Udhëheqësit e grupit të shtatë vendeve më të pasura në botë thonë se do ta mbështesin Ukrainën “për aq kohë sa është e nevojshme”, pas sulmeve me raketa të Rusisë në fillim të kësaj jave. Aleatët perëndimorë pritet që së shpejti të vendosin nëse do të miratojnë kërkesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për sisteme moderne dhe efektive të mbrojtjes ajrore.
Sulmet ajrore të Rusisë në Ukrainë ditën e hënë vranë të paktën 19 persona, duke nxitur një takim urgjent virtual të udhëheqësve të vendeve më të pasura në botë, G-7, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy ditën e martë.
“Kemi një deklaratë të detajuar nga grupi i shtatëshes se të gjithë ata që janë përgjegjës për terrorin kundër Ukrainës do të sillen para drejtësisë. Duke filluar nga udhëheqja aktuale e politikës ruse e duke përfunduar me të gjithë ata që u shërbejnë këtyre interesave terroriste”, tha zoti Zelenskyy.
Udhëheqësit e G-7 koordinuan përpjekjet për t’i ofruar Ukrainës ndihma ekonomike, sigurie dhe humanitare, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
“Presidenti Biden diskutoi me partnerët e G-7 se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku që aftësitë e mbrojtjes ajrore për Ukrainën të kenë përparësi, e cila ka qenë dhe do të jetë përparësi e Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.
Pas valës së re të sulmeve ruse, Shtetet e Bashkuara përshpejtuan dërgimin e sistemeve të përparuara të mbrojtjes ajrore NASAMS në Ukrainë, një paketë ndihmash që ishte miratuar nga qeveria amerikane në qershor.
Moska, e cila ka thirrur mobilizimin e pjesshëm të popullsisë, tha se shtimi i ndihmave ushtarake perëndimore për Ukrainën nënkupton përshkallëzim të mëtejshëm dhe përplasje të mundshme mes Rusisë dhe NATO-s.
Por vëzhguesit thonë se sistemet e mbrojtjes ajrore janë të domosdoshme jo vetëm për të mbrojtur civilët, por për të krijuar një ndjenjë normaliteti në Ukrainë.
“Të përpiqemi të kthejmë disa nga ukrainasit që kanë ikur që nga sulmi rus. Synimi i presidentit Zelenskyy është të rindërtojë ekonominë e Ukrainës, e cila ka marrë një goditje të rëndë nga sulmi i Rusisë”, tha Becca Wasser nga “Qendra për Sigurinë e Re Amerikane”.
Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar mbi 16 miliardë dollarë ndihma për sigurinë e Ukrainës, që nga fillim i sulmit rus në shkurt.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë i kanë dhënë Ukrainës disa sisteme të mbrojtjes ajrore, por jo ato të nivelit të lartë strategjik, si për shembull sistemin Patriot”, thotë Luke Coffey, nga instituti Hudson.
Shtëpia e Bardhë nuk e konfirmoi nëse po shqyrton dhurimin e sistemit “Patriot”, i cili ofron mbrojtje nga raktetat taktike balistike, raketat me vetë-drejtim dhe avionët e përparuar.
“Ne planifikojmë të vazhdojmë të ofrojmë sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën. Kur të ketë diçka për të njoftuar në këtë drejtim, do ta bëjmë siç kemi bërë për tetë muajt e fundit”, tha zoti John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Të mërkurkën, armët dhe ndihmat e tjera të sigurisë do të diskutohen në takimin e Grupit Konsultativ të Sigurisë së Ukrainës në Bruksel.
Komentet