Shtëpia e Bardhë paralajmëroi të mërkurën se Rusia mund të zgjerojë sulmet ndaj objekteve ukrainase të lidhura me drithërat, duke vënë në shënjestër edhe anije civile në Detin e Zi.
Adam Hodge, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se zyrtarët amerikanë kanë informacione që tregojnë se Rusia ka vendosur mina detare pranë porteve të Ukrainës. “Ne besojmë se kjo është një përpjekje e koordinuar për të justifikuar çdo sulm kundër anijeve civile në Detin e Zi dhe për të fajësuar Ukrainën për këto sulme,” tha ai.
Zoti Hodge tha se Rusia kishte njoftuar se të gjitha anijet që shkojnë në portet ukrainase në ujërat e Detit të Zi do të konsideroheshin transportues të mundshëm të ngarkesave ushtarake dhe tha se informacioni i SHBA-së tregonte se Rusia kishte vendosur mina shtesë detare në afrimet drejt porteve të Ukrainës.
“Rusia vuri në shënjestër me raketa dhe dronë më 18 dhe 19 korrik portet e eksportit të grurit të Ukrainës në Odesa, duke shkatërruar infrastrukturën bujqësore dhe 60,000 tonë drithë”, tha ai.
Zoti Hodge tha se Rusia kishte njoftuar se të gjitha anijet që shkojnë drejt porteve ukrainase në ujërat e Detit të Zi do të konsiderohen transportues të mundshëm të ngarkesave ushtarake.
Vetë Ministria ruse e Mbrojtjes e bëri këtë paralajmërim, dy ditë pasi pezulloi pjesëmarrjen në marrëveshjen për transportin e drithit ukrainas përmes Detit të Zi.
Në një deklaratë të shpërndarë përmes aplikacionit Telegram, ministria thotë se duke filluar nga mesnata e 20 korrikut “të gjitha anijet që lundrojnë në ujërat e Detit të Zi drejt porteve të Ukrainës do të konsiderohen si transportuese të mundshme të ngarkesave ushtarake”.
“Vendet e këtyre anijeve do të konsiderohen të përfshira në konfliktin ukrainas në krah të regjimit të Kievit”, vazhdon deklarata.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, disa zona në Detin e Zi “deklarohen përkohësisht të rrezikshme për lundrim” dhe Rusia ka bërë paralajmërime se nuk garanton sigurinë për marinarët.
Shefja e USAID-it, Samantha Power i tha Zërit të Amerikës të mërkurën në Kiev se “të gjitha vendet dhe udhëheqësit e tyre duhet të dënojnë publikisht vendimin [e Rusisë] për t’u tërhequr nga një nismë që synonte dërgimin e ushqimit nga Ukraina në pjesën tjetër të botës”, duke shtuar se dy të tretat e drithit që u transportua në bazë të marrëveshjes, kishin shkuar në vendet në zhvillim.