrimit në Stamboll, më 21 prill të vitit 1921, Masari u zgjodh dhe deputet i Tiranës në Parlamentin e parë shqiptar. Që përpara se Masari t’i kushtohej politikës, vëllai i tij Mytesini, Myftiu i Tiranës, ishte një ndër iniciatorët dhe pjesëmarrësit e Kongresit të Lushnjes.
Reshati shok dhome me Avni Rustemin në Kalabri
Djali i Masarit, Reshat Këlliçi, pasi kishte mbaruar shkollën fillore në Stamboll, me t’u kthyer në Tiranë, u dërgua nga familja për të vazhduar shkollën e mesme në Shën-Mitër Korona të Kalabrisë. Në atë shkollë ku kishte dhënë mësim poeti i madh i Rilindjes, Jeronim De Rada, Reshati, u njoh dhe zuri një miqësi të ngushtë, me bashkatdhetarin e tij, Avni Rustemin, për të cilin do të shprehte mirënjohje e respekt, gjithë jetën e tij. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij midis të tjerash Reshati shkruan: “Me Avniun jam njohur aty nga fundi i tetorit të vitit 1919-të. Avniu kishte ardhur për të dhënë provimet e maturës, në degën Normale të shkollës së dëgjuar të këtij fshati të arbëreshëve të Kalabrisë, ku vinin për të mësuar djem nga të katër anët e Shqipërisë. Ai më afroi, më deshi dhe u bëmë miq të ngushtë, që ditën e parë. Edhe unë e desha me gjithë zemër. Ai ishte i urtë e shumë i sjellshëm dhe të dy banonim bashkë në një dhomë, që e kishim zënë në shtëpinë e arbëreshes Maria Antonia, e cila na donte shumë se ishim djem të rregullt”. Gjatë viteve që studiuan në Kalabri, Reshati së bashku me Avni Rustemin, shkuan dhe vizituan shtëpinë e familjes De Rada, në fshatin Makia, që ndodhje jo shumë larg Shën-Mitërit. Lidhur me këtë vizitë në shtëpinë e poetit të famshëm të Rilindjes Kombëtare, në kujtimet e tij Reshati shkruan: “Ajo ishte një shtëpi e vogël e një fshatari të varfër si jerevi, një karakatinë të thuash, ku kish lindur, ku kish vuajtur dhe ku kish ngrysur jetën e tij të varfër. Avniu më foli shumë për këtë bir të madh të arbëreshëve të Italisë, për këtë poet shqiptar, i cili e kishte dashur me një pasion të papërmbajtur, mëmëdheun e tij të vërtetë, që e kishte ballë për ballë përtej detit. Në atë shtëpi gjetëm nipin e poetit, i cili kishte rënë nga dynjallëku. Folëm gjerë e gjatë me të, për të mësuar më shumë hollësira rreth jetës së De Radës. Ai na tha se poeti kishte lënë disa dorëshkrime të çmueshme, të cilat ai i ruante me kujdes dhe na tha se ato një ditë do t`i shiste, për të fituar ndonjë lek për të jetuar. Na erdhi shumë keq që edhe nipi i poetit vuante aq shumë, siç kishte vuajtur xhaxhai”.
