Tempull,
me harqet
e ujërave
ky qiell,
lëng gjallërues dhe ringjallës si në përrallë, koha.
Në atë burim kohe- lëng, të trupit femëror,
me thellësi intime të dheut ëndërrimtar,
sipërfaqe të florës së animuar,
lartësi trajektoresh që sytë t’i rrokullis dhe gremis,
gjapërinj nga vrimat e hundës nxjerr,
krahët- dy brirë,
ngul,
turinjtë fut,
e përçudshmja për ligjin biogjenetik,
shtaza e përditshme e përdhunimit,
etjen të shuajë duke lëpirë dhe mbytur xixëllonja,
dhe me llapa sysh të shtrembtë çmendine.
Duke lëpirë e shijuar shtaza, quaje “thjeshtak qyteti”,
njëkohësisht dhe “demiurg opozitar”,
gjithë kokrrizat e qumështit të bletës në inde,
gjithë kokrrizat e dëborës së parë në sytë e zgjimit,
gjithë kokrrizat e kripës të misht me kockën,
gjithë akulloret e gonxheve të shpërthyera të gjinjëve,
gjithë vezët shenjtërore të gjinisë si femër,
gjithë kremin e hormoneve- fustan i nusërisë.
Gjuha nga një- në shtatë e shtazës, quaje “përbërak katundi”,
njëkohësisht dhe “lider qeveritar”,
kryet nga një – në shtatë e përbindëshit,
numuri shatë, përse numuri shtatë, o njerëz?
Cila qeveri e tranzicionit, para erës së re,
e tranzicionit, pas erës së re,
marrëveshje lidhur ka me demonë,
shtatën e shenjtë dhe atyre duke ua shitur?
(A mos dhe këtu e fshehur ajo dorë pa trup
ose e trupit pa atdhe
që firmoste: “Shqipëria- një ero”?)
Numuri shtatë, ky numuri shtatë nga“shtatëshja”
e parathënies dhe pasthënies njerëzore,
e mishit,
e kockës,
e palcës,
e gjakut mentar,
sepse qiejtë e jetës, shtatë,
sistemet kristalore, shtatë,
ditët e javës, shtatë,
shtresat e atomit, shtatë,
ngjyrat e të bardhës, shtatë,
shtresat gjeologjike, shtatë,
familjet e sistemit periodik të elementeve kimikë, shtatë,
notat e muzikës, shtatë,
e gjithë kjo bukuri, pre e monstrës, shtatë.
Pi e thith lëngun- kohë, shtaza,
trupi pjellor i femrës u mek,
u shterr ai kurm- ag i parë,
ai shtat ashtu i tharë pa një pikë lëng- kohë,
erdh e u shkërmoq në grepça ekuacionesh me të njohura
e më pas në thërmija amorfe.
Kometa nga larg
a nga afër
dhe nga të tilla grimca, them,
për këdo, them,
që duart
në kokë
vë.
Komentet