Një prag i gurtë, porta e vjetër
Stromë të mbushura me kashtë
Vatra bujare me zjarr të fortë
Për miqtë që vinin nga jashtë
Dritaret me hekura,kanatet prej lisi
Dëshmi e kohës së shkuar
Kur pasigurisë i përgjigjeshin
Shtëpi kështjella duke ndërtuar
Në krye të vatrës rrinte Babai
Me libra e shkrime në duar
Perballë Nëna thurte çarape
E ne femijët që loznim të gëzuar
Kur shtronim sofrën, pjata nuk kishim
Na i ndanin gjellën në dy sahanë
Dhe ne fëmijet nisnim e grindeshim
Lugën e Joshës* i pari kush ta marrë
Ajo s’ish lugë si gjithë të tjerat
Kishte një histori të veçantë
Shokët e djalit ja prunë Joshës
Bashkë me të zezën mandatë
Ish luga e djalit që ra për Liri
A kish për Të kujtim më të artë
Por Josha ime zemër- flori
Tek neve fëmiive e bëri dhuratë
Kujtoj kur nata binte shpejt
Në ditët e shkurtëra të Janarit
Lexonim mësimet pranë vatrës
Nën ndriçmin e flakëve të zjarrit
Vite të ashpëra, vitet pas luftës
Shumë herë buka na ka munguar
Por fëmijëria e papërsëritëshme
Ka ëmbëlsi të papërshkruar
Dhe shtëpinë e varfër ku u rrita
S’e ndërroj me asgjë në botë
Ku vete nuk gjej Ata që kisha
Lëmoj gurët e me Ta jam tok
Dëgjoj në veshë zërat e tyre
I shoh e pranë, më vinë
Unë flokëzbardhuri në kokë
Rinohem e gëzoj si fëmijë
Shumë herë zbathur dal në oborr
Dhe flas me zë të fortë :
Jam Anteu, i pavdekshtëm jam
Kur shkel në këtë tokë
Një ditë u pengova e rashë
Në oborrin me pllaka guri
U vrave bir më foli Nëna
E zgjati dorën, timen e zuri
Më ngriti, me puthi në ballë
Dy lot i ndrisnin në faqe
Dal të të shoh mos ke gjak
Fëmija ime thoshte e qante
Nënë s’u vrava i fola unë
Gjysh jam tani e jo fëmijë
Po ti nga vjen Nëna ime
Që mban erë trëndelinë
Për mua fëmijë je përherë
Vitet rendësi nuk kanë
Ti je bir e unë Nënë
Ndaj nga lart të erdha pranë
Ktheva kokën nga vinte zëri
Nënën time nuk e pashë
Drejtova sytë nga qielli
Me Fletën* po iknin bashkë
ZOTIT i kërkova ndjesë
Rëndë kisha amëshuar
Sakrilegj* kisha bërë
Shpirtin kisha ngacmuar
Prapë Nëna mu përgjigi
Bir asnjë mëkat s’ke bërë
Je në shtepinë që u rrite
Bashkë jemi që të tërë
Ndaj ndihem i fortë
Atje në shtëpinë time
Ku kalova fëmijërinë
Me të paktat thërrime
Dhe ringrihem, përtërihem
Me sy tjetër e shoh botën
Pa çka se në atë vend
Na plagosën, na gjakosën.
*Josha- Nëna e Nënës
*Fleta e Kerubinit-sipas besimit Kristian mbron shpirtrat
*Sakrilegi- ngacmimi i te vdekurve.