Drejtor i gazetës “Bashkimi”
Pasi mbaroi shkollën e mesme në Shën-Mitër të Kalabrisë, aty nga korriku i vitit 1923, Reshati u kthye në Shqipëri dhe me njëherë u angazhua në politikë, duke u bashkuar me krahun e kundërshtarëve të Ahmet Zogut, ose siç njiheshin ndryshe asokohe “bashkimxhinjtë”, që ishin grupuar në shoqërinë “Bashkimi”, e cila kryesohej nga shoku i tij i ngushtë, Avni Rustemi. Në atë kohë shoqëria “Bashkimi”, ku aderonin dhe Sejfulla Malëshova, Tajar Zavalani, Reshit Daci, Naum Prifti etj., aty nga fillimi i vitit 1924, nxori dhe gazetën e saj, me të njëjtin emër, drejtor i së cilës u caktua Reshat Këlliçi. Kur filloi të drejtonte atë gazetë, Reshati u njoh dhe me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Stavro Vinjahun etj., të cilët ishin dhe inspiruesit e shoqërisë “Bashkimi”, që përgatitën kryengritjen e armatosur ose siç njihet ndryshe “Revolucioni i Qershorit”. Lidhur me nxjerrjen e gazetës “Bashkimi”, në kujtimet e tij në mes të tjerash Reshati ka shkruar: “Më në fund pasi na siguruan fondin e bekuar, organizata jonë e ndau mendjen, për të nxjerrë dhe ajo organin e saj për përhapjen e ideve revolucionare, sipas programit që e kishte hartuar vetë Avni Rustemi, që kur kishte qenë në Romë, pas vrasjes së Esat Toptanit. Asokohe në Shqipëri dilnin disa gazeta me pikëpamje të ndryshme politike, si “Ora e Maleve” në Shkodër, që ishte organ i Klerit Katolik dhe “Republika” antiklerikale. Po kështu dhe “Dajti” në Tiranë, që e nxirrte Ibrahim Dalliu, i cili më vonë hyri në polemikë, me gazetën tonë e cila e quajti këtë gazetë “Dajti me Xhube”, “Streha e tekaytëve”, se vërtetë në këtë gazetë nisën të shkruanin, me pseudonime ose me emrat e tyre të vërtetë, disa pleq të matufepsur, të cilët s`i pëlqenin idetë tona të reja. Gazeta jonë pati aq jetë, sa dhe qeveria e Nolit. Me gjithë aleancën që kishim me atë qeveri, ne shpesh herë e kritikonim ashpër atë”.
Publicistika e Këlliçit
Në atë kohë që Reshati drejtoi gazetën “Bashkimi”, krahas penave që shkruanin vazhdimisht aty, siç ishin: Sejfulla Malëshova,(me pseudonimin letrar Lame Kodra) Zai Fundo, Tajar Zavalani, Zoi Xoxe, Haki Stërmilli, Selim Shpuza e ndonjë tjetër, ai shkruante vetë pjesën më të madhe të artikujve dhe editorialeve që kishin lidhje direkt me politikën e qeverisë, duke trajtuar aty problemet që ata i mendonin si më të mprehtat e ditës. Në atë gazetë që në numrin e parë, të datës 8 korrik 1924, në artikullin me titull “Programi ynë”, Reshat Këlliçi, midis të tjerash shkruante: “Sot në kryeqytetin e lirë të Shqipërisë, kremtojmë triumfin e demokracisë. Sot shoqëria “Bashkimi”, pret rrënjosjen e demokracisë së vërtetë, ruajtja e së cilës nuk duhet t`u besohet kurrë, feudalëve dhe pseudopatriotëve. Ajo pret dënimin, dënimin shembullor të shkaktarëve të vëllavrasjes dhe shpagimin nga pasuria e këtyre, të tërë shpenzimeve e dëmeve materiale që pësuan shteti dhe populli”. Në një artikull tjetër të gazetës “Bashkimi”, të datës 20 shtator 1924, midis të tjerash Reshati shkruan: “Populli me masa të ngadalshme nuk beson se mori fund regjimi i feudalëve në Shqipëri. Qeveria në të cilën kishim besim të madh, se do të realizonte principet dhe idetë e larta që çuan gjithë popullin në këmbë, mjerisht nuk e dimë se ka mbetur në fillim të rrugës”. Pas dështimit të qeverisjes së Fan Nolit e cila erdhi në pushtet, pasi përmbysi me dhunë qeverinë legjitime të Shefqet Vërlacit, ku Ahmet Zogu mbante postin e ministrit të Brendshëm, bashkë me qeverinë noliste, ra edhe gazeta “Bashkimi”, që ishte mbrojtësja e saj kryesore, gjatë atyre gjashtë muajve që ata ishin në pushtet.
