Shtëpia Botuese Onufri ju fton sot në promovimin e Antologjisë së poetëve hebrej “Shalli i Lutjeve” përkthyer nga Mimoza Erebara.
Voal.ch po ju sjell një cikël me poezi nga Mimoza Erebara titulluar: Requiem per viktimat, ne jemi me ty Israel!
Requiem per viktimat, ne jemi me ty Israel!
SIKUR TË KISHTE BORË NË TEL-AVIV!
Në borë njollat e gjakut nuk duken më
Rrugët zbardhen dhe krahët e pëllumbit janë aty,
Në dritare ku drita luan me lotin e nxehtë
Ku bora e qetë dhe paqtë pa u ngutur shtron
çdo gjë duket e bukur nën bardhësi, por…
Iluzion!
E kuqja e gjakut nuk ikën, toka e përthith thellë
E ruan, se ajo një ditë bëhet ajri, bima, foshnja
Lutja jonë!
Ah, sikur në këtë mëngjes,
Në Tel-Aviv të binte borë…e bardhë…e bardhë…
Sa bukur do te ishte!
DONI TË DINI?
Ju doni të dini se ç’mendojnë macet
E shtëpive të bombarduara
Qentë e tmerruar që marrin arratinë,
Çerdhet e shkatërruara
Zogjtë që ranë në tokë si ca pika të mëdha shiu,
Gjymtyrët e gjakosura të foshnjeve
Që kërkojnë qumësht…
Ju doni të dini se ç’mendojnë nënat
Kokat e shpuara nga plumbat?
-Ndalojeni luftën!
BABAI
Nga lufta u kthye babai
-një grumbull i rrëmujshëm
Rrobash larë në gjak.
LUTJE
Kam nevojë të lutem në Murin tim
të dëgjoj sërish zërin që vjen kaq ëmbël.
Mos vallë zëri i jetës është ky?
I pavdekësisë ?
Kam nevoje të prek gurin e ashpër
e të ndjej si depërtojnë tehet e shpatave
thellë në trupin dhe dorën time,
të dëgjoj gurgullimën e gjakut të lashtë
dhe të kuptoj qenien time, kush jam
në shpërthim, dhe në të fundit lutje.
Muri im i Lotëve, më merr pranë teje,
Më merr pranë Lutjes tënde,
diamant shpërthyes ylberesh të ndritshme!
ËSHTË LUFTË
Këmbë e prerë në mes
si jeta ime,
kocka të dërrmuara
si shpirti im,
gjak i tharë në xhaketë
si ëndrrat tona,
Trup i humbur
si unë në luftë.
Dhe qeshja jote
që më përkund si valët
e një dite të lumtur
LARG! – VAJZË KAMIKAZE
Pas sulmit vetvrasës me bombë
në qendër të Tel Avivit
Në fillim një qelizë
pastaj dy,
pastaj shumë qeliza
të cilat trupi im do t’i mblidhte
për të ribërë dashurine time
brenda meje për ty.
Po ndjenja ime përpëlitëse
mbeti një foshnje pa fytyrë,
pa gjymtyrë, një cung
të cilën zemra jote e shkuli
e tutje e hodhi
në një humnerë të pafund.
TË KUQE U BËNË LUTJET NË JERUSALEM
Të kuqe u bënë lutjet në Jerusalem,
të ngrohta si gjaku,
e shpirtrat rreth nesh
palosin historinë me dashurinë e tyre
Jerusalemi mezi gëlltit natën nga dhimbja.
Mimoza Erebara