Emigron në Bashkimin Sovjetik
Pasi krerët kryesorë të qeverisë së Fan Nolit, të kryesuar nga vetë ai, në fundin e muajit dhjetor 1924, u larguan nga Shqipëria me rri ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, bashkë me ta u largua dhe Reshati, duke emigruar për në Bashkimin Sovjetik. Në perandorinë e madhe të komunizmit, Reshati shkoi si emigrant politik, së bashku me disa shokë të tjerë “bashkimixhinj” siç ishin: Tajar Zavalani, Sejfulla Malëshova, Reshit Daci, Naum Prifti etj., të cilët si idealistë që ishin, mendonin se në atdheun e Leninit, do të ndërtohej një shoqëri e vërtetë demokratike. Reshati qëndroi në Bashkimin Sovjetik, nga viti 1924 e deri në 1936-ën, ku punoi për disa vjet dhe më pas ndoqi studimet për Shkencat Politike dhe dy vjet në një Akademi Ushtarake të Petërsburgut. Ndonëse ai ndoqi shkollat ruse, kurrë nuk u bë marksist. Këtë gjë e vërtetojnë dhe shkrimet e tij, nga fillimi i viteve ‘30-të, ku midis të tjerash shkruante:”Në shtetet demokratike perëndimore, mund të kritikosh pa frikë dhe vetë kryeministrin, kurse në Rusi kishe frikë ta shkoje në mend, një gjë të tillë”. Edhe pse Reshati qëndroi afër 12 vjet në Bashkimin Sovjetik, ai u zhgënjye nga realiteti rus, kur pa me sytë e tij, se ai vend që propagandonte demokracinë, s`ishte gjë tjetër, veçse një diktaturë e egër, ku Stalini e kishte kthyer, në një burg të madh popujsh. Ishte kjo arsyeja që Zai Fundo, me Tajar Zavalanin i braktisën idealet komuniste, pas pak vitesh kur u kthyen në Shqipëri. Kurse Reshat Këlliçi me Sejfulla Malëshovën edhe për shumë vjet, pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik ushqyen iluzione se komunizmi do të kishte të ardhme në atdheun e tyre. Por edhe ata u zhgënjyen nga kjo gjë, vetëm pas mbarimit të Luftës kur komunistët erdhën në pushtet.
I largohet komunistëve, e luftohet prej tyre
Pas afro 12 vjetësh qëndrimi në perandorinë e komunizmit, Reshati u kthye në Shqipëri, aty nga viti 1936, i deziluzionuar nga idetë komuniste. Në atë kohë ai u martua me Bedia Sulon nga Libohova, që ishte vajza e Dervish Sulos, Kryetari i Gjykatës së Diktimit (Lartë), e cila asokohe studionte në Shkollën Tekniko-Bujqësore Amerikane të Golemit. Asokohe Reshati hoqi dorë fare nga politika dhe u morr vetëm me punët e tij, ku nga viti 1936, punoi si llogaritar në fabrikën e cigareve “Stamles” të Durrësit. Po kështu dhe gjatë viteve të pushtimit (1939-1944) ai qëndroi pak i mënjanuar nga Lufta, ndonëse ishte me bindje të thella antifashiste. Komunistët në atë kohë i pushkatuan, burrin e motrës, Akil Sakiqin, (ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut) dhe vetë Reshati shihej me sy të keq prej tyre, pasi kishte djalë halle, Prefektin e Tiranës, Qazim Mulleti dhe djalë tezeje, ish-Prefektin e Durrësit, Rexhep Jellën. Mbas Luftës, Reshati punoi disa kohë në Bankën Kombëtare dhe në Hotel “Dajti” dhe vazhdonte shoqërinë e ngushtë, me shokun e tij të vjetër, Sejfulla Malëshovën, të cilin asokohe e përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, prej të cilit do ta pësonte dhe vetë Reshati, duke e larguar nga puna. Ndonëse Reshati e pësoi prej shoqërisë që kishte me Malëshovën, ai kurrë nuk e braktisë atë edhe kur në vitin 1950-të, u thirr personalisht nga Kadri Hazbiu, që të hiqte dorë nga shoqëria me Lame Kodrën. Pas kësaj ai mezi mundi që të rregullohej me punë, si mësues i Gjuhës Ruse për disa kohë dhe më pas përfundoi si korrektor letrar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ndonëse njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja. Edhe pse kishte studiuar për shumë vite në Bashkimin Sovjetik, Reshat Këlliçi, jo vetëm që nuk u bë kurrë komunist, por u luftua prej tyre deri sa vdiq në vitin 1966. Ditët e fundit të jetës tij, mbi kokë i qëndroi shoku i tij i idealit, Sejfulla Malëshova, të cilin nuk e lejuan të merrte pjesë, në funeralin e Këlliçit./Memorie